Javën që kaloi, Seketari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon bëri
një turne diplomatik në vendet e ish-Jugosllavisë, ndërkohë që gjatë vizitës në
Bosnje ai u bë udhëheqsi i parë i organizatës botërore që vizitoi Srebrenicën,
vendin e masakrës më të madhe në Evropë ç'prej Luftës së Dytë Botërore. Aty, në
Korrik të vitit 1965, forcat serbe vranë rreth 8000 boshnjakë muslimanë, zonë
kjo që ishte caktuar si një ''zonë e sigurt' për strehim të civilëve nga Kombet
e Bashkuara. Në një mënyrë, Sekretari i Përgjithshëm pranoi dështimet e
Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë luftës në Bosnje dhe pjesë të
tjera të Ballkanit, duke thënë se komuniteti ndërkombëtar duhej të bënte më
shumë që të ndalonte masakrën e Srebrenicës. ''Unë jam para jush këtu me një
hidhërim të madh, keqardhje e pendim të thellë. Besoj se nuk ka asnjë vend
tjetër në botë më të vështirë për tu vizituar nga një udhëheqës i Kombeve të
Bashkuara se sa Srebrenica'', tha z. Ban ki-Moon gjatë vizitës së tij atje. Ai
shtoi se ''Srebrenica është një ndër kapitujt më të errët të historisë
moderne'', ku sipas tij, ''Kombet e Bashkuara nuk zbatuan përgjegjësitë e tyre
dhe komuniteti ndërkombëtar nuk ndaloi gjenocidin.'' Këjo ishte një deklaratë e
saktë dhe siç duket, Ban Ki-Moon me këtë prononcim, sinqerisht dhe me përulësi
pranoi turpin e mos veprimit të Kombeve të Bashkuara gjatë luftës dhe masakrave
serbe në Bosnje.
Edhe vizita në Kosovë ishte e para nga një Sekretar i Përgjithëshëm i Kombeve
të Bashkuara ç'prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 2008. Ai në Prishtinë
nuk u prit me ceremoni shtetërore, pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e
njeh pavarësinë e Kosovës dhe siç duket ai nuk dëshironte të shqetësonte shumë
Beogradin me vizitën e tij në Prishtinën zyrtare. Në Kosovë ai u takua me
udhëheqsit e vendit dhe me përfaqsues të UNMIK-ut, për të cilën organizatë ai
tha se është gjithnjë e nevojshme. Por realiteti është se vizita e Ban Ki-Moon
në Kosovë ishte simbolike, pa asnjë arritje të dukshëme -- pasi agjë as nuk
pritej -- e ku ai vetëm përsëriti thirrjen që tani është bërë e mërzitshme nga
të gjithë, për dialog midis Shqiptarëve dhe Serbëve, në lidhje me ''çështjen
delikate dhe të ndërlikuar në veri të Kosovës.'' Ban Ki-Moon arrijti në Kosovë
nga Beogradi ku presidenti i ri serb, Tomisllav Nikoliq i kërkoi atij që ''të
respektojë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën'', megjithëse Kosova është njohur
tani shtet i pavarur nga fuqitë e mëdha kryesore perëndimore, 91 vende anë e
mbanë botës. Gjithashtu, presidenti serb u shpreh se dëshiron pjesmarrjen e
Kombeve të Bashkuara në bisedimet e ardhëshme që mund të mbahen midis Kosovës e
Serbisë.
Duke marrë parasyshë rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Ballkan si
bashk-autore me Serbinë, që kanë shkruar "kapitullin më të errët të historisë
moderne'', përfshirë edhe Kosovën, udhëheqsit e Kosovës duhet që me çdo mjet
t'u rezistojnë presioneve për të përfshirë Kombet e Bashkuara në çfarëdo
bisedimesh që mund të planifikohen në të ardhmen, midis Kosovës e Sërbisë.
Efikasiteti i punës së OKB-s në Kosovë është parë tashmë. Po mos të ndërhynte
NATO-ja në Kosovë, dhe po të pritej ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara për të
ndaluar masakrën e shqiptarëve të Kosovës dhe shpërnguljen e detyruar të tyre
nga trojet e veta nga forcat serbe të regjimit të Millosheviqit, Kosova do të
ishte sot pothuaj pa shqiptarë. Në atë kohë, shumë analistë përendimorë dhe të
tjerë mendonin se Srebrenica, me gjithë vetitë e saj si një masakër e tmershme
e kohërave moderne, do të dukej si një piknik në krahasim me atë që mund të
ndodhte në Kosovë po të mos kishte ndërhyrë NATO-ja për të shpëtuar popullësinë
shqiptare të Kosovës nga forcat kriminele serbe.
Nuk jam i sigurt se çfarë roli luan gjithnjë UNMIK-u në Kosovë sot, por jam i
sigurt se ai nuk duhet të luaj kurrfarë roli përsa u përket bisedimeve të
ardhëshme midis Kosovës e Serbisë. Këto bisedime duhet të jenë një dialog midis
dy shteteve të pavarura. Nikoliqi kërkon pjesmarrjen e OKB-ës në ato bisedime.
Një gjë që e dëshiron Serbia, nuk do mend, se është kundër interesave të
Kosovës. Pjesëmarrja e Kombeve të Bashkuara në bisedime të tilla nuk do të
ishte në interes të Kosovës, dhe mund të përfundojë në një turp tjetër të
OKB-së me pasoja të rënda që mund të dëmtonte rëndë arritjejt e deritanishme të
shtetit të Kosovës.
Gabimet dhe mos veprimet e Kombeve të Bashkuara në kohën e duhur në Bosnje dhe
Kosovë në fund të shekullit të kaluar, për të parandaluar masakrat, nuk janë pa
precedencë gjatë historisë së OKB-ës, madje edhe me pasoja më të rënda se në
Ballkan. Shembulli i fundit dhe më konkret që e shohim çdo natë në ekranet e
televizionit është Siria. Kemi të bëjmë me një regjim diktatorial që është duke
përdorur gjithë arsenalin ushtarak të tij të furnizuar nga Rusia, përfshirë
aeroplanë, helikopterë dhe tanke kundër popullësisë së tij civile duke vrarë
deri tani, sipas aktivitëve, rreth 18-mijë veta, përfshirë gra e fëmij -- dhe
Kombet e Bashkuara gjithnjë debatojnë dhe tregojnë hesitim për të ndërhyrë,
ashtu siç ndodhi edhe gjatë luftërave në Ballkan. Këshilli i Sigurimit të
Kombeve të Bashkuara është i ndarë: vendet përendimore duan ndërhyrje të
menjëhershme për të laguar nga detyra presidentin Asad dhe për shpëtuar
popullsinë civile të Sirisë nga sulmet e pamëshirë të forcave të tij. Rusia dhe
Kina nga ana tjetër, vendosmërisht kundështojnë përpjekjet e vendeve
perëndimore për të ndërhyrë në Siri, duke e bërë kështu të pamundur ndërhyrjen
e Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur popullsinë civile.
Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon tha në Srebrenicë se ''nuk dëshiroj që
ndonjëri prej pas-ardhësve të mi, 20-vjetë më vonë, të vizitojë Sirinë dhe të
kërkojë falje për ato që mund të kishim bërë për të mbrojtur civilët në Siri,
por që nuk jemi duke i bërë'', shtoi ai. ''Kurrë më Srebrenicë'', tha ai në
Bosnje, por "Srebrenica'' po shfaqet në Siri dhe para syve dëshmitarë të të
gjithë botës, dhe organizata që kryeson Ban Ki-Moon nuk po çanë aspak kokën.
Janë të njëjtat vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-ës Rusia dhe
Kina"”që kundërshtonin ndërhyrjen ndërkombëtare në Bosnjë dhe në Kosovë për të
ndaluar masakrat atje dhe që kundërshotojnë edhe sot nëdryrjen në Siri. Shitja
e armëve ruse regjimit të Asadit ka më shumë rëndësi!?
Si rrjedhim, katastrofa e vazhdueshme e popullit të Sirisë nuk ka të ngjarë të
marrë fund së shpejti. Këjo sepse, presidenti rus Putin do që me çdo kusht të
kontrollojë bazën detare siriane në Tartus dhe interesat gjeopolitike të Moskës
në Mesdhe. Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve
të Bashkuara dhe partnerja e saj në atë Këshill, Kina, ashtu si në të kaluarën
-- do të vazhdojnë të përdorin veton dhe të blokojnë çdo masë serioze kundër
regjimit të Asad-it, pasi për ta, mbështetja për diktarorët si Asadi,
Millosheviqi e të tjerë, ka më rëndësi se jeta e njerëzve të pafajshëm.
Masakrat në Bosnje dhe në Kosovë, gjatë viteve '90 dhe lufta e regjimit sirian
kundër popullit të vet sot, është një kujtesë e gjallë dhe e përhershme se
çfarë ndodhë kur jeta e njerëzve nën diktaturë dhe fati i popujve të shtypur
është në duarë të diplomatëve të Kombeve të Bashkuara.