VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - GLOBALIZMI HAPËS PËR NJË MENDJE TË MBYLLUR Nga Dr. PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Shtunë, 10.12.2024, 08:59pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
GLOBALIZMI HAPËS PËR NJË MENDJE TË MBYLLUR
Nga Dr. PËRPARIM KABO

E Enjte, 12.27.2012, 12:14pm (GMT+1)



Shoqëritë e sistemit komunist në vendet që quheshin të Lindjes, së bashku kishin sajuar një lloj globalizmi që ngjante me rrathë koncentrikë. Më i ngushti prej tyre ishte ish-kampi socialist, pak më i gjerë se ai ishte solidariteti që bartte bashkimin e proletarëve në të gjithë botën dhe i treti, ai me diametrin më të gjerë, ishte rrethi që përfshinte popujt e të gjithë botës -popujt e varfër të botës së tretë, popujt socialistë dhe popujt e vendeve kapitaliste, të cilët, sipas propagandës marksiste-leniniste, ishin të shtypur.
Një konstruksion i tillë, ku rrathët lëviznin dhe artificialisht krijonin një pengesë për imperializmin, i mori shoqërisë njerëzore disa dekada që nga Revolucioni Bolshevik i Tetorit më 1917-n e deri në rënien e Murit të Berlinit.

Kjo strukturë sociale, politike dhe ekonomike përdori instrumentet e saj që nga Traktati i Varshavës, homologe e NATOS në botën komuniste, dhe KNERI-n, hija e pasuksesshme e Tregut të Përbashkët Evropian të djeshëm, që sot quhet BE.

Bota komuniste krijoi kësisoj bipolarizimin dhe klimën e luftës së ftohtë, por në një këndvështrim tjetër ishte goditur ekzistenca globale e shoqërisë botërore, sepse sistemet e kundërta ekonomike e shoqërore kishin kthyer në institucione, me duar gati të lidhura, ato ndërkombëtare.

Edhe brenda tyre luftohej nga pozicione ideologjike, ndaj marrëdhëniet ndërkombëtare bartnin konflikte që të kujtonin pragluftërat botërore, pasi ato lokalet nuk munguan.

Është për këto arsye themelore që shembja e sistemit komunist u ndesh e u bashkëshoqërua edhe me një sfidë tjetër, me globalizmin. Shoqëritë e ish-vendeve komuniste po dilnin nga këmisha e kërmillit, nën habinë që krijonte ky realitet universal, me konceptet e tij, me marrëdhëniet, filozofinë e jetës, si dhe mekanizmat lëvizëse gjithfarësh. Hapja ishte liri dhe sfidë e lirisë. Ishte demokraci dhe sfidë e demokratizimit. Ishin të drejta të njeriut për njerëz që do t'u duhej ta kuptonin thellësisht se në ç'raport do të duheshin të ishin me shtetin dhe sovranitetin individual të deleguar tek ai apo të vetëmbrojtur prej tyre brenda ligjit. Kryesfida ishte kulturore, si kultura juridike, demokratike dhe e tregut. Njerëzit do të humbnin kujdesin e shtetit komunist.

Globalizmi do të kalonte nga vetëdija njerëzore kolektive dhe individuale e njerëzve që kishin përjetuar një izolim të gjatë e të frikshëm, dhe nuk kishin pasur fatin të mendonin për veten në mënyrë të lirë, të pacensuruar e të ideologjizuar. Kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe ecuria e këtyre vendeve, ritmi, arritjet, ndalesat, kthimet pas dhe degradimet, janë të ndryshme.
Aq sa gjurmë kishte lënë sistemi diktatorial, aq vështirë është të shkëputesh prej tij.

Sa i prapambetur të kishe qenë në shoqëritë parakomuniste aq kosto historike do të duhet të vijosh që të paguash. Sa më shumë gabime të kesh bërë në periudhën e tranzicionit për shkak të keqkuptimeve me demokracinë dhe me lirinë, aq më shumë do të vonohesh të mbërrish atje ku je nisur në krye të herës kur viti numëronte 1990. Dhe kjo është fatale në Shqipëri, kur në 20 vjetorin e 8 dhjetorit simbolik, dikush me peshë dhe kontribute në këtë histori shqiptare dydekadëshe, deklaroi solemnisht me sinqeritet:"Portat u hapën, por ne rrugën nuk e dinim".

Globalizmi i sotëm, qoftë si reshtim e rirreshtim tregjesh, qoftë si zgjerim e institucionalizim vendimmarrës, si dhe cedim nga sovraniteti kombëtar, por qoftë edhe si globalizëm kulturor e etnoreligjioz, kanë bërë që antropologjia globale dhe sistemi botëror të jenë në rishikim parimesh, që deri dje mund të ishin quajtur aksiomatike. Në rivlerësim të rrjedhave globalizuese, të cilat nga njëra anë zgjidhin kontradiktat e bartura dhe, në të njëjtën kohë prodhojnë kontradikta të reja, shumë më të thella e me një kosto historike, e cila përqaset nga nacionalizmi i tregjeve, deri te seleksionimi i emigracionit, nga pasiguria e brezave të rinj për punësim të sigurt, deri te ndeshjet globale për tregjet e energjisë dhe të ardhmen e këtij ingredienti fondamental, që e ka vënë njerëzimin përballë një lloj dileme të ekzistencializmit pozitiv, duke marrë formën e etnoreligjionizmit të naftës dhe terrorizmit antiimperialist. Globalizmi nuk është një "green house", që të rregullon vegjetacionin, pavarësisht nga stina natyrore. Ai ka probleme fondamentale, që e kanë çekuilibruar shoqërinë. Ndaj, kundra tij është lëvizja antiglobale. Përballë Forumit Botëror të Ekonomisë në Kras Montana funksionon edhe forumi botëror për problemet sociale, që e lëviz selinë kudo në botë.

Në këtë oqean problematik përpiqet të notojë edhe Shqipëria, vendi më i varfër i Europës, i fundit që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe i fundit që provoi të shkëputej nga shoqëria komuniste e diktaturës së Enver Hoxhës, i cili kishte vdekur më 11 prill 1985, por, megjithatë, njerëzit kishin frikë të mendonin se sistemi mund të ndryshonte. Siç nënvizon Erich Fromm, "ata që merren me të kaluarën, dhe jo me ndërtimin e së ardhmes, kanë frikë nga liria".

"I fundit i mohikanëve", sekretari i parë i Partisë së Punës dhe president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, deklaronte në hyrje të viteve 90 të shekullit të kaluar se "Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim".

Por çfarë ishte atëherë? Mbetej të ishte vetvetja, një ambient i izoluar njerëzor dhe natyror, ku kalimi i kufirit shtetëror paguhej me jetën, dalja në ekonominë botërore duke marrë kredi, konsiderohej shitje e atdheut; kultura e popujve të tjerë stigmatizohej si degjenerim ideologjik dhe moral, ndërsa ëndërrimi për një jetë më të mirë, si në botën perëndimore, keqvështrohej si një sakrilegj, sepse "tradhtoheshin parimet dhe mund të humbej atdheu".

Njerëzit ishin të kufizuar të mendonin me kokën e tyre dhe të ëndërronin për fatin individual, të inspironin për një botë më të gjerë, duke lëvizur lirisht, por edhe për të vizituar vendet e tjera, qoftë edhe si turistë.

Antropologjia shqiptare do të duhej të kishte fatin e sistemit ,"të vdiste bashkë me të", si një grup beduinësh që kishin mbaruar rezervat ushqimore dhe ujin e pijshëm, mu në mes të shkretëtirës sociale, "Shqipërisë Socialiste", ku në fund të shekullit XX ushqimet jepeshin me racion dhe një familje ushqehej me një kilogram mish në javë, me 10 kokrra vezë dhe dy litra qumësht në ditë. Për një popull të tillë liria, të drejtat e njeriut, demokracia pluraliste apo sistemi gjyqësor i pavarur dukeshin si një kod absurd, i cili nuk mund të shpjegohej nga askush.

Rënia e komunizmit, që u sigurua nga revoltat e studentëve dhe nga tërheqja e Ramiz Alisë, kulmoi kur mijëra njerëz u futën më 2 korrik 1990 në disa ambasada të huaja dhe, pas disa ditësh u nxorën jashtë Shqipërisë me anije nga vendet europiane.
Varfëria e tejskajshme, izolimi gati inkuizitiv, lufta e tmerrshme e klasave, shkatërrimi i ekonomisë kombëtare për mungesë financimi, mungesa e lirisë së besimit fetar, burgjet e tmerrshme dhe dënimi me heqja të lirisë për fjalën e lirë, përmes Nenit 55 të Kodit Penal komunist, që të dënonte për agjitacion, propagandë etj., kishin krijuar një pakënaqësi të tmerrshme te pothuajse e gjithë shoqëria.

Ndaj, kur komunizmi u dorëzua dhe pluralizmi u bë realitet me krijimin e Partisë Demokratike, ajo "çka binte në sy dukshëm ishte një masë njerëzore e çoroditur që u grumbullua pas energjisë anarkiste", të prodhuar nga gjendja dhe psikoza e pakënaqësisë, që bashkonte dhe derdhte urrejtjen për jetët e humbura, për fatet e braktisura, për keqpërdorimin antihuman të jetës dhe garancive sociale të saj.

Pikërisht në ato momente delirante, sistemi i djeshëm gabimisht u identifikua jo në pak raste edhe me investimet ekonomike dhe sociale, të kryera gjatë ekzistencës së tij. U harrua se atdheu ishte bërë komunist prej sistemit dhe nuk ishte i tillë nga vetvetja.
Atdhe nuk ishte vetëm peizazhi natyror dhe pasuritë e tij të mbitokës dhe nëntokës, por gjithçka që e bën një vend dhe një shoqëri të quhej shqiptare, dhe jo diçka tjetër, që nga mendimi dhe mendimtarët, shkollat dhe shkollarët, letërsia, artet, kultura dhe shkenca, prodhimi dhe shërbimi ushtarak dhe deri tek arshivat dhe dokumentacioni zyrtar, gjykatat dhe organet e drejtësisë, në përgjithësi. Duke mos e kuptuar se shoqëria dhe shteti, administrata dhe institucionet do të ruheshin duke u reformuar e do të ribëheshin duke funksionuar dhe duke i respektuar si autoritete, që kishin të bënin me atë që thirret aspekti natyror i shtetit; pakënaqësia goditi edhe shtetin. Shoqëria u përfshi nga anarkia.

Ngatërrimi i shtetit të Diktaturës së Proletariatit me çdo lloj shteti, edukimi juridik i munguar dhe kuptimi i shtrëngimit juridik si frikë nga shteti, dhe jo si detyrim përballë ligjit, ku të gjithë jemi të barabartë, prodhoi një periudhë ku voluntarizmi popullor u bë vendimmarrës.

Ky autoritet i padrejtë vijon edhe në ditët tona ta cedojë shoqërinë institucionale nga argumenti i ligjit dhe autoriteti i tij. Turmat llogariten si bastione votuesish dhe kompromisi për vota rëndon mbi zhvillimin normal dhe administrativ të shoqërisë. Pjesa serioze dhe civile e shoqërisë ka mbetur e pafat, e papërfillur dhe në jo pak raste e pakonsideruar.

Atdheu përballë anarkisë gjithnjë bjeret, sepse anarkia është turma e pakënaqur dhe që e ka humbur toruan, ndërsa atdheu, si shteti dhe mekanizmat e tij, aso kohe në hyrje të sistemit demokratik, jo vetëm që ishin të tulatur, por qenë edhe të përbuzur, të urryer e të mallkuar. Parulla e folkpropagandës ishte dhe mbetet se ky vend nuk bëhet, ndaj, ose të ikim, ose ta braktisim duke ndenjur këtu. Situata polli handikapët politikë që, për fatin tonë jo të mirë, vijojnë edhe sot e gjithë ditën të jenë prezent në jetën politike.

Lindën të konvertuarit politikë. Komunistët "u veshën brenda natës socialistë", antikomunistët dhe komunistët arrivistë u "gdhinë me kostumin e demokratëve". Dhe sot pas kaq vitesh partitë politike dhe strukturat e tyre e forumet janë të përbëra po nga të njëjtit njerëz, që kanë udhëtuar në dy drejtime të kundërta. Janë zbrazur në idealizëm dhe janë mbushur me pasuri që të tremb nga sasia dhe të bën të dyshosh nga burimet e mundshme të sigurimit.

Mbetja në krye të partive të të njëjtëve njerëz, është gjurma e fundit e orientalizmit shqiptar, qoftë si mentalitet, qoftë si antropoinstitucionalizëm. Ky frenim është ngurtësimi ynë fatal.

Nuk lëviz mentaliteti, ndaj dhe globalizmi dhe multukulturazimi janë përballë një muri që nuk e epet. Sa larg asaj që mëton në librin e tij të sapo botuar Nassim Nicolas Taleb, titulluar: "Antifragile". Autori nënvizon se ka tre lloj sistemesh: Fragile, Robust, dhe Antifragile.

Më i miri është jo robusti sepse ky është një term inxhinierik, as fragili, që i ka te prishur balancat e futjeve dhe daljeve. Sistemi më i mirë është antifragile, i cili nga gabimet (si mund të bëj një shoqëri ajrore që humb një fluturim dhe jetë njerëzish,) ndërton një sistem të ri mbrojtjeje për të prevenuar atë që nesër të dëmton. Ne kemi mbetur të ngurtësuar tek mbajtja peng e atdheut tek të njëjtit njerëz, që kanë shtuar dy ingredientë, injorancën e dukshme sepse kanë mbetur tek parullat e 1990-s dhe antiparullat me demek opozitare, dhe pasuritë e tyre vrastare ndaj fatit komunitar, sa kohë që ka ende fëmijë të zbathur që hanë bukë misri me krip!

Në Shqipëri nuk kishte pasur disidencë, as të hapur, as të fshehur, as fragmentare, as të organizuar, as brenda e as jashtë vendit. Kjo bëri që njerëzit pa bosht kurrizor të rimerrnin flamujt e ndryshimit dhe të sjelljes së demokracisë. E shohim këtë tablo jo vetëm në politikën aktive por edhe në shoqërinë civile. Shikoni me vëmendje, janë të njëjtit "vemje" që i janë qepur "Shoqërisë Civile" dhe në atë heshtjen e tyre të pështirë, bëjnë pará, sigurojnë poste për familjarët, dhe spiunojnë si dikur, profesion që e dinë shumë mirë, pasi falë tij ata erdhën nga hiçi dhe janë bërë VIP-a. Mediatarë janë bërë milionerë ndaj fjala e lirë është e rrezikuar nga dhjami i "derrit të kënaqur ". Sokrati tregohet me gisht si i dënuari që dëmton rininë sepse përdor fjalën "Kopis" që në greqishten e vjetër do të thoshte edhe hanxhar, por edhe gënjeshtar! Medet! Shqipëria nuk pati as Les Valesa, as Arpad Gënz, as Vaclaf Havel.
Regjimi komunist kishte krasitur inteligjencën e vjetër, artistët dhe shkrimtarët, elitën ushtarake dhe çdo lloj "kalorësi individual". Fryma otomane e kokës së prerë bashkëshoqërohej edhe me persekutimin familjar. Ndaj, fillimvitet 90 të shekullit që lamë pas ishin kohë e heroizmit me heronj dhe ideatorë të munguar, në kuptimin e një bërthame të organizuar e të qëndrueshme.

Edhe nëse gërmohej në parasistemin komunist, nuk mund të takoje në ndonjë shtresëzim socialpolitik që mund të merrte drejtimin e vendit. Sistemi mbretëror i Mbretit "Zogu I" nuk jetoi gjatë dhe nuk pati krijuar ndonjë klasë politike të qëndrueshme.
Ai sistem dhe kontributi i mbretit kishte qenë, tek e fundit, shndërrimi i vendit nga një shoqëri fisnore në një njësi administrative. Antikomunizmi në tranzicionin shqiptar u identifikua me demokracinë, anarkia u njësua me lirinë, antirregulli u pa si e drejta për ndryshim, populizmi si institucioni suprem vendimmarrës. Shoqëria e hapur pati fatin të kishte në Shqipëri një misionar si Fondacioni Soros, i cili investoi në Shqipëri me grande falas për arsimin dhe komunitetin 57 milionë dollarë amerikanë. Por një gjë ende nuk u krijua: kuptimi i drejtë dhe shkencor për shoqërinë e hapur. Antropologjia shqiptare, në një shqetësim dhe padurim anarkik, e ngurtë në takimin e një ëndrre të paqartë, u soll shumë ashpër me lirinë. Ajo u pa ose si lojë pa kufij, ose si mbulesë mbi stoicizmin e një fanatizmi arkaik që ruante tradicionalizmin e djeshëm, ku ndryshimet pranoheshin me fjalë, por në realitet impakti i ndryshimit ishte i cekët dhe shpesh jo real. Nuk është krijuar ende mentaliteti që e sheh lirinë si shtëpinë tonë të përbashkët, me rregulla ligjore dhe autoritet institucional.

Nuk kuptohet se shoqëria e hapur nuk është shoqëria e shqyer për ta braktisur në masë atdheun, por është shoqëria e hapur për ndryshim, duke e vlerësuar këtë proces si vetëndryshim, si investim vlerash të reja, tek e pasmja, si ngritje të një institucionalizimi të ri ekonomik, social, politik religjioz, kulturor dhe edukativ.

Ka një numër jo të vogël njerëzish që ende edhe anëtarësimin e vendit në BE e kuptojnë si mundësi legale për largimin përfundimtar nga atdheu dhe strehimin në Europë. Ose më keq akoma, Europa të na japi "ushqim monetar" dhe ne të prishim pa hesap dhe pa kthim kredish, sepse në fund të fundit, ç'jemi ne për ata, një pikë në oqean. Të marrim ç'të marrim se kthimin e restit do ta bëjnë të tjerë! Kjo është fatale. Është honi ku mund të biesh në rënie të lirë. Sovraniteti tregjeve është po aq i rëndësishëm sa i integritetit territorial.

Mungesa e gjatë e lirisë, si frymëmarrje natyrore, si mekanizëm bashkëjetese dhe instrument që zgjeron kufijtë e të vepruarit me ligj, qëllimi i të cilës është rritja e të drejtave të njeriut dhe realizimi i tyre me tipar dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin, nuk kish se si të mos kishin lënë gjurmë. Kuptimi jo i qartë për lirinë dhe, në shumë shtresa të shoqërisë i paqartë e i gabuar, patën dhe vijojnë të kenë kosto të dyanshme.

Komprometuan hapjen me jashtë dhe përfshirjen në rrjedhat globalizuese në botë, nga njëra anë. Nga ana tjetër, u goditën rregulli dhe institucionalizimi brenda vendit. Sot Shqipëria ka jo vetëm informalitet në tregun e punës, por zona informale rreth qyteteve, fenomen ky i patakuar në këto përmasa gjëkundi. Kulmi arriti me firmat huamarrëse piramidale 1992-1997, të cilat, duke sfiduar sistemin bankar në Shqipëri, pasi 70-80 për qind të parave në qarkullim lëvizën jashtë kontrollit të bankave, sollëm si pasojë ngjarjet tragjike të vitit 1997, ku 25 mijë familje humbën shtëpitë e banimit, 2 000 veta humbën jetën dhe miliarda dollarë pasuri e njerëzve dhe kursime të emigrantëve jashtë u zhdukën në këto skema, të cilat rezultuan të pleksura edhe me mafien rajonale e më gjerë, por edhe me shumë politikanë aktiv që krenohen sot kur deklarojnë pasuritë se fal aftësive të tyre kanë ditur të luajnë në bursa dhe të kenë fituar këtë pasuri monetare që zotërojnë. A thua se bursat janë kooperativa bujqësore e Bradasheshit, ku mund të merrje çfarë të doje si aga i vogël që ishe. A thua se këta gënjeshtarë nuk e kuptojnë se çdo gjë në bursat dhe në bankat, është e regjistruar dhe informacioni kudo në botë shkon edhe tek shërbimet inteligjente. Së paku more mjeranë të parasë, gjeni një gënjeshtër me të hairit, sepse jeni pjesë e antropologjisë që thotë:" Di të vjedhësh, po. Di të fshehësh, jo. Epo nuk dikërke të vjedhësh atëherë mor qyqar". Një popull dhe një qeveri që nuk kujdesen për paratë, qartazi provojnë se nuk kanë kuptuar ABC-në e kapitalizmit dhe lirinë e iniciativës së lirë në treg. Humbësi i parasë ose nuk ka xhep, ose nuk ka mend. Kjo ishte goditja e parë që u tregoi shqiptarëve, popullit dhe klasës politike se liria e tregut nuk është anarki, dhe se kapitalizmi dhe demokracia nuk janë në muajin e mjaltit gjithnjë. Kapitalizmi ishte menduar tek ne, si sistem pa sfida ku pasuria vihet pa mund, ku shteti dhe ligji nuk kanë rëndësi, ku voluntarizmi i verbër është iniciativë e lirë dhe frutdhënëse. Politika zyrtare ishte verbuar nga pushteti dhe iu desh të paguante faturën e parë të inkompetencës, që kishte rrjedhur nga keqinterpretimi i antikomunizmit, duke e njësuar me kapitalizmin. Proverbi klasik se prona private përbën 9-10 të ligjit nuk njihej në Shqipëri.

Ndaj pronës filloi sulmi, si në një skenë me piratë. Pronat publike shtetërore dhe të grupit u grabitën nga kush mundi, por edhe pasuritë e individit, sidomos toka dhe trojet, u morën nga të ardhurit prej zonave të largëta dhe shumë të largëta të vendit. Në Tiranë dhe qytetet kryesore është krijuar një brez getosh që e kanë shndërruar Shqipërinë në dy Shqipëri. Tirana, kryeqyteti i vendit, dhe qytetet kryesore të mbipopulluara, jo vetëm me popullsi, por edhe me problematikë, si papunësia, varfëria, mungesa e shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera, si zona urbane të helmuara me krim dhe problematikë të rëndë në gjirin e vetë familjes, që nga divorci, dhuna dhe krimi brenda saj. Pra, si të thuash, në një ambient shoqëror, ku "mesatarizohet liria e individit". Kjo, nga njëra anë. Nga ana tjetër, qytetet e tjera të rralluara, zona të tëra të zbrazura, ku jetojnë vetëm pleq të pazotë dhe pemët. Me dhimbje duhet thënë si shqiptarët u nisën në krye të viteve 90 për ta gjetur lirinë jashtë Shqipërisë, dhe atje gjetën statusin e emigrantit me tërë problematikën që ai bart. Brenda vendit e kuptuan lirinë si largim nga vendbanimi tradicional historik dhe u dyndën drejt qyteteve, ku ndeshen sot me pozicionin e një antiligjori. Ka zaptuar tokën e tjetrit dhe, për pasiguri të kushteve minimale të jetesës është shndërruar në masë antropologjike që ushqen informalitetin, me gjithë dritëhijet dhe pasojat që rrjedhin prej tij. Që nga sigurimi i jetës deri te sigurimi i shëndetit, që nga sigurimi i punës legale deri te sigurimi i pensionit të pleqërisë.
Sistemi kapitalist, si sistem vlerash universale, i gjeti shqiptarët të papërgatitur, ndërsa globalizmi, si shoqëri që hapet drejt ndryshimit, i gjeti të paditur, gati të verbër, si njerëz që nisen për një rrugë pa hartë, pa busull dhe pa ndonjë manual në torbë.
Kur vet shoqëria globale nuk është uniforme dhe tregu e demokracia nuk ecin në të njëjtat shina, është e kuptueshme se sa vështirë e ka një shoqëri si jona, që ekonominë e ka të brishtë me financa që vuajnë nga "pneumonia", tregun e ka jo të harmonizuar si prodhim-konsum, sistemin bankar e monetar gati infantil, kulturën globale të pa qartë e të munguar shpesh, dhe strategjitë kombëtare për ndërtimin e një elitarizmi të ri e të kualifikuar e ka në marsh në hapa të vegjël dhe më shumë dekorativ.

Globalizmi është hapje, por se dalja tek ai është hedhja në rrymë dhe pafuqia është as më shumë e as më pak, mendja dhe mentaliteti yt i mbyllur.

Modern dhe aktor të shoqërisë dhe rrjedhave globale, nuk të bën xhaketa e re e snobizmit elitar, as përbetimi dhe angazhimi pa "teklif" se jam gati të bëjë këtë apo atë që lyp me arrogancë tregu global. Ka autorë, shkolla, dhe sisteme të tëra që merren me globalizmin dhe sfidat e tij, siç janë ato: financiare, monetare, etnoreligjioze, të energjisë, të ushqimit, të varfërisë, të ujit të pijshëm, të revolucionit kurrikular, të barazisë gjinore edhe në ekonomi, të problematikës botërore ambientale, etj, etj.

Ne ku jemi aktualisht? Ende pas frëngjisë, si kur edhe bënim dikur që e shihnim gjithë botën por se ajo të mos na shihte! Nga një shoqëri e mbyllur, arkaike dhe konservative edhe mund të dalësh në një shoqëri të hapur dhe globale që dinamizohet çdo ditë. Por se provincializmin dhe mentalitetin e mbyllur që kemi brenda është e vështirë ta lëmë pas, si një relike të kohës së kapërcyer. Të hapësh mentalitetin, do të thotë të kryesh një shndërrim të thellë kulturor edhe për shkaqe të thella historike, si antropologji që nuk e ke kaluar periudhën e revolucionit borgjez dhe të edukimit iluminist dhe civil që krijoi në shekuj shoqëria borgjeze, jemi dy herë të penguar dhe dy herë e më shumë të detyruar. Nga feudalizmi oriental edhe (ai komunist i tillë ishte por me bazë ideologjike) drejt e tek demokracia funksionale, po me ata njerëz dhe po me ato mendësi, nuk kërcejmë dot. Ja përse kemi mbetur varur në "murin e vështirësive" dhe as ulemi poshtë e as kalojmë në anën tjetër. Historia vazhdon.


Dr. PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Nga ditari i gazetares në FacebookKJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA E ËNDËRRAVE TONANga ELIDA BUÇPAPAJ (12.24.2012)
SHQIPËRIA, JASHTË NJË PRAKTIKE TË RE DIPLOMATIKE BALLKANIKENga SHABAN MURATI (12.24.2012)
AVENTURAT ANTISHTETËRORE TË POLITIKËS FOLKLORIKE MAQEDONASENga SHKËLZEN LUSHAJ (12.22.2012)
SHKRUAR MË 21 DHJETOR 2012, NË DITËN E PARË TË EGOS GLOBALENga SKËNDER BUÇPAPAJ (12.21.2012)
BASHKËQEVE​RISJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE E PROBLEMEVE TË SHQIPTARËV​E NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI (12.21.2012)
NJË VIT VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËTNga FRANK SHKRELI (12.21.2012)
ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZENNga FRANK SHKRELI (12.19.2012)
KOSOVA NË KOHËN KUR NUK ËSHTË VËNË ASNJË GUR THEMELI, PO ZIHET NË ANARKINË E LIBERALIZMIT PLURI-PAR-TITISTNga ISUF B. BAJRAMI (12.18.2012)
SERBIA PO SJELL BLLOKUN USHTARAK RUS NË BALLKANNga SHABAN MURATI (12.17.2012)
Show me puç dhe puçista tek 'Darka e gabuar'ABCNEWS, BERISHA , FRANGAJ, TOPALLI, ZOGAJ ETJ.Nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.17.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]