VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - EUROPIANIZIMI I INSTITUCIONEVE SHTETËRORE DHE POLITIKE TË SHTETIT SHQIPTARNga ROMEO GURAKUQI

                                                                                      

E Shtunë, 10.05.2024, 12:53am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
EUROPIANIZIMI I INSTITUCIONEVE SHTETËRORE DHE POLITIKE TË SHTETIT SHQIPTAR
Nga ROMEO GURAKUQI

E Mërkurë, 06.25.2014, 01:53pm (GMT+1)


Pa kaluar një muaj nga vizita presidentit amerikan në Shqipëri, kaosi institucional, paqartësia juridike, kulisat e fshehta, fragmentarizimi politiko-krahinor, moskujdesja për balancat, e sa shfaqje të padenja për një vend europian, shoqëruan procesin aq të rëndësishëm dhe parësor të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Procesi i zgjedhjes së presidentit, i cili mund të thuhet se kishte filluar shumë kohë më parë, riaktivizoi në masën tashmë konstante për Shqipërinë, fenomene aq të pangjashme për një vend normal, aktivizoi pjesën më destruktive të geneve malinje të politikës shqiptare, dhe shoqëria e vendit më të varfër të Europës, u step para ekraneve televizive, në pritje të kthjellimit të të përçartëve dhe bojkotistëve marksistë, zhbllokimit të pashpresë të tekanjozëve, që kishin marrë përsipër t'i jepnin vendit një kryetar të ri shteti. Pavarësisht se si përfundoi ky proces (me një zgjidhje deus ex machina, jashtë logjikave të parashikimeve të analistëve politikë), ai nxorri në pah, se të paktën në zgjedhjen e presidentit të shtetit, dhe jo vetëm, këtij vendi i mungojnë mekanizmat e nevojshëm institucionalë, i mungojnë format e organizimit politik të modelit europian, që mundësojnë rrjedhat normale fazore të jetës së institucioneve themeltare të shtetit, pa krijuar tensione të skajshme politike, tensione që në një vend me akumulime të jashtëzakonshme problemesh sociale e ekonomike, ndryshimesh të vrullshme e të përskajshme kulturore, rrezikojnë të shndërrohen në ballafaqime me përmbajtje krejt të padëshirueshme. Thënë ndryshe, procesi presidencial dhe fenomenet e pangjashme me të cilat u shoqërua ky proces, kanë nxjerrë në pah tri probleme madhore, shumë komplekse, mjaft të ndërlikuara, por shumë të qarta dhe të nevojshme për t'u korrigjuar për një vend të kontinentit të vjetër që aspiron të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike:

1.atë të zhvillimit të një niveli europian të institucioneve, nepërmjet importimit të tij nga pjesa e Europiane ku dëshirojmë të integrohemi, përthitjen e një niveli europian institucionesh në sistemet e qeverisjes nacionale dhe nënnacionale;
2. problemin e ndërtimit të formave të organizimit politik të modeluara mbi standardet perëndimore.
3. nevojën e formimit ideor politik europian të aktorëve kryesorë të jetës politike dhe parlamentare.

Çfarë do të thotë zhvillimi i një niveli europian institucionesh? Sqarimi i këtij termi në fakt do të duhej të paraprihej nga sqarimi i konceptit europianizim. Me pak fjalë, nga pikpamja historike, europianizimi është kuptuar si një përhapje e formave të jetës dhe prodhimit, e parimeve politike, institucioneve dhe identeteve europiano perëndimore, përtej kësaj hapësire. Shtrirja globale e këtij sistemi shtetëror territorial është një shembull i spikatur se si modelet europiane të sistemeve politike shtetërore dhe të shoqërisë, janë përhapur anekënd globit, duke i bërë zhvillimet europiane një çelës për kuptimin e zhvillimeve në pjesën tjetër të botës. Në një kohë që në një pjesë të rëndësishme të botës së europianizuar, këto zhvillime janë bërë pjesë normale dhe funksionale, në një pjesë tjetër të vetë kontinentit europian, për shkak të prapambetjes së trashëguar nga shekujt që lamë pas, procesi europianizues, veçanërisht në pikpamje të implementimit të modelit europian të sistemit politik shtetëror, ka mbetur vetëm në kornizat sipërfaqësore, pa u zhvilluar ende sot në parime e veprime aksiomatike për t'u zbatuar. Për fat të keq, në këtë pjesë të Europës jo të europianizuar që po zvogëlohet me shpejtësi, bën pjesë edhe vendi ynë dhe shumë tregues zhvillimore të bëjnë të mendojmë se vendi ynë mund të mbesë i fundit të rrugën e pandalshme evropianizuese, kusht paraprak dhe i domosdoshëm për integrim.

Duke qenë se koncepti europianizim është mjaft i gjërë që do të kërkonte rreshta të tërë, dhe meqënesë disa prej komponentëve të tij dalin jashtë sferes së interesit imediat tonë, unë do të përqendrohem vetëm në njërin prej përbërësve të tij, atë të sipërthënë, të zhvillimit dhe importimit të një niveli europian institucionesh.

Nga pikpamja e ndërtimit shtetëror dhe kombëtar të një vendi europian, studiuesit e historisë së integrimit europian, sugjerojnë katër indikatorë, që janë relevantë për krahasimin e sferave institucionale të vendeve të BE dhe përpjekjeve që bëhen në vendet e tjera europiane në aspektin e ndërtimit të institucioneve të ngjashme me BE:

1.Ndërtimin i institucioneve rregullatore, të cilat mundësojnë një aparat të njësuar administrativ dhe ushtarak për kontrollin e një popullsie, territorit dhe kufijve të jashtëm, përfshirë dhe aftësinë për të grumbulluar rezervat për misione të përbashkëta komunitare;
2.Institucione të socializuara: që zhvillojnë, nëpërmjet arsimimit dhe solidaritetit shoqëror, një identitet territorial dhe një bashkësi kulturore me një sens përkatësie dhe një kod të përbashkët veprimi shoqëror;
3. Institucione demokratike: të cilat krijojnë qytetari demokratike, institucione përfaqësuese, të drejta të barabarta të pjesmarrjes politike, opozitë të legjitimuar, parti të organizuara dhe forume për debatet publike dhe iluminim popullor.
4. Institucione të mirëqënies: të cilat zhvillojnë qytetari sociale dhe ekonomike, të drejta dhe një bashkësi që pranon përgjegjësinë kolektive për garantimin e shanseve më të barabarta të jetës për qytetarët e vet, nepërmjet shërbimeve publike, rishpërndarjes së rezervave dhe rregullimin e përdorimit të rezervave private.

Ndërtimi funksional, dhe jo sipërfaqësor i këtyre katër sistemeve të lartëpërmendura, përbën kushtin parësor për t'u konsideruar një vend që kemi përthithur mirëfilli nivelin europian të institucioneve dhe hap i parë për të pretenduar të jemi pjesë e botës së europianizuar. Vendi ynë, megjithë përpjekjet reale dhe formale të bëra në drejtimet e lartpërmendura, është larg, në planin praktik, nga importimi i njimendtë i indikatorëve të sipërthënë. Debatet e rënda politike që shpërthejnë herë pas here për implementimin e institucioneve demokratike, apo për t'i dhënë zgjidhje problemeve që në një vend të europianizuar nuk do të përbënin asnjë shkak për debat dhe që degjenerojnë në kriza të rënda politike, janë në fund të fundit tregues se sa teorike, sipërfaqësore dhe sa të pastrukturuara mbeten institucionet tona, e së bashkë me këto, sa diletantë dhe jo të përgjegjshëm politikisht dhe juridikisht, mbetën ata që do të duhet t'i ndërtonin dhe drejtonin. Mjafton të kujtojmë se brenda gjashtë muajve të parë të vitit 2007, klasa politike shqiptare u përfshi në dy kriza të rënda politike: e para kishte të bënte me anët teknike të procesit të votimit në zgjedhjet lokale, dhe e dyta, ajo e sapo "kapërcyera", kriza e zgjedhjes e presidentit të republikës.

Krizat e vitit 2007 na nxisin të mendojmë që ne nuk e kemi zgjidhur problemet e zbrazëtirave ligjore dhe konstitucionale dhe paralelisht me këtë, nuk kemi fatin të qeverisemi nga një klasë e përgjegjshme politikisht për misionin europianizues. Dhe një gjë e tillë nuk garanton se në të ardhmen nuk do të kemi tensione të ngjashme politike, për të cilat publiku nuk është aspak i interesuar, shoqëria e vendit më të varfër të Europës ndjehet veçanërisht e lodhur. Mbi të gjitha fakti që kriza e presidentit u ndërlidh menjëherë me krizat e mbetura të fshehura (krizen e shkaktuar mospërkufizimi i qartë i mandatit kohor të prokurorit, për shembull), tregon se diçka e rëndësishme nuk shkon mbarë në mekanizmat tona institucionalë. Kushtetuta shqiptare, megjithë gurët themeltarë të vendosur në mënyrën më shembullore, po tregon se është e paplotë në rastin e një vendi të tillë të pastabilizuar politikisht si vendi ynë dhe ka nevojë për amendime, ose ndërtime zakonesh konstitucionale, të cilat për një vend demokratik janë krejtësisht normale. Por natyrisht, amendimet nuk mund të jenë fryt i endrrave dhe pasioneve momentale të politikanëve pasionantë, por rezultante të studimeve të hollësishme të krahasuara të konstitucionalistëve më të mirë të vendit, dhe jo vetem. Sfida për arkitektët institucionalë, në qoftë se në të ardhmen do të kemi një ekip të tillë, do të jetë që të zbulojnë ose projektojnë formula dhe zakone konstitucionale më të drejta për ndërtimin e institucioneve jetëgjatë dhe të qendrueshme, me synim që të përmirësojnë funksionimin, legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të qeverisjes, në mënyrë që ndërrimi i aktorëve, në të ardhmen të mos shoqërohet domosdoshmërisht me tensione politike dhe sociale, e vendi të ecë në rrugën e tij normale. Më tej, po aq e rëndësishme për rritjen e përgjegjshmërisë të të vetëquajturve "elefantë të politikës" do të ishte ndërtimi i mekanizmave që ata të detyrohen të respektojnë ligjin dhe të përgjigjen para drejtësisë për rastet e mosrespektimit. Rindërtimi i kujdesshëm i institutit të impeachment-it mendoj se do të duhet të përbëje një nga sfidat e ardhme të ekipit amendues konstitucional. (Pyetja që shtrohet është: a do t'i hapet rruga një ekipi amendues profesionist, apo do të kemi si zakonisht një ekip politikanësh amendues të kushtetutës?). Sa e rëndësishme është që, presidenti, kryeministri, ministrat, prokurori të veprojë mbi bazën e ligjit, është shumë e rëndësishme, që madje mbi ata të ketë një organ (apo një procedurë të ndertuar gjyqësore) që t'i detyrojë për të vepruar në këtë mënyrë. Rishikimi gjyqësor i veprimit ekzekutiv është një proces thelbësor në një demokraci kushtetuese të themeluar mbi sundimin e ligjit. Të gjithë vendimarrësit që ushtrojnë pushtete publike duhet ta kenë të qartë se gjykatat ushtrojnë juridiksion mbi ligjshmërinë e vendimeve dhe sjelljeve të tyre. Kësisoj, ndërtimi i institutit të lartpërmendur vetëm do ta rriste shkallën përgjegjshmërisë së atyre që qeverisin dhe atyre që pretendojnë të qeverisin, si dhe të atyre që janë ngarkuar të bëhen mbrojtës të ligjit. Kësisoj, përgjegjshmërisë politike që ushtrohet para parlamentit, do t'i bashkëngjitej realisht, tashmë në mënyrë të institucionalizuar, përgjegjshmëria ligjore që imponohet nga sistemi i drejtësisë.

Institucionet ndikojnë që veprimet e aktorëve të politikës, të përvijohen, duke strukturuar dhe përcaktuar politkëbërjen e tyre dhe duke i dhënë mundësi për vetpërmbajtje, mbi bazën e interesave të shtetit dhe sundimit të ligjit.

Europianizimi i politikës, teorikisht përbën një proces në rritje i riorientimit të drejtimit dhe formëzimit të politikave të brendshme kombëtare dhe politikëbërjes, drejt disa gradëvë të përcaktuara të politikave të vendeve anëtarë te BE. Me fjalë të tjera, duhet të kuptojmë se politikat dhe politikëbërjet e brendshme duhet të ndryshojnë në mënyrë të atillë që organizimet e brendshme politike partiake t'u përgjigjen ndryshimeve të sjelluara nga konteksti i Procesit të Stabilizim Asocimit në BE. Pyetjet që shtrohen me këtë rast është nëse partitë tona politike kanë vendosur standarde sjellejeje dhe komunikimi e debati mes njëra tjetrës, të ngjashme me vendet e europianizuara dhe nëse këto parti kanë forma organizative të ngjashme me demokracitë perëndimore? Këtyre dy pyetjeve shqiptarët e thjeshtë i japin përditë përgjigje mohuese (konfliktet e tyre të përditshme ata i quajnë konflikte mes pasanikësh të rinj të pandershëm), përndryshe, ata që e kanë në dorë ta kryejnë një shndërrim të tillë, nuk janë ende të ndërgjegjshëm për distancën që kanë krijuar jo vetëm me BE, por edhe me popullin e tyre të shumëvuajtur që i vështron me shumë trishtim dhe me abstenim gjithnjë e më të zgjeruar.

Procesi i europianizimit nënkupton një proces ndërtimi politik të ri për vendin tonë. Thënë ndryshe, në këtë vend duhet të standartizohen disa rregulla, praktika dhe forma sjelljeve përgjatë gjithë sistemit tonë politiko-social, të ndryshme nga tradita e një vendi me trashëgimi otomaniste dhe komuniste, dhe të ngjashme, në mos identike, me vendet me ndërtim politik të europianizuar.

Në procesin tonë europianizues shpesh nuk mjaftojnë vetëm institucionet e modeluara sipas standarteve europiane, apo partitë e formëzuara sipas të njëjtave parametra, por ndikojnë gjithashtu idetë dhe sfondet kulturore dhe ideore, shkollimet e (pa)përshtatshme dhe identitetet e aktorëve të politikës shqiptare, të cilët për fat të keq janë të formimeve (dhe të paformimeve) nga më të skajshme. Për këtë mjafton të shqyrtojmë se si janë të formëzuar sistemet e tyre të arsimimit, motivimet dhe vlerat politike të aktorëve kryesore të politikës sonë dhe sa ka ndikuar apo sa është përthithur prej tyre konteksti i brendshëm institucional dhe rrjedhat e politikës europiane dhe globale. Idetë kanë rëndësi mbasi ato mundësojnë aktorët të menaxhojnë pasiguritë rreth pasojave të pritshme të zgjedhjeve alternative dhe i pajisin aktorët me një gjuhë simbolike dhe konceptuale për ta paraqitur çeshtjen e tyre.

Duke përfunduar, mund të them se sa më sipër përbën vetëm një hyrje në trajtimin e një problemi shumë të gjërë dhe kompleks: europianizimit si kusht paraprak për procesin e integrimit. Ky problem është shtruar nga mot për t'u trajtuar në tryezën e madhe të Shqipërisë postdiktatoriale, por që fatkeqësisht është mbajtur vetëm në planin sipërfaqësor dhe propagandistik. Interesat dhe përkushtimet jo të qarta të aktorëve më të fuqishëm të politikës së kësaj përiudhe kanë penguar trajtimin dhe zbatimin e njimendtë të këtij procesi. Ndoshta sot, kur kufiri i Europës së Bashkuar po vjen e afrohet gjithnjë e më shumë drejt kufirit tonë verior, ka ardhë koha që importimi i procesit europianizues të merret seriozisht, dhe të behet gjithëpërfshirës në jetën politike dhe institucionale shqiptare. Në fund të fundit, ne nuk kemi pse mbetemi bishti i fundit i Azisë në kontinentin e vjetër.

Shkodër, më 23.07.2007 Romeo Gurakuqi
Universiteti Europian i Tiranës


ROMEO GURAKUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
URIME, SHQIPËRI!Nga FRANK SHKRELI (06.24.2014)
PËRJASHTIMI I BERISHËSNga DUKAGJIN ALIMUSAJ (06.24.2014)
PRESIDENTJA THËRRET KUVENDIN E RINga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.24.2014)
TIFOZAT MË TË MIRË NË BOTËNga UK LUSHI (06.23.2014)
S’KA DILEMË PËR TË ZGJEDHUR MIDIS REPUBLIKËS SË HASHASHIT APO SHTETIT LIGJORNga ELIDA BUÇPAPAJ (06.22.2014)
Në vazhdim të arsyetimit të prof. dr. Vedat ShehutÇFARË FSHIHET PAS TERMIT 'KOMB FOSHNJOR KOSOVAR'Nga Prof. dr. ESHREF YMERI (06.22.2014)
Z. Berisha, nuk kishte tapet të kuq për gazetarët në LazaratNË LAZARAT NUK PATI GAZETARË TË PRIVILEGJUAR, PATI VETËM GAZETARË QË RREZIKUAN JETËNNga: MENTOR KIKIA (06.22.2014)
KA SHUMË TË DREJTË SHKRIMTARJA E NDERUAR, ZONJA VILHELME HAXHIRAJNga Prof. dr. ESHREF YMERI (06.21.2014)
LIDHJA E LIRISËNga DUKAGJIN ALIMUSAJ (06.19.2014)
DEDIKIM KUSHTUAR BASHKËVUAJTËSVE TË MINga RESHAT KRIPA (06.19.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]