
Nuk kishte ndodhur asnjëherë gjatë 21 vjetëve, që nga prishja e Bashkimit
Sovjetik dhe përmbysja e regjimit komunist, që Kremlini të ndërmerrte një
veprim zyrtar kundër qeverisë amerikane, duke dëbuar një agjenci shtetërore
amerikane nga Moska. Ndodhi në 18 shtator, kur Ministria e Jashtme e Rusisë me
një komunikatë njoftoi se qeveria ruse kishte kërkuar largimin e menjëhershëm
të Agjencisë Amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar, USAID, brenda datës 1 tetor.
Si akti, arsyet politike të paraqitura, urgjenca e kërkesës, ashtu dhe zgjedhja
e Ministrisë së Jashtme ruse për të shpallur vendimin, përbëjnë një situatë
serioze shtetërore dhe diplomatike. Natyrisht jemi përpara një ngjarje të
pazakontë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe ruso-amerikane në gjithë periudhën
e quajtur postkomuniste të Rusisë.
Ngjarja është e denjë për klimën dhe tensionet e kohës së luftës së ftohtë dhe
të nxit të kërkosh arsyet e këtij hapi sfidues, që presidenti i Rusisë,
Vladimir Putin, vendosi të ndërmarrë në fillim të presidencës së tij të tretë
në Kremlin për marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA. Nëse presidenti rus, nën
shembullin e sekretarëve të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit
Sovjetik, ka llogaritur të demonstrojë forcën e Moskës ndaj SHBA-së dhe ndaj
Perëndimit, ka zgjedhur keq edhe kohën, edhe metodën, edhe shtetin, për të bërë
këto lloj sfidash autosugjestionuese të një kohe të perënduar.
Për ta kuptuar më mirë hapin e pazakontë të udhëheqjes ruse duhet të kihet
parasysh se presidenca e tretë e Vladimir Putinit po profilizohet me një
shkallëzim negativ të gjendjes së shoqërisë ruse, drejt degradimit të
parametrave themelorë të demokracisë dhe drejt një autoritarizmi gjithnjë e më
të madh, i cili ka si simbol dhe protagonist, njësoj si në kohën e regjimit komunist
sovjetik, udhëheqësin e Kremlinit.
Në Rusi është në zhvillim e sipër një proces restaurimi në jetën shtetërore,
shoqërore, politike, juridike, administrative, etj, i modelit të vjetër
komunist dhe sovjetik. Është një proces që po drejtohet si një program
qeverisjeje nga kasta sunduese e shtetit. Është një proces antihistorik, sepse
tani Rusia dhe bota nuk janë ato të tridhjetë viteve më parë, dhe inteligjenca
e rinia ruse nuk janë më parafabrikatet apo rripat e transmisionit të partisë
dhe qeverisë komuniste. Ballafaqimi me këtë realitet apo pol demokratik në
rritje të shoqërisë ruse, e shqetëson dhe e frikëson ambicien e pushtetit
autokratik të udhëheqjes së sotme të Rusisë dhe të presidentit të saj, Vladimir
Putin. Ata janë të trembur sidomos nga efektet, që mund të rezonojë në Rusi
pranvera arabe, e cila çliroi energji të pamposhtura popullore, që përmbysën
autokratë dhe diktatura, që dukeshin të pathyeshme. "Marshet e milionave" të
protestës, që kanë nisur në Rusi, dhe revolta gjithnjë e më e organizuar e
intelektualëve dhe e shoqërisë civile kundër sundimit të një kaste autokratike
dhe të korruptuar, që shkel të drejtat e njeriut dhe mashtron me zgjedhjet, po
alarmon udhëheqjen, e cila e ndjen se vala e zemërimit popullor mund të vijë
tek muret e Kremlinit. Udhëheqësit e sotëm të Rusisë kanë frikë se zgjimi i
popujve arabë dhe protestat e tyre masive për liri e demokraci, mund të
gjenerojnë valë të revolucionit demokratik edhe brenda në Rusi. Në Kremlin
lexohet edhe sot e kësaj dite frika nga revolucionet e portokallta apo të
tulipanëve apo të kadifenjta, që shpërthyen në disa shtete, që dolën nga
ish-Bashkimi Sovjetik, dhe që janë fqinj me Rusinë.
Autokratët i tmerron demokracia dhe ata e shohin rrezikun tek forcat
demokratike dhe tek përkrahësit e demokracisë. Në këtë situatë, presidenti rus
po nxiton të ndërmarrë masa represive ndaj forcave dhe ndjenjave demokratike
brenda në vend. Në shënjestër janë vënë shoqëria civile dhe gjithë format e
forumet e shprehjes së mendimit të lirë demokratik.
Vladimir Putin po ndërmerr një riideologjizim të marrëdhënieve dhe të jetës
politike e shoqërore brenda vendit, ashtu dhe të marrëdhënieve të Rusisë me
SHBA dhe me Perëndimin. Ky riideologjizim materializohet, së pari në përpjekjet
për të krijuar sindromën e "armikut të shtetit dhe të kombit rus", që sipas
qeverisë janë forcat liberale dhe shoqëria civile, të cilat nuk mendojnë me
mendjen e qeverisë. Së dyti, materializohet në përpjekjet e qeverisë për të
rikrijuar sindromën e armikut të jashtëm, duke organizuar histerinë e
antiamerikanizmit, dhe shpikur rrezikun e jashtëm nga SHBA.
Në komunikatën e MPJ të Rusisë për vendimin e largimit të USAID-it ,si arsyetim
për këtë hap zyrtar jepen "përpjekjet për të ndikuar në proceset politike, duke
përfshirë zgjedhjet në nivele të ndryshme dhe në institucionet e shoqërisë
civile. Probleme serioze ka shkaktuar aktiviteti i USAID-it në rajonet ruse,
veçanërisht në Kaukazin e Veriut". Janë akuza tipike të fjalorit dhe të
mentalitetit komunist të kohës së luftës së ftohtë, ku ndihma dhe grantet
amerikane për projektet e forcimit të institucioneve të demokracisë ngjyrosen
me bojën e zezë të frikës së regjimit nga demokracia. Jo rastësisht janë
përmendur dy fushat më sensitive, ku regjimet autokratike bëjnë abuzimet më të
mëdha, zgjedhjet dhe të drejtat e njeriut. Udhëheqja ruse kërkon të mbulojë
abuzimet e mëdha të pushtetit në të dyja fushat e mësipërme dhe shpik armikun e
jashtëm, Amerikën, duke akuzuar USAID-in për zhvillimet dhe fenomenet e
brendshme të protestës, që po ziejnë në shoqërinë ruse dhe që janë produkt i
brendshëm i saj.
Në të vërtetë agjencia amerikane e zhvillimit ndërkombëtar është vendosur në
Moskë para 20 vjetësh me kërkesën e qeverisë së atëhershme ruse në fillim të
demokracisë dhe ajo ka dhënë gjatë 20 vjetëve një ndihmë dhe kontribut të çmuar
në ndërtimin dhe konsolidimin e normave dhe institucioneve demokratike të
shoqërisë ruse. Por duhet theksuar se grantet dhe donacionet e USAID-it në Rusi
nuk kanë përmasa aq të mëdha, sa që mund të shkaktojnë shqetësimet
disporporcionale të Kremlinit. Rusia aktualisht zë vendin e 40-të në listën e
shteteve, që përfitojnë sponsorizime të projekteve nga USAID. Ky fakt dëshmon
se Rusia nuk përbën as një prioritet dhe as një vëmendje "konspirative" dhe
zyra e USAID-it në Moskë ka vetëm 13 shtetas amerikanë.
Kremlini shqetësohet nga rritja e ndërgjegjes civile në Rusi dhe ka zgjedhur të
mbysë zërin e lirë të së vërtetës. Ai ka ndërmarrë një ofensivë represioni ndaj
rrjetit të organizatave joqeveritare, të cilat në Rusi kanë lozur dhe po lozin
një rol pozitiv në ndërgjegjësimin demokratik të popullit. Pas ardhjes së
Vladimir Putinit për herë të tretë në Kremlin në muajin maj të këtij viti, me
shpejtësi në muajin qershor Duma Ruse miratoi një ligj represiv, sipas të cilit
të gjitha shoqatat dhe organizatat joqeveritare, që punojnë me projekte të
financuara nga shtete të huaja, organizata të huaja apo shoqata joqeveritare të
huaja, duhet të regjistrohen në organet shtetërore ruse me emrin "agjentë të
huaj". Është e kuptueshme se çfarë presioni psikologjik dhe fizik ushtrohet në
veprimtarinë e rrjetit të shoqatave joqeveritare, kur ata të detyrohen të
regjistrohen dhe ta pranojnë veten si "agjentë të huaj". Edhe terminologjia e
këtij ligji absurd është huazuar nga kohërat staliniste të represioneve të KGB
kundër intelektualëve.
Me vendimin e ri qeveritar goditja e regjimit drejtohet kundër vetë
funksionimit dhe qëllimit të rrjetit të shoqatave joqeveritare dhe shoqërisë
civile. Këtu nuk është vetëm çështje financimi, por çështje përmbajtjeje
veprimtarie, sepse çdo shoqatë apo përfaqësues i shoqërisë civile, që do të
ngrejë zërin e protestës kundër mashtrimeve elektorale apo shkeljes së të
drejtave të njeriut, fare lehtë do të goditet si "agjent i huaj". Qeveria synon
gjithashtu që gjithë shoqatat joqeveritare dhe shoqëria civile, duke ndërprerë
lidhjet me të huajt, të detyrohen t'i drejtohen për fonde qeverisë dhe të
shndërrohen si bashkimet profesionale të dikurshme, duke i shërbyer si leva
regjimit në fuqi. Duke ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin e organizatave
joqeveritare ruse me institucionet dhe agjencitë shtetërore e civile të shtetit
më të madh demokratik të botës, SHBA, Kremlini kërkon të ndajë shoqërinë civile
ruse nga perëndimi dhe ta mbyllë atë në guaskën qeveritare të izolimit, të
ksenofobisë dhe të mjerimit total intelektual e shpirtëror. Vendimi për dëbimin
e USAID-it synon të trembë intelektualët, shoqërinë civile dhe njerëzit e
thjeshtë në Rusi, me fantazmën e antiamerikanizmit, dhe të shushasë zërin dhe
shpirtin demokratik të protestës.
Me vendimin për largimin e USAID-it nga Rusia, Kremlini zyrtarizon
antiamerikanizmin si ideologji e politikës së tij të jashtme dhe të
marrëdhënieve ndërkombëtare të Rusisë. Kjo natyrisht do të ketë efektet e veta
në tërësinë e marrëdhënieve ruso-amerikane, të cilat, me gjithë nismat e
njëpasnjëshme të presidentit B.Obama dhe të sekretares së shtetit, H.Klinton,
për ndërtimin e marrëdhënieve të reja të dobishme mes dy vendeve, po hasin në
një ftohtësi polare në Kremlin. Nuk duket rastësi as koha e zgjedhur nga
Kremlini për këtë goditje të marrëdhënieve dypalëshe në prag të zgjedhjeve
presidenciale në SHBA. Momenti i zgjedhur nga Kremlini i jep këtij vendimi rus
një karakter provokativ, zhvillim i cili do të dëmtojë dinamikën e marrëdhënieve
dypalëshe, por do të dëmtojë në radhë të parë vetë Rusinë. Rusia i provoi në
shekullin e kaluar pasojat negative të antiamerikanizmit si ideologji e
politikës së jashtme.