Të martën Kisha Katolike zyrtarisht inauguroi Papën e ri Françeskun para
qindëra mijëra pjesëmarrësish dhe në prani të përfaqsuesve nga më shumë se 132
vendeve, personalitete të larta politike dhe fetare, mbretër, kryetarë shtetesh
dhe përfaqësues të feve të ndryshme, përfshirë edhe ata nga komuniteti mysliman
dhe hebrej. Media botërore vuri në dukje me interesim praninë e udhëheqësit
botëror të ortodoksëve të krishterë, Patriark Bartollomeun, duke shënuar kështu
herën e parë që një udhëheqës ortodoks merr pjesë në inaugurimin e një pape
ç'prej përçarjes së madhe midis Ortodoksizmit dhe Katolicizmit, pothuaj një
mijë vjetë më parë.
Pasi përshëndeti dhe falenderoi udhëheqësit botërorë dhe delegacione të ndryshme
nga mbarë bota si edhe trupin diplomatik, -- në fjalimin e rastit -- Papa
Françesku foli për jetën e përditëshme, për jetën aktuale të të gjithë
njerëzve, me të gjitha të mirat dhe vështirsitë, duke u bërë thirrje udhëheqsve
botërorë dhe të gjithë popujve që të kujdesen dhe të mbrojnë të varfërit. Ai pruri
si shembëll, Shën Jozefin, si mbrojtsin dhe përkrahsin e familjes së shënjtë,
duke thënë të pranishëmve se të gjithë duhet të jemi të tillë, "që të mbrojmë
të tjerët, ashtuqë të mund të mbrojmë krijesën." Me një ton ekumenik, Papa
Françesku u tha të pranishëmve nga e gjithë bota se, "Thirrja për të qenë
"˜mbrojtës' nuk u drejtohet vetëm të krishtërve", pasi, sipas tij këjo fjalë "ka
një dimension që është thjeshtë njerëzor dhe përfshinë të gjithë njerëzit...e që
do të thotë mbrojtjen e të gjithë krijesave, e të bukurisë së botës...do të thotë
respektim për secilin prej krijesave të Zotit, si dhe respektim për ambientin
në të cilin jetojmë." Sipas Papës Françesk, "˜mbrojtës' do të thotë gjithashtu
"kultivim i miqësisë së sinqertë, në bazë të së cilës ne mbrojmë e përkrahim
njëri tjetërin në besim, respekt dhe mirësi. Sepse në fund të fundit, çdo gjë
na është besuar neve që ta mbrojmë, dhe të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen
e krijesave të Perendisë. Të bëhemi, pra mbrojtës të dhuratave të Perëndisë",
tha Papa i ri.
Duke theksuar që "të mos kenë frikë nga mirësia", Papa Françesku u bëri
thirrje, sidomos, "atyre që janë në detyra përgjegjësie në jetën politike,
ekonomike dhe shoqërore si dhe të gjithë burrave dhe grave të vullnetit të
mirë, që të gjithë së bashku të veprojmë si "˜mbrojtës' të krijesës, si mbrojtës
të planit të Perëndisë ashtu siç është skalitur në natyrë, dhe njëkohësisht, si
mbrojtës të njëri tjetrit dhe të mjedisit në të cilin jetojmë."
Duke iu drejtuar personaliteteve të shumëta të politikës dhe udhëheqësve
botërorë, Papa tha se "nuk duhet të harrojmë se fuqia ose pushteti politik i
vërtetë bazohet në shërbimin ndaj të tjerëve", duke shtuar se, "vetëm ata
(pushtetarë) që shërbejnë me dashuri mund të mbrojnë" njerëzit dhe mjedisin.
"Mos të lejojmë që shënjat e shkatërrimit dhe të vdekjes të shoqërojnë
përparimin e kësaj bote", u tha Papa përfaqsuesve botërorë në Vatikan me rastin
e inaugurimit të tij si udhëheqës shpirtëror i Kishës Katolike
Fund javën që kaloi, Papa i ri u takua me përfaqësues të medias nga mbarë bota,
dhe duke i përshëndetur ata me fjalët, "miqë të dashur", ai foli për rolin e
medias, si një rol i pazëvëndsueshëm që ajo luan në shoqërinë moderne në të
cilën jetojmë. Pastaj ai u foli mijëra gazetarëve botërorë të cilët kishin
shkuar në Vatikan për të mbuluar zgjedhjen e tij si Papë -- mbi ato që ai
cilësoi si "treshja e komunikimit", që sipas tij janë: "E Vërteta, Mirësia dhe
Bukuria". Papa Françesku u shpjegoi gjithashtu gazetarëve se si ai erdhi tek
vendimi për të marrë emërin Françesk. Ai u tha atyre se pasi u zgjodh nga
konklava e kardinajve, kardinali brazilian, Claudio Hummes i përshpëriti në
vesh duke i thënë: "Mos i harro të varfërit" Fjala të "varfërit", tha ai, "më
mbeti në mendje dhe në zemër", shtoi ai. Papa u tha gazetarve se menjëherë më
shkoi mendja tek Shën Françesku i Asisit, duke shtuar se, "˜'Shën Françesku
ishte një njeri i paqës, njeri i varfër dhe një njeri që e donte dhe e mbronte
mjedisin....Unë do të dëshiroja një Kishë të varfër dhe në shërbim të të varfërve",
u tha Papa gazetarëve botërorë. Shën Françesku rrjedhte nga një familje
aristokrate, nga jeta lluksoze e së cilës ai qe larguar për të jetuar me të
varfërit e qytetit të tij.
Duke u uruar atyre çdo të mirë në punën e tyre dhe familjeve të tyre, Papa u
kumtoi gazetarëve botërorë, bekimin në heshtje, për respekt shtoi ai, pasi "jo
të gjithë të pranishmit i përkasin fesë Katolike dhe ka të tjerë që as nuk
besojnë. Unë respektoj ndërgjegjen e secilit prej jush, duke ditur se secili
prej jush është fëmij i Perëndisë", përfundoi Papa.
Papa Françesku e përfundoi fjalimin me rastin e inaugurimit të tij dje, me një
mesazh shprese për të gjithë, duke thënë se, "në mes të errësirës së madhe, ne
sot kemi nevojë të shohim dritën e shpresës dhe të bëhemi burra dhe gra që
sjellim shpresën për të tjerët. Për të mbrojtur krijesat e Perëndisë, për të
mbrojtur çdo burrë e grua, dhe duke i konsideruar ata me dashuri dhe dhemshuri,
do të thotë të hapësh një horizont shprese për ta, si një dritë që depërton
retë e zeza, e që sjellë ngrohtësinë e shpresës për të gjithë."
Siç i tha gazetës Washington Post Arkipeshkvi Italian Giancarlo Maria
Bregantini, Papa Françesku, "Nuk të le përshtypjen e një profesori. Ai flet si
një mik i yti. Ai i thotë gjërat e mëdha me një ton të thjeshtë.'' Si i tillë,
shënjat e para duke u bazuar në deklaratat e thjeshta por të sinqerta si dhe
në sjelljet e deritanishme --janë se me inaugurimin dje të Papës Françesk,
gjërat do të ndryshojnë në Vatikan për nga stili po se po, por duket se edhe
nga përmbajtja. Por vetëm koha do të tregojë se cili do të jetë roli që ai do
të luaj dhe influenca që ai do të ushtrojë në të ardhmen, brenda Kishës që ai
kryeson si dhe në mbarë botën.