ZËRAT QË GJËMOJNË NË SHKRETËTIRË Nga RESHAT KRIPA
E Martë, 05.06.2014, 04:17pm (GMT+1)
Para syve të mi qëndron albumi me poezi të zgjedhura i të madhit Ali Asllani. Shfletoj faqet e tij dhe lexoj poezitë. Ndalem para njerës prej tyre, "Hakërrim". E lexoj dhe e rilexoj dhe më duket sikur autori nuk e ka shkruar për kohën që jetoi vetë por për ditët e sotme. Kjo mund të duket e çuditëshme. Si mundi autori të parashikojë se çfarë do të ndodhte pas shtatëdhjetë vjetësh? Por, ja që kjo është e vërtetë. Lexoj
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka,\ Të pabrek' ju gjeti dreka, milioner ju zuri darka! Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, Gjersa populli bujar t'ju përgjigjet: Peqe, lepe!
Para syve më dalin "njerëzit e rinj" të kohës së përmbysur që sot janë transformuar në politikanë, diplomatë, juristë të shquar, gazetarë apo analistë. Janë trashëgimtarët e sistemit të përmbysuar. Janë të shumtë. Ata e kanë zaptuar këtë vend dhe po i thithin gjakun. I gjen kudo, në partitë politike dhe në shoqatat "e pavarura". I gjen në median e shkruar dhe atë televizive. I gjen në administratën shtetërore dhe në qeveri. I gjen në "Institucionet e Pavarura" dhe në parlament. I gjen në çdo qelizë të këtij vendi të mjerë. I shohim përditë, në rrugë dhe në jetën e përditëshme, në mbledhje përkujtimore dhe konferenca shkencore. Ata janë kudo të parët. Ata janë në faqet e para të shtypit dhe në ekranet e televizioneve. Janë specialistë për gjithçka, për politikë dhe për diplomaci, për art dhe për kulturë, për histori dhe për gjeografi, për shkenca dhe për teknikë, madje deri edhe për seks dhe për homoseksualizëm. Vetëm këto figura shfaqen çdo ditë para opinionit publik. A thua nuk paska ky vend figura të tjera?
Mos u mundoni t'i pengoni. "Heronjt" e sotëm janë në gjendje të kapërxejnë çdo pengesë. Janë të paarritshëm, janë xhonglerë të shkëlqyer. Ju a kanë kaluar edhe atyre të cirqeve më të famshëm. Janë të paimagjinueshëm sidomos në kapërximet me pengesa, ndaj i kalojnë me lehtësi edhe gjembat e ferrat. Mos u çudisni nëse sot i gjeni në një shoqatë dhe nesër në një tjetër me bindje të kundërta me të parën. Mos u çudisni nëse sot i gjeni në një parti të djathtë dhe nesër në një të majtë. Kjo është rruga e sotme e suksesit të shoqërisë shqiptare. Kjo është formula e pasurimit të shoqërisë së sotme. Nga kjo formulë kanë lindur biznesmenët dhe politikanët e sotëm. Kanë lindur komentatorët dhe analistët e përjetshëm. Kanë lindur gazetarët dhe "mëndjet e ndritura" të këtij vendi. Mundohuni të paraqisni një ankesë në ndonjë nga institucionet e ndryshme, por mos prisni përgjigje. Askush nuk merr mundimin t'ju përgjigjet Mundohuni të shkruani një artikull për këtë gjendje. Shpërndauani gazetave apo revistave që qarkullojnë në vend. Shumica e tyre do ta refuzojnë. Përse? Sepse drejtuesit e tyre i përkasin klasës së "njerëzve të rinj" që sundojnë mbi median. Zëri juaj është një zë në shkretëtirë.
Çuditërisht, pasojat e kësaj anarkie bien mbi kurrizin e atyre që, të lodhur nga rruga nëpër të cilën janë të detyruar të ecin, janë tërhequr të deziluzionuar në qoshkun e tyre, sepse nuk mund të pajtohen me sharlatanët që drejtojnë vendin. Nuk mund të pajtohen me hipokritët, servilët, mashtruesit, dallaverexhinjtë dhe lloj lloj tipash të këtij lloji që, fatkeqësisht, qëndrojnë në krye. Sharlatanët nuk e kanë për turp ta kthejnë faqen nga e majta në të djathtë, ose e kundërta, nga është më i madh interesi. Ata nuk kanë bindje. Ata kthehen nga fryn era. Ata që deri dje ishin me mazhorancën sot kthehen me opozitën, ashtu siç ishin kthyer përfaqësuesit e opozitës së djeshme me mazhorancën e dikurshme. Ata i dëgjon gjithmonë të thërrasin "Hosana Baraba" kushdo qoftë Barabai, për ta nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që atyre të mos u preken rrugët e pasurimit që poeti i pakrahasueshëm Ali Asllani do t'i quante "të pabrekë' që darka do ti zinte milioner.
Por a thua kështu janë të gjithë shqiptarët. A thua nuk gjen shqiptarë të ndershëm? Jo. Përgjigjen na e jep poeti:
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera, Kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera... Ja, ja, grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve, Koha është e maskarenjve, po Shqipëria e shqiptarve!
Në vendin tonë ka plot njerëz të denjë për t'u quajtur shqiptar. Ata përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë së këtij vendi. Por janë zërat e çjerrur të korbave të zinj që nuk lejojnë të dëgjohen zërat e tyre të pastër, zërat e tyre të dlirë. Vendi ynë ka intelektualë që sot shkëlqejnë në gjithë botën e përparuar por që në vendin e tyre dyert i kanë të mbyllura. A do ta gjejë rrugën e duhur atdheu?
Para disa ditësh më ndaloi në rrugë një qytetar i panjohur. Më drejtoi një poezi që porsa e kishte përfunduar. E hapa dhe lexova:
Në këtë kaos, këtë vend të nxirrë, Nga këta "bandillë", këta "xhevahirë", Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë, Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë!"
Deri kur këto zëra do të gjëmojnë në shkretëttirë?
RESHAT KRIPA
|