Për mua është gjithmonë kënaqësi të flas për Nënë Terezën dhe të takohem dhe bisedoj me studiues, admirues, dhe e pse jo, edhe me kundërshtarë të Nënë Terezës. Ballafaqimi i mendimeve në mënyrë të kulturuar është mënyra më e mirë për të respektuar kujtimin e Nënë Terezës, për të analizuar në mënyrë të paanshme rëndësinë e saj si figurë publike universale shumë planëshe, dhe për të vlerësuar sa më objektivisht kontributin e saj pothuajse të pashoq si personalitet fetar, ikonë e Katolicizmit dhe mediave në post-modernizëm dhe mbrojtëse e përkushtuar e jetës dhe dinjitetit të njeriut.
Si sociolog unë jam i interesuar kryesisht në tre tema autorësinë, besimin fetar dhe nacionalizmin duke u përqëndruar respektivisht në shkrimtarin anglez D. H. Lawrence (1885-1930), Nënë Terezën (1910-1997) dhe, më së fundi, Faik Konicën (1875-1942). Të tre këta personalitete iu përkushtuan tre idealeve që në pamjen e parë duket sikur nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me njëri tjetrin. Lawrence shkroi më shumë për "˜dashurinë', veçanërisht për forcën emancipuese të seksit, që nuk duhet ngatërruar me "˜eroticizmin banal'; në një letër ai i referohet vetes së tij si "˜prifti i dashurisë'. Nënë Tereza iu përkushtua Krishtit, dhe këtë përkushtim e manifestoi në dashurinë e saj jo me fjalë por "˜duke vepruar', siç thotë admiruesi i saj anglez, Malcolm Muggeridge (1903-1990). Ndërsa Faik Konica, megjithëse nuk ishte fetar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ngadhnjeu si prifti i ndërgjegjes kombëtare, dhe devotshmëria e tij ndaj kombit nuk duhet shikuar nga një kënd i ngushtë patriotizmi folklorik por në kuadrin e përpjekjeve të tij për të ndërgjegjësuar një komb të vogël si i yni për domosdoshmërinë e përpjekjeve të organizuara për të mundësuar një afirmim dinjitoz vlerash kombëtare në një kohë kur ekzistenca jonë si komb ishte në pikëpyetje.
Pavarësisht nga dhuntitë me të cilat lindin apo profesionet që zgjedhin, njerëzit e mëdhenj janë para së gjithash të dashuruar me njerëzimin; ata janë të përkushtuar në përpjekjet e tyre për të mbrojtuar dinjitetin njerëzor të cilin e konsiderojnë të shenjtë. Kjo është thelbësore në jetën dhe aktivitetin e Lawrence-it dhe Konicës, por veçanërisht në rastin e Nënë Terezës, e cila gjeti në humanizmin e shenjtëruar të Krishtit një provë të padiskutueshme, siç e shikonte ajo, të dashurisë së Zotit për njeriun, për çdo njeri, të varfër apo të pasur, të aftë apo me kufizime shëndetësore, të çdo lloj race, ngjyre, kombi, etniciteti apo feje.
Kundërshtarët e Nënë Terezës, për arsye të ndryshme, të cilat sot nuk kemi kohë t'i përmendim të gjitha e jo më t'i shtjellojmë në detaje, nuk janë dakord me publicitetin pozitiv që iu rezervua Nënë Terezës, kësaj figure qëndrore të Katolicizmit modern, veçanërisht pas akordimit të Çmimit Nobel për Paqen në 1979, në një kohë kur ajo, sipas tyre, nuk bëri ndonjë gjë me peshë për të zhdukur varfërinë apo për të kritikuar shfrytëzimin kapitalist.
Nënë Tereza nuk tha asnjëherë se ajo dëshironte apo se u përpoq që ta ndryshonte botën vetë, apo bashkë me motrat, vëllezërit dhe përkrahësit e urdhërit të saj "˜Motrat e Bamirësisë', të cilin e krijoi në 1950. Disa artistë në Perëndim si Bob Geldof dhe Bono janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen por akoma nuk ia kanë arritur qëllimit të tyre sa fisnik aq edhe naiv që ta bëjnë varfërinë e botës diçka që i përket historisë. Nënë Tereza e kuptonte më mirë se Geldof dhe Bono se kjo botë është shumë e ndërlikuar për ta rregulluar menjëherë. Gjë që nuk e bëri Nënë Terezën të qëndronte në vend apo të priste që bota të ndreqej vetë apo ta ndreqnin të tjerët. Megjithë përkushtimin e saj për të ndryshuar botën, Nënë Tereza ishte gjithmonë realiste se c'mund të bënte ajo, dhe anëtarët dhe përkrahësit e urdhërit të saj në Kalkuta dhe në botë.
Vetë Nënë Tereza, më se një herë, është shprehur se kontributi i saj ka vlerë sa "˜një pikë uji në oqean', gjë që dëshmon jo vetëm për modestinë e saj po edhe se sa mirë e dinte se ç'mal duhet të ngjisë njerëzimi për të zgjidhur problemin e varfërisë dhe padrejtësitë sociale një herë e përgjithmonë.
Nënë Tereza nuk ishte revolucionare në kuptimin e mirëfilltë politik të fjalës, por kishte shpirt revolucionar. Rëndësia e kontributit të saj qëndron jo në statistikat që publikohen për numrin e shtëpive të urdhërit të "˜Motrave të Bamirësisë' nëpër botë, apo në numrin e jetimoreve, apo qendrave të ndryshme. Kjo nuk do të thotë që këto statistika nuk duhen vlerësuar. Unë vetë kam patur rastin të shikoj në Kajro, por veçanërisht në Kalkuta, se si motrat dhe vëllezërit e Nënë Terezës kujdesen për të moshuarit që janë hedhur në rrugë nga të afërmit dhe shoqëria, për fëmijët ilegjitim, jetim apo me të meta mendore, për gratë që vuajnë nga dhuna në familje apo për viktimat e SIDËS dhe sëmundjeve të tjera me stigmë shoqërore.
Disa gazetarë perëndimore si Christopher Hitchens e sulmojnë pa reshtur Nënë Terezën. Në disa raste këto sulme bëhen me një gjuhë dhe tone vulgare. Një vulgaritet të tillë kundërshtarët e "˜principtë' të Nënë Terezës nuk do të kishin guxuar ta përdornin ndaj personaliteteve të tjera të shquara, veçanërisht ndaj ndonjë personaliteti kulturor apo politik me famë botërore, pasi këta të fundit pa dyshim do t'i kishin paditur me sukses duke u kërkuar dëmshpërblime për akuza dhe shpifje banale. Hitchens le ta provoj t'iu shërbejnë të varfërve të Kalkutës jo për afro 70 vjet, siç bëri Nënë Tereza, por një vit ose disa muaj, për të mos thënë edhe një javë të vetme, për ta provuar se sa e lehtë është t'i privosh vetes një jetë normale për hir të një ideali ku përkushtimi ndaj dinjitetit të njeriut është parësor.
Ndërsa akademikja feministe australiane Germaine Greer, e cila e quan Nënë Terezën një "˜fetare imperialiste', çuditërisht nuk është në gjëndje të shikojë se sa figurë emancipuese është Nënë Tereza, veçanërisht po të kemi parasysh se me sa kurajo dhe vendosmëri ajo kërkoi që vizioni i saj të dëgjohej dhe aprovohej nga Kisha në Kalkuta, Indi dhe vetë Vatikani, të cilët vazhdojnë të mbeten në thelb insitucione patriarkale.
Për sa u përket intelektualëve Indian si Aroup Chatterjee, Krishna Dutta dhe Dhiru Shah, të cilët e akuzojnë Nënë Terezën si shkaktare për imazhin negativ të Kalkutës dhe Indisë në botë, ata duhet të kenë me tepër kurajo që të mos shikojnë çdo të huaj, veçanërisht një personalitet fetar bamirës si Nënë Tereza, vetëm me zyzet e një ndjenje të fyer kombëtare post-kolonialiste. Nënë Tereza nuk shkoi në Indi fillimisht në vitin 1929 si pjesë e arsenalit kolonialist perëndimor. Nënë Tereza shkoi në Indi në kërkim të Krishtit të cilin e gjeti gjithmonë tek njerëzit, veçanërisht njerëzit e paprivilegjuar, njerëzit që trajtoheshin dhe trajtohen si "˜plehra' nga shoqëria njerëzore.
Është e vërtet që mediat perëndimore nuk reshtën së renduri drejt Kalkutës sa ishte gjallë Nënë Tereza dhe kur u nda nga jeta, dhe në këtë proces Kalkuta u bë, deri diku, simbol i varfërisë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Nënë Tereza e "˜shpiku' apo e "˜propogandoi' varfërinë e Kalkutës. Për më tepër, ajo nuk foli asnjëherë për varfërinë e Kalkutës me terma ekskluziv. Kalkuta, ky qyteti i dikurshëm imperial, mjerisht, ka kohë që është shndërruar në një mega metropol varfëria dhe mjerimi i të cilit bien në sy menjëherë.
Intelektualët Indian që vuajnë, deri diku në mënyre të ligjshme, kur shikojnë se vendi i tyre i bukur përmendet në Perëndim vetëm për varfëri dhe uri, duhet të jenë më objektiv dhe zemërgjerë kur analizojnë kontributin që dha Nënë Tereza në Indinë e pas pavarësisë. Për fat të mirë, një nga themeluesit e Indisë moderne, Kryeministri Jawaharlal Nehru, dhe udhëheqës të tjerë Indianë të feve të ndryshme si dhe në shtetin e Bengalit Perëdimor, ditën t'a vlerësojnë jo vetëm përkushtimin vetjak të Nënë Terezës për t'u shërbyer të varfërve të Kalkutës por në të njëjtën kohë edhe guximin dhe shembullin e saj për të sfiduar disa tabu te vjetra, ndër të cilat duhet veçuar komunikimi i saj i drejtëpërdrejtë me njerëzit e kastave të ulta që akoma shikohen me përbuzje në Indi. Nënë Tereza ua bëri më të lehtë barrën politikanëve dhe qeverive Indiane për të prezantuar dhe zbatuar reformat e tyre progresiste që synonin përmirësimin e kushteve të e jetesës për kastat e përçmuara Indiane.
Nënë Tereza u bë një shembull i madh frymëzimi si për politikanët e tipit të ri të Indisë së pavarur ashtu edhe për miliona njerëz të thjeshtë në Perëndim. Nënë Tereza është shprehur disa herë se kur filloi të vizitojë Perëndimin për herë të parë në fillim të viteve 1960-të, ajo gjeti atje një lloj varfërie që, sipas saj, është edhe më e rëndë se varfëria materiale. Ky konkluzion i kësaj murgeshe të zgjuar dhe të përkushtuar shqiptare ishte një thirrje për Perëndimin për të rishikuar përparësitë dhe për të mos matur vlerën e gjithçkaje vetëm nga ana monetare.
Njerëzit, kudo që ndodhen në botë, gjejnë diçka me vlerë tek Nënë Tereza. Ndërsa unë si studiues e vlerësoj Nënë Terezën përveçse për vizionin dhe shpirtin e saj revolucionar, veçanërisht për integritetin e saj profesional, edhe për përkushtimin me të cilën i sherbeu Krishtit, përkushtim që kërkoi sakrifica të shumta jo vetëm në aspektin e privimeve për një jetë "˜normale' por edhe të sprovave të mëdha të shpirtit që përjetoi ajo të paktën që nga viti 1940, sprova që nuk e bënë asnjëherë të humbiste besimin se jeta e njeriut, e çdo njeriu, si figura e Krishtit, janë shenjtërisht të binjakëzuara.
Ju faleminderit!
Biografi e shkurtër e autorit
Dr Gëzim Alpion (BA Universiteti i Kajros; PhD Universiteti i Durhamit) është Lektor në Sociologji dhe Studimet e Mediave dhe Drejtor i Studimeve Pasuniversitare në Departamentin e Sociologjisë, Universiteti i Birminghamit, Angli. Një ndër studiuesit më të mirënjohur të Nënë Terezës në Perëndim, Alpion është autor i këtyre librave: Vouchers (2001); Foreigner Complex: Essays and Fiction about Egypt (2002); Mother Teresa: Saint or Celebrity? (2007); If Only the Dead Could Listen (2008); dhe Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa (2009).
Email: g.i.alpion@bham.ac.uk
Bibliografi e përzgjedhur
Alpion, Gëzim. "˜The mother who cared for the shunned'. The Birmingham Post. 5
September, 2003, p. 11.
"˜Oh! not Calcutta'. The Guardian. 6 September 2003, p. 25.
"˜Media, Ethnicity and Patriotism: The Balkans "Unholy War" for the Appropriation of
Mother Teresa'. Journal of Southern Europe and the Balkans (now Journal of Balkan and Near Eastern Studies). Vol. 6, No. 3, December 2004, pp. 227-43.
"˜Media and Celebrity Culture: Subjectivist, Structuralist and Post-Structuralist
Approaches to Mother Teresa's Celebrity Status'. Continuum: Journal of Media & Cultural Studies. Vol. 20, No. 4, December 2006, pp. 541-57.
Review of: H. J. Kudo Mother Teresa: A Saint from Skopje [Gujarat, India: Anand
Press, 2006] for Albanian Journal of Politics. Chapel Hill, NC: Globic Press. Vol. 2, Issue 2, December 2006, pp. 120-2.
Mother Teresa: Saint or Celebrity? London and New York: Routledge, 2007; Indian
Edition New Delhi: Routledge India, 2008; Italian Edition Madre Teresa: Santa o Celebrità ? Trans. Massimo Laria. Rome: Salerno Editrice, 2008.
Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa. Indian
Edition Calcutta: Meteor Books, 2008; First American Edition Chapel Hill, NC: Globic Press, 2009; Second American Edition New Jersey: Transactions Publishers, 2010.
Chatterjee, Aroup. Mother Teresa: the Final Verdict. Kolkata: Meteor Books, 2003.
Chawla, Navin. Mother Teresa. London: Vega, 2002.
Dutta, Krishna. "˜Saint of the gutters with friends in high places'. Times Higher Education
Supplement. 16 May 2003, p. 29.
Egan, Eileen. Such a Vision of the Street: Mother Teresa"”the Spirit and the Work. New
York and London: Doubleday, 1986.
Greer, Germaine. "˜Greer Versus a Saint'. The Melbourne Age. 6 October 1990.
Hitchens, Christopher. "˜The Ghoul of Calcutta'. The Nation, 13 April 1992.
The Missionary Position: Mother Teresa in Theory and Practice. London and New
York: Verso, 1995.
Muggeridge, Malcolm. Something Beautiful for God: Mother Teresa of Calcutta.
London: Collins, 1971.
Porter, David. Mother Teresa: the Early Years. Oxford and New York: ISIS, 1986.
Sebba, Anne. Mother Teresa: Beyond the Image. London: Orion, 1998.
Shah, Dhiru. "˜Mother Teresa's hidden mission in India: conversion to Christianity'.
August 2003. Available at: http://www.indiastar.com/DhiruShah.htm (accessed 16 Aug. 2004).
Spink, Kathryn. Mother Teresa: an Authorised Biography. London: Fount, 1998.
Teresa, Mother. Life in the Spirit: Reflections, Meditations, Prayers, K. Spink (ed.) New
York: HarperCollins, 1983.
Heart of Joy: The Transforming Power of Self-Giving. J. L. González-Balado (ed.)
Ann Arbor, MI: Servant Publications,1987.
One Heart Full of Love. J. L. González-Balado (ed.) Ann Arbor, MI: Servant
Publications, 1988.
A Simple Path. L. Vardey (ed.) London: Rider, 1995.
My Life for the Poor. J. L. Gonzáles-Balado and J. N. Playfoot (eds) New York:
Ballantine Books, 1996.
In My Own Words. J. L. González-Balado (ed.) London: Hodder & Stoughton,
1997.
Mother Teresa: Come Be My Light: The Private Writings of the "˜Saint of Calcutta'. B. Kolodiejchuk (ed.) New York: Doubleday, 2007.
--
Shënim botimi: Materiali është kumtesa në Konferencën Përkujtimore': "˜Nënë Tereza në 100-Vjetorin e Lindjes', organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, nën kujdesin e Kryeministrit te Republikës së Shqiperisë Z. Sali Berisha në Teatrin e Operës dhe Baletit, Tiranë më 4 Qershor 2010, mbajtur nga Dr GÑ‘zim Alpion, Universiti i Birminghamit, Angli. Autori e ka dërguar enkas për botim në www.voal-online.ch