BOSI I DROGËS NUK I JUSTIFIKON 220 MIJË EUROT NË KASAFORTË
E Enjte, 05.15.2014, 05:12pm (GMT+1)
Çifti i shqiptarëve që u kap në Belgjikë, pasi kishin kyçur rreth 220 mijë euro në 2 kasaforta, doli dje në gjykatën e Dendermondes. Ata u justifikuan, duke thënë se sapo do të kryenin një blerje në Belgjikë për ta dërguar në Shqipëri, ndërsa policia dyshon se bëhet fjalë për para droge, pasi Arjan Shabani rezulton i dënuar me 24 vjet burg në Itali dhe me 6 vjet e 8 muaj burg në Shqipëri për trafik heroine, pasi u kap gjatë operacionit "Kompas", në 2004-ën. Kështu, mediet belge shkruanin dje se 40-vjeçari Arjan Shabani (Xhemali) dhe gruaja e tij Vaçe Ymeri, 34 vjeç u përpoqën të fshehnin paratë në një dollap në Qendrën Tregtare Waasland të Sint-Niklaas, por e kishin harruar hapur. Arjan Shabani në Itali ka një dënim prej 24 vitesh dhe duhet të shërbejë edhe në Shqipëri gjithashtu edhe 6 vjet e 8 muaj burg. Ai u kap në fund të dhjetorit të këtij viti në Sint-Niklaas, nga një njësi e ekipit FAST të Policisë Federale. Shabani i mbylli paratë në qendrën tregtare, në një nga kasetat e sigurisë për konsumatorët, por Ymeri nuk kishte marrë parasysh se për fat të keq kyçja automatike do të hapej pas 10 orësh.
Mijëra euro kesh
Forcat e sigurisë gjetën 73.000 euro dhe 8.000 franga zvicerane në këtë dollap. E pikasur nga policia Vaçja u përpoq të tërhiqte paratë mbrapa. Ajo gjithashtu kishte një çelës me një përshtatje të sigurtë, me emrin e saj, ku më tej policët gjetën 154.000 euro. Në seancën e djeshme, duke mbrojtur gruan, Shabani tha se ajo nuk kishte asnjë ide se çfarë kishte në pako dhe se ajo veproi në emër të burrit të saj, me të cilët ka tre fëmijë të vegjël. Sipas avokatit të Shabanit nuk kishte asgjë të keqe me paratë e gjetura, për shkak se ata kishin për të bërë blerje në Belgjikë për t'i eksportuar në Shqipëri.
Shabani me 6 pasaporta e 4 patenta
Ndërkaq, mbrojtja e ka argumentuar qendrimin e saj me faktin se pjesa e dënimit me 24 vjet burg në Itali është një keqkuptim ligjor, ndërsa qendron vetëm fakti se ishte i dënuar në Shqipëri. Sakaq, disa elementë se përse Shabani rezultonte me 6 pasaporta të falsifikuara dhe patenta shoferësh posedonte 4 copë dhe secili me nga një emër të ndryshëm, nuk janë sqaruar gjatë seancës. Katrien Borms, avokati i Vaçe Ymerit ka kërkuar një dënim prej 1 viti për klienten e tij dhe 3 vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë për Shabanin. Ndërkaq, procesi gjyqësor është ende në zhvillim dhe priten të tjera detaje në ditët e ardhshme.
Dosja e drogës në Shqipëri
Në nëntor të vitit 2011 Arjan Shabani (Xhemali), lindur në Laç dhe banues në Durrës u dënua me 7 vjet e 4 muaj burg, nga 16 vjet që ishte dënuar më parë. Më 11 janar të vitit 2008 Gjykata e Krimeve të Rënda i shpalli fajtorë të tetë të pandehurit për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Të pandehurit Muhamed e Blenard Fejzullau, Fatmir Kuçi, Arjan Shabani, Kujtim Popoçi, Arjan Selimi (i ekzekutuar, njihej edhe si Armand Andoni) dhe Petraq Avrami, janë 74 vjet e 6 muaj heqje lirie. Ata u kapën gjatë aksionit "Kompas", në 2008-ën. Krimet e Rënda argumentuan në vendim, se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin trafikuar drejt Italisë gjatë viteve 1998-2002 sasi të shumta lëndësh narkotike, ndërsa ishin përgjuar nga autoritetet italiane, të cilët kishin mundur të vinin në pranga pjesën tjetër të grupit që vepronte në këtë shtet. Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin drejt Italisë sasi të ndryshme narkotikësh, e cila sillej fillimisht nga Turqia në Shqipëri.
MARIGLEN MULLAI
|