Udhëtojmë drejt Myzeqesë. Si kalon urën e lumit Shkumbin, makina merr djathtas
dhe fluturon drejt fshatrave që shtrihen në të dy anët e rrugës. Kjo rrugë më
sjell ndër mend shumë kujtime. Çerma, një fshat jo më shumë se dy kilometra nga
rruga nacionale. Dikur, në kohën e sundimit të qafëthyerit, këtu ngrihej një
kamp pune ku të burgosurit, më keq se skllevërit e dikurshëm, punonin nga
mëngjesi në mbrëmje për tharrjen e kënetës së Tërbufit. Por këneta nuk
dorëzohej me kollaj. Ajo rrëmbeu në gjirin e saj dhjetra të rinj të cilëve edhe
sot nuk iu gjenden eshtrat. E kisha bërë shumë herë këtë rrugë në atë kohë.
Atje kisha vëllanë tim. Mundi të largohej prej andej vetëm për t'u shtruar në
spital ku mrekullia e mjekëve dhe, mbi të gjitha, e Zotit të Madh e ktheu përsëri
në jetë.
Makina fluturon. Aty ku dikur sundonte balta dhe kalohej vetëm po të kishe
veshur çizme, sot shtrihet një rrugë me të gjitha parametrat e nevojshme
ndërkombëtare. Ishte ndërtuar vitet e fundit. Anës saj trotuare të shtruara me
pllaka dhe shtyllat e neoneve që ndriçonin rrugën natën. Kudo nuk të shikonte
syri veçse vila të mrekullueshme. Menjëherë të krijohej përshtypja se udhëtoje
brenda një qyteti të vogël modern.
Së fundi mbërrijmë në Komunën e Remasit. Në qendrën e saj na presin autoritetet
e vendit dhe miqtë tanë Nexhipi, Esati, Bedriu dhe Caushi me familjarët e tyre.
Sot është ditë përkujtimore. Këshilli i Komunës i ka akorduar familjes së Azem
Çokut titullin "Nderi i Komunës", për kontributin e dhënë nga kjo familje në
luftën për përmbysjen e regjimit diktatorial dhe ndërtimin e shoqërisë së re
demokratike. Kam lexuar shumë romane me te burgosur të ndryshëm. Zhan Valzhani,
Edmond Dantesi, Abati Faria, Roland Kandianoja. Po t'i mbledhësh vitet e burgut
që kanë kryer, shifra është shumë më e vogël se e anëtarëve të kësaj familje.
Azemi, Esati, Bedriu, Caushi shtatëdhjetekatër vite burg. Nexhipi dhe Rapi së
bashku me t'ëmën e tyre, Esmanë, gjithë periudhën e sundimit totalitar të
internuar për motive politike. Krahasimin bëheni vetë.
Ceremonia fillon. Kryetari i Komunës, zoti Agim Redhi, lexon vendimin e
Këshillit të Komunës. Para syve të mi shfaqen vegimet e së kaluarës. Viti 1949.
Hienat e sigurimit rrethojnë shtëpinë e Azem Çokut.
Në emër të popullit jeni i arrestuar! i drejtohet kryetari i hienave të
madhit të familjes.
Në emër të kujt populli? i përgjigjet Azemi i qetë.
E rrëmbyen pa mbaruar mirë fjalën. Në shtëpi mbetën të shastisur nënë Esmaja me fëmijtë e saj, më i madhi prej të cilëve nuk i kishte mbushur ende dymbëdhjetë
vjeç. Muaj të tërë torturash për Azemin nëpër qelitë e errëta të sigurimit të
shtetit, deri sa erdhi dita e gjyqit. E dënuan me njëzetë vjet burg për
pjesmarrje në të ashtuquajturin "Grupi i Rezistencës". Pastaj vazhdoi odisea e
kampeve të punës së detyruar deri sa e plotësoj të gjithë dënimin. Kthehet në
baltën ku kishte lindur por ishte i privuar nga çdo e drejtë që mund të gëzonte
njeriu. Ai nuk kishte të drejtë të pretendonte për asgjë. Kështu vazhdoi deri
në përmbysjen e sistemit. Fjalën e merr nënprefekti i Lushnjes, zoti Florion
Dani. Flet për këtë familje heroinë që nuk mundi dot ta përulte diktatura e
kuqe. Flet dhe tregon për guximin dhe mënçurinë e treguar nga bijtë e kësaj
familje. Ai flet dhe unë meditoj. Viti 1968. Djali më i vogël i familjes, Caushi,
ëndërronte për ditë më të mira. Nuk i kishte mbushur ende shtatëmbëdhjetë vjeç.
Këto ëndrra i shprehte nëpërmjet vargjeve të poezive që i buronin nga zemra.
Ato ishin mendimet e lira që i shpërthenin ashtu si vargjet e tij:
Lëshomëni,
lëshomëni të fluturoj i lirë,
Nën qiellin tim të bukur dhe të pastër,
T'ia them
këngës më të mirë,
T'ia them këngës më të ashpër.
Lëshomëni, qielli është për fluturim,
Dhe unë linda veç të fluturoj
Le të jetë
kënga ime një shpërthim
Mijëra zemra, shpresa t'i gëzojë.
Por regjimi donte që njerëzit të ishin skllevër. Ai luftonte çdo shenjë të
mendimit të lirë. Por karakteri i Caushit nuk mund të ndryshonte dhe këtë
karakter e pagoi shumë shtrenjtë. Njëzetedy vjet burg, nga Spaçi në Burrel. E
njëjta akuzë e zakonshme: agjitacion dhe propagandë. Por vargjet nuk pushuan as
në Burrel. Ato donin të shpërthenin dyert e hekurta të burgut dhe të fluturonin
në qiellin e lirë. Caushin e braktisi shteti por jo familja e tij. Nënë Esmaja
me ato çka kishte mundur të përgatiste shkon në burgun e Burrelit për të takuar
të birin. Dhe Caushi ia shpërblen me vargje. Sa vargje janë shkruar për nënat?
E kush është më e afërt dhe më e dashur se ajo për secilin prej nesh? Cila nënë
nuk sakrifikoi për birin e saj? Cili bir nuk vajtoi për nënën e tij? Po malli i
birit të burgosur është i pamatshëm. Një shami e larë nga dora e nënës, një
kulaç i gatuar me lotët e nënës, një fjalë e ngrohtë e dalë nga goja e nënës,
mjaftojnë për t'i dhënë forcë birit, ashtu si toka Anteut të lashtë. Për zemrën
e birit të ndarë në mënyrë mizore nga e ëma, këto janë forca që i japin atij
kurajon për të mbijetuar në kushte ferri:
Sot nëna më pruri një kulaç të ardhur,
Natyrisht të pjekur në tepsin e madhe,
O
nënë, për miell sa ditë prite me rradhë,
Që të bëje kulaçin në tepsinë e madhe?
Për ujë e di nuk ke vuajtur fare,
Se lotët dhe detin gjithmonë i ke pranë,
Më
thuaj nëno, kulaçin me se e poqe?
Me zjarrin e mallit, o bir që kam!
Përsëri viti 1968. Një muaj pas Çaushit arrestohet edhe Bedriu. Ishte ushtar,
në repart pune, kur e arrestuan. Edhe ai, si i vëllai, njëzetetre vjet burg.
Hyri djalosh i njomë, tetëmbëdhjetë vjeç dhe doli një mesoburrë i moshës
dyzetenjë vjeçare. Kujtoj Bedriun dhe para syve më del revolta e madhe e Spaçit
ku për herë të parë në historinë e diktaturës, të burgosurit politikë, për tre
ditë me radhë, ngritën flamurin e skuqur nga gjaku i tyre, pa yllin e
komunizmit, të pikturuar nga martiri Mersin Vlashi. Ai u bë flamuri i revoltës.
Ishte 21 maj 1973. Por në fund pagjumësia, uria, etja dhe forcat e shumta
policore bënë që revolta të shtypej. Përsëri gjyq ushtarak. Përsëri katër të
pushkatuar Hajri Pashaj, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Skënder Daja. Përsëri të
ridënuar midis të cilëve Bedri Çoku, Demir Pojani, Sami Dangëllia, Luan Koka,
Njazi Medolli, Njazi Bylykbashi, Bebi Konomi, Fiqiri Muhaj, Agron Kalaja dhe
plot
të tjerë. Ylber Merdani, pjesmarrës i kësaj revolte thuri vargjet e mëposhtme:
Veç tri ditë valoi flamuri,
Shqipja vallëzoi mbi retë
Asnjë predhë nuk e zuri,
Se e mbrojti Zoti vetë!
Katër djem vdekja rrëmbeu,
Katër djem nga më të mirët,
Le të rrojë mëmëdheu,
Poshtë zuzarët dhe qafirët!
Bedriut iu shtuan edhe njëzet e pesë vjet të tjera. U lirua me përmbysjen e
sistemit totalitar si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve
demokratë. Megjithse i porsa liruar nga burgu i gjatë, i lodhur dhe i
raskapitur nga torturat dhe vuajtjet e tmerrshme, iu përkushtua rivendosjes së
sistemit demokratik, për një shtet ligjor dhe të së drejtës. Kreu detyra të
ndryshme deri edhe Drejtor i Drejtorisë së Përgjithëshme të Burgjeve, detyrë
nga e cila e zhveshën rebelët që u instaluan pas vitit të zi 1997.
Në tribunë ka hipur diplomati Skënder Shkupi. Ka vetëm disa muaj që është
kthyer nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës, ku vajti pas rebelimit të atij viti
të zymtë. Flet për mikun e tij, Esatin, me të cilin kishin qenë së bashku në
vendin e lirisë. Ai flet dhe mua më dalin para syve pamje të tjera.
Viti1979. Familjes Çoku nuk i mjaftonin dy djem të burgosur, Bedriu dhe Çaushi.
Duhej shtuar edhe i treti. Kuçedra nuk ishte ngopur me dy vëllezërit më të
vegjël. I treti ishte Esati. Akuza ajo e zakonshmja, agjitacion dhe propagandë.
Sigurimi, Spaçi dhe Qafa e Barit ishin itinerari i tij për tetë vjet rresht. Shumë u mundua sigurimi ta nënshtronte
por nuk mundi. Ashtu si vëllezërit e tij ai qëndroi i pathyeshëm.
Burgun e kemi kryer në periudha të ndryshme, ndaj nuk ishim njohur më parë.
Takimin e parë e bëmë në selinë e Shoqatës së të Dënuarve Politikë, në shtëpinë
e kryetarit tonë të paharruar, Lalë Osmanit, në Tiranë, në vitin e parë të
përmbysjes së madhe. Pastaj vazhduam, së bashku me shokë të tjerë, luftën për
rivendosjen e shtetit ligjor dhe demokratik. Viti 1996 e gjen në Kuvendin e
Shqipërisë si deputet i Partisë Demokratike. Gjithmonë mbrojtës i të përndjekurve
politikë. Gjithmonë mbrojtës i parimeve demokratike. Falangat e zeza të vitit
1997 e detyrojnë të emigrojë në vendin e lirirsë, në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Por nuk mund të qëndronte shumë gjatë atje. Zëri i atdheut e
thërriste dhe ai iu përgjegj. Tani jeton në tokën që e lindi.
Fjalën e merr Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës Antikomuniste të të
Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zonja Lili Ndoci. Ajo shpreh falënderimin
e saj për Këshillin e Bashkisë të Komunës dhe Kryetarin e saj që, me nderimin
që u bën këtyre figurave martire, i bën njëkohësisht nje nder dhe nderim të
gjithë ish të burgosurve politikë të Shqipërisë.
Ajo flet dhe mua, çuditërisht, nuk më ndahen vegimet. Para syve më dalin
Nexhipi dhe Rapi që për vite të tëra nuk iu ndanë vëllezërve të tyre, duke
rendur sa në një kamp në tjetrin, sa në një burg në tjetrin, me nga një trastë
me ushqime në krah, aq sa kishin mundur të mbledhin, për t'ua shpënë atyre që
të mund t'ua lehtësonin, sa më tepër të ishte e mundur, vuajtjen dhe, së fundi,
t'i shpëtonin nga skëterra ku i kishin hedhur.
Me mbarimin e ceremonisë të pranishmit drejtohen në vendin ku dikur ngrihej
shtëpia e Azem Çokut dhe tani ngrihen vilat e bijve të tij. Kjo është mrekullia
e demokracisë. Para vilës së Çaushit lartësohet memoriali i ngritur nga komuna në përkujtim të kësaj
familje martire ku, në qendër të tij shkruhet:
Këshilli i Komunës Remas i jep familjes së Azem Çokut titullin:
"NDERI I KOMUNËS"
Sa do të doja që të tilla ceremoni të zhvilloheshin në të gjtha bashkit dhe
komunat e vendit! Sa do të doja që respekti për ata që u sakrifikuan për
demokracinë që gëzojmë sot të shprehej në çdo skaj të Shqipërisë. Por, për fat
të keq, një nderim i tillë nuk bëhet në shumë qendra banimi të vendit tonë.
Duket sikur qytetarët e kanë harruar rrugën nëpër të cilën kanë kaluar. Një gjë
e tillë më shkakton dhimbje.
Bedriu më vështron dhe e kupton gjendjen time. Më afrohet dhe më pyet:
Çfarë ke, or mik, përse mendohe?
I tregova arsyen e asaj gjendje. Ai më vështroi dhe më tha:
Mos u mërzit, i dashur, duan apo nuk duan Shqipëria do të bëhet!
Edhe unë jam i bindur si Bedriu. Jam i bindur se shpejt apo vonë do të vijë ajo
ditë kur Shqipëria do të bëhet ashtu siç e kemi ëndërruar, ashtu siç kemi luftuar
për vite me rradhë.
Por, befas, në veshët e mi tingëlluan vargjet e një kënge të vjetër:
Shqipëria do të bëhet,
Po vallë do ta gëzoj unë?
4 tetor 2012