ZËRI I AMERIKËS - PËRLESHJE TË ARMATOSURA NË KUMANOVË Policia maqedonase ndërmori një aksion në një lagje të Kumanovës, në kërkim të personave të armatosur
E Shtunë, 05.09.2015, 02:31pm (GMT+1)
Gjendja në qytetin e Kumanovës është përkeqësuar pas krismave të armëve, kalibrash të ndryshëm, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Forca të shumta policore kanë ndërmarrë një aksion kundër grupeve të armatosura, sipas autoriteteve maqedonase, të cilat flasin për dhjetra persona, të armatosur dhe me uniforma të zeza, që ishin vendosur në një lagje të qytetit. Flitet për pasoja në njerëz, por ende nuk ka konfirmime zyrtare mbi numrin e viktimave eventuale, për çka spekulon një pjesë e medias, apo dhe për të plagosur. Në spitalin e Kumanovës dhe të Shkupit janë dërguar me ambulanca ose me helikopterë, të paktën pesëmëdhjetë policë të plagosur. Ndërkohë, autoritetet spitalore nuk japin asnjë hollësi. Ministria maqedonase e Rendit pritet të njoftojë në një konferencë shtypi në orët e pasdites lidhur me aksionin policor dhe mbi gjendjen në këtë qytet verior.
Policia ka bllokuar rrugët e qytetit, ndërsa të shtënat e armëve nuk kanë pushuar as në orët e drekës. Të paktën një shtëpi është djegur nga goditjet e predhave.
Lagja e njohur si Divnaselë ose së fundmi si Lagja e Trimave është e banuar kryesisht nga shqiptarë. Ekipe të gazetarëve thonë se pengohen nga policia që të afrohen tek vendi i ngjarjes. Madje, një televizion që transmeton në gjuhën shqipe, ka njoftuar se ekipi i tij është kërcënuar nga pjesëtarët e policisë dhe se i është marrë materiali i regjistruar.
Partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas vërejtjeve të shumta në rrjetet sociale lidhur me gjendjen në Kumanovë. Partia, përmes një komunikate u bën thirrje banorëve që të jenë të përmbajtur, të ruajnë gjakftohtësinë dhe që të mos bien pre e provokimeve.
BDI gjykon që zhvillimet e së shtunës në Kumanovë janë veprime që bien ndesh me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, po ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe në Luginën e Preshevës.
Me një thirrje për qetësi ka dalë edhe partia tjetër, Partia Demokratike Shqiptare, e cila kërkon nga MPB që të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Ambasada amerikane në Shkup, përmes një komunikate, shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve në aksionet në Kumanovë dhe rreth saj, dhe e shprehë ngushëllime familjeve të personave të vrarë dhe të plagosur. Ambasada njofton se po e ndjek situatën dhe se është në kontankt të vazhdueshëm me autoritetet dhe drejtuesit politikë, ndërkohë që u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë përcaktimin e fakteve.
www.voal-online.ch
|