SHQIPËRI-KOSOVË, NJË LUFTË JO VETËM TREGTARE Nga SHABAN MURATI
E Hënë, 08.19.2013, 09:38am (GMT+1)
Nuk përbëjnë më lajm dallgët e luftës tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në muajin gusht autoritetet e Shqipërisë bllokuan eksportet e mishit të Kosovës, kurse autoritetet e Kosovës bllokuan eksportin e materialeve të ndërtimit të Shqipërisë në Kosovë. Nga data 1 gusht eksportuesit e materialeve të ndërtimit nga Shqipëria nuk kanë qenë në gjendje të kalojnë as edhe një kamion, në një kohë që ritmi i mjeteve të transportit me materiale ndërtimi për në Kosovë para këtij ndalimi ka qenë 30 kamionë në ditë. Është lehtë të llogaritet humbja, kur shënohet se vetëm në muajin korrik vlera e eksporteve të materialeve të ndërtimit nga Shqipëria drejt Kosovës ishte 800 mijë euro.
Kjo luftë tregtare ka rreth katër vjet që zgjat dhe shpërthen rregullisht në formë ciklike si dallgët, herë për pataten e herë për qepën, herë për miellin e herë për qumështin, herë për çimenton e tani për mishin apo për tullat. Pra i bie që, qysh kur është krijuar shteti i pavarur i Kosovës kemi asistuar në luftëra tregtare të përsëritura mes dy shteteve shqiptare. Me një fjalë ka një vazhdimësi lufte tregtare, për të cilën, pavarësisht se secila palë ia hedh fajin tjetrës, evidenton paaftësinë, hilet apo mungesën e vullnetit për të vendosur marrëdhënie tregtare të barabarta dhe konform standarteve dhe ligjeve ndërkombëtare. Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Shqipërisë ua hedh fajin të dyja palëve kur deklaron se "për shkak të disa vendimeve preferenciale të institucioneve të të dyja vendeve, marrëdhëniet tregtare janë përfshirë në një ngërç, që shkakton impakt negativ në ekonomitë e të dyja vendeve". Situata mbetet e njëjtë, edhe pas takimeve e bisedimeve të shumta, që zhvillojnë autoritetet e të dy palëve, siç bënë në muajin prill në ambasadën e Kosovës në Tiranë, ku u mblodhën përfaqësuesit e doganave dhe të ministrive të të dyja shteteve dhe ku u premtua për unifikim të sistemit të doganave.
Nuk mund të mos bëjë përshtypje kjo luftë e përsëritur dhe e rregullt tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, dy shtete shqiptare, pjesë të të njëjtit komb, të cilët pesë vjet pas shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, nuk janë në gjendje të ndërtojnë marrëdhënie normale tregtare me njeri-tjetrin. Ndjen keqardhje, jo për inekzistencës e patriotizmit, por për mungesën e kapaciteteve të menaxhimit shtetëror të marrëdhënieve normale tregtare, në një kohë që duhet të ishin në shkallën sipërore. Analiza e këtij fenomeni të papranueshëm nga çdo logjikë, të çon në kërkimin e disa shkaqeve dhe burimeve, të cilat gjenden përtej kufijve dhe karakterit tregtar të marrëdhënieve. Çfarë tërheq vëmendjen? Së pari, që lufta tregtare është e vazhdueshme, sa ulet një dallgë e pason shpejt një tjetër. Pra, nuk kemi një incident apo ngjarje e rastit, me një mall të caktuar apo me një nëpunës të caktuar, të cilët shkaktojnë përplasje.
Luftërat tregtare vazhdojnë prej disa vitesh dhe përfshijnë strukturën e mallrave kryesore të shkëmbimeve tregtare mes dy palëve dhe janë shndërruar në gjendje e marrëdhënieve tregtare me njeri-tjetrin. Pra, me dashje apo pa dashje, kanë fituar një status institucional, gjë që dëshmon se jemi përtej interesave tregtare dhe kemi hyrë në fushën delikate të marrëdhënieve politike e strategjike mes dy shteteve. Së dyti, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen që Shqipëria dhe Kosova shpërthejnë rregullisht luftëra tregtare me njëratjetrën, por nuk kemi dëgjuar për luftëra tregtare të Shqipërisë me Greqinë, as për luftëra tregtare të Shqipërisë me Maqedoninë, as për luftëra tregtare të Shqipërisë me Serbinë, as për luftëra tregtare të Shqipërisë me Malin e Zi. Nuk kemi dëgjuar për luftëra tregtare të Kosovës me Serbinë, as për luftëra tregtare të Kosovës me Maqedoninë, as për luftëra tregtare të Kosovës me Malin e Zi.
Nga kuadri rajonal, vetëm Shqipëria dhe Kosova krijojnë dallgë të njëpasnjëshme luftërash tregtare me njëra-tjetrën. Kjo specifikë të krijon përshtypjen se Shqipëria dhe Kosova, ose më saktë qarqe të caktuara tregtare dhe jo tregtare në Tiranë dhe në Prishtinë janë të predispozuar dhe të prirur që të provokojnë cikle luftërash tregtare njeri me tjetrin. Dhe duke qenë se bëhet fjalë për dy shtete, përgjegjësia për këtë situatë në këto pesë vjet të marrëdhënieve ndërshtetërore është e qartë se bie në radhë të parë mbi qeverinë e Shqipërisë dhe mbi qeverinë e Kosovës. Ironia e këtij realiteti të hidhur është se shoqërohet në mënyrën më folklorike të mundshme me retorikat e qeveritarëve, politikanëve dhe të sharlatanëve profesionistë të patriotizmit në të dyja shtetet, për bashkimin e gjithë shqiptarëve në një shtet, të ringjalljes së kohërave ilire me kufij nga Nishi në Peleponez, e përralla që zakonisht i stisin popujt, që ose nuk kanë histori ose që nuk bëjnë dot histori. Kemi një zhvillim dyshpejtësish në marrëdhëniet mes dy shteteve. Njëra, ajo institucionale, shtetërore, tregtare, politike, juridike, arsimore e kulturore, që nuk është në nivelin e duhur dhe madje disa herë merr karakter konfrontues. Tjetra shpejtësi është ajo zhvillimit folklorik, që ka shkuar deri në hënë dhe pasuron repertorin e këngëve të majëkrahit apo të polifonisë për "botën, që pa u zënë, Shqipëria gjallë ka qenë".
Me sa duket, dimensioni folklorik i atyre, që drejtojnë qeveritë në të dyja shtetet përpiqet të mbulojë defektin e mungesës së dimensionit shtetëror. Marrëdhëniet tregtare janë fusha më e përshtatshme dhe më e efikase për stimulimin e proceseve të integrimit kombëtar të një populli apo kombi të ndarë. Madje, ato u paraprijnë proceseve të tjera politike, juridike, kulturore dhe si rregull shumë shtete që kanë qenë në konflikte me njeri-tjetrin, e fillojnë procesin e zbutjes së marrëdhënieve nga shkëmbimet tregtare, etj. Çuditërisht, kjo që është në mënyrë klasike më e lehta, po rezulton më e vështira në marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare. Nuk mendoj se kjo është një rastësi dhe për këtë duket se ka disa shpjegime. Së pari, këtu duhet parë roli i madh negativ, që luan lobi serb në Tiranë dhe lobi serb në Prishtinë për stanjacionin në marrëdhëniet e përgjithshme mes Shqipërisë dhe Kosovës. Lobet serbe në të dyja kryeqytetet shqiptare janë të angazhuar dhe të interesuar që të zhvillohen në maksimumet e veta marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Serbinë dhe marrëdhëniet tregtare të Kosovës me Serbinë, por jo të Shqipërisë me Kosovën. Rezultati është që marrëdhëniet tregtare të Kosovës me Serbinë janë shumë më të larta se ato të Kosovës me Shqipërisë, sikundër edhe marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me Serbinë janë shumë më të larta se ato të Shqipërisë me Kosovën. Përfituesja e parë dhe i drejtpërdrejtë nga luftërat tregtare të Shqipërisë me Kosovën është Serbia.
Në letrën drejtuar qeverisë së Shqipërisë në datën 13 gusht, për t'u ankuar për bllokimin që po i bën dogana e Kosovës eksportit të materialeve të ndërtimit, Shoqata e Eksportuesve të Shqipërisë shkruan se "qëllimi i vetëm është të lehtësojnë eksportet për kompanitë serbe, pasi bllokimi i eksporteve shqiptare nuk ka krijuar asnjë lloj vakumi në tregun kosovar, sepse është zëvendësuar menjëherë nga eksportet serbe në drejtim të Kosovës". Përtej interesit tregtar, Serbia ka interesa të mëdha politike dhe strategjike, për të siguruar ndikim më të madh politik në jetën dhe në institucionet e të dyja shteteve shqiptare dhe për të sabotuar bashkëpunimin dhe integrimin ndërshqiptar. Duke nxitur luftërat dhe largimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe duke pasuruar me këtë politikë tregtare kompani, qeveritarë, biznesmenë dhe pronarë mediash në Shqipëri dhe në Kosovë, Serbia siguron penetrimin në sferat më të larta të institucioneve ekzekutive dhe legjislative të Shqipërisë dhe të Kosovës. Pozicione të tilla i sigurojnë asaj një fuqizim të lobeve serbe dhe avantazhin që të ndikojë dhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, por edhe më gjerë, në marrëdhëniet e dy shteteve shqiptare me partnerët e tjerë ndërkombëtare. Ekspertë të ndryshëm energjitikë kanë theksuar disa herë se bllokimi i ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë është vepër e lobit serb në të dyja kryeqytetet shqiptare. Së dyti, një shkak tjetër i kësaj lufte të vazhdueshme tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet kërkuar në frakturën psikomentale me karakter krahinor, që është krijuar në marrëdhëniet mes dy shteteve pas pavarësisë së Kosovës. Po të largosh koren e demagogjisë dhe retorikës bajate superpatriotike, sheh se vlon një lloj alergjie reciproke, e cila gjen qartazi pasqyrim në mediat dhe në qarqet politike në të dyja kryeqytetet.
Perceptimi gjeografiko-politik i Kosovës si krahinë e ndryshme nga Shqipëria, apo e Shqipërisë si krahinë e ndryshme nga Kosova shfaqet si pengesë për perspektivën e zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme mes dy shteteve shqiptare. Është kjo klimë rurale apo tribale, që ka prodhuar idetë fantaste të dy kombeve, të dy gjuhëve apo të dy identiteteve kombëtare shqiptare, që në thelb vjen nga koncepti krahinor dhe fshatar, sipas të cilit separacioni i krahinës e bën atë komb apo identitet të veçantë. Kjo gjen mishërimin e vet në politikë, në diplomaci, në kulturë, në gjuhësi, në tregti dhe realisht struktura e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk kas as ritmet, as thellësinë dhe as gjerësinë që duhet të kishin marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare. Ka një interes historik strategjik të disa shteteve në Ballkan, të cilët as kanë dashur dhe as duan që Shqipëria dhe Kosova të konsolidohen si shtete dhe të konsolidojnë marrëdhëniet e veçanta njëra me tjetrën, nuk duan që Shqipëria dhe Kosova të formojnë një faktor unik, me një kohezion të madh kombëtar dhe strategjik në Ballkan. Kjo është e lexueshme nga pikëpamja e interesave të tyre strategjike, por është e pakuptueshme dhe e papranueshme që në dy shtetet tona të nxjerrin krye dhe të institucionalizohen qëndrime dhe veprime armiqësore ndaj njëri-tjetrit. Kjo dëshmon dominimin e lobeve serbe në Tiranë dhe në Prishtinë dhe janë iluzione të dëmshme, opinionet se ato lobe u shuan në Shqipëri në vitin 1992, kur erdhi demokracia, apo në Prishtinë në vitin 2008, kur u shpall shteti i Kosovës. I keni çdo ditë nëpër ekrane.
SHABAN MURATI
|