E ASHTUQUAJTURA BOMBË NË AMBASADËN SOVJETIKE - PËRVJETORI I NJË MASAKRE TË PASHEMBULLT Nga RESHAT KRIPA
E Mërkurë, 02.26.2014, 08:05pm (GMT+1)
Duke parë filmin në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që regjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s'ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Në të njejtën kohë kujtoj edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera që u degdisën në vendet më te humbura të atdheut tonë. Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj "mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik", i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të "vëllezërve jugosllavë" të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.
Në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës "Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste" thuhet:
"Asamblea beson që viktimat e atyre krimeve që u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara"
Ndërsa zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi:
Nuk ka asnjë vend ku komunizmi të ketë ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke i bërë jehonë kryediktatorit të zi dhe epokës së tij si dhe duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë, duke i etiketuar kolaboracionistë të fashizmit e të tjera epitete.
Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e Komunizmit' Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010 gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, zotit Ilir Meta, por ajo mungoi. Përse? Deri në vitet 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Lidhur me këtë në një intervistë që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë, kohë më parë, televizionit "Top Channel", deklaroi:
Në Gjermani dhe në Francë dënohen po deklaruan se nuk është zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?
Me vendim të qeverisë amerikane, në Washington është ngritur madhështor monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë monumentin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky monument, aq më tepër kur ekziston edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave për të? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më e theksuar këto ditë, kur kremtuam përvjetorin e rrëzimit të atij monumenti. Ky do të ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.
Në këto çaste ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës së përmendur më sipër:
Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.
Një deklaratë dinjitoze e një intelektualeje dinjitoze.
Për sa më sipër, unë mendoj se megjithëse kanë kaluar mbi njëzetetre vjet nga ndryshimi i sistemit politik, në vendin tonë vazhdon të mbizotërojë mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike dhe realitetin e sotshëm. Sot, në vendin tonë, kemi një armatë të madhe të rinjsh, të shkolluar në universitetet më në zë të botës perëndimore, me tituj dhe urdhëra të çmuar. Përse nuk thirren ata dhe të vendosen në vendet kyçe të institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore, por vazhdojnë të qëndrojnë ende figura të përlyera nga sistemi komunist?
Vajza e një mikut tim, emigrante në Greqi, përfundoi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Shtatë universitete amerikane u vunë në garë se kush do ta merrte. Sot ajo vazhdon studimet atje. Po Shqipëria deri kur do të lejojë t'i rrjedh truri i saj? Kur do të kujtohet për bijtë e vetë që ndodhen në botë? Kjo pyetje kërkon përgjigje.
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës
RESHAT KRIPA
|