NGJASHMËRITË E METËS ME XOHAXOPULOS Nga ALFRED ÇAKO
E Hënë, 03.31.2014, 06:44am (GMT+1)
Këto ditë, të gjithë shqiptarët ndoqën lajmin e festimit të 45-vjetorit të Ilir Metës, kryetarit të Kuvendit, në Gjirin e Lalzit, në një çadër gjigante rreth 1500 m2 të sjellë nga jashtë posaçërisht për këtë festë të tij, ku ka pasur të ftuar mbi 600 mysafirë. Sipas shtypit njoftohemi se: "Ndizet zjarr festa e 45-vjetorit të Ilir Metës, politikanit që sot është në krye të drejtimit të Parlamentit. Festa zhvillohet në një tendë gjigante të ngritur enkas mbi rërën e Gjirit të Lalzit për 600 të ftuarit e Metës. Ahengu ka mbledhur së bashku të majtë e të djathtë. Në tavolinën kryesore mësohet se qëndrojnë të ulur, 'ylli i mbrëmjes' Ilir Meta i rrethuar nga kryeministri Edi Rama, zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi. Nga radhët e opozitës, personazhet që i janë përgjigjur ftesës së kreut të Kuvendit Meta, janë Majlinda Bregu, Eduard Selami, Genc Ruli e gjithashtu edhe deputeti republikan Agron Duka, i cili i qëndron në tavolinë së bashku me vëllain e tij, Armando Duka, President i FSHF-së. Muzika popullore mbizotëron mbrëmjen në tendën mikpritëse të Metës ndërsa sa i takon kompozimit të tavolinave vërehet se drejtori i informacionit të kryeministrit, Endri Fuga dhe ministri Erjon Veliaj qëndrojnë së bashku në tavolinë. Nuk mungoi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ai i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Nga përfaqësuesit e medias, "më aktivë" rezultojnë moderatori i emisionit 'Opinion', Blendi Fevziu dhe analisti Artan Hoxha, ndërsa më "i qetë" shfaqet gazetari i mirënjohur Remzi Lani." Për sa i përket menysë dhe shpenzimeve, po sipas "GSH" njoftohet se: "Fillimisht të ftuarit u gostitën me antipasta, që përbehej nga të gjitha llojet e djathërave. Vera që shoqëroi mbrëmjen është e cilësisë më të lartë, e llojit Deschants (Saint-Joseph). Pjata e dytë, kadaif me pana dhe karkaleca deti. Të ftuarve u janë ofruar dhe puro kubaneze të llojit 'Cooiba'." Sipas disa përllogaritjeve të ndryshme që janë bërë në media, mendohet se shpenzimet e familjes së këtij 'Kadafi' shqiptar të dashuruar me tendat, mund të kenë shkuar më tepër se 250-300 mijë $ USA. Të habit se në ngjarje të tilla, apo në ngjarje ku cenohet siguria e jetës së disa pushtetarëve lokalë të majmur e të salduar në pushtet prej shumë mandatesh, mediumet nuk merren me çështje që i interesojnë publikut të gjerë - si, ku i gjetën gjithë këto para për të bërë festime apo vila kaq të kushtueshme këta politikanë qendrorë a lokalë - por merret me çështje thashethemesh pa interes. Me përjashtim të dy-tre politikanëve publikë që e quajtën festën e tij të ekzagjeruar si një provë korrupsioni dhe si një provokim ndaj situatës thellësisht të rënduar ekonomike, pjesa tjetër e dënuan këtë shfaqje shumë domethënëse, vetëm nëpër takime private.
2- Në ndryshim nga mediat inferiore shqiptare, mediat greke, në një rast të ngjashëm kur ish-ministri i Zhvillimit Apostolos Tsochatzopoulos, apo si thërritet shkurt në shqip, Akis Xohaxopulos bëri shpenzime të tilla kolosale në vitin 2004 në Hotel Four Seasons me pamje nga Kulla Eifel gjatë dasmës së tij me ish-sekretaren e tij Vicky Stamati, shpërtheu në një histeri anatemimesh ndaj ministrit, duke e njollosur përpara publikut, çka e largoi tre vjet më vonë nga politika. Atëbotë disa nga mediumet greke u përqendruan te shpenzimet e larta të darkës dhe nuk u morën shumë me dallaveret e dasmës së tij të dytë, duke pyetur se si i bëri gjithë këto shpenzime ky rrogëtar i shtetit, pa asnjë aktivitet privat?! Në ndryshim nga Xohaxopulos, Ilir Meta është përfolur disa herë më parë se rasti i çadrës, për veprime korruptive që rëndojnë interesat e publikut për shkak të korrupsionit të tij tashmë të vërtetuar me zë edhe figurë në një incizim që u shqyrtua nga gjykata dhe u shpall i pafajshëm, çka tregon edhe kolapsin e pushtetit të tretë në Shqipëri, gjyqësorit. Po të shohim me kujdes, ka disa ngjashmëri dhe ndryshime mes karrierës së dy figurave ballkanike tipike të korruptuara të Ilir Metës dhe A. Xohaxopulos. Le t'i shikojmë me radhë disa nga ato.
3- I. Meta dhe A. Xohaxopulos janë që të dy politikanë të majtë. I.Meta ka qenë një nga njerëzit më të dyshimtë por të nevojshëm, pranë ish-kryetarit të korruptuar të PS-së, F. Nanos; A. Xohaxopulos ka qenë më i nevojshmi dhe më i pabesueshmi i ish-kryetarit të korruptuar të PASOK-ut, Andrea Papandreu. I. Meta mbahet mend që, gjatë viteve '92-'97, kur filloi karrierën politike, rrinte gjithë ditën me sandale pa çorape e i paqethur me kolegë të tij si M. Lakrori, N. Legisi, nëpër kafenetë midis 'Restorant Piaza' dhe redaksisë së gazetës "Zëri i Popullit", duke pirë ndonjë pije vendi në përgjithësi gratis, si konjak ose 'kaçurel', të shtypur nga autoritarizmi i ish-presidentit Berisha. Edhe Xohaxopulos ka qenë, pas goditjes së partisë 'Andrea Papandreu-Pasok' nga grushti i shtetit më 1974-ën, refugjat në Gjermani, ku ka bërë punë të rëndomta, si larës xhamash. Ilir Meta ka 22 vjet anëtar i Kuvendit në të gjitha legjislaturat, edhe Xohaxopulos qëndroi si deputet për 25 vjet pandërprerë, në të gjitha legjislaturat (1981-2007); Ilir Meta ka pasur shumë poste politike në institucionet shtetërore, duke filluar nga Zv.kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit, Sekretar Shteti për Integrimin Evropian pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Zv.kryeministër dhe ministër i Koordinimit, Kryeministër i Shqipërisë, Zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Pas ngjarjeve të bujshme nga incizimi i një afere korruptive të tij prej njërit nga ministrat e tij, dihet se ndodhën protesta nga opozita socialiste më 21 janar 2011, ku u vranë edhe katër demonstrues në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe, si për t'i bërë sfidë kombit të tij të irrituar, I. Meta rregullon me ndërmjetësim të marrë titullin "Personaliteti më Pozitiv në Politikën e Jashtme për 2010", akorduar prej Institutit Ndërkombëtar për Studimet mbi Lindjen e Mesme dhe Ballkanin, IFIMES. Çmimi iu dorëzua z. Meta nga ish-Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesic, gjatë një ceremonie në Lubljanë, Slloveni. Po kështu, po të shohim edhe karrierën e zotit A. Xohaxopulos, edhe ai ka një karrierë shumë brilante, ku bien në sy postet e larta ministrore si, ministër i Punëve Publike, ministër pa portofol, ministër i Brendshëm dy herë, ministër i Mbrojtjes (1996-2001) dhe ministër i Zhvillimit deri më 2004, kur u largua pas sulmit të mediumeve dhe shtypit me rastin e shpenzimeve të dasmës në Paris. I. Meta është akuzuar nga aleatët e tij të sotëm më 2010-ën si politikani që nuk ka deklaruar, më së paku, sipas rregullave dy pasuritë e tij të patundshme, si një vilë 600 m2 në Bllok ku jeton edhe sot, si edhe vilën e tij të famshme te Gjiri i Lalzit në një kohë kur papunësia dhe borxhi i jashtëm i Shqipërisë po vijnë duke u rritur, çka rrit barrën mbi ekonominë dhe shoqërinë tonë. Edhe A. Xohaxopulos bleu në emër të gruas së tij të re arvanitase Stamatis më 2010-ën një vilë një milion euro në Athinë, në rrugën e shtrenjtë "Dionysiou Areopagitou", vetëm pak ditë para se të fillonin një seri masash kundër krizës nga Parlamenti Grek. Pas njoftimit të shërbimeve sekrete të disa aferave të ndryshme të Xohaxopulos, këtë njoftim të parë e publikuan gazetat "Kathimerini" dhe "Proto Thema". Gjithashtu, I. Meta është akuzuar nga shtypi i opozitës blu të kohës se ka qenë "kali i Trojës" së investimeve mafioze greke në Shqipëri gjatë më shumë se 2 vjetëve kur ai ka qenë kryeministër, si edhe është akuzuar për afera me dhënie licencash dhe privatizime të kompanive shtetërore, si me privatizimin e kompanisë "AMC" etj. Po kështu, I. Meta është akuzuar publikisht nga kryetari i opozitës, S. Berisha, se ai ka qenë promotori i vjedhjes së floririt të Krrabës gjatë mandatit të dytë qeverisës të PS-së. Edhe A. Xohaxopulos u akuzua dhe u dënua me disa bashkëpunëtorë të tij (George Alogoskoufis që iu gjet një depozitë 178 milionë euro dhe Yiannis Sbokos për aferën e mitmarrjes prej rreth 8 milionë Eurosh për blerjen e nëndetëseve prej kompanisë "Ferrostaal" dhe pastrimin e një shume prej rreth 80 milionë Eurosh në favor të Xohaxopulos) si i korruptuar gjatë disa blerjeve të sistemit mbrojtës MIM-104 Patriot nga kompania "Siemens" dhe nga kompania tjetër gjermane "Ferrostaal". Po kështu, sa herë që është akuzuar publikisht I. Meta, ai ka kërcënuar median ose politikanët se do t'i drejtohet gjykatës, njëlloj si Xohaxopulos kërcënonte me gjyq gazetën "Real News" për shpifje kur kjo i publikoi dokumente kur Xohaxopulos kishte marrë një falënderim për përzgjedhjen nga ana e kompanisë "Ferrostaal", para përfundimit të tenderit publik.
4- Ndryshimi mes këtyre politikanëve të korruptuar ballkanas është se I. Meta arriti të bëhej vetë kryetar i një partie që sot ka fituar dhe është e nevojshme për maxhorancën qeverisëse, ashtu si edhe mandatin më parë kur dominonin demokratët, edhe përkundër përgojimeve të saj si kampione e korrupsionit, çka tregon edhe molisjen e saj gjatë fushatës elektorale, ku të gjithë e dimë se shpenzoi shumë para për të siguruar një fitore të bujshme e të paparashikuar me 18 vende në Parlament. Kjo situatë, ku nga njëra anë populli është i ndërgjegjshëm për korrupsionin e kësaj partie dhe nga ana tjetër ai e ushqen këtë korrupsion me votat e tij që i shet në një rrugë shumë të keqe dhe shumë lirë, tregon se e keqja në Shqipëri ka hedhur rrënjë të thella në politikë dhe te një pjesë e madhe e shoqërisë.
A. Xohaxopulos nuk krijoi parti dhe pas përfoljeve të tij dhe akuzave, atë e braktisi djali i ish-shefit të tij të vjetër, Andreas, George Papandreu, i cili e përjashtoi nga radhët e PASOK-ut dhe ia dha drejtësisë. Xohaxopulos akuzoi PASOK-un se ishte bërë palë me opozitën e Demokracisë së Re. Një ndryshim tjetër është fakti se, sapo u përfol për aferat e tij korruptive, Parlamenti Grek ngriti një komision që hetoi pasurinë e Xohaxopulos dhe ia dha Areios Pagos, Gjykatës së Lartë greke, e cila e dënoi me 20 vjet burg dhe konfiskim të pasurive.
Ndoshta I. Metës i kanë mbetur të plotësojë edhe një a dy ngjashmëri të tjera me Xohaxopulos: të mbyllë edhe këtë mandat duke u bërë edhe ai 26 vjet deputet në Parlament sa edhe Xohaxopulos dhe pastaj t'i kalojë drejtësisë për të shpjeguar se ku e ka burimin e gjithë këtyre të ardhurave. Ndoshta, deri atëherë votuesit e LSI-së dhe shtypi mund të bëjnë një gjumë të qetë dhe ky i fundit të vazhdojë me inferioritet të shpjegojë banalitetet e vipave të të gjitha fushave, si ato që ndodhën në çadrën e I. Metës. Po kështu edhe kancelaritë e shtypi i aleatëve tanë perëndimorë do të kenë rast të zgjohen pas kësaj kohe, ashtu siç bënë edhe me Xohaxopulosin.
ALFRED ÇAKO
|