VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ''JU FLET ZËRI I AMERIKËS''Me rastin e 70-vjetorit të Shërbimit Shqip të VOA-sNga FRANK SHKRELI*

                                                                                      

E Shtunë, 10.05.2024, 01:01am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
''JU FLET ZËRI I AMERIKËS''
Me rastin e 70-vjetorit të Shërbimit Shqip të VOA-s
Nga FRANK SHKRELI*

E Enjte, 05.09.2013, 07:02am (GMT+1)



Ishte viti 1942. Lufta e Dytë Botërore ishte në kulmin e saj. Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi vend me rëndësi në atë kohë që nuk kishte një radiostacion për transmetime drejtuar botës së jashtme. Presionet e luftës dhe nevoja për ti shpjeguar kryesisht Evropës por edhe botës rolin e Amerikës në atë luftë, bëjnë që Shtetet e Bashkuara të inaugurojnë organin e parë të transmetimeve ndërkombëtare, të quajtur Zëri i Amerikës.
Kjo radio filloi programin e parë prej 15-minutash në gjermanisht. Emisioni filloi me angazhimin drejtuar dëgjuesve, se "Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do të jemi me ju nga Amerika për të folur për luftën.....Lajmet mund të jenë të mira ose lajmet mund të jenë të këqia por ne -- Ne do tu themi të vërtetën''.

Një vit më vonë, më 1943, Zëri i Amerikës, përveç gjuhëve të tjera, fillon transmetimet e tija edhe në gjuhën shqipe. Këtë vit u mbushën 70 vjetë nga inaugurimi i transmetimit të parë me valë të shkurtëra në gjuhën shqipe. Për të festuar këtë jubilar, Drejtoria e Euroazisë dhe Seksioni i gjuhës Shqip i Zërit të Amerikës organizuan të marten një ceremoni ku ishin të ftuar presidentë, diplomatë dhe zyrtarë nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia, anëtarë të Kongresit Amerikan si edhe personalitetete nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Ceremonia, që zgjati më shumë se dy orë, u mbajtë në sallën e madhe të selisë së Zërit të Amerikës në Uashington ku u mbajtën fjalime dhe u dorëzuan dekorime nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani për seksionin shqip të Zërit të Amerikës dhe për Dr. Elez Biberaj, ish-shefin e seksionit shqip të VOAs dhe tani drejtor i Euroazisë pranë këtij enti.

Lista e personaliteteve që folën me këtë rast ishte e gjatë, duke filluar nga zyrtarët më të lartë të VOAs, përfshirë drejtorin e përgjithshëm Dejvid Ensor, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Filip Riker, fituesin e Çmimit Nobel për Mjekësi, shqiptaro-amerikani Dr. Ferid Murad. Përshëndetën gjithashtu edhe Kongresisti amerikan Eliot Engel, ish- senatori Denis Di Koncini, ish-ambasadori amerikan në Shqipëri Uiliam Rajerson, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Profesori Nikolas Pano i Universitetit Northuestern Illionoi dhe të tjerë. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe Presidentja e Kosovës, të cilët kishin dërguar përfaqsuesit e tyre të posaçëm për të marrë pjesë në këtë ceremoni, përshëndetën të pranishmit me video mesazhe. Presidenti shqiptar Nishani duke kujtuar këtë përvjetor tha se "Zëri i Amerikës na dha shpresë gjatë një periudhe të errët të historisë sonë.'' Ndërsa Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha në video mesazhin e saj se, "Zëri i Amerikës ishte i vetmi zë që raportonte gjatë luftës në Kosovë si edhe për krizën e refugjatëve, e që mund të dëgjohej nga populli ynë. Shpresoj që Zëri i Amerikës të mos shuhet kurrë", tha ajo.

Kongresisti Eliot Engel përshëndeti Seksionin shqip të Zërit të Amerikës për informimin e shqiptarëve, duke thënë se "Amerika ka gjithnjë nevojë për Zërin e Amerikës....'', dhe ish-Senatori Denis Di Koncini shtoi se Zëri i Amerikës mbetet jetik për të transmetuar lajmet për popujt e rajonit dhe për të treguar se amerikanët kujdesen gjithnjë për ta''. Profesor Nikolas Pano foli për rolin që ka luajtur Zëri i Amerikës në marrëdhënjet midis dy popujve, dhe ish-ambasadori amerikan në Tiranë Uilliam Rajërson kujtoi vizitën e ish- Sekretarit amerikan të Shtetit Xhejms Bejker duke thënë se pyetja e parë që i bëhej atij para vizitës së ish-zyrtarit të lartë amerikan ishte nëse Elez Biberaj, shefi i atëhershëm i Shërbimit Shqip,do vinte në Tiranë.

Ceremonia u mbyll me një pritje koktej ku të pranishmit u shmallën me njëri tjetrin dhe shkëmbenin historira për rolin që ky institucion ndërkombëtar lajmesh dhe informacioni ka luajtur në periudha të ndryshme të historisë së kombit shqiptar gjatë 70-vjetëve të fundit. Zëri i Amerikës në gjuhën Shqipe, sipas një deklarate të VOAs, lëshuar për median me këtë rast, thotë se programet e VOAs në gjuhën shqipe mbeten gjithnjë edhe sot një prej programeve multimedia më popullore në Shqipëri ku tërheq 48% të shikuesve/dëgjuesve/lexuesve dhe shton se në Kosovë, 57% e të rriturve i marrin lajmet nga programet shqip të VOAs.

Në të vërtetë historia e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe është edhe një histori e kombit shqiptar por edhe e marrëdhënjeve shqiptario=amerikane, ashtu siç ishin gjatë 7-vjetëve të kaluara, nga Lufta e nxehtë e Dytë Botërore e deri tek mbarimi i luftës së Ftohët dhe çlirimit të Kosovës. Megjithëse nganjëherë i shtrydhur midis gazetarisë dhe diplomacisë, sidomos gjatë dekadave të para të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës, në radhët e Shqiptarëve por edhe në mbarë botën, brenda një kohe të shkurtër krijoi një reputacion si radio stacion lajmesh me integritet, në të cilin mund të vareshin dëgjuesit për saktësinë, gjithëanëshmërinë dhe objektivitetin. Gjatë dekadave të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës ka raportuar në mënyrë objektive mbi ngjarje të brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për fatin dhe të drejtat e Shqiptarëve kudo. Pothuaj nuk ka çështje që ka prekur ose që ka interesuar Shqiptarët që të mos jetë mbuluar nga Zëri i Amerikës. Gjithashtu, politikanët dhe personalitet më të ndryshme nga të gjitha fushat dhe trevat shqiptare pa dallim e kanë gjetur gjithmonë të hapur dritaren e Zërit të Amerikës për të shfaqur pikëpamjet e tyre mbi problemet e kombit shqiptar.

*Autori ka punuar për VOA-n për 30-vjetë, si gazetar, shef i Shërbimit Shqip si edhe ish-drejtor i VOA-s për Evropën.



70 vjetori i seksionit shqip në VOA

Frank SHKRELI

Mirëdita të gjithëve. Është bukur të shohësh të pranishëm kaq shumë miq dhe kolegë brenda dhe jashtë Zërit të Amerikës. Ashtu siç shumë nga ju e dini, unë praktikisht jam rritur në këtë ndërtesë. Prandaj kthimi këtu është gjithmonë një kënaqësi e madhe për mua. Është si të kthehesh në shtëpi.

Kam qenë i lidhur me seksionin shqip të VOA-s për rreth 25 vjet nga karriera ime 30-vjeçare këtu në Zërin e Amerikës, së pari direkt si një transmetues ndërkombëtar dhe Shef i Shërbimit dhe pastaj në mënyrë të tërthortë si Këshilltar Programi për Divizionin Evropian dhe si Drejtor i Divizionit Evropian, dhe seksioni shqip ishte një nga shërbimet nën mbikëqyrjen time.

VOA shqiptar pati një fillim shumë modest. Kur unë iu bashkova Shërbimit Shqiptar në qershor të vitit 1974, shërbimi ishte i vogël. Personeli përbëhej vetëm nga Shefi i Shërbimit dhe 4 gazetarë. Mosha mesatare e tyre ishte 62 vjeç, ndërsa unë isha 24 vjeç. Edhe pse i kisha kaluar testet e nevojshme të kualifikimit dhe u verifikova si i sigurt, nuk kisha asnjë ide se ku po hyja dhe gjatë viteve të mia të para aty, vazhdimisht e pyesja veten nëse kisha bërë zgjedhjen e duhur duke u bashkuar me Zërin e Amerikës.

VOA shqiptare e vogël, por guximtare u përball me mungesën e stafit për të paktën 45 vitet e para të historisë së saj. Duke pasur parasysh natyrën e regjimit komunist shqiptar, Shërbimi Shqiptar - ndryshe nga shërbimet e tjera të VOA-s që transmetoheshin në Evropën Lindore nuk kishte asnjë lloj kontakti me audiencën e saj në Shqipëri. Për shkak të mungesës së stafit, na është dashur të punojmë shumë, shpesh pa ndalesë, shtatë ditë në javë për periudha të gjata kohore. Por gjithsesi kjo nuk ishte gjëja më e vështirë, ajo që ishte e vështirë gjatë këtyre viteve, ishte fakti se ne nuk kishim asnjë ide nëse dikush ishte duke na dëgjuar nga ana tjetër. Mbaj mend një prej kolegëve të mi, Xhevat Kallajxhi nga Gjirokastra, kur pasi mbaronim programin, ai kthehej nga unë dhe thonte: "E mo Shkreli, thua na dëgjoi njeri sot?''. Shqipëria ishte një shoqëri e mbyllur komuniste, si asnjë vend tjetër.

Dhe pastaj ndodhi çasti historik, Muri i Berlinit ra. Në marsin e vitit 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike dhe atëherë për herë të parë, pas gati 50 vjetësh më në fund krijuam idenë që në të vërtetë ekzistonte një audiencë në Shqipëri, dhe ndoshta ishte një nga audiencat më të mëdha e transmetimeve ndërkombëtare. Ne mësuam për popullaritetin e madh të VOA-s Shqiptare gjatë vizitave tona në Tiranë - unë shkova me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit të Shtetit në Shqipëri në mars/prill të vitit 1991, dhe Elez Biberaj, shefi i Shërbimit në atë kohë, erdhi në Tiranë rreth një javë më vonë me delegacionin kongresional të Senatorit Dennis DeConcini.
Ka pasur shumë momente zbulimi të vërtetash dhe takimesh emocionuese për ne gjatë atij udhëtimi në Shqipëri, në fillim të vitit 1991. Por mendoj se, një nga momentet më të paharrueshme ka qenë kur anëtarët e të dy delegacioneve po bisedonin para hyrjes së hotel Dajtit të famshëm dhe papritur e papandehur, kalimtarët filluan të mblidheshin nga kurioziteti për të takuar vizitorët e rinj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kongresmenët tanë filluan të shtrëngonin duart me qytetarët e emocionuar të Tiranës. Në atë turbullirë, dikush duhet të ketë pëshpëritur emrin e Elez Biberaj, dhe ndërsa turma sa erdhi dhe u bë më e madhe, ata zbuluan se Elezi ishte në të vërtetë aty. Turma e zhurmshme ia plasi në ato momente një brohoritje spontane të përbashkët: "VOA-Bush, VOA-Bush". Zoti Bush ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë në atë kohë.
Pasi turma filloi të shpërndahej, kongresmeni Bob McEuen nga shteti i Ohajos iu afrua zotit Biberaj, i cili ishte shef i Shërbimit Shqiptar, dhe i tha: "Ju keni bëri më shumë sesa kushdo tjetër për demokracinë në Shqipëri".

Edhe pse kishim dëgjuar prej së largu që, gjatë transmetimeve të emisioneve të VOA-s rrugët e Tiranës ishin pothuajse bosh, sepse njerëzit qëndronin në shtëpi për të dëgjuar VOA-n në gjuhën shqipe, kjo vizitë na bindi se përkundër dënimeve të rënda të regjimit komunist për ata që dëgjonin Zërin e Amerikës - Shqiptarët, megjithatë ishin sintonuar në frekuencat e Zërit të Amerikës për dekada të tëra dhe në numër të madh. Ky trend ka vazhduar deri më sot, ku Shërbimi Shqiptar ende ka një audiencë mbi 50%.

Një faktor që e ka veçuar VOA-n shqiptare nga pjesa tjetër e shërbimeve gjuhësore këtu në Zërin e Amerikës, ishte audienca e madhe në numër. Mbaj mend që gjatë viteve "˜90, kur unë isha Drejtor i Divizionit Evropian, VOA shqiptare kishte arritur nivele të papara të dëgjueshmërisë dhe shikueshmërisë. Ajo kishte shkaktuar zili, jo vetëm tek shërbimet botërore në këtë ndërtesë, por edhe tek transmetuesit ndërkombëtarë në të gjithë botën.

Mbaj mend homologun tim për Evropën në BBC që më pyeste mua se, cili ishte sekreti i VOA-s në shqip- duke pasur parasysh numrin e madh të audiencës, siç tha ai,'' që nuk është parë ndonjëherë në mesin e transmetuesve ndërkombëtarë".

Për shumë vite, VOA shqiptare gëzoi dëgjueshmëri dhe shikueshmëri në rangun e 50-80 për qind, si në Shqipëri dhe në Kosovë.

Pra, kështu siç jemi mbledhur sot këtu për të festuar sukseset e VOA-s shqiptare gjatë 70 viteve të fundit, një fakt vendimtar për tu kujtuar është edhe rëndësia e VOA-s, si një organizatë, e cila me shërbime të tilla si shërbimi shqip, e ka mbështetur për dekada me radhë shprehjen e lirë, të lajmeve të pacensoruara dhe informimit të popujve në të gjithë botën që vuanin për median e lirë, ose që kishin media pjesërisht të lira. Para se Joe Biden të bëhej zëvendëspresident, si Senator, disa vite më parë, pikërisht në këtë sallë, na foli në lidhje me vlerën e transmetimeve ndërkombëtare duke thënë se, "Pasi provoi veten gjatë krizës së Kosovës, duke siguruar të vërtetën në lidhje me mizoritë në Kosovë. Fuqia e kësaj rrjedhë të qëndrueshme të së vërtetës është e qartë në situatën e shteteve diktatoriale: ata përpiqen të ndalojnë popullin e tyre të dëgjojë. Por siç kemi mësuar nga Lufta e Ftohtë, Perdja e Hekurt nuk ishte e padepërtueshme. Fjala e çau atë përmes. Audiencat që jetonin prapa Perdes morën zemër kur mësuan se bota nuk i kishte harruar ata", tha zoti Bajden.

Amerika, përmes transmetimeve të VOA-s për 70-vjet, kurrë nuk e harroi popullin shqiptar, madje edhe në çastet e tyre më të errëta gjatë çmendurisë komuniste.

Miqë dhe kolegë të mi dua tu siguroj të gjithëve! VOA shqiptare për 70 vjet shërbeu si një yll i largët i shpresës së lirisë për miliona shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, dhe Kosovë, por në të gjithë Ballkanin. VOA shqiptare ka pasur një mision fisnik për avancimin e lirisë, dhe në mungesë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve për gati 50-vjet, VOA shërbeu edhe si ura e vetme ndërmjet popullit amerikan dhe atij shqiptar. Ajo ishte kështu, 70-vjet më parë, dhe kështu është edhe sot. Besoj se nuk është rastësi që shqiptarët janë ndër njerëzit më miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara.

Por kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjatë Luftës së Ftohtë, VOA u denoncua nga komunistët si një zë kritik dhe në fakt si një zë "armiqësor" dhe "anti-revolucionar", kundër komunizmit. Armiqësor sipas tyre, por për ne këtu, në Zërin e Amerikës, gjithçka që bëmë ishte vetëm në kërkim të së vërtetës dhe në mbrojtje të lirisë së njeriut dhe demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Unë, si njëri prej atyre ish - "armiqve", nuk kam ndërmend të kërkoj ndjesë për asgjë që kemi bërë gjatë gjithë historisë 70-vjeçare të VOA-s shqip.

Miqtë e mi dhe kolegë në Shërbimin e VOA-s shqiptare dhe në gjithë këtë organizatë, unë e di që shumica prej jush ndjehen si unë, që nuk ka nder dhe privilegj më të madh se sa të kesh pasur një karrierë që i ka shërbyer vendit tënd të adoptuar, këtij vendi të madh tonit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në procesin që ndihmoi vendin e origjinës sonë, në avancimin e të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë për të gjithë, si dhe mirëkuptimit ndërkombëtar. Misioni fisnik i Zërit të Amerikës vazhdon më tej, dhe unë jam krenar dhe i privilegjuar që kam qenë i lidhur me Zërin e Amerikës në përgjithësi dhe VOA-n shqiptare në veçanti, si dhe që kam punuar me kaq shumë prej jush për 30 nga këto 70-vitet e historisë së Zërit të Amerikës. Unë jam krenar për reputacionin dhe integritetin gazetaresk të VOA-s si një burim i besueshëm botëror për lajme dhe informacione, ashtu siç jeni dhe ju.

Pra, për 70 vitet e ardhshme, Zëri i Amerikës duhet forcuar dhe jo dobësuar, dhe gjatë këtij procesi bëjeni të ardhmen e VOA-s, të denjë siç ishte ato 70 vite që kaluan. Vazhdoni kështu më punën e mirë!

Unë ju uroj gjithë suksesin e mundshëm gjatë 70 viteve të ardhshme!

-

Fjala e mbajtur gjatë 70 vjetorit të seksionit shqip në Zërin e Amerikës, më 7 Maj 2013.


FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DRITËHIJET E LISTAVENga AFRIM KRASNIQI (05.08.2013)
PS 'MEA CULPA' I OFRON SHKODRËS DY INTELEKTUALËAnalizë nga REDAN BUSHATI (05.06.2013)
ËSHTË NJË ITALI QË DËSHIRON TË ËNDËRROJËNga ROBERTO SAVIANO, La Repubblica (05.05.2013)
AMBASADA E KOSOVËS NË ZVICËR, AMBASADË E LPK-PDKsë, AMBASADË ANTI LDKNga XHEVAT REXHAJ (05.04.2013)
SHQIPËRIA DUHET TË NGREJË NË NIVEL MINISTRIE PËRFAQËSIMIN E DIASPORËSNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA) (05.01.2013)
SHARLATANIZMAT E NJË SHARLATANINga JUSUF BUXHOVI (05.01.2013)
HISTORIA E KOHËS SONËNga PAUL KRUGMAN, New York Times (05.01.2013)
SHQETËSIMET E NJË MIKUNga FRANK SHKRELI (05.01.2013)
PROTAGONISTË TË POLITIKËS JANË TË NJËJTAT FYTYRANga ILIR HYSA (04.28.2013)
ÇFARË I BASHKON TADIÇIN, QOSEN DHE RAMËNNga REXHEP SHAHU (04.27.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]