Pas sagës institucionale të para pak kohe, pas rënies së qeverisë dhe shpërndarjes së parlamentit, Kosova iu drejtua edhe njëherë zgjedhjeve nacionale të caktuara për 12 Dhjetor. Këto do të jenë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur. Këto zgjedhje, nga optimistët e ndryshëm, pritet të sjellin befasi elektorale, kurse nga pesimistët, ato shikohen sikur edhe zgjedhjet paraprake asgjë fundamentale nuk do të ndryshojë.
Së pari, këto zgjedhje po mbahen në njëfarë amullie kohore. Fillimisht u tha se është e pamundur për KQZ-në të garantojë suksesin dhe korrektësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kurse tani po e njejta KQZ me mburrje flet për angazhimin e saj në organizimin e zgjedhjeve me sukses dhe korrektësi. Ndoshta KQZ bënte shaka në fillim e tash e ka përnjëmend. Ose, ndoshta fillimisht e kishte përnjëmend e tash thjesht po bënë shaka me këto deklarata. Kush e di!
Së dyti, listat e publikuara nga partitë që do të garojnë në këto zgjedhje të vjetra e të reja nuk befasuan elektoratin e Kosovës sic dikush pretendonte. Tek partitë e vjetra dominuan emrat që tani më të gjithë i kemi mësuar dhe i njohim. Tek partitë e reja, vecanërisht tek Vetëvendosja dhe FER, risitë nuk munguan, por nuk ishin befasuese, sic pritej e sic proklamohej. Dikush pretendonte se ka në ekipin e vet njëqind njerzë të kalibrit të njohur ndërkombëtarisht, e ne prisnim që në listen e tyre zgjedhore prej 110 emrash do të shihnim të paktën gjysëm ose të gjithë këtë ekip prej 100 njerëzve të kalibrit kaq të lartë. E pas publikimit të listës në fjalë, ekipi i 100 vetave të kalibrit të njohur ndërkombëtar mbeti enigmë, e bile lista nuk pati as 100 emra në përgjithësi. Kjo na rikujton atë premtimin e famshëm të kryeministrit Thaci se Kosova do të njihej nga 100 shtete menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. E ka mëse dy vite që po presim për arritjen e 100 njohjeve e si duket kështu duhet pritur për të parë 100 emrat e partisë sonë të re. Mirëpo, kualiteti nuk matet domosdoshmërisht me kuantitet, andaj shpresat mbesin. Njëkohësisht, edhe hyrja në politikë e zërit protestues të qytetarit të Kosovës të lë për të shpresuar për një qytetari aktive, por brenda kornizave të rendit dhe ligjit që mbretëron këtu, pajtohemi apo jo me të.
Së treti, sic shihet nga paraqitjet publike të garuesëve për të marrë timonin e qeverisjes së Kosovës për katër vitet e ardhëshme, retorika nuk ka ndryshuar. Fjala pavarësi është zëvendësuar me fjalën zhvillim apo integrim (në BE, kuptohet). Fatkeqësisht, të pakët janë ata që e kuptojnë sa duhet termin në fjalë, sepse programet e tyre kanë mbetur të njejta si më parë. Këto dallojnë, normalisht, partitë e reja, programi i të cilave po pubikohet dita e ditës apo edhe është publikuar. Tek programt e partive të reja vërehet një entuziazëm më i madhë për t'i dale zot Kosovës dhe popullit të saj. Mirëpo, edhe terminologjia e tyre është aq populiste sa edhe e partive të vjetra.
Së katërti, këto zgjedhje do të jenë sprovë interesante për të gjitha institucionet e Kosovës por edhe popullin e saj. Mbi të gjitha, këto zgjedhje do të përcojnë mesazhe të rendësishme në lidhje me funskionimin e demokracisë dhë shtetit ligjor në Kosovë. Andaj, barra kryesore për mbarëvajtjen e tyre, pos institucioneve, u bie edhe partive që po garojnë. Partitë garuese duhen të vëhen në ballë të krijimit të një fryme të lire zgjedhore ku secili individ do të ketë mundësi të vendosë për votën e vet dhe me të për fatin e vet e të Kosovës për katër vitet e ardhëshme. Të votosh në këto zgjedhje është më shumë se e drejtë. Është një mundësi për të definuar, për here të parë, drejtimin e vendit tone të pavarur. Tanimë nuk ka UNMIK për t'ia hedhur përgjegjësinë për dështimet eventuale të qeverisë së re. Vota e 12 Dhjetorit është vota e parë për shtetin e Kosovës, respektivisht për institucionet qendrore të tij. Prandaj, dalja në zgjedhje duhet të bëhet për hire të Kosovës dhe të të ardhmes së saj, e jo për hire të ndonjë individi apo partie. Kosova duhet të qëndrojë mbi të gjitha partitë e individët, sikurse që e ardhmja e saj duhet të konsiderohet si e ardhme e vet fëmijëve tanë.
Së pesti, duket se shumë shpejtë e lehtazi Kosova shkon drejtë zgjedhjeve. Zgjedhjet po bëhen shpejtë e lehtë. Mirëpo, ajo që nuk po ndodhë pamarrë parasysh se here mbajtëm zgjedhje deri më tani janë zgjidhjet për problemet e kosovarëve. Ne ende nuk kemi rrymë gjatë gjithë kohës, ende nuk kemi ujë të mjaftueshëm, ende nuk kemi vende punë sa duhet, ende jemi të izoluar nga e gjithë Evropa, ende nuk kemi shëndetësi e as arimim kualitativ, ende kemi varfëri të skajshme, etj. Lista e problemeve vazhdon sa të duash, por zgjidhjet mungojnë. Prandaj, fokusi primar i garuesëve në këto zgjedhje duhet të jenë zgjidhjet e jo problemet. Lehtë është të identifikohen problemet, vecanërisht në një vend të vogël si Kosova, por shumë vështirë të përpilohen zgjidhjet dhe të implementohen ato në praktikë.
Në fund, nuk thuhet kot se shpresa vdesë e fundit. Andaj, asaj po i kthehemi po shpresojmë se këto zgjedhje do të sjellin në Kosovë zgjidhje për here të parë. Deri më tani, shancet duken të vogla, por mundësia ekziston. Mundësia për të ecur para e me hapa të sigurtë mund të kapet me 12 Dhjetor. Mirëpo, populli i Kosovës nuk duhet të votojë për hire të atij ose këtij, për shkak të axhës ose dajës, për hater të familjes ose fqiut, për inati të atij apo të këtij. Populli duhet të votojë për interesin e vet, të familjes së vet. E nëse secili voton, me mendje te hapur, për interesin e vet e të familjes së vet, atëherë ai ka votuar për të mirën e përbashkët, sepse nuk ka të tillë që vetit e familjes ia dojnë të keqën, nuk ka të tillë që duan ende të shohin vetën e familjen në terr, pa ujë, pa punë, pa shkollë, pa spital. Interesi i votuesit dhe familjes së tij nuk shërbehet nga vota e tij për hater, inat, apo dëshirë të dikujt tjetër. Vota e kosovarit duhet të jepet për hater, interes, dhe dëshirë të tij e familjes së tij, dhe vetëm si e tillë do të ndikojë në sjelljen e zgjidhjeve të duhura për problemet e Kosovës. Të votosh në interesin tend e të familjes tënde do të thot të përzgjedhësh me kujdes kandidatin me të cmuar, më të merituar, dhe më të dëshmuar nga listat e garuesëve. Vota për atë kandidat do të jetë vote për ty dhe interesuat tuaja, kurse vota për kandidatin që e votoni për hater, inat, apo dëshirë të dikujt tjetër (apo qoftë edhe për një favor të menjëhershëm), është votë për interesat e dikujt tjetër, e jo tuajat.
Kosova ka nevojë për votën tënde për hirë tënden dhe të familjes tënde. Kosova ka nevojë për votën tënde për një të ardhme më të mirë për ty dhe familjen tënde. Kosovës i duhesh ti i përkushtuar, i vetëdijshëm, i vendosur. Ti e ndryshon Kosovën, e Kosova të falë ty një vend që me krenari do ta quash shtëpi, atdhe, shtet.