DITA NDËRKOMBËTARE E DEMOKRACISË DHE KOMEDIA E PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE Nga FRANK SHKRELI
E Mërkurë, 09.17.2014, 07:07am (GMT+1)
Anembanë botës më 15 shtator u shënua Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e përcaktuar si e tillë më 2007 me një rezolutë nga Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara -- me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë dhe njëherazi u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së që të kujtojnë këtë ditë në mënyrë të përshtatshme për të promovuar vlerat dhe parimet e demokracisë.
Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon tha se ky është një rast i mirë për udhëheqsit botërorë, që në mënyrën e vet, të theksojnë rëndësinë e rolit të pazëvëndsueshëm që luan demokracia në luftën kundër varfërisë dhe në promovimin e mirëqenjes njerëzore. Udhëheqsi i OKB-së tha me këtë rast se, "Pesë vjetë më parë në Sumitin botëror, të gjithë udhëheqsit e botës ranë dakort se demokracia, zhvillimi dhe të drejtat e njeriut janë të ndërvarura, dhe si të tilla mbështesin njëra tjetrën", për zhvillimin normal të një shoqërie. Në mesazhin e tij në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Ban Ki Moon u kujtoi udhëheqsve botërorë se "Transparenca, llogari dhënja dhe një qeverisja e përgjegjëshme ndaj votuesve janë faktorë jetikë dhe garanton që puna jonë drejtë zhvillimit ekonomik do të dalë me sukses. Faktorët kryesorë të demokracisë luajnë gjithashtu një rol kritik në rritjen ekonomike të një vendi dhe janë jetësorë për të siguruar drejtësi shoqërore, tha në mesazhin e tij Ban Ki Moon, duke theksuar se "Dështimet në avancimin e demokracisë janë njëkohësisht dështime edhe për zhvillimin ekonomik. Ka më shumë të ngjarë që zhvillimi ekonomik të përforcohet dhe të zëjë rrënjë nëqoftse njerëzve u jepet mundësia e vërtetë për të pasur një zë në qeverisjen e tyre, dhe si rrjedhim bëhet e mundshme edhe përfitimi nga në frutat e progresit ekonomik dhe politik", përfundoi Sekretari i Përgjithëm i OKB-së mesazhin e tij, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, në një deklaratë me rastin e kësaj dite Ndërkombëtare të Demokracisë tha se demokracia është një frymëzim universal, "privilegji për të votuar, liria për të shprehur mendimin tëndë, e drejta për të pasur një qeveri të krijuar nga populli e për popullin", janë gjithnjë ide që vazhdojnë të frymëzojnë njerëzit anë e mbanë botës, sipas kryediplomatit amerikan. Z. Kerry tha gjithashtu me këtë rast se një ndër arsyet që, "Shoqëritë demokratike janë më të forta është fakti se njerzit janë të lirë të flasin lirisht kundër padrejtësive dhe janë të lirë të diskutojnë, të debatojnë dhe të punojnë së bashku për të bërë ndryshimet nevojshme positive të cilat janë të nevojshme për zhvillimin normal të një shoqërie. Në një demokraci të vërtetë, tha Z. Kerry, jemi të lirë të zgjedhim udhëheqsit tonë, të mbajmë përgjegjëgjse entet shtetërore për veprimtarinë e tyre dhe të kërkojmë llogari nga institucionet qeveritare të cilaat ekzistojnë për t'i shërbyer popullit.
OKB-ja njoftoi se Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, tema e së cilës këtë vit ishte Angazhimi i Rinisë në Demokraci, u shënua në shumë vende të botës me veprimtari që në disa raste zgjasin gjithë javën. Qëllimi i kësaj teme ishte, sipas OKB-së, që të viheshin në dukje sfidat dhe mundësitë për rininë anë e mbanë botës që të angazhohet më seriozisht në proceset demokratike, ashtuqë të kontrollojnë vet fatin e tyre dhe që ëndërrat e tyre t'i këthejnë në realitet për realizimin e një të ardhme më të mirë për veten e tyre dhe për të gjithë shoqërinë në të cilën jetojnë.
Nuk jam i sigurt nëse Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është shënuar në ndonjë mënyrë në Shqipëri dhe në Kosovë, megjithëse rezoluta e Asamblesë së Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara e vitit 2007 u bën thirrje të gjitha qeverive anëtare që të dedikojnë programe kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë në shënim të 15 shtatorit, si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Këtë vit edhe Unioni Ndër-Parlamentar -- një organizatë ndërkombëtare kjo që përbëhet nga 164 parlamente botërore -- njoftoi se ishte angazhuar që sivjet të promovonte Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë nepërmjet dialogut politik dhe të veprave konkrete në parlamentet anëtare të kësaj organizate të parlamenteve botërore. Është vështirë të merret me mend se si dy parlamentet shqiptare mund të kenë shënuar Ditën ndërkombëtare të Demokracisë -- kur të merren parasyshë përçarjet politike midis dy partive kryesore në parlamentin shqiptar, si dhe ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës madje edhe pas tre muaj ç'prej kohës që janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare. Për të mos përmendur këtu rrahjet e fundit midis parlamentarve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë dhe përçarjet midis përfaqsuesve të partive politike shqiptare në Mal të Zi. Për më tepër, në këto rrethana dhe duke u bazuar në përvojën e keqe të këtij tranzicioni të vështirë, anë e mbanë trojeve shqiptare 25 vjetët e fundit, është e pamundur të merret me mend se parlamentarët shqiptarë të të gjitha partive politike në Shqipëri dhe në Kosovë --përfshirë këtu edhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi dhe në Maqedoni -- të kenë qenë në gjëndje të promovonin dialogun politik, jo vetëm midis njëri tjetrit por edhe në mbarë shoqërinë shqiptare, madje edhe për një ditë, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Një mik i ngushtë nga Tirana, siç duket në një moment të përkohshëm dëshpërimi për gjëndjen aktuale në vend, më dërgoi mbrëmë këtë mesazh: "Ne vazhdojmë me historira dhe me humor tranzicioni aq sa njerëzit janë tejet të lodhur dhe tejet mosbesues ndaj realitetit shqiptar dhe po hedhin hije të renda dyshimi mbi mirësinë apo keqësinë e Demokracisë. Ndoshta fjalët e Xhon Kerry-t", shtoi miku im nga Shqipëria, "se oligarkët kanë uzurpuar shtetin dhe po diskretitojnë imazhin e demokracisë janë më evidente se kurrë në Shqipëri. Nejse, s'po te lodh dhe ty i dashur Frank me maskaralliqet tona, por e shof se ka një organizim të ekstremizmit të majtë që po predikojnë në ambjente dhe rrethe të ngushta, figurën e diktatorit Hoxha", përfundon miku im mesazhin e tij shqetsues.
Një vlersim i tillë është tronditës, pasi është një reagim i një personi të informuar shumë mirë për gjëndjen aktuale atje dhe i cili i shikon punët nga një këndveshtrim i balancuar. Ky vlersim i mikut tim ndaj klasës politike në Shqipëri, tregon se, edhe pas pothuaj një çerek shkeulli pas rënjes së komunizmit, në vend që në trojet shqiptare të promovohet demokracia e vërtetë, atje vazhdon një ngërç politik me bojkote dhe mosmarrveshje politike nga të gjitha palët e një klase politike që po i merr frymën zhvillimit demokratik dhe ekonomik të të gjithë shqiptarëve. Për më shumë, tepër shqetsues është fakti që ekstremistë të majtë, siç shkruan edhe miku im nga Tirana, po përpiqen të predikojnë mbi figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe gjoja të meritave të te regjimit të tij. Një intervistë e kohëve të fundit që Paskal Milos (historian i këthyer politikan) dhe njeriu i caktuar nga qeveria e Kryeministrit Rama për të kryesuar Komisionin e Rishkrimit të Historisë, thotë se do të rivlersohet Enver Hoxha, njëri prej 100- diktatorëve më të këqij që ka njohur bota, dhe regjimi i tij komunist, sepse sipas tij, na qenka politizuar në mënyrë ekstreme figura e Enver Hoxhës gjatë këtyre 20-viteve të kaluara, sepse Shqipëria nën komunizëm "ka ecur përpara", pa thënë asgjë për krimet e atij regjimi ndaj qindra mijëra shqiptarëve dhe familjeve të tyre. Si mund të jetë objektiv Paskal Milo si Kryetar Komisioni për Rishkrimin e Historisë dhe çfarë mendon kush e emëroi në atë në atë detyrë. Nuk ka Shqipëria historian më të paanshëm? Vet Paskal Milo, po të jetë objektiv, duhet të tërhiqet nga ajo detyrë, pikërisht për bagaxhin që sjellë në atë komision. Fatkeqsisht, ky epizod është një prej arsyeve se pse Shqipëria ka mbetur në vend numëro dhe shumë mbrapa gjithë vendeve të tjera ish komuniste. Sepse politikanët dhe partitë që ata përfaqësojnë dhe historianë/politikanë me këmishë të bardhë e me kravatë nuk mund të ndahen nga sistemi komunist që i ka brumosur ata dhe në të cilin një pjesë e madhe e kësaj klase politike ka formuar karakterin dhe botëkuptimin e tyre me të cilin udhëheqin sot. Ndoshta miku im nga Tirana ka të drejtë se ka njerëz që përhapin "dyshimin mbi mirësinë apo keqësinë e Demokracisë", ndërkohë që tërthorazi i hedhin lavde arritjeve të komunizmit! Ronald Reagan thoshte për këta ish-apartçikë se këta janë njerzit më të rrezikshëm për demokracinë.
Pas festimit të 100-vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në fillim të shekullit 21, në një periudhë kur shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin gëzuar kurrë më parë më shumë liri, ndihej një entuziazëm si mbrenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare, se ky do të ishte më në fund shekulli i shqiptarëve. Se ky do të ishte momenti historik, momenti në historinë e shqiptarëve, kur vet shqiptarët si kurrë më parë e kanë në dorë fatin e vet. Prandaj, do të ishte turp për këtë brez politikanësh të cilët, pas një diktature komuniste pothuaj prej gjysëm shekulli, megjithse pjellë e atij sistemi, ata vet qenë dëshmitarë dhe pjesëmarrës të përpjekjeve të zorshme të 25 viteve të fundit për sigurimin e lirive bazë individuale dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët që me sjelljet e tyre në mbrojtje të interesave ekonomiko-financiare dhe partiake, që me "komeditë e tyre" pikërisht në këtë moment të pengojnë proceset natyrore të historisë, e cila ka filluar t'i korigjojë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.
Fan Noli në një artikull me titull, "Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës", botuar në gazetën Dielli në nëntor të vitit 1924, kritikonte partitë dhe politikanët e kohës në Shqipëri për gjëndjen e krijuar atje 90-vjetë më parë, duke thënë se "Nëqoftse anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, ahere optimisma s'ka vend dhe trembem se diç do ngjasë." Noli shprehte shpresën se, të "Vetqojturve "˜udhëheqës' do tu vijnë mënttë dhe punët do shtrohen". Mos Zot që si rrjedhim i ngërçeve politike, inateve personale, bojkoteve të llojlloshme të partive politike, si dhe mungesës së demorkacisë së vërtetë dhe korrupsionit që ka kaplluar shoqëritë shqiptare kudo -- Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënjes së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës, mund të thuhet se "u ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet", sipas Fan Nolit, tashti të "mos vriten nga politikanët."
Megjithë pesimizmin që ndjejë, ndryshe nga miku im në Tiranë i cili mund të ketë të drejtë në vlersimin e tij, unë besoj se politikanët shqiptarë kudo në trojet e veta të cilët megjithse siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t'ia arritur qëllimit do të ndëpresin komeditë e tyre politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet "kazma Shqipërisë" dhe shqiptarëve. Dhe të angazhohen për një demokraci të vërtetë, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demorkacisë, por për çdo ditë të jetës së tyre publike në shërbim të popullit. Këtë, të nderuar politikanë, ia kini borxh jo vetëm brezit të sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, por edhe brezave të mëparshëm të kombit shqiptar të cilët ëndërruan, luftuan dhe në shumë raste dhanë jetën për lirinë që gëxon sot kombi shqiptar. Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara kur është fjala për të ardhmen e shqiptarëve në çerekun e parë të shekullit 21, për një komb aq dinamik të bashkuar në liri, demokraci dhe pavarësi, një komb i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndërrën e rilindasve të shekullit të kaluar të kombit shqiptar.
Megjithë "komeditë e politikanëve dhe të partive politike shqiptare", unë jam gjithnjë ndër optimistët, ndoshta të pakët që beson ende se megjithë manovrimet dhe komeditë e kësaj klase politike, nuk është vonë që shekulli 21 ashtu siç shpresohej në fillim të tij -- të jetë prapseprap "Shekulli i Kombit Shqiptar", që do të jetojë në liri dhe demokraci për veten dhe në paqë e siguri me të tjerët.
FRANK SHKRELI
|