E Shtunë, 12.02.2023, 07:28am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
Një histori e frikshme
A KA LIRI KRIJIMTARIE NË SHQIPËRI?
Një shënim që paraprin monodramën nga RESHAT KRIPA

E Djelë, 03.02.2014, 10:05am (GMT+1)

                   

    Dëshirën për të lexuar dhe për të shkruar e kam pasur qysh në fëmininë time. Kam pasur dëshirën por jo mundësinë. Sistemi totalitar, që sundonte atëherë, mundësitë e publikimit të krijimeve letrare i kishte kufizuar vetëm tek ata që i bënin "Hosana Barabait". Unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Jeta më kishte gremisur në disa humnera të thella nga të cilat ishte shumë vështirë të dilje. Megjithatë ia dola. Në ato humnera u njoha me disa figura të shquara që më mësuan të gjeja rrugën nëpër të cilën duhej të ecja. Kështu veprova. Por malet që më dilnin përpara ishin pothuajse të pakapërcyeshëm. Ishte e pamundur t'i kapërxeja. U mundova shumë gjatë jetës, por nuk munda.


    Do t'iu tregoj një ngjarje të cilën e kam treguar edhe më parë. Më falni nëse po e përsëris, por ia vlen. Vazhdoja gjimnazin e mbrëmjes në qytetin tim. Ishte ora e shpalljes së korigjimit të hartimeve që kishim bërë më parë. Profesori më dorëzoi fletoren e hartimit. E hapa dhe lexova:
    
"Gjuhë dhe stil të sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime, "po të kesh kohë të lirë".

Shprehjen "po të kesh kohë të lirë" e kishte shkruar me laps me bojë të kuqe dhe vendosur në thonjëza. E kuptova domethënien e asaj fraze. Ajo më tregonte se për mua do të ishin të mbyllura dyert e publikimit të veprave që mund të shkruaja. Megjithatë guxova të sfidoj. Shkruajta një tregim ku personazh i vetëm ishte një fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë luftës. E dërgova për botim, por asnjë përgjigje nga gazeta së cilës ia kisha dërguar. Atëherë heshta. Nuk mund të shkruaja ndryshe.

Pas ndryshimeve demokratike fillova përsëri të shkruaj. Megjithëse isha në një moshë të shkuar shkruajta. Botova një libër me tregime, një me kujtimet e fëminisë e rinisë dhe dy romane. Në njerin nga romanet përshkruhej historia e një inxhinieri, biri i një dëshmori të luftës Nacionaçlirimtare, që rrethanat e jetës e kishin lidhur me dy ish të përndjekur politikë. Një gjë e tillë kishte rënë në sy të ish-sigurimit të shtetit që i kërkoi të bashkëpunonte me të për të denoncuar shokët. Ai nuk pranoi. E arrestuan dhe e torturuan për të deponuar, por ai, përsëri, nuk pranoi. Atëherë sigurimi i nxorri përpara bashkëshorten dhe vajzën 15 vjeçare duke tentuar t'i përdhunojnë në sy të tij. U thye. Pranoi gjithçka ata deshën. Më prapa vajza e çakërdisur u hodh nga ballkoni i shtëpisë, ndërsa bashkëshortja, kur mësoi se kishte mbetur shtatzanë me kriminelin, helmoi veten.

Këtë dramë familjare e shndërrova në një monodramë. E ktheva në ditët e sotme, ku ish-sigurimsat kishin arritur pozita sunduese në hierarkinë shtetërore. Ia tregova një mikut tim, që kishte një pozitë të lartë shtetërore. Ai ia dha një aktori të njohur të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Prisja një përgjigje prej tij, nëse ia vlente si monodramë apo jo, por ajo, çuditërisht, nuk erdhi. Ia dërgova edhe disa aktorëve dhe regjizorëve të tjerë të teatrit shqiptar, madje edhe një dramaturgu, por përsëri heshtje. Përse? A nuk do të ishte më mirë të më kishin kthyer përgjigjen se monodrama nuk vlente si e tillë? Megjithatë heshtën. Përsëri dua të pyes: Përse?

Së fundi monodramën ia dërgova Teatrit Kombëtar në Tiranë. Për të thënë të drejtën drejtori e paraqiti në konkursin e dramës shqiptare, të organizuar me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Nuk fitoi. Për këtë nuk kam asnjë pretendim. Për mua kishte rëndësi që ajo u paraqit atje dhe kjo tregonte se ia vlente të paraqitej. Në fund të atij konkursi u deklarua se pjesët e paraqitura do të viheshin në skenë nëpër teatrot e vendit në të ardhmen. Nuk e di nëse pjesët e tjera janë vënë në skenë, por monodrama ime mbeti në sirtaret e Teatrit Kombëtar. Përse?

Do të doja të dija përse ndodhi një gjë e tillë? Mos vallë për një hezitim të personave drejtues të institucioneve teatrore të vendit tonë karshi presioneve politike të segmenteve të caktuara të shtetit shqiptar? Mos vallë prekesh një fenomen aktual që bie ndesh me politikën zyrtare që ndiqet në Shqipërinë e djeshme dhe të sotme? Unë kam bindjen time për këtë çështje, por nuk dua të prononcohem. E le në dëshirën e lexuesve dhe, në radhë të parë, të specialistëve ta bëjnë një gjë të tillë. Këtë duhet ta bëjnë fillimisht ata që e kanë lexuar mondramën, pikërisht ata që ua dhashë për ta lexuar dhe  deri tani nuk kanë guxuar të më përgjigjen. Të gjithë janë specialistë të dramës shqiptare dhe le të shprehin mendimet e tyre. Mua nuk më vjen rëndë edhe nëse shprehen kundër nivelit të monodramës.

Si përfundim, unë mendoj se teatri shqiptar duhet të dalë me më shumë guxim në përkrahje të temave që pasqyrojnë realitetin shqiptar, pavarësisht se kush është në krye të politikës. Në mënyrë të veçantë ai duhet të pasqyrojë më tepër periudhën e errët të diktaturës komuniste dhe në këtë drejtim teatri shqiptar i është shumë borxhli kësaj periudhe. Si krahasim do t'iu sjell periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kanë kaluar 70 vjet nga përfundimi i saj por, edhe sot, temat mbi genocidin nazist mbi hebrejtë, janë nga më të preferuarat. Po genocidi komunist mos ishte më i vogël nga ai nazist? Por për këtë duhet kurajo dhe iniciativë.

Dramaturgjia botërore njeh shumë raste kur dramaturgë të njohur i kanë bërë jehonë ngjarjeve apo fenomeneve negative të vendeve të tyre, sido që kanë qenë ato, megjithatë ato kanë gjetur shtegun për t'u shfaqur në skenat botërore. Të tillë mund të përmend, si shembull, vetëm njërin, Artur Milerin, me dramat e tij "Shtrigat e Salemit" apo "Pamje nga ura" ku paraqet anët negative të shoqërisë amerikane, megjithatë ato vazhdojnë të shfaqen atje. Ndaj duhet më shumë kurajo për t'u shkëputur nga diktati i politikës shqiptare.

Këtë shkrim mendoj t'ua dërgoj disa prej gazetave shqiptare. Nuk e di se cila do ta botojë. Kjo është e drejta e tyre, por kjo do të tregojë edhe se sa i lirë dhe i pavarur është shtypi në Shqipëri. Megjithatë sot mundësitë e publikimit janë të shumta. Edhe nëse ato nuk e botojnë faqet e internetit janë të hapura për këdo. Këtë po bëj edhe unë. Po ua dërgoj mediave elektronike në mënyrë që lexuesit të njihen me të, pamvarësisht nëse shtypi do e botojë apo jo. Njëkohësisht, për ata që nuk e kanë lexuar monodramën po e dërgoj  edhe atë në  këto media. Lexojeni dhe gjykoni.

                        Mos harroni!

(Skena është e errët. Përballë një ekran. Në të shfaqen pamje të alternuara filmike. Pamje të luftës për liri, kampesh të punës së detyruar, aksione të rinisë, Enver Hoxha duke folur dhe tituj lajmesh nëpër gazeta që ekzaltojnë mënyrën socialiste të jetesës, gjyqe politike dhe burgje të tmerrshëm, Ramiz Alia duke deklaruar: "Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim", pushkatime dhe varje në litar, dyndje nëpër ambasada dhe emigrim masiv, rrëzimi i monumentit të diktatorit, fitorja e demokracisë.
Dalëngadalë fillon të vijë drita. Në skenë duket pamja e një varreze në krye të së cilës shquhet një varrosh madhështor, në ballë të të cilit një fotografi e familjes dhe poshtë saj emrat Agron, Lumturi dhe Rida Canaj.  Nën  to epitafi:

                Në jetë kërluat gëzim,
                Njerëzit ju kishin harruar
                Por Zoti me përdëllim,
                Ju dha lirinë e amëshuar!

(Pason një heshtje që zgjat disa minuta. Në sallë dëgjohen pëshpëritje)

Një spektator   (Me padurim) - Do  të fillojë apo jo kjo  shfaqje?

        (Heshtja vijon edhe për disa minuta të tjera)

Spektatori -    Kjo është mungesë korrektese.

        (Nga fundi i sallës hyn autori i veprës dhe drejtohet për në skenë)

Autori -    (Duke kërkuar ndjesë) -  Të nderuara zonja dhe zotërinj! Më falni për vonesën, ju lutem më falni për mos korrektesën time! Do kisha ardhur me kohë, por  më  vonoi  urbani.  Ju  i  dini  si  janë këta urbanët e sotshëm. Tani më lejoni të paraqitem: Jam autori i veprës.
Spektatori -    (I nervozuar)  - E pastaj, do e filloni shfaqjen apo jo?
Autori  -       Pikërisht kjo është çështja.
Spektatori -    Çfarë  çështje?
Autori -    Kam frikë, të dashur miq! Kam frikë ta shfaq se një pjese  prej jush mund  t'i  dogëndisë.  Dhe unë nuk dua të bëjë armiq.
Spektatori -    Përse?
Autori -      Sepse ruhem nga hijet. Ato janë si kentaurët e qëmoti, gjysmë njerëz dhe gjysmë kuaj, simbol të dhunës dhe çfrenimit.
Spektatori -    Ku janë ato? Unë nuk i shoh.
Autori  -      Janë kudo. Madje  mund të ketë ndonjë edhe këtu në këtë sallë.
Spektatori -    Këto janë vetëm përralla.
Autori -     E   keni   gabim  i  dashur  mik.  Hijet nuk duken, por janë kudo. Kur shfaqen  ato   sjellin   fatkeqësi.  Pikërisht   këtyre    u  ruhem  unë.  Ndaj jam në mëdyshje në duhet ta shfaqë apo jo.
Spektatori -    Ç'lidhje kanë hijet me shfaqjen?
Autori  -     Sepse disa prej tyre janë  brenda saj.
Spektatori -    E pastaj?  Ne duam të shohim shfaqjen.
Autori -    Doni shfaqjen?  Mirë or miq, mirë. Ju po më detyroni. (Kthehet nga varroshi dhe thërret) Agron, ngrehu! Të lutem, ngrehu nga varri! Ngrehu dhe tregua historinë tënde!!

 (Tërhiqet  mbrapsht  deri sa largohet nga skena. Muzikë. Një re tymi ngrihet nga varri. Gjithçka mbulohet prej saj. Së bashku me të fillon të dalë ngadalë ngadalë Agroni, mjaft i zbehtë, veshur krejtësisht me të  bardha. Afrohet në qendër të skenës dhe fillon të flasë me një zë që duket sikur vjen nga një botë tjetër. Muzika pushon).

U ngrita të dashur miq, u ngrita! Të tregoj? Çfarë të tregoj, jetën time? Po ajo është shumë e dhimbshme. Doni ta tregoj? Dakord, por më parë lejomëni të vështroj atdheun. Sa më ka marrë malli! E donim atdheun të çliruar nga ferrat dhe gjëmbat që e kishin mbuluar, por nuk na lejuan. Edhe juve, të dashur miq, ju donim, por na hodhën në humnerë.(Ecën nëpër skenë) Muaj të tërë i lidhur kështu. (Kthehet nga publiku, ngre duart lart dhe duket si i lidhur prej duarsh dhe këmbësh në kanxha.). Ja kështu. i  kryqëzuar si Jezusi. Dhe hienat që argëtoheshin duke na torturuar. Hienat që ushqeheshin me dhimbjet dhe vuajtjet tona.
(Afrohet në fillim të skenës. Psherëtin thellë). Oh, ja ky është atdheu për të cilin ëndërronim! I lirë, i lirë ku çdokush shpreh mendimet e tij. (Hedh vështrimin diku larg. Kalojnë disa çaste në heshtje). O perëndi!   Çfarë po më shohin sytë?  Kush janë ata tre atje? I shihni? Qetësi, ju lutem, qetësi! Dëgjoni! Po jepkan leksione për të drejtat e njeriut? Ata që i shkelën me të dyja këmbët ato? (Duke fërkuar sytë) Mos po më bëjnë sytë?  Le të afrohem  edhe   pak  për të parë më mirë. (Afrohet në cep të skenës dhe vë dorën në ballë) Ata janë, ata. Ilia dhe Demiri, ish operativi i sigurimit dhe ish hetuesi im. A mund të ngjallen lugetërit dhe të shndërrohen në engjëj? Po ai i treti, a mos është miu i birucave që e fusnin nga qelia në qeli, për të mësuar ato çka donin ata? Fatziut, i shkoi jeta si skllav. Vite me radhë duke u zvarritur si krimb i birucave.  
(Duke u drejtuar nga publiku) Si thatë? Dy sigurimsat  po flitkan për drejtësinë? Për cilën drejtësi? Mos vallë për atë që duhet t'i dënojë ata? Po miu i  birucave? Kryetar i një shoqate të përndjekurish? Jo, jo nuk ka mundësi. Nuk mund të jenë ata. Ato janë vetëm hijet e tyre.
    (Fillon të dridhet) Kam ftohtë! Nuk kam më  gjak  në  trupin  tim.  Gjakun  ma  kanë  pirë hijet. Shikoni si lëvizin në errësirë, të gatshme për t'iu hedhur gjahut sipër. Kam ftohtë. Ftohtë. (Pauzë) Sa vjet? Sa vjet të shkulura nga jeta ime? (Muzikë rrënqethëse. Kalojnë disa çaste. Përmendet) Po unë, çfarë bëj? Mos erdha nga bota tjetër për të filozofuar së  koti? Jo, mua  më thirrën për të treguar. Por,  a ia vlen të tregoj?

 (Pauzë)

A e dini historinë e familjes time? Jo? Po jua tregoj. Babaj, kapiten  i  ushtrisë   mbretërore. Kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Nëna   mësuese. Ishin  komshinj me njeri-tjetrin. Ishin  dashuruar.  Një  rast  shumë  i rrallë  për  atë  kohë. Por ata e sfiduan kohën. U martuan.
Pushtimin e Shqipërisë e priti me pushkë në dorë. Kur u organizua Lëvizja Nacionalçlirimtare, u bashkua me të. Doli në mal. E caktuan komandant batalioni. Në çdo betejë ishte në ballë të saj. Kështu vazhdoi deri në korrikun e vitit 1943. Atë ditë një çetë nacionaliste, ku ndodhej edhe Syrjau, një i njohur i babait tim, kishte rënë në përpjekje me fashistët. Në  atë   çetë bënte pjesë edhe djali i një komshiut tonë, Sabriu  njëzetvjeçar. Babai, sapo dëgjoi se beteja kishte filluar, mblodhi batalionin dhe i vajti në ndihmë. Në atë kohë ishin të zakonshme luftërat e përbashkëta ndërmjet dy formacioneve ndërluftuese.
Lufta u ndez e ashpër. Sabriu me një mitroloz të lehtë, në vend që të qëllonte mbi ushtarët italianë, qëllonte flamurin e tyre. Im atë, që ishte në krah të tij, i thoshte:
- More, pse qëllon flamurin dhe jo ushtarët?
- Dua të thyej krenarinë e tyre. përgjigjej Sabriu.
Në të vërtetë nuk vonoi shumë dhe flamuri u këput dhe ra. Sabriu, i entusiazmuar, u ngrit në këmbë dhe filloi të brohorasë. Një plumb  e goditi në ballë. Ai ra. Babai e mori në krah dhe i foli:
- Sabri, ngrehu bir!
Por ai nuk lëvizte. Atëherë babai rrëmbeu mitrolozin dhe filloi të qëllojë mbi armikun. Donte të hakmerrej. Por një  plumb e  goditi në gjoks. Ra  pranë  Sabriut. Syrjau që luftonte aty pranë, erdhi menjëherë. Babai i tha me një zë  që mezi dëgjohej:
- Do të lë... një amanet... Dy trupat... tanë... t'i shpini... në shtëpi... dhe na varrosni... pranë... e pranë... U vramë... bashkë... duam... të pushojmë... bashkë...
I mbylli sytë. Ishte vetëm dyzetetre  vjeç.
Syrjau e mbajti fjalën. Kur mbaroi beteja, me një grup shokësh, morën trupat e të rënëve dhe, me njëmijë rreziqe, mundën t'i sillnin në shtëpi. Të nesërmen i varrosën në varrezat e qytetit pranë njëri-tjetrit, ashtu siç ishte amaneti i babait.

 (Pauzë)

Erdhi edhe dita e lirisë. Gëzimi  i  popullit   ishte  shumë  i  madh.  Të  gjithë  brohorisnin dhe këndonin për fitimtarët.  Edhe ne fëmijët bashkë me të mëdhenjtë.
Një ditë në shtëpi erdhi një grup partizanësh.  Komandanti i tyre i drejtohet nënës:
- Shoqja Gjyla! Trupin e burrit tuaj duhet ta hiqni nga ai varr dhe ta vendosni diku tjetër.
- Përse? pyeti nëna.
- Sepse   nuk  mund  të  rrinë  bashkë  një  dëshmor  i  atdheut  me  një tradhtar.
- Po Sabriu nuk ishte tradhtar. Ata u  vranë  të  dy  së  bashku  për  një qëllim?
- Ato janë përralla. Të këshillojmë ta heqësh. Kjo është porosia e udhëheqjes.
Nëna u mendua gjatë për këtë çështje. Në fund vendosi. Nuk do ta  lëvizte. Nuk  mund  të harronte amanetin e të shoqit.
Disa vite  më  vonë,  kur  u  ngritën  varrezat  e  dëshmorëve,  trupin  e babait nuk e vendosën atje. Nëna e kërkoi, por asnjë nuk ia vari. Ishte hakmarrja për mosbindjen e saj. Atëhere u ngrit e shkoi në kryeqytet. Donte të takonte të madhin e vendit. Nuk e linin. Por ajo këmbënguli. Është një histori më vete si mundi. Ruante çdo ditë ta shikonte kur shkonte në punë. Një ditë e pa. Vrapoi dhe i doli para. Rojet u munduan ta ndalonin. Ai i pa dhe thirri:
-Lereni!
Ata u tërhoqën.
- Jam gruaja e Bexhet Canajt, i tha nëna.
Ai e kishte njohur tim atë. Kishin qenë së bashku në disa takime. E dëgjoi me vëmendje. Së fundi,  urdhëroi të korigjohej gabimi sa më parë. Pas disa ditësh trupin e babait e vendosën në varrezat e dëshmorëve.
Nëna më fliste shpesh herë për këto. Unë e dëgjoja me vëmendje dhe mendoja:
- Partizanë që luftojnë së bashku me nacionalistë! Një partizan i rënë në betejë së bashku me një nacionalist. Partizanë që papritur bëhen armiq me nacionalistë.  Përse? Përse? Përse?

(Muzikë. Agroni shetit poshtë e lart nëpër skenë pa folur.)

(Duke parë nga publiku) Doni të dini si u njoha  me  time  shoqe?  Fare rastësisht. Isha kthyer nga Praga, ku kisha studiuar për inxhinieri elektrike. Prisja emërimin. Kisha shkuar në kryeqytet për t'u interesuar. Po kaloja në parkun Rinia. Shoh një vajzë që diçka kërkonte.
- Ju ka humbur gjë? e pyeta pa vetëdije.
- Unaza që më kishte dhuruar mami, - u përgjigj.
Ai vështrim më turbulloi. U skuqa në fytyrë dhe ndjeva një nxehtësi nga brenda.
- Ju dhuroj unë një tjetër më të mirë, i thashë pa e ditur edhe  vetë  se çfarë flisja.
Ajo u skuq dhe duke më vështruar me dyshim më tha:
- Faleminderit, po më mjafton ajo që më ka dhuruar mami.
Filluam të kërkojmë të dy. Fati e pruri që ta gjeja unë.
- E gjeta, e gjeta! thirra gjithë gëzim.
- Faleminderit edhe një herë! Qenkeni me të vërtetë i sjellshëm.
Filluam të bisedojmë.
- Mund të njihemi? Agron Canaj, inxhinier elektrik.
- Lumturi Begonja, studente e vitit të parë, dega matematikë.
- Shkojmë të hamë ndonjë akullore? e ftova unë.
- Me kënaqësi!   u përgjigj pa mbaruar unë fjalën.
Qeshëm të dy dhe u futëm në një bar. Qëndruam më shumë se dy orë. Përveç akullores shijuam edhe nga një tortë. Diskutimet u përqendruan më tepër në shijet tona estetike. Flisnim për shkollën dhe modën, për leximet dhe teatrin. Biseda nuk kishte të mbaruar. Të dy  qëndronim të mbërthyer pas atij takimi. Së fundi u ndamë. Para ikjes i thashë:
- Kam dëshirë t'ju takoj përsëri.
- Të djelën e ardhshme në orën dhjetë.
Nuk u largova në qytetin tim. Një forcë e pakuptueshme më mbante në kryeqytet.  Ajo javë m'u  duk shumë e gjatë. Të dielën u takuam përsëri. Të njëjtat biseda. Një gjë e tillë vazhdoi për disa javë. Nëna, e shqetësuar, më pyeste vazhdimisht se përse nuk po kthehesha. Unë i përgjigjesha se po interesohesha për emërimin. Së fundi edhe emërimi erdhi. Së bashku me të edhe fundi i takimeve tona. Të nesërmen duhej të nisesha.
- Lumto! i thashë. Të dua! A dëshëron të bashkosh fatin tënd me timin?
Ajo vetëm buzëqeshi dhe sytë  e  saj  thanë  më  shumë  se  "po". Aty,  nën  hijen e shelgjeve shijuam të puthurën e parë.  Të nesërmen u nisa.
- Mos më harro! i thashë në çastin e ndarjes.
- Vetëm vdekja do të na ndajë, - desh të thoshte, por nuk foli. Ato fjalë i shprehu dora e saj që u shkri me timen.
Pasi u diplomua, u martuam.  Unë isha ngritur në përgjegjësi. Isha emëruar kryeinxhinier i ndërmarrjes elektrike. Atë e emëruan drejtoreshë në një shkollë të mesme. Ishim një çift i lumtur.  Pas dy vjetësh lindi vajza, Rida. Lindja ishte e vështirë. Megjithatë, në saj të kujdesit të mjekëve, vajza lindi e shëndetëshme dhe Lumtua shpëtoi për mrekulli. Mjekët na këshilluan që të mos tentonim të lindnim më fëmijë se mund të rrezikonim jetën e nënës.  Kështu që Rida mbeti fëmija ynë i vetëm. Ajo u bë gëzimi ynë, lumturia e familjes tonë. (Muzikë).

(Pauzë)

Ishte fundi  i  gushtit. Atë  vit  ai  po  mbaronte me  shumë shira. Retë  ngërtheheshin   me   njëra-tjetrën   dhe   gjatë   përplasjes  lëshonin  vetëtima verbuese që pasoheshin nga bubullima shurdhuese. Atë ditë ndejta deri  vonë  në  zyrë.  Kur  u  ngrita, shiu vazhdonte të binte si me shtëma.
- Shumë u vonove sonte, shoku kryeinxhinier, - më foli Rustemi, roja i zyrave.
- Po ju e shikoni se ç'shi po bie. Ku të le ky i uruar të dalësh?
- Eja të rrimë një copë herë bashkë dhe të fjalosemi, -  vazhdoi ai.
Hyra në dhomën e tij dhe filluam të bisedojmë. Rustemi kishte qenë partizan, së bashku me të atin, që kishte rënë në luftën për liri. Pas përfundimit të saj ishte veshur oficer. Mirpo fatziu kishte vetëm shkollën fillore, kështu që pas disa vitesh e zhveshën. Megjithatë, një favor ia bënë. Në vend që ta çonin në kooperativë, që ndodhej midis dy maleve ku dhe arat ishin si oazet në shkretëtirë, e kthyen në qytet, ku mundi të zerë punë si roje.
Unë ia njihja mirë karakterin. E dija që po ta lavdëroja pak dhe ta ngacmoja, do të më tregonte gjithçka dinte. Ai ishte anëtar partie, ndërsa unë jo. Kështu që e ngacmova atje ku i dhimbte. Filloi të zbërthehej. Më tregoi se në mbledhjen e organizatës bazë kishin  biseduar për mua dhe dy shokët e mi, Stefanin dhe Gjergjin. Kishin thënë që si ka mundësi që një bir dëshmori të ketë shoqëri me dy djem që rrjedhin nga familje reaksionare.
- Aman mos i thuash njeriu për këto që ju thashë se më merrni në qafë, - më tha Rustemi i tronditur që kishte folur pak si tepër.
E sigurova se nuk do e bisedoja me njeri dhe u largova, pasi edhe shiu kishte pushuar.

(Pauzë)

Stefani me Gjergjin ishin dy inxhinierë të rinj. Ishin kushërinj me njëri-tjetrin. I pari kishte xhaxhanë në burg për motive politike, ndërsa i dyti gjyshin të arratisur si komandant i një çete nacionaliste. Një kushëri tjetër i tyre, që kishte një detyrë të rëndësishme në kryeqytet, i kishte ndihmuar të vazhdonin universitetin, të cilin e kishin përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Ishin beqarë. Ishin djem për së mbari. Punonin me ndërgjegje. Në sajë të kësaj karakteristike formuam një shoqëri të mirë.  Kudo  ishim   bashkë.  
Pas disa ditësh, ndërsa ecja rrugës në këmbë, ndjeva  zhurmën e një gazi që frenoi pranë meje. Ktheva kryet dhe pashë Petritin, Kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme, që zbriti nga makina dhe duke buzëqeshur më ftoi të pimë një kafe. Hipa në makinë dhe ndaluam në një hotel  restorant  që  quhej "turizmi". Kamarieri na futi në një dhomë të veçantë. Kryetari më qerasi me uiski.  Pastaj hyri në temë:
- Dëgjoni, Agron! Ju jeni njeriu ynë. Partia te ju ka  besim. Por dhe ju duhet t'ia shpërbleni. Ne kemi disa të dhëna se  tek ju  punojnë edhe disa individë me përbërje jo të mirë politike. Ata ne duhet t'i survejojmë.
Më përmendi emrat e Stefanit dhe Gjergjit.  M'u duk sikur më kishte kafshuar një gjarpër. Sikur uiski që më kishte ofruar ishte helm. Sikur më kishte dhënë qëllimisht një gotë plot me të. Asnjëherë deri atëherë nuk kisha provuar një ndjenjë të tillë. Kisha një përceptim tjetër për shoqërinë. Ky përceptim ishte mbështetur në ndershmërinë dhe sinqeritetin. Kurse tani më kërkohej të vija një maskë, në mënyrë që ndryshe të mendoja dhe ndryshe të veproja. Një gjë e tille binte ndesh me karakterin tim.
Shkova në shtëpi dhe fillova të lexoj librin  "Idetë filozofike të shekullit të njëzet"  të filozofit Izajah Berlin, që ma kishte sjellë Beni, një shoku im që punonte në  ambasadën  tonë  në
Romë. Atje shkruhej:

Dëshira ime si njeri është që jeta ime dhe vendimet e mia të varen vetëm nga unë. Dëshëroj të urdhërohem vetëm nga vullneti im dhe askujt tjetër. Dëshëroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjëshme. Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi. Të jem veprues, të marrë vendime dhe jo të vendosin të tjerët për mua. Të drejtojë vetveten dhe jo të jem nën veprimin e fuqive të jashtme natyrore apo njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në gjendjen e skllavit që nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qenie njerëzore.

Më   dukej   sikur   këto  fjalë  autori  i  kishte  shkruar enkas për  mua. Ky ishte lejtmotivi i jetës time.   Më  mbërtheu një ankth i fortë që s'e kisha provuar ndonjëherë. Megjithatë thirra dy shokët e mi dhe iu tregova çfarë kisha biseduar. Ata u tronditën tepër. Stefani foli:
- Jetojmë në kohën e absurdit. Individi kërkon të mendojë dhe veprojë i lirë, pa i rënë askujt në qafë, por nuk mundet. Vijnë të tjerët dhe të kërkojnë të mendosh dhe veprosh  ashtu siç duan ata, paçka se mund të jenë njerëz fare të rëndomtë, pa personalitet. Ti duhet t'u nënshtrohesh atyre, t'i himnizosh, t'i ngresh lart në qiell, me pak fjalë të kthehesh në një servil i ndyrë dhe pa moral. Kjo është tabloja e shoqërisë së sotme.
Këto fjalë më bënë të mendoja se në rast se doje të jetoje në botën tonë, duhet të qeshje, kur nuk të qeshej, të pranoje absurdin, kur logjika nuk ta pranonte, të duartrokisje kur fliste eprori yt, pavarësisht nëse fjalët që thoshte ishin qiqra në hell. Të harroje se duhet të kishe dinjitet. Të zhvisheshe nga çdo formë e ndjenjave njerëzore. Ky ishte "Njeriu i ri" që po krijohej në vendin tonë. Ai ishte spiuni i ndyrë që kërkonte t'i bënte varrin shokut më të mirë. Ishte djali që spiunonte   babanë   dhe    vëllai   vëllanë.  Spiunllëku,  servilizmi  dhe  dyfytyrësia mbretëronin në zemrat e shqiptarëve. (Muzikë tragjike. Agroni shetit poshtë e lartë)

(Pauzë)

    Pas disa ditësh më thirri  operativ  Ilia,  pikërisht  ky  Ilia  që  sot  po  mban  leksione  për drejtësinë. Më  priti me buzë në gaz. Më bënte lajka dhe herë pas here e hidhte fjalën te vigjilenca që duhej të kishin njerëzit kundrejt armiqve të popullit. Fjalët e tij më dukeshin si thika që më nguleshin pas shpine. Mora kurajon dhe e pyeta se çfarë donte të thoshte me ato fjalë. Ai më përmendi shokët e mi. U hoqa sikur nuk kuptova gjë. Atëherë më nxorri një shkresë dhe ma dha. E lexova. Ishte një deklaratë ku pranoja të bashkëpunoja me Sigurimin e Shtetit.
- Nënshkruaje! më tha.
Ajo  letër  po  më  digjte  dorën.  Ndjeva  një  neveri  të   madhe   për   atë  që  ma  serviri. Fillimisht mendova t'ia përplasja në fytyrë dhe të ikja. Por e mbajta veten. Një veprim i tillë do të më kushtonte shtrenjtë. Mendova se duhej përdorur diplomacia.
-  Për të punuar për partinë dhe atdheun, mendoj  se  nuk  duhen  deklarata të tilla. Ne për çdo ditë punojmë për to. Atyre ua dedikojmë arritjet tona, - thashë i vendosur.
Vendosmëria ime e stepi. Nuk ishte mësuar që ta kundërshtonin.
- Po të le dy javë kohë. Mendohu mirë dhe vepro! më tha.
Dola jashtë. Isha jashtëzakonisht i tronditur. Nuk e dija se ku po më shpinin këmbët, kurse mendja më trokiste te biseda me Ilian. Papritur u ndodha pranë Muzeut Historik. U kujtova. Aty ishte edhe im atë. U futa brenda. Vizitova pavionin e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare.  Nëpër muret e pavionit ishin fotografitë e të rënëve. Midis  tyre  edhe  babai.
Nën fotografinë e tij ishte shkruar:

Këto sende i përkasin dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, komandantit trim të batalionit partizan,  Bexhet   Canaj,  rënë  më  12 korrik 1943 duke luftuar trimërisht me hordhitë fashiste dhe tradhtarët e vendit.

Në atë çast, nga sytë, më rrodhën dy pika loti. Sa  do  të  doja  ta  kisha pranë. Të këshillohesha me të. Sa shuuë e ndjeva mungesën e tij në ato çaste! Ta pyesja.  Në rast se do të kishte qenë në konditat e mia, si do të vepronte? Por ai më vështronte dhe heshtte.
Vështrova rreth e rrotull. Në sallë nuk kishte njeri. Atëhere iu drejtova tim eti:
- Folmë, or babë, folmë! Dua të dëgjoj zërin tënd. Jam në hall, or babë. Është morali im në pikëpyetje, është karakteri im. Rrëmbeve armët dhe dole malit për liri.  Shiko se çfarë kanë shkruar: - Rënë në luftë me tradhtarët e vendit. Kush ishte tradhtar? Mos vallë Sabriu që  luftoi së bashku me ty dhe ratë së bashku e u varrosët së bashku?
Ti re që ne të gëzojmë lirinë. Por, a jemi me të vërtetë të lirë? Dikur mendoja se isha i tillë. Tani kam filluar të dyshojë. Jam njohur me dy djem të rinj, që fati i ka hedhur në kampin e të mundurve  Më kërkojnë të spiunoj për ta.
Sot më thirri operativi i sigurimit. Më kërkoi të denoncoj shokët e  mi. Po  si  mund  t'i  denoncoj
unë, kur ata nuk kanë bërë asgjë? Të kthehem në një spiun ordiner? Por a mund ta bëjë unë një gjë të tillë? Jam në udhëkryq, or babë. Dua mendimin tënd. Folmë babë, folmë!
Kështu i fola tim eti. Për një çast m'u duk sikur edhe ai m'u përgjigj:
-    Ndiq rrugën time, mor bir!

(Pauzë)

Pas dy javësh Ilia më thirri përsëri. Tani toni i tij ishte  bërë  kërcënues.  Por  edhe unë e kisha vendosur. Le të dilte ku të dilte. E kundështova për gjithçka.
Dola përjashta. E ndjeva përsëri veten keq. Vetmia më torturonte. Doja të takoja dikë, t'i shprehja shqetësimin tim, por nuk dija se kujt. Të gjithë njerëzit që më kalonin pranë, më dukeshin si armiq që mezi prisnin të më hidhnin në humnerë.  Nuk shkoja dot në shtëpi. Çfarë t'u thoja? Që isha në rrezik të arrestohesha? U ngjita në një kodër, aty mbi qytet dhe u ula nën një ulli të madh. Kishte filluar të errej. Vështroja qytetin dhe habitesha se si ka mundësi që ky qytet kaq i bukur tani më dukej si një shkretëtirë? Qëndrova gjatë atje. Pastaj u kujtova se në shtëpi duhej të ishin bërë merak. U nisa. Kur mbërrita, nëna me tha:
- Ç'u bëre, more bir? Ora po shkon njëmbëdhjetë.
Iu përgjigja me çfarë më  erdhi  ndër  mend.  Ime shoqe, që ndodhej aty,  nuk  foli.  Kur  u  shtrimë për të fjetur, i tregova.
- A e di Goni? më tha -  Mos e humb toruan. Duhet  të  gjejmë  një mënyre për  t'i  bërë ballë. Le të presim dhe të shohim.
U përqafuam fort me njëri-tjetrin. Në ato  çaste  ndjeva  një  dashuri  të jashtëzakonshme për të. Kishim shtatëmbëdhjetë vjet që ishim martuar. Asnjëherë nuk kishim patur krisje në marëdhëniet tona. Lindja e Ridës na kishte lumturuar më tepër  Mbyllëm sytë dhe qepallat na i rëndoi gjumi. (Përsëri muzikë.).

(Pauzë)

Muaji tetor i atij viti ishte i veçantë. Rida mbushte pesëmbëdhjetë vjeç. Në ditlindjen e saj u mblodhën plot njerëz. Mungonin vetëm disa, ata që ishin në krye të elitës. Siç duket kishin marrë urdhër nga partia. Megjithatë, të pranishmit u argëtuan më së miri. Më e gëzuara ishte Rida. Ajo shkëlqente midis shoqeve të saj.
Por mesnata kishte përgatitur një të papritur. Një trokitje e fortë na zgjoi nga gjumi që porsa na kishte zënë. Dëgjuam një zë të akullt:
- Kërkojmë Agron Canajn.
Dola para tyre.  Zëri vazhdoi me të njëjtin ton:
- Në emër të popullit jeni i arrestuar!
Në emër të kujt populli fliste? Unë nuk kisha dëgjuar të pyetej ndonjëherë populli. Diktatura tallej me të e qeshte me sarkazëm dhe populli e duartrokiste. Më prangosën dhe më përplasën në një qeli të errët. Në murin përballë saj ishin katër kanxha.  E pra, në ato kanxha më lidhën duar dhe këmbë. Hodha vështrimin në muret. Dallova disa shënime të ndryshme. Ishin psherëtima të dhimbshme të shkruara prej atyre që ishin ndodhur në atë qeli.  
    Fillova të mendoj. Në ato kushte mendimet janë e  vetmja  pasuri  që  ka  njeriu.  Trurit,  i burgosur edhe ai si unë, nuk i mbetej tjetër veçse të mendonte. E pra, mendimet vinin rrotull. Shkonin nga shkonin dhe takoheshin në një pikë, atje ku rrihte çekani: Kush do të jetë fundi? A do të triumfonte drejtësia? Cila drejtësi? Arsyeja ime rrekej të më mbushte mendjen se kishte ende shpresë, por ashtu i kryqëzuar siç isha zhgënjimi më bluante përbrenda.
Errësira e qelisë më përpinte të gjithin. Nuk e dija nëse ishte ditë apo natë. Një errësirë e përjetshme. Në këto kushte njeriu humbet nocionin e kohës. Nuk përcakton dot sa kohë ka kaluar. Mua më dukej sa një shekull.

(Pauzë pak a shumë e gjatë)

    Më falni, të nderuara zonja e zotërinj! Më falni për këtë pauzë të gjatë! Jam i lodhur. Rëfimi më shkakton dhimbje. Mos u mërzitni! Megjithse po më afrohet koha për t'u kthyer në botën time, nuk largohem pa përfunduar. Ku e lashë? Ah, po, kur isha i mbyllur në qelinë e errët.
    Një ditë u hap porta e qelisë dhe pashë rreshter Myfitin. Më shpuri në dhomën e hetues Demirit, pikërisht këtij Demiri që tani mban leksione pwr tw drejtat e njeriut. Ai ishte ulur në tryezë dhe shfletonte disa shkresa. Më vështroi për një kohë të  gjatë, sikur  do të  më  hante  të  gjallë. Pastaj  më  komunikoi  akuzën  e  arrestimit,  organizimin  e  një  grupi  antipushtet, sabotim ekonomik, terrorizëm dhe agjitacion dhe propagandë.
    Dëgjoja akuzat e tij dhe më dukej si çudi se si njeriu mund të arrijë deri aty sa të besojë të tilla shpifje. Iu përgjigja i vendosur:
    - Të gjitha ato që thatë nuk janë veçse dokra.
    Nuk e zgjati më tej. Lëshoi ultimatumin:
    - Po të le tri ditë kohë. Mendohu dhe kur të të thërras përsëri të dish si të flasësh.
    Ato tri ditë ishin ditë ankthi për mua. Shpirti më ziente si vullkani pas shpërthimit. Mali i akuzave që më kishte hedhur Demiri më shtypnin si guri i Sizifit. Ndieja se isha para një kërcënimi të madh, pasojat e të cilit mund të ishin të tmerrshme. Dobësia që më kishte pushtuar bënë që të më mbylleshin sytë.    
Në qeli më futën edhe miun e birucave që sot na qenka bërë kryetar shoqate të përndjekurish.  Ai u mundua të nxirrte diçka prej meje. Por mundimi i shkoi kot. Nuk kisha çfarë t'i thoshja. Atëhere u detyruan ta hiqnin përsëri. Kushedi në cilën qeli do e vazhdonte detyrën e tij? Pas  tri ditësh Demiri më thirri përsëri. Më pyeti nëse kisha ndërruar mendje. Iu përgjigja vetëm duke tundur kokën  majtas djathtas,  Atëherë filloi të më fliste për Stefanin dhe Gjergjin, se si gjoja ne kishim planifikuar të hidhnim në erë turbinën e hidroçentralit, që do të vendosej së shpejti dhe një lumë me akuza të tjera. Unë buzëqesha si  me ironi dhe e kundërshtova. Filluan  seancat  e  torturave  të  vërteta.  Më lidhën përsëri në kanxhat e qelisë.
    Por unë nuk dua të flas më për to. Ju thashë, jam i lodhur dhe kujtimi i tyre më ngjall dhimbje.   Megjithse   nuk   jetoj   në  këtë  botë,  përsëri  ndiej   dhimbje.  Jam  i  dënuar  të  vuaj  përgjithmonë nën shtypjen e kësaj torture. (Lëviz në skenë).
    Karakteret   e  njerëzve  janë  të  ndryshëm.  Ata  më   stoikët   e   ruajnë  karakterin  e  tyre  gjatë gjithë rrjedhës së jetës. Stoicizmi i tyre i bënë që të durojnë çdo lloj torture fizike ose psikologjike. Mendoja se një nga këta isha dhe unë.
    Një grup i dytë janë kameleonët. Ata i përshtaten çdo regjimi. Vihen në shërbim te çdo padroni. Në këtë kategori hyjnë spiunët, servilët, dallkaukët. Kësaj kategorie i përket edhe miu i birucave të dikurshëm apo kryetari i shoqatës së sotme.
    Por ka edhe një tip tjetër. Një tip i veçantë nga i pari. Tek ata mbizotëron ndjenja e urrejtjes për viktimat që  ua ka verbuar sytë dhe shkatërruar ndërgjegjen. Urrejtja është e vetmja ndienjë që ka pushtuar zemrat e tyre. Kjo ndienjë i ka bërë egoistë, sadistë, barbarë, të gatshëm të përdorin çdo lloj mjeti për të realizuar qëllimet e tyre. Janë tipa të etur për gjak bashkëqytetarësh. Gjaku është ushqimi i shpirtrave të tyre. Fatkeqësisht në këtë kategori bënin pjesë operativi dhe hetuesi im, Ilia dhe Demiri.
    Më kërkonin të pranoja një krim që nuk e kisha kryer. Përse? Për të goditur dy shokët e mi. Ata i kishte hedhur historia në kampin e të mundurve. Si të tillë ndëshkimi duhej të shkonte deri në fund. Fundi ishte zhdukja e tyre. Për këtë duhej të përdoresha unë, biri i një dëshmori të luftës, i një familje  që kishte qënë në krahun e Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
    Por, a mund ta bëja unë një gjë të tillë? Kurrën e kurrës!  I   kisha   ngjarë  tim  eti. Ai nuk doli malit për të luftuar bashkëqytetarët e tij. Doli  për  të  luftuar  armikun dhe ra së bashku me një nacionalist. Tani më kërkonin të shndërrohesha në një spiun ordiner. Të bëhesha krimb, kur kisha ëndërruar të isha vetëm  zgalem.
    
    (Përsëri muzikë dramatike. Pauzë)

29 nëntor 1974, tridhjetëvjetori i ditës së çlirimit. Në qelitë e degës mbretëronte heshtja.  Shumica e punonjësve të saj kishin ikur për festë. Nga oficerët ndodheshin  vetëm  hetues  Demiri  si  oficer  roje  dhe   operativ   Ilia.  Si zakonisht, unë  ndodhesha i kryqëzuar në kanxhat e torturës. Edhe për ditën e çlirimit nuk më  kishin  zgjidhur.  Demiri  vazhdonte  pyetjet  e  tij  të
zakonshme:
    - Ende do të vazhdodh të heshtësh?
    E vështrova një periudhë pa folur, pastaj i thashë me një zë që mezi më dilte nga shpirti:
    - Kot e keni. Nuk kam bërë asgjë. Nuk di asgjë.
    - Nuk dini? Do jeni në gjendje ta mbani fjalën deri në fund? tha me një zë të akullt.
    - Kush është fundi, vdekja ime?
     Ndoshta edhe më keq...
    Jashtë,   në   korridor   u   dëgjuan  disa  hapa.   Porta u hap. Në qeli hyri operativ Ilia. Pas tij qëndronin Lumtua dhe Rida. U tmerrova. Përse i kishin sjellë në atë ferr? Rida, sa më pa në atë gjendje, lëshoi një klithmë të tmerrshme dhe u lëshua drejt meje dhe, në mes të lotëve, duke më rrokur këmbët, klithi me të madhe:
    - Babi, babi, ç'të kanë bërë kështu? dhe duke u   drejtuar  nga  përbindëshat  u   bërtiti  
Përse? Përse?
Lumtua qëndronte si e mpirë. Demiri rrëmbeu me forcë Ridën.
- Hë, do të flasësh? qeshi ai.
- Ju jeni kriminelë! thirra - Nuk kam bërë asgjë. Nga unë nuk do të nxirrni gjë.
Duke iu drejtuar Lumtos, Demiri vazhdoi:
- E dëgjon? Ende nuk do të flasë. Foli ti se ndoshta bindet.
Por Lumtua nuk kishte se si të  më kërkonte diçka nuk e kisha kryer. Ajo e njihte karakterin tim dhe e dinte se nuk do t'ia falja. Atëhere dëgjova Demirin që tha me një keqardhje të shtirur:
- Më qafë paçi veten!
Pashë dorën e tij të futej në kofshët e Ridës time, fëmijës tim pesëmbëdhjetëvjeçar, ndërsa Ilia filloi t'i zbërthejë gjoksin Lumtos. (Nga sytë fillojnë t'i rrjedhin lotë)

(Pauzë)

Po qaj? Si është e mundur?  Kam pesë vjet, që kur ika nga kjo botë dhe lotët ishin  tharë. Unë  vij nga bota tjetër dhe atje nuk ka lot. Por ajo ishte një natë makabre. Nuk ka se si të mos krijojë dhimbje  edhe  lot, qoftë  edhe sikur të jesh banor i një bote ku ato nuk ekzistojnë.
    - Lëshojini, të poshtër! thirra që nga ganxhat ku isha lidhur
    Ata vazhdonin.  Sa do të  doja  në  ato  momente  të  kisha   fuqinë  e  Herkulit,  t'i këpusja ato pranga që më mbanin lidhur dhe t'i  copëtoja   ato  dy  hiena.  Por  ata  përsëri vazhdonin. Dëgjoja zërin e tmerruar të Ridës:
    - Lëshomëni! Lëshomëni!
    Ndërsa Lumtua, në mes të të qarave,  thërriste:
    - Lereni vajzën! Është vetëm pesëmbëdhjetë vjeç.
    Por ata nuk kishin veshë. Ujqërit e kishin kapur gjahun dhe po e shqyenin. Dëgjova përsëri klithmën e Ridës:
    - Babi, babi. Ndihmomë!
    Ndërsa Lumton:
    - Agron!
    Nuk   munda,   nuk   munda   më.  Nuk   munda!  (Këlthet   Muzikë   e dhimbëshme). Papritmas, nga dikush që isha deri atëherë, u shndërrova në askush. Mendoja se kisha personalitet, por edhe ai ishte bërë hi. Ishte shkërmoqur. Ëndërronim. Na dukej sikur fluturonim në qiell, por në tokë gjërat ishin ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.
    - Ndaloni! - thirra me një zë që më shpërtheu nga brenda.
Hienat i lëshuan viktimat e tyre. Me një  shenjë  të  Demirit,  Ilia  mori  Lumton  e Ridën dhe  doli.  Demiri  nxorri  nga  çanta  një  shkresë  me  shumë  faqe  dhe  duke  m'u  drejtuar më tha:
- Nënshkruaje!
Mora penën me dorën që më dridhej dhe nënshkrova pa e lexuar.
- Agron  Canaj  vdiq.   munda   të  pëshpëris   me  një  zë  të  mekur. (Muzikë)

(Pauzë)

    Pas tre ditësh u arrestuan Stefani me Gjergjin. Ndërsa pas pesë muajsh u zhvillua gjyqi. U ndodha ballë për ballë me shokët  e  mi,  por  ata  më  kthyen  krahët. Procesverbali  im  ishte  një aktakuzë shumë e rëndë për ta. Ndjeva ndërgjegjen time të thyer të më thërrasë:
    - Si munde të biesh kaq poshtë? Ku është personaliteti yt?
    - Personalitetin tim e vranë! u përgjigja me një gjysmë zëri.
    - Përse jetoni atëherë? më nguli thonjtë në zemër ndërgjegja
- Jetoj? Unë nuk e di përse jetoj , - ia ktheva, se vërtet që nga ai çast kisha vdekur.
Në makinën burg që na shpinte në qelitë, iu kërkova falje miqve të mi. Ata nuk pranuan të bisedonin me mua.  Kjo ma ndrydhi edhe më zemrën e plagosur. Mendoja se do të më dëgjonin dhe do të më kuptonin. Por çdo gjë fluturoi. Ata nuk denjuan, dhe kanë të drejtë, mendova.
Të nesërmen u dha vendimi i gjykatës. Stefani me vdekje  me  pushkatim,  Gjergji pesëmbëdhjetë vjet burg, ndërsa unë dymbëdhjetë. U drodha. Kurrë nuk mund ta kisha parashikuar një dënim kaq të rëndë.
Prisja përgjigjen e Gjykatës së Lartë dhe   të  Presidiumit  të  Kuvendit Popullor. Ato ishin instancat më të larta. Kisha shumë shpresë se diçka do të  ndryshonte,  sidomos për Stefanin.
Kishte kaluar mesnata. Për çudi, atë natë nuk më zinte gjumi. Ai kishte fluturuar. Dëgjova një zhurmë hapash të gërshetuar me atë  të  prangave  të  rënda.  Ndjeva një portë që u hap dhe zërin e dikujt që foli:
- A je bërë gati?
- Gati jam,. ishte përgjigjja.
U drodha. Njoha zërin e Stefanit. Kur hapat kalonin pranë qelisë time, nuk  e di pse thirra me të madhe:
- Stefan, më fal! (Jehona e zërit përhapet bashkë me zhurmën e prangave).
Nuk mora përgjigje. Ai iku pa më falur. Nuk doja të jetoja më. Por nuk kisha fuqi. Zemra ishte dobësuar aq tepër, sa nuk mundesha as të vrisja veten. Isha i pavullnetshëm. Isha një njeri amorf.
Të nesërmen na komunikuan vendimin përfundimtar. Asnjë ndryshim. Kishin lënë në fuqi vendimin e gjykatës së  faktit. Na shpunë në burgun e qytetit.

(Pauzë)

Kaluan gjashtë muaj. Çdo dy javë prisja të më vinin të afërmit e mi. Por askush nuk dukej.  Një ditë më njoftuan për takim. Qëndroja para kafazit të hekurave. Nga ana tjetër e tyre u shfaq figura e nënës. Ecte e mbështetur në dy paterica. M'u duk jashtëzakonisht e plakur.
- Nënë! munda të them dhe nga sytë filluan të më rrjedhin lotë, - përse?
- Fshiji lotët, biri i nënës! tha ajo. -  Burrat nuk qajnë.
- Unë nuk jam burrë, nënë. -  pëshpërita.
- Kaq shpejt u dorëzove? Bëhu i fortë. Burgu për burrat është. ndjeva zërin e vendosur të saj.
I thirra mendjes. Fillova ta pyes për veten e saj. Më tregoi se kishte pësuar një aksident nga një makinë.
- O Zot! thashë me vete, -  si ka mundësi?
 Natyrisht që e pyeta edhe për  gruan  dhe  vajzën.  ( Pauzë.  Agroni  vendos  kokën  midis duarve. Dëgjohet dialogu i mëposhtëm ndërmjet nënës dhe djalit)
- A je i fortë, bir?
- Përse nënë?
- Për ato që do të dëgjosh.
- Çfarë do të dëgjoj?
- Ato që mendja nuk mund t'i përfytyrojë.
- Fol, nënë, çfarë nuk mund të përfytyrojë?
- Premtomë se do të qëndrosh si burrë.
- Nënë, tregomë! Çfarë ka ndodhur?
- Toka nuk i deshi Lumton dhe Ridën. Ato ishin prerë për më lart. Fluturuan në qiell. Zoti i mori në gjirin e tij.
- Nënë, më thuaj që nuk është e vërtetë!
- Ngrije kokën, bir! Mblidhe veten! Ke nënën tënde.  Unë  do  të të pres deri sa të kthehesh. Të premtoj!
- Si ndodhi, nënë?
- Mos më pyet më. Hidhe në detin e harresës.
- Por, a mundem?
- Mundesh, bir, mundesh!
- Jo, jo nuk mundem!!
- Do t'ia dalësh bir, do t'ia dalësh! Unë të njoh. E njoh karakterin tënd! Tani do të iki. Nuk mund të qëndroj më gjatë. Një ditë do t'i tregoj të gjitha. Mirupafshim bir!
- Mirupafshim, nënë! ( Agroni ngre kokën. Sytë i ka të mbushur me lotë. Ngrihet dhe drejtohet te kreu i skenës)
Ajo u largua dhe unë u ktheva në qelinë time. U ula në dyshekun tim dhe fillova të mendoja:
- Si ka mundësi që u fikën të dyja? Nëna më tha ta hidhja në detin e harresës. Përse? Mos vallë nuk guxonte në sy të rojeve? Çfarë kishte ndodhur? Apokalipsi? A mund të ketë apokalips në shekullin e njëzetë! A do ta mësoj ndonjëherë të vërtetën?

 (Pauzë e gjatë)
    
     Pas dhjetë vjetësh tre muajsh dhe dymbëdhjetë ditësh, erdhi dita e lirimit. Mbi dhjetë vjet të kaluara pothuajse në vetmi, i braktisur nga shokët,  i heshtur, i vetmuar. I vetmuar, edhe mes të burgosurve të tjerë. Për shokët unë isha një vullnet-sëmurë që isha thyer gjatë  procesit  të hetuesisë.
    Atë ditë kujtoja vitet e kaluara në burg. Kampi i parë Spaçi. Një ferr i vërtetë. Në atë kamp qëndrova  katër vjet. Pastaj më çuan në burgun e Burrelit. Atje gjeta Gjergjin. U mundova të afrohem me të, por më priti shumë ftohtë, gati me përbuzje
- Gjergji, dua të bisedoj me ty, - i thashë një ditë.
- Do të bisedosh? E çfarë paske më për të biseduar? më  tha  me  një zë ironik.
- Dua të të shpjegoj arsyet. Dua të të kërkoj të falur.
- Të më kërkosh të falur? Po Stefani a mundet të të falë vallë?
Më   ktheu   shpinën   dhe  u  largua.  Mbeta  përsëri  në  vetminë  time,  duke  luftuar  me ndërgjegjen e copëtuar. Kisha mbi shpatullat peshën e rëndë të tradhtisë  dhe të pabesisë dhe këtë peshë duhej ta mbaja për vite të tëra.

(Pauzë)

Më së fundi u lirova. Në qytetin tim mbërrita shumë  vonë,  pas  mesnate. Nënën e  kishin
nxjerrë nga apartamenti ku banonim dhe e kishin përplasur në një të ashtuquajtur dhomë, në një rrugicë në dalje të qytetit. Adresën e kisha, por nuk përcaktoja dot godinën. Ndërkohë aty po kalonte një burrë i moshuar. I fola:
- Më falni! A e dini ku banon Gjylo Canaj?
Më vështroi me vëmendje.
- E ç'ju duhet e ngrata plakë? më tha Lereni në hallin e  saj. Kush  jeni  ju  që   e  kërkoni   në
këtë orë të vonë  të natës?
- Jam i biri, - iu përgjigja, - vij nga një botë tjetër.
- Agroni? Po ti, mirserdhe, more bir! tha duke më përqafuar me  gëzim të madh.
Unë qëndroja i habitur. Kush ishte ky person kaq i afërt që nuk e njihja?
- Më falni, kush jeni juve?
- Jam Syrjau, miku i babait tuaj.
Ishte pikërisht ai, Syrjau, që kishte sjellë trupat e pajetë të babait dhe Sabriut.
U nisëm. Kur mbërritëm para portës, Syrjau trokiti lehtë. U dëgjua një zhurmë hapash dhe një zë që foli me ngadalë:
- Kush është?
Njoha zërin e nënës time të përvuajtur.
- Jam unë, Syrjau!
Por nëna e ndieu. Ia ndieu zemra.
- Bir, ti je?
Me një zë që mezi më dilte iu përgjigja:
- Po nënë, unë.
    Porta u hap dhe  ramë   në  krahët   e   njëri-tjetrit.  Vetëm   lotët   ishin  preludi  i  këtij takimi. Kishim dhjetë vite të ndarë. Ishte si dikur, kur shqiptarët shkonin ushtar në Jemen dhe shumica nuk  ktheheshin. Kurse  unë pata fatin të kthehem përsëri.  
Syrjau nuk ndenji gjatë. Na përshëndoshi  dhe  u  largua. Donte  të  na linte vetëm. U futëm në dhomë. Mbi mur ishte fotografia e familjes, unë, Lumtua dhe në mes Rida. Kishim dalë një muaj para arrestimit. E mora dhe në mes të lotëve fillova t'i puth.
- Qaj bir, qaj më tha nëna. Lotët të lehtësojnë. Ndoshta nuk i prekim. Ndoshta nuk i shohim, por ato janë pranë nesh. Kanë fluturuar në qiell për të na mbrojtur. Unë e mbajta premtimin, bir. Të prita. Tani nuk më vjen keq nëse mbyll sytë dhe iki nga kjo botë.
Ngrita kokën dhe po vështroja fytyrën e saj. Ajo, mësuesja e nderuar, gruaja e një ushtaraku të njohur, ishte shndërruar në një plakë kërcure. Ku kishte shkuar bukuria e asaj fytyre?
- Po ajo si ndodhi? e pyeta.
- Cila bir?
- Ajo, tragjedia. Si u shuan të dyja përnjëherësh?
Më vështroi në një mënyrë të tillë, sikur kërkonte të gjente  një  rrugë  zgjidhje.  Së  fundi foli:
- Jo sonte bir, jo sonte! Kur  të  vijë  dita  do  ta  tregoj. Të  premtoj  dhe  ti  e  di  që  unë  i  mbaj
premtimet.

    (Pauzë)

Një pasdite, kur u ktheva në shtëpi, e gjeta nënën në shtrat.
- Nënë, pse je shtrirë? e pyeta se kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte.
- Erdhi fundi, more bir. më tha me zë të shuar, por ishte e qetë.
- Mos fol ashtu nënë!  Mos e lësho  veten. dhe e mora në gjoks.
- Ti më njeh, mor bir. psherëtiu ajo -  Por tashti jam tetëdhjetë vjeçe dhe në këtë moshë  njeriu duhet të jetë i gatshëm për gjithçka. Kam kaluar një jetë të vështirë, por kam ditur t'i bëjë ballë. Këtë këshillë po të le edhe ty. Mos mendo për vdekjen. Sido që të jetë, jeta është gjithmonë e bukur dhe ia vlen ta jetosh. Ky është amaneti im.
    Desha të shkoja të merrja një mjek, por nuk më la.
    - Nuk është nevoja, më tha Të premtova se do të tregoj gjithçka. Tani erdhi koha. Në xhepin e xhaketës së Lumtos ke një letër. Merre dhe lexoje! Aty besoj se janë të gjitha.
    Hapa dollapin dhe me duart që më dridheshin gjeta letrën. Ishte e mbyllur në zarf. Mbi të ishte shkruar

                        Gonit tim të shtrenjtë

    Grisa zarfin, nxora letrën dhe fillova ta lexoj:

    (Ndërsa lexon,  nga sytë i rrjedhin lotë. Dëgjohet zëri i Lumtos)

    I dashur Goni!

    Tani që po të shkruaj këto radhë, jam bërë gati të pi lëngun vdekjeprurës. Në fundin e jetës time, dua  të të tregoj shkakun që më shtyri drejt një veprimi të tillë. Çdo gjë filloi natën fatale  që na ballafaquan bashkë. Por ngjarja nuk përfundoi pas ndarjes me ty. Akti tjetër u luajt pasi na hoqën nga ajo birucë. Ne u bëmë pre e akteve epshore të atyre dy përbindshave. Kur u larguam nga ajo skëterrë, Rida ishte e çakërdisur, ndërsa unë si një grua mëkatare.
    Vajzën e shtruam në spitalin psikiatrik. I vetmi njeri që përmendte ishe ti. Për asnjë çast nuk të hiqte nga goja.  "E  kanë rrëmbyer djajtë! thoshte Unë do të fluturoj te babi! "
    Mjeku na këshilloi ta merrnim në shtëpi. Mjedisi i spitalit   e  rëndonte më shumë. Nëna i rrinte gjithë kohën mbi kokë. Por një ditë, ndërsa ajo kishte dalë për  pak  minuta,, sa për të marrë ushqimin e  saj,  doli  në  ballkon dhe fluturoi prej andej
    Pas disa javësh kuptova një gjëmë tjetër më të madhe. Kisha mbetur shtatzanë. Në barkun tim kisha fëmijën e një krimineli. Por ai nuk mund të ishte as motra dhe as vëllai i Ridës. Ai ishte fëmija e një përbindëshi. Me siguri do të ishte ndonjë djall si i ati, ndërsa Rida ishte një engjëll. A mund të ruaja unë kujtimin e një engjëlli bashkë me  të një djalli?
    Vendosa t'i  jap fund jetës. Më vjen turp të dal para teje, pas asaj që ka ndodhur. Ndoshta këto që po të shkruaj do të lëndojnë. Më fal Agron!  Të përqafoj përjetësisht për vete dhe Ridën!
    Mos na harro! Kujtona!

Besnikja jote

    (Pauzë. Agroni fut kokën midis duarve dhe vajton)

    Kur mbarova leximin, nëna kishte fluturuar. Kishte ikur në botën tjetër. Ishte goditja ime e fundit. Pas dy vjetësh i mbylla sytë edhe unë.

    (Përsëri pauzë)

    Kjo ishte historia e ime. Më dëgjuat? Ju më thirrët dhe unë ju përgjigja kërkeses suaj. Tani më duhet të iki. Por dua t'ju them edhe  dy fjalë. Ne ikëm nga kjo botë se nuk mund të jetonim bashkë me hijet. Por une po shoh se ato qenkan kthyer pwrswri. Ndaj po iki. Njw porosi do t'ju le: Mos harroni hijet! Mos harroni! Mos harroni! Mos Harroni!

    (Zëri  sa vjen dhe shuhet. Muzikë. Agroni futet në varr dhe zhduket. Së  bashku me të edhe tymi. Gjithçka errësohet. Në ekran shfaqet citati i mëposhtëm:)

    Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë dhe të tmerrshëm të shtypjes së vërtetë, atje ku ekziston me të vërtetë

Giovani Sartori
Edhe një herë mbi teorinë e demokracisë

RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PA(K)PUNË DHE SHUMË FJALIME!Nga AFRIM KRASNIQI (03.01.2014)
AMBASADORI ALEXANDER ARVIZU - NJË AMBASADOR SUI GENERIS -Nga ELIDA BUÇPAPAJ (02.28.2014)
KUJDES BALLKANIN!Nga FRANK SHKRELI (02.28.2014)
ZOT I MADH SHPËTOI SHQIPTARËT NGA VETVETJA! ALI AHMETI I BISHTNON PRESIDENTIT KONSENSUALNga ELIDA BUÇPAPAJ (02.27.2014)
E ASHTUQUAJTURA BOMBË NË AMBASADËN SOVJETIKE - PËRVJETORI I NJË MASAKRE TË PASHEMBULLTNga RESHAT KRIPA (02.26.2014)
Z. XHUFI PO NA SHET LIBRAT E HOXHËS, ÇEREK SHEKULLI PASI U PËRMBYS DIKTATURANga AJET NURO (02.26.2014)
KUSH ËSHTË MË (ANTI) ENVERISTI?Nga FRANK SHKRELI (02.25.2014)
OPOZITA PA KAUZA DHE PA KREDIBILITET NDËRSA POZITA PA SHTETNga ELIDA BUÇPAPAJ (02.25.2014)
TËRMETET POLITIKE MES KIEVIT DHE MOSKËS ME PRAPAVIJË SHUMËSHEKULLOREPse Ukrainasit kanë urrejtje për rusët?Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI (02.25.2014)
FLAMURI I EKONOMISË DHE OFERTA E KINEZËVENga ALFRED ÇAKO (02.24.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2023  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]