«Demokracia është sistem ku popujt sundojnë mbi veten», kështu ëndërron
filozofi italian Giorgio Agamben. Këtë konstatim ai e jep në suaza të debatit
mbi demokracinë (Demokracia; Berlin, 2012) që u zhvillua ndër intelektualët dhe
akademiket Alain Badiou, Daniel Bensaïd, Wendy Brown, Jean-Luc Nancy, Jacques
Rencière, Slavoj Žižek e të tjerë. Që të gjithë këta profesorë të
universiteteve kryesore të perëndimit. Shumica e tyre teorizojnë rreth
potencialeve dhe defekteve që demokracia ka si sistem politik. Defekti kyç i
këtij debati është se s'ka fare të bëjë me terrenin, me sistemet politike në
praktikë; qoftë në vendet që sillen si zbuluese të demokracisë e qoftë në
vendet që e preferojnë atë për çështje të natyrës kozmetike.
Po u bëmë një analizë qoftë ajo nga distanca dhe sipërfaqësore demokracive
europiane pa u djersitur fare lokalizojmë megakonfliktin ndërmjet demokracisë
dhe lirisë së kolektivave të caktuara brenda një shoqërie: shumica mbyt
gjithmonë shumicën tjetër!
Problemi merr pamjen e Drakulës sidomos në vendet me blloqe të armiqësuara
etnike. Maqedonia është ndër rastet më tipike ku debatet dhe teoritë e të
mençurve të oksidentit as buzët nuk i lagin dot e lere më të pinë ujë.
Analitikët që mendojnë se në shtetin ballkanik gjithçka ecë nga mbrapa për
arsye të konflikteve të natyrshme ndëretnike kanë pjesërisht të drejtë, mirëpo
me këtë ata favorizojnë, potencojnë kulmin pa u marrë me themelin e problemeve.
Në të vërtet Darkula nuk janë diferencat etnike të cilat do të jenë gjithmonë
por shteti vetë.
Koalicioni: Gruevski dhe Ahmeti
Prandaj analiza e BE-së nuk duhet të nis nga prizmi vetëngushëllues mbi
përçarjet në baza etnike. E para për arsye të përvojës që na sjellin lapsat e
laboreve të politologjisë mbi sistemet politike, të cilat unisono konstatojnë
se në bazën e çdo konsensusi duhet të jetë liria e barabartë operacionale e
gjithë aktorëve (të gjithë faktorët me të drejtën e barabartë konstitucionale)
dhe e dyta; për shkak të faktografisë nga historia e demokracive e cila bindë
se shumica e problemeve ndëretnike dhe konflikteve tjera kulturore janë zbutur
me instalimin sa më konsekuent të demokracisë dhe shtetit ligjor.
2. POZAT INFANTILE TË SHTETIT
Maqedonia deklarativisht ka pranuar se është në udhë të instalimit kualitativ
të demokracisë, shtetit ligjor dhe lirive fondamentale të njeriut. Këtë ajo e
ka bërë për arsye se donë të jetë pjesë e BE-së. Saherë që fluturon ndonjë
telegram qortues nga Brukseli në Shkup përgjigja ka të njëjtën përmbajtje;
etnia tjetër bllokon! Këtë e bëjnë të dyja palët. Me të drejtë. Kështu është,
mirëpo kjo nuk ka pse t'iu interesojë instancave të BE-së. Parakushtet që BE i
ka vënë Maqedonisë për t'u bërë anëtarë e këtij forumi kontinental në asnjë
pikë të tyre nuk kërkojnë që dy etnitë të martohen ndërveti nga dashuria.
Kërkesat kanë të bëjnë eksplicit me shtetin ligjor, të drejtat e njeriut dhe
demokracinë liberale (tregun e lirë). Përgjegjës për implementimin e tyre është
shteti. E ai jo që nuk është imanent në këtë drejtim, por bën faca infantile
sepse është i bindur se BE ka gabuar kahen e analizës. Ose ta shpjegojmë gjithë
këtë më deklamimin e një zyrtari gjerman të Bashkimit Europian: «Ne shohim atje
vetëm atë, që ata duan të shohim». Me këtë ai nuk aludon vetëm te qeveria e
Nikolla Gruevskit, por tek të gjithë, shteti, shoqëria civile, partitë, mediat
e kështu me radhë.
Analiza duhet të jetë pra; cilat janë arsyet që shteti me sjelljen e tij
saboton demokracinë liberale dhe shtetin ligjor? Nëse dikush nuk donë të
spekulojmë, atëherë le të vigjilojë trurin dhe le tu fus zjarrin ndërkëmbë
observatorëve që të dalin nga zyrat komode për të parë edhe atë «që ata nuk
duan që ne ta shohim», pra devijimet e qëllimshme në praktikë.
3. KORRUPSIONI MATERIAL
BAZA. Në Maqedoni si në shumicën e vendeve të Ballkanit korrupsioni ka
traditë të thellë. Është një lloj tradite «kulturore» gjatë këmbimit të
shërbimeve. Mjekët, policët dhe gjithë zyrtarët e burokracisë shtetërore nuk
kryejnë punë pa «ryshfet». Kjo ndodhë që nga drama kur njeriu pret korridoreve
të spitalit duke dhënë shpirt e deri tek sigurimi i targave të veturës. Nëse
një mentalitet e merr këtë si bazë normale komunikimi, atëherë ai nuk zotëron
me të drejtën morale të kritikojë shtetin se një gjë të tillë e zhvillon me të
madhe. Principi është i njëjte. Njëra mban peng tjetrën.
Masa me këtë korrupton sistemin nga baza dhe partitë në vend që ta luftojnë atë
e shfrytëzojnë për të trashur rrjetet operative për sigurim të elektoratit dhe
për aksione tjera parapolitike. Partitë e dala nga ky mentalitet qeverisin
vendin me të njëjtën metodë. Natyrisht në një masë më gjigante dhe të
organizuar.
PARTITË DHE SHTETI. Një qeveri e dalë nga ky sistem koekzistence ka detyrime.
Pothuaj shumica e partive politike në Maqedoni sponsorizohen nga firma
pasanikësh që ekonominë e tyre e kanë ndërtuar dhe e mbajnë në sajë të rrjeteve
të korruptuara (ndryshe nuk funksionon). Nga këtu mund t'i kuptojmë edhe
ndërhyrjet brutale të shtetit ndaj firmave të caktuara (të cilat përkrahnin
konkurrencën politike) si dhe favorizimet e pakufishme ndaj të tjerave. Në
Shkup e gjithandej sapo të pyesësh për pronësinë e ndonjë kompleksi menjëherë
të thuan se i takon «nipit të Gruevskit», sapo të kërkosh informata se kush
është drejtor doganash të thonë «është daja i Gruevskit», kur pyet kush është
menaxheri i shitblerjeve të armëve të rënda për shtetin ta presin; «mixha i
Gruevskit». Të njëjtat përgjigje i merr kur pyet në Shkup, Tetovë a Gostivar,
kryesisht të njëjtat përgjigje; nipi i Ali Ahmetit, tezaku i Nevzat Bejtës,
mixha i Likës, i Radikës e kështu me radhë.
Nëse qeveria maqedone, bashkë me koalicionin, do të ishte e detyruar të përdor
kontrollin e kërkuar ligjor kundër këtyre formave korruptive, atëherë ajo
patjetër se do të përfundonte e para në bankën e të akuzuarve. E kush sjell veten
vullnetarisht para gjyqit?
4. KORRUPSIONI IMATERIAL
Një segment tjetër, që ka të bëjë pjesërisht edhe me mendësinë arkaike të
etnisë dhe gjakut, është privilegjimi i të korruptuarve nga rrethi i fisit dhe
etnisë. Nëse një ministër i përkatësisë sllave apo shqiptare mund ta sigurojë
një «biznesmen» të gjakut ai pa kalkuluar shumë do ta zgjedh «natyrshëm» atë.
Pra këtu bëhet çështja imateriale. Formë, e cila përdoret edhe në politikën e
ndarjes së buxheteve për komunat dhe rajonet. Një kryeministër maqedonas bën
çmos që subvencionet e lëshuara nga institucionet ndërkombëtare t'i drejtojë në
ato vende ku jeton etnia e tij e jo për të luftuar skamjen e gjithë shoqërisë
me një çelës të barabartë shpërndarjeje.
5. KRIZA MATEMATIKORE E BE-SË
Këtu paradoksalisht, edhe pse BE është e detyruar të protestojë, ose të
bllokojë disa nga projektet që i financon dhe «monitoron» heshtë. Qëndrim që të
bën të dyshosh në mos edhe projektmenaxhuesit nga Bruksel janë të përzier në
diçka të dyshimtë. Jo, na thonë. Dakord atëherë nga ku toleranca ndaj
korrupsionit. «Tash kemi filluar të bëjmë analizat e duhura» na thotë njëri nga
përgjegjësit. Tjetri që i ri pranë del një çik më i mençur «Ama ndoshta i hanë
gjitha paret deri sa t'i bëjmë analizat». Më në fund një me tru. Se tjetri
është për dru thonë pollogasit.
6. UDHËZIMI PËR BLLOKIMIN EFEKTIV TË DEMOKRACISË
Ndoshta defekti kryesor i reflektimit në BE ka burimin në teoritë e Agamben-it,
Rencière-s me kompani. Sepse madje nuk ka nevojë edhe për gjithaq filozofi për
tu përballur me realitetin. Mjafton që të analizojmë katalogun e parimeve
themelore të demokracisë ligjore me praktikën e shteteve të Ballkanit dhe
shohim se gjithçka është kundërproduktive, lehtë dhe pa shumë zgjuarsi zbulojmë
se vetë shtetet, qeveritë sabotojnë sistemin, përparimin. Bindemi se veprimi
praktik i koalicionit qeveritar në Maqedoni është një Doracak efektiv për
shkatërrimin e shtetit. Arsyeja është e qartë. Ata gjenden ndërmjet dy
alternativave: ose korrupsionin ose demokracinë ligjore. Të parën kanë zgjedhur
dhe nuk e lëshojnë kurrë. BE le të vazhdojë të flejë ose të ëndërroje keq
ëndrra greke.