Nga shtypi dhe mjetet e informimit të Shqipërisë vijnë lajme të trishtueshme!
Këto ditët e fundit, greva e urisë nga nji grup ish-të përndjekurish politikë
zen nji vend sekondar, megjithëse paraqet nji problem të rangut primar:
mirënjohjen e sakrificës për liri dhe demokraci në Shqipëri gjatë dyzet e pesë
vjet të regjimit komunist në atë vend, dhe detyrimin ligjor e moral me përkrahë
viktimët e këtij terrori, ata e sakrifikuen jetën ose vite të gjata në burgjet
mesjetare dhe kampet e çfarosjes që "diktatura e proletariatit" vendosi në
vendin tonë.
Detyrimi ligjor rrjedh nga vendimet e marruna lirisht dhe zyrtarisht nga
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Numri i viktimave të regjistrueme deri tashti ka arrijtë afërsisht në 22 mijë:
ish-të vramë pa gjyq dhe me gjyq, ose të burgosun nga gjykata politike pa asnji
kriter ligjor, përveç formës së jashtëme, shpeshherë komike për arsye të
injorancës që karakterizonte "gjyqtarët e popullit" në shërbim të "Nënës
Parti". Sot, pjesa ma e madhe e këtyne viktimave nuk janë me ne, pushojnë në
varreza pa shenj, ku të afërmit e tyne nuk i dijnë dhe nuk kanë mundësi me
vendosë nji qiri ose nji tufë lulesh për kujtimin dhe zbutjen e dhimbjes së
tyne.
Aspekti moral vjen nga fakti se viktimët e persekutimit komunist në Shqipëri
janë kapitali i vërtetë i lëvizjes për liri dhe demokraci. Sakrificat e tyne u
përdorën që në fillim të lëvizjes për demokraci si kapital politik me të cilin
do të ndërtohej shteti i ri dhe do të riformohej shoqnia e re shqiptare. Cili
personalitet politik shqiptar do të kishte pasë guximin me folë për "liri dhe
demokraci" pa iu referue kryesisht rezistencës kundër regjimit komunist? Koha
tregoi se "respekti fillestar" kishte qenë nji hipokrizi groteske, nji
instrument makiavelik me marrë "votat" dhe "pushtetin" nga duet e përgjakuna të
sundimtarëve të kuq.
Ky kapital moral u grumbullue gjatë dy periudhave historike të vendit tonë. E
para: gjatë viteve të terrorit të kuq, viktimet e persekutimit përballuen me
nji guxim të rrallë dhe për 45 vjet me radhë kamxhikun komunist që dërrmoi
kurrizet e tyne të sfilituna nga vuejtja, tortura, puna e randë e uria e
vazhdueshme, e imponueme në burgjet dhe kampet e çfarosjes në Shqipëri. Aty u
farkëtuen edhe ma mirë karakteret e tyne të shëndosha; aty u betuen për devotshmëninë
e tyne ndaj demokracisë; aty u ushqyen shpresat për nji Shqipëri të lirë dhe
demokratike. Kjo masë e pafaj dhe pa përkrahje u aktualizue në bërthamën ma të
shëndoshë të shoqënisë së lodhun shqiptare.
E dyta: mbas ramjes se turpshme të Perandorisë sovjetike dhe satelitëve të saj,
edhe Shqipëria u rreshtue në mes të vendeve ku, simbas pohimit të udhëheqjes së
saj, sistemi socialist kishte dështue si sistem ekonomik dhe si formacion
politik i imponuem me forcë. Me humbjen e "pushtetit" komunistët shqiptarë u
gjetën si "fajtori pa mbrojtje". Në mes të çrregullimit të plotë, ata pranuen
nevojën për ndryshim rranjësor... por ngulën kambë që këtë ndryshim ta bajshin
"ata" vetë dhe jo "të tjerët", kundërshtarët e tyne. Kjo u arrijt në përqindje
të madhe, me bashkëpunimin e grupeve oportuniste që u transformuen mbrenda nate
nga "persekutues" në "viktima të persekutimit" dhe "bashkëvuejtës", me programe
të përcaktueme nga "klika të fuqishme sekrete".
Por, në kaosin e viteve 1991 dhe 1992 ekzistonte mundësia e shpërthimit të nji
vale hakmarrjesh, individuale dhe kolektive "alla-partizançe"! Kjo nuk ngjau!
Me gjithë vuejtjet e mëdha "ish-të persekutuemët" me përjashtime shumë të
rralla- deklaruen besimin e tyne të thellë në "shtetin ligjor" dhe bindjen e
tyne se tradita e hakmarrjes politike që komunistët shqiptarë kishin ushqye për
45 vjet me radhë ishte nji qëndrim antinjerëzor, antikombëtar dhe thellësisht i
pamoralshëm.
Këtu qëndron epërsia morale e ish-të përndjekurve, sot të harruem! Përbuzja e
urrejtjes dhe hakmarrjes, e padrejtësisë dhe afërmimi i viktimave me u qytetnue
në nji shtet e nji shoqëni që rregullohet dhe vepron me ligje përban fitoren ma
të madhe të mbas viteve 1990. Me
këtë qëndrim, Shqipëria fitoi nji dimension të ri moral.
Sot, ky qëndrim dinjitoz kritikohet ma së shumti nga fajtorët e padënuem, nga
të gjithë ata që duhet të kishin dalë para gjyqit me u përgjegjë për krimet
makabre të sundimit të tyne, qoftë si pushtet, qoftë si urrejtje personale.
Akoma ma keq: viktimët sot nuk përfillen as nga "pushteti" që mori karriget në
sajë të sakrificave të këtyne të persekutuemëve që vuejnë shumë... e që detyrohen
me shpallë grevën e urisë, nji formë ekstreme e protestës!
Kjo vërtetohet edhe nga heshtja e plotë e udhëheqjes politike, sidomos e asajë
të PD-së. Presidenti, Kryeministri heshtin. Kryetarja e Kuvendit thotë "nuk kam
gja me thanë për grevistët". Ministria e Financave thotë se "veprojmë simbas
ligjit". Katër grevistë kanë përfundue në spital me rrezik jete. U desht nji
vizitë e ambasadorit amerikan Arvizu dhe dinjitarëve të akredituem në Tiranë me
tërheqë vëmendjen e nji shoqënie shqiptare flegmatike..., por jo të autoritetit
të pandërgjegjshëm.
Kur do të zgjohet nga gjumi i randë ku ka ra shoqënia shqiptare? Kjo gjendje
amullie, ashtu si uji që nuk lëviz, me frikëson!
Vëllazën e motra shqiptare, të pafajshëm dhe të pambrojtun: ju meritoni
respektin e të gjithëve. Unë jam sot me ju shpirtënisht, me të drejtën tuej që
mohohet, me aspiratat tueja që përbuzen dhe shpresën tuej se do të vijë dita
kur ata që gëzojnë kapitalin e vërtetë moral të shoqënisë shqiptare, dhe
fëmijtë e tyne do të ndërtojnë Shqipërinë e lirë dhe demokratike që dëshirojmë.
Ky ashtë nji proces i vonuem në Shqipëri, por i pandalueshëm. Për këtë unë jam
i sigurt!
Ridgefield, CT
(Autori ka qenë i burgosun politik në Shqipëri 1946-1956)