Duke lexuar gazetën Uashington Post para dy tre ditësh, më tërhoqi vëmendjen
një shkrim mbi vizitën në Uashington të udhëheqësjes birmaneze për demokraci,
Zonjës Aung San Suu Kyi dhe takimeve të saj zyrtare në nivelet më të larta të
qeverisë dhe të shtetit amerikan. Ajo u takua me Presidentin Barak Obama, me
Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton dhe me udhëheqësit kryesorë të
dy partive të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit Amerikan. Zonja Suu Kyi
është një ndër femrat më të nderuara dhe të respektuara në botë, si një
aktiviste e dalluar për demokraci dhe të drejtat e njeriut në vendin e saj
Birmani dhe më gjerë. Falë përkushtimit të saj ndaj mbrojtjes së të drejtave të
njeriut, asaj i është akorduar Çmimi Nobel për Paqë. Për këto qëndrime ajo ka
vuajtur burgime dhe persekutime nga junta ushtarake birmaneze. Si kampione
botërore e të drejtave të njeriut, në Uashington ajo u prit me nderimet më të
mëdha nga Presidenti Barak Obama, nga Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton, e
cila e quajti atë si një ''ikonë botërore e lirisë dhe demokracisë'', -- dhe
Kongresi amerikan i akordoi asaj ''Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan'', që
është nderimi më i madh që mund t'i bëhet një personi civil, vendas ose të
huaj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Junta ushtarake birmaneze e mbajti atë në arrest shtëpiak për pothuaj 15 vjet,
dhe si përfundim ajo nuk u lejua të vinte në Shtetet e Bashkuara më 2008 që të
mirrte Medaljen e Artë të Kongresit për punën e saj në fushën e të drejtave të
njeriut dhe në mbrojtje të demokracisë. Zonja Suu Kyi i bashkohet një liste
impresive liderësh botërorë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, si Uinston
Çurçilli, Martin Luter Kingu, Papa Gjon Pali i Dytë e të tjerë, të cilët, gjatë
historisë janë nderuar me ''Medaljën e Artë të Kongresit Amerikan'', dhe me
Çmimin Nobel për Paqë.
Normalisht, unë nuk do të merresha me vizitën e Zonjës Suu Kyi në Uashington,
por ajo që më tërhoqi vëmendjen në artikullin e gazetës së kryeqytetit amerikan
Uashington Post dhe mediave të tjera amerikane ishte fakti se Zonja Suu Kyi,
menjëherë pas takimit të parë në Uashington me Sekretaren e Shtetit Hillary
Klinton, dhe para takimeve të tjera me rëndësi diplomatike, ajo kishte shprehur
dëshirën të vizitonte Zërin e Amerikës.
Drejtori i VOAs Dejvid Ensor me Zonjën Suu Kyi
Komentet dhe intervistat e sajë gjatë vizitës së saj në kryeqendrën e Zërit të
Amerikës në Uashington, më kujtuan vizitat që bënin në Zërin e Amerikës gjatë
Luftës së Ftohtë dhe pas rënies së Murit të Berlinit, mbrojtës dhe aktivistë të
të drejtave të njeriut dhe personalitete me famë botërore, për të shprehur
falenderimet e tyre për kontributin e VOAs në fushën e të drejtave të njeriut
dhe në mbrojtje të të përsekutuarve nga regjimet shtypëse komuniste dhe
fashisto-ushtarake, si regjimi ushtarak i Birmanisë. Zonja Suu Kyi kishte
shprehur dëshirën të vizitonte -- jo gazetat me zë të kryeqytetit amerikan,
Uashington Post, Uashington Tajms ose ndonjë rrjet të njohur televiziv amerikan
-- por Zërin e Amerikës, në këtë 70-vjetor të ekzistencës së kësaj radioje me
famë botërore. Në Kryeqendrën e VOAs, ajo u prit nga Drejtori i Zërit të
Amerikës Dejvid Ensor dhe zyrtarë të tjerë të lartë transmetimeve ndërkombëtare
të Amerikës. Zoti Ensor, duke e përshëndetur vizitoren e famëshme tha se ''Është
një nder i jashtzakonshëm që ne na viziton një personalitet kaq i dalluar'',
dhe e siguroi fituesen birmaneze të Çmimit Nobel se ''Zëri i Amerikës do të
vazhdojë të ushtrojë llojin e gazetarisë që e ka bërë Zërin e Amerikës
stacionin më popullor ndërkombëtar të lajmeve në Birmani.''
Nga ana e saj, Zonja Suu Kyi gjatë takimit të saj me zyrtarët e lartë të VOAs
tha se e ''Dëgjoj Zërin e Amerikës çdo mengjes në orën 5:30. Më pëlqejnë shumë
lajmet ndërkombëtare si edhe pasqyra e shtypit birmanez'', që transmetohen nga
Zëri i Amerikës në gjuhën birmaneze. Gjatë një interviste me VOAn, ajo tha se,
''Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen nga ligji dhe se nuk duhet të ketë
asnjë rast ku të drejtat e njeriut të lihen pas dore ose të injorohen'', duke
shtuar se ''kjo është koha kur ne kemi nevojë për ndihmë, ashtuqë vendi im të
vazhdojë në rrugën e duhur, dhe jo vetëm vendi im, por të gjitha vendet që ende
nuk gëzojnë lirinë''.
Gjatë takimit me Zonjën Suu Kyi, bashkshortja e ish-presidentit Bush, Laura
Bush tha se ''tranzicioni në Birmani si dhe tranzicionet e mëparshme, nga
diktatura në demokraci -- në Evropën Lindore dhe në Afrikën e Jugut -- tregojnë
se historia ka marrë një drejtim shpresëdhënës''. E pyetur nga Zëri i Amerikës
se cili ishte mesaxhi i saj për vendet e tjera në kushte të njëjta si atdheu i
saj, ajo u përgjigj duke thënë se ''pikëspari nuk duhet të hiqet dorë nga
shpresa....por në të njëjtën kohë nuk është mjaft të shpresosh, duhet të punosh
për të realizuar shpresat'', tha ajo.
Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës, fituesja e Çmimit
Nobel dhe e Medaljes së Artë të Kongresit Amerikan, Zonja Suu Kyi tha se e
konsideron këtë përvjetor si një ditëlindje të një miku, ''sepse Zëri i
Amerikës dhe stacione të tjera të transmetimeve ndërkombëtare ishin miqtë që
qëndruan pranë meje gjatë viteve të gjata të arrestit shtëpiak''.
Vizita e Suu Kyi në kryeqendrën e VOAs në Uashington dhe komentet e saj mbi
transmetimet e lajmeve vendore dhe ndërkombëtare, si edhe për rolin që luan VOA
për të mbajtur gjallë shpresën për liri e demokraci në të gjitha vendet ku
liritë shtypen dhe mohohen, tregon se edhe sot pas 70-vjetësh ç'prej
themelimit, Zëri i Amerikës ka gjithnjë një rol për të luajtur në informimin e
saktë, të balancuar, objektiv dhe të gjithanëshëm anë e mbanë botës, e sidomos
në vendet ku liria e medias mohohet ose keqpërdoret.