MENDIME MBI BAZËN RUSE NË MAL TË ZI Nga SHABAN MURATI
E Djelë, 12.29.2013, 12:11pm (GMT+1)
Agjencia
kroate e lajmeve "Hina", agjencia bullgare "Fokus" dhe shumë agjenci
dhe portale rajonale dhe ndërkombëtare transmetuan në datën 19 dhjetor
njoftimin e gazetës malazeze "Vijesti", të botuar po atë ditë në 19
dhjetor, për refuzimin e qeverisë malazeze ndaj kërkesës së qeverisë
ruse për t'i dhënë lejen e ndërtimit të një baze ushtarako-detare të
Rusisë në shtetin e vogël të Adriatikut. Gazeta malazeze u referohej
burimeve të larta qeveritare, sipas të cilave Moska prej disa muajsh i
kishte kërkuar qeverisë së Malit të Zi, që të lejohej ndërtimi i një
baze ushtarako-detare ruse në portin e Tivarit.
Është interesant
se rreth njëzet ditë më parë, gazeta e mirinformuar në Tiranë, "Gazeta
Shqiptare", në datën 1 dhjetor botoi një intervistë të saj me
ambasadorin e Rusisë, të akredituar në Shqipëri, të cilit i drejtoi në
mënyrë direkte pyetjen: "Në portet e Malit të Zi janë zhvilluar disa
herë vizita të luftanijeve ruse. A përfshijnë planet e Rusisë një prani
të përhershme detare në detin Mesdhe dhe ngritjen e një baze detare në
Tivar të Malit të Zi?". Është e kuptueshme se ambasadori do të shmangej
t'i përgjigjej në mënyrë pohuese një lëvizjeje, e cila ishte në atë kohë
një informacion i klasifikuar diplomatik. Por pas njëzet ditësh
konfirmohet se edhe informacioni, edhe interesimi i "Gazetës Shqiptare",
e kishin një përligjje.
Kërkesa e qeverisë së Rusisë drejtuar
Malit të Zi për të pasur një bazë ushtarako-detare në portet malazeze
është një zhvillim i ri dhe interesant, i cili duhet të tërheqë
vëmendjen e shumë vendeve dhe shumë institucioneve të specializuara, si
rajonale, ashtu dhe atlantike. Në radhë të parë duhet përshëndetur
qëndrimi i qeverisë së Malit të Zi, e cila ka refuzuar kërkesën e Rusisë
për një bazë ushtarake. Qeveria e Malit të Zi i ka bërë një shërbim të
madh sovranitetit dhe interesave kombëtare të vendit të vet, ashtu dhe
sigurisë së vendeve fqinje dhe të gjitha vendeve të pellgut
Adriatiko-Ballkanik.
Është e qartë për të gjithë se lejimi i
ndërtimit të një baze ushtarako-detare ruse në detin Adriatik do të
sillte ndryshime të rëndësishme dhe negative të ekuilibrave, qoftë
gjeopolitikë, qoftë ushtarakë, në detin Adriatik. Po të kemi parasysh se
rajoni i detit Adriatik u përket katër shteteve të NATO-s, dhe i pesti,
Mali i Zi, është kandidati numër një për anëtarësimin në Aleancën
Atlantike, kuptohet se një bazë ushtarako-detare ruse dhe prania e
flotës luftarake të Rusisë në portin e Tivarit do t'u kundërvihej
interesave të sigurisë së të gjitha shteteve që lagen nga deti Adriatik.
Ajo do të përbënte një instrument të fuqishëm dhe të përhershëm të
presionit dhe të influencës ruse në shtetet e rajonit.
Në këtë
kuadër, një bazë ushtarake ruse në Mal të Zi do të cenonte në mënyrë të
drejtpërdrejtë interesat e Shqipërisë. Mali i Zi është shtet fqinj, që
kufizohet me Shqipërinë si në hapësirën tokësore, ashtu edhe në
hapësirën detare dhe prania e flotës ruse në atë shtet do të sillte për
sigurinë e Shqipërisë komplikacione dhe burime të reja të kërcënimit të
drejtpërdrejtë.
Pavarësisht se me refuzimin zyrtar të qeverisë së
Malit të Zi për lejimin e ndërtimit të një baze ushtarako-detare ruse
në bregdetin malazez, kjo vatër kërcënimesh u mënjanua, çështja e kësaj
baze ruse nuk duhet të konsiderohet e mbyllur nga qeveritë e shteteve të
rajonit. Ajo hap shumë pikëpyetje dhe ngjall disa sinjale alarmi mbi
objektivat dhe ambiciet e pareshtura të politikës ruse në pellgun e
Adriatikut dhe në Ballkan. Nuk është nevoja të shfletosh në histori për
të provuar se dalja në detin Adriatik ka qenë një ambicie obsesive
strategjike e politikës ballkanike të Rusisë gjatë gjithë shekujve dhe
gjatë gjithë regjimeve. Një projekt dhe një ëndërr gjeopolitike, e cila
nuk ka reshtur as në ditët tona, madje është ringjallur më me forcë me
aktivizimin e ambicieve të reja globale të presidentit rus, Vladimir
Putin, për influencë në të gjithë rajonet e globit, nga deti Arktik në
detin Adriatik.
Ajo që bën përshtypje është sidomos fakti se
Rusia po këmbëngul për të dalë në Adriatik, ndonëse në kuptimin politik,
organizativ dhe strategjik, deti Adriatik mund të konsiderohet një det i
mbyllur i interesave të Aleancës Atlantike. Rusia me kërkesën e saj
ndërmerr një sfidë gjeopolitike dhe ushtarake ndaj NATO-s, një përpjekje
për të ndryshuar raportet e forcës në detin Adriatik, sepse të gjithë
shtetet, përfshirë edhe Malin e Zi, i përkasin orientimi strategjik
euroatlantik dhe spektrit të sigurisë dhe përkatësisë atlantike. Në
qarqet diplomatike është i njohur presioni i madh dhe i vazhdueshëm, që
Moska ka ushtruar mbi Serbinë edhe mbi Malin e Zi, për t'i ndaluar të
anëtarësohen në NATO. Me Serbinë, Rusia ka pasur sukses dhe ajo arriti
që t'i imponojë Beogradit të ashtuquajturën doktrinë të neutralitetit, e
cila në fakt ishte thjesht një bllokim i hyrjes në NATO. Përfaqësuesit
më të lartë politikë dhe diplomatikë rusë e kanë bërë të qartë
publikisht se për Moskën anëtarësimi i Serbisë në NATO është vija e kuqe
e marrëdhënieve mes dy vendeve. Serbia i është bindur kësaj strategjie
ruse. Përsa i përket Malit të Zi, Moska është përpjekur ta pengojë dhe
sabotojë integrimin atlantik të Malit të Zi, me presione të
drejtpërdrejta ose të tërthorta politike, ekonomike, energjitike,
ushtarake, fetare, etj. Në këtë kuadër duhet parë edhe kërkesa e Rusisë
drejtuar Podgoricës për të lejuar një bazë ushtarako-detare ruse në Mal
të Zi. Sepse është e qartë se ndërtimi i një baze ushtarako-detare ruse
do të ishte fundi i çdo perspektive të anëtarësimit të Malit të Zi në
NATO.
NATO nuk mund të pranojë si anëtar një shtet, që ka baza ushtarake ruse në territorin e vet.
Tentativa
e Rusisë për të pasur një bazë ushtarako-detare në Mal të Zi sugjeron
mbajtjen në nivele të larta të sistemeve të alarmit dhe të proteksionit
nga format e ndryshme të presionit dhe të ndërhyrjes së Rusisë në
shtetet e ndryshme të pellgut të Adriatikut. Nuk duket rastësi
interesimi i menjëhershëm, që demonstruan biznesmenë dhe kompani serbe
dhe ruse për bazën ushtarake shqiptare të Bishtit të Pallës, të cilën me
mendjelehtësi qeveria e mëparshme e listoi në planet e privatizimeve.
Format e sofistikuara të penetrimit dhe të rritjes së pranisë ekonomike,
energjitike apo të pronave të patundshme ruse buzë Adriatikut nuk janë
aq "teknokratike" sa ç'kërkojnë t'i reklamojnë përfaqësuesit e lobit
rus.
Rusia është në kërkim të ndërtimit të bazave të reja
ushtarako-detare në vendet e Mesdheut. Së pari, ajo ka krijuar tani, për
herë të parë pas 20 vjetësh, një prani të përhershme të flotës së saj
ushtarako-detare në detin Mesdhe. Tani flota ushtarako-detare ruse është
e pranishme nëpër ujërat e Mesdheut, jo thjesht si simbol i fuqisë
ushtarake ruse, por edhe si pretendim i një roli të saj në çështjet e
Mesdheut dhe të popujve mesdhetarë. Së dyti, Rusia është e shqetësuar
nga perspektiva jo e sigurt e bazës së saj ushtarake në Tartus të
Sirisë, ku një përmbysje e regjimit prorus të satrapit Bashar Al Asaad
mund të çojë në situatën e largimit të asaj baze. Ndaj Rusia po nxiton
që të sigurojë pika mbështetjeje dhe baza në vendet e tjera. Deri tani
duket se ka arritur të piketojë baza në Egjipt, ku në sajë të juntës së
gjeneralëve, që erdhi në pushtet në muajin korrik me një grusht shteti,
janë krijuar kushtet e një kthese të timonit strategjik drejt Rusisë dhe
në shkëmbim të kredisë prej katër miliardë dollarë për të blerë
armatime ruse, junta do të lejojë krijimin e bazave ruse, siç kanë pasur
dikur në kohën e Naserit. Një drejtim tjetër, ku u organizua ofensiva
diplomatike ruse për bazat, ishte deti Adriatik dhe konkretisht Mali i
Zi, ku kërkoi ndërtimin e një baze në portin e Tivarit, por që nuk pati
sukses për shkak të vendosmërisë së qeverisë së Podgoricës për vazhdimin
e kursit të integrimit euroatlantik. Në një komunikatë të saj në datën
19 dhjetor, Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi theksonte se qeveria e
Malit të Zi është e angazhuar në mënyrë të paekuivok në prioritetet
strategjike të vendit për integrimin euroatlantik. Një mesazh i qartë në
adresën e duhur.
Refuzimi i qeverisë malazeze për pranimin e një
baze ushtarako-detare ruse në bregdetin malazez është një shërbim i
madh për interesat e popullit malazez, për interesat e shqiptarëve që
jetojnë atje, por edhe për interesat e paqes dhe të stabilitetit të të
gjithë popujve dhe vendeve të pellgut të Adriatikut.
SHABAN MURATI
|