E ndoqa Edi Ramën në konferencën që zhvilloi në Prishtinë për të treguar se si
do të jetë ai pas 23 qershorit kur të jetë kryeministër në Shqipëri, nëse do të
jetë.
Më erdhi shumë mirë që ai ishte në Prishtinë, që foli atje, që ka filluar ta
konsiderojë Kosovën dhe ta kuptojë se ganxha ku varet çeshtja shqiptare sot e
mot është Kosova dhe vetëm Kosova.
Foli mirë për shumë çeshtje dhe unë jam plotësisht dakort me zotin Rama për
mbledhje të përbashkëta qeverie mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, natyrisht
gjithmonë nëse don Kosova (apo jo?), për doganë të përbashkët, nëse të lejojnë
rregullat ndërkombëtare dhe interesat financiare të nëndheshme të bizneseve,
për abetare të përbashkët, për kupën e flamurit kombëtar në futboll etj etj..
Ato që i kishte menduar qartë i artikuloi qartë. Për pjesën më të madhe të
monologut të tij ishte i paqartë sepse po fliste gjuhë të pakuptueshme para
njerzve të cilët i mendonte të një planeti të panjohur. Foli për gjëra që nuk
janë e nuk mund të jenë kurrë në dorën e tij qoftë kryeministër e qoftë çfarë
të dojë.
Në tërësi është ngjarje shumë e mirë që Partia Socialiste e Shqipërisë dhe
kryetari i saj shkojnë në Kosovë, priten atje, flasin atje edhe pse ende i
rezervojnë atje asaj dhe atij vend në sofrën e fundit.
Por, (sepse më vjen gjithmonë keq kur ka një por dhe doja të mos kishte kurrë
por) edhe pse tha se pas 23 qershorit nuk do të ketë më ministër apo zyrtar
shqiptar që do të shajë jashtë shtëpie opozitën, zoti Rama vazhdoi edhe kësaj
radhe të vetvrasë veten në Kosovë me gishtin e tij të madh duke sharë. Dhe kur
vret veten me gishtin tënd të madh nuk ke kujt t'ia kërkosh gjakun.
Nuk pati fuqinë që të artikulonte qartë se hipoteka që ka në shpinë Partia
Socialiste e Shqipërisë është shumë e keqe dhe negative dhe nuk i siguron kredi
politike e morale në Kosovë. Sepse, Partia Socialiste e Shqipërisë ruan e mban
në kurriz me dashje hipotekën e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të Partisë së
Punës të Shqipërisë të cilat e kanë vrarë vazhdimisht Kosovën dhe i kanë hapur
varrin në vijimësi.
Ende në radhët e partisë së zotit Rama militojnë si gurë të fortë shahu
eksponentë që kanë hesape për të larë me shqiptarët e Kosovës, eksponentë që
kanë vrarë e burgosur shqiptarë të Kosovës, që kanë spiunuar, ndjekur e
asgjësuar shqiptarë të Kosovës. Nëse do të shkundte supet zoti Rama dhe të
rrëzontë në tokë këtë hipotekë, ai do të fillonte të hynte në planetin Kosovë
që është shumë i mistershëm dhe i panjohur për zotin Rama, planet të cilit ia
shau edhe gjuhën...
Deshi të kritikonte të kaluarën e partisë së tij, por nuk ia mbajti. Sepse nuk
është i lirë ende nga trashëgimia e partisë së tij, nga kryetari i parë i
partisë së tij Enver Hoxha, i emëruar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, për
llogari të Miladinit e Dushanit e të Titos, i cili, nëse nuk dha urdhër të
vritën shqiptarët që u masakruan në Tivar e rrugës për atje, nuk i ndihmoi si
shqiptar shqiptarët që të mos vriteshin, nuk i shpëtoi, nuk i ndihmoi, nuk u
divorcua nga Titoja e jugosllavët, por bëri siç e urdhëruan jugosllavët.
Deshi të kritikonte zoti Rama të kaluarën e partisë së tij, por nuk e lënë
eksponentët që i ka në parti lojtarë të peshave të rënda, rrjeshtues votuesisht
të tij, të cilët kanë burgosur, vrarë, masakruar, internuar, shfarosur e
zhdukur pafund shqiptarë të Kosovës dhe që tani sillen si në atë historinë të
vret natën e të qan ditën.
Z. Rama duket ka lexuar atë që kam shkruar unë nga Lagush Pogradeci i cili ka
thënë se kur të çlirohet plotësisht Kosova, komunizmi do të ngordhë në
Shqipëri, dhe tek e sheh se është në prag të ngordhjes komunizmi, po tenton të
hyjë në planetin Kosovë, të panjohur për të.
Duke premtuar se nuk do të shalojë kalin e sharjeve, ai u sul egër kundër Sali
Berishës. Duke qenë i bindur edhe vetë se Berisha sa i përket Kosovës është
Skënderbe, le të ironizojë sat ë dojë zoti Rama. Atje në Kosovë dinë më shumë
se z. Rama për Kosovën dhe raportet e saj me Sali Berishën, dinë më shumë se ai
e se gjithë ne për Sali Berishën. Të qëllosh mbi Sali Berishën në Kosovë është
njëlloj sikur të qëllosh mbi një objekt që ta kthen plumbin mbrapsht e ai plumb
të vret ty. Kaq duhet ditur nga një pretendent për kryeministër.
Kur përmend arkivat dhe ato që quan gabime të Sali Berishës, duhet me qenë i
drejtë dhe i ndershëm deri në fund dhe arkivat duhen përmendë të plota. Sepse
të vetmen betejë që zoti Rama dhe çdo zotëri tjetër e ka të humbur sot dhe
gjithmonë me Sali Berishën është Kosova.
Yll polar të Partisë Demokratike e ka shpallur ai Berisha Kosovën që në numrin
e parë të gazetës Rilindja Demokratike, në programin politik të Partisë
Demiokratike.
Ndërsa PS vetëm kësaj radhe foli fjalë dhe vetëm fjalë për Kosovën, pasi në
programin politik të botuar të PS ka vetëm gjysmë fjalie, ka 54 germa "ndërtimi
i një partneriteti me shtetin e ri të Kosovës".
Zvarrë e ka marrë politikën shqiptare Sali Berisha dhe mbushi shpresë
shqiptarët kur shpalli "Një komb, një qendrim", atë botë kur ishte i ri z.
Rama.
Këshilltarët e vobektë që e këshillojnë z. Rama për Kosovën janë më shumë se të
padijshëm dhe mua më vjen keq sepse unë dua që partia socialiste të qaset,
njihet e të pranohet plotësisht në Kosovë dhe të mos struket në qoshka atje, të
mos hyjë si hajduti në shtëpinë e mbretit sepse PS ëhstë parti shqiptare,
pasuri e vlerë kombëtare e jona.
Zoti Rama duhet të arrijë të kuptojë një gjë që ai dhe shumë si ai e kanë të
vështirë ta kuptojnë. Unë kësaj radhe nuk kam asnjë mllef që po shkruaj, pasi
sinqerisht më vjen mirë që PS të afrohet me Kosovën. Por Kosova nuk është
starti apo si quhet ajo dërrasa ku kërcen notari që të mund të hidhet për not.
Jo. Kosova nuk i sherbën edhe për shumë dekada për këtë gjë PS.
Sepse zoti Rama nuk e di çdo të thotë të të mungojë Kosova. Nuk e di mungesën e
Kosovës siç e di dhe ndjen Sali Berisha. Siç e di dhe e ndjej unë dhe çdo njeri
që është rritë me sytë e ballit, të mendjes, shpirtit e zemrës nga Kosova, që
është rritë në kufi me Kosovën, që e ka parë me sy dhe ka plasë me zemër. Por
kjo nuk është faj për zotin Rama. Por vetëm tregues se ai nuk e di çdo të thotë
mungesë e Kosovës dhe dashuri për të.
Ai recitoi për shkelje të embargos se karburanteve. Autogol i rëndë për zotin
Rama por ai edhe këtë nuk e di se nuk ia thonë. Zoti Rama duhet ta dijë njëherë
e mirë se karburant për të furnizuar makinerinë luftarake të Serbisë nuk mund
të jepte Shqipëria. Ose ai nuk e njeh fare madhesine dhe forcën e makinerisë
luftarake serbe. Danubi dhe vaporrët në Danub kanë furnizuar Serbinë zoti Rama
dhe këtë e din mirë politika botërore, e din mirë Amerika dhe Natoja, e din
mirë Europa.
Që ta kesh të qartë (po më frymëzon ta bëj një roman për kufirin dhe
karburantin që kalonte në kufi...) naftë me serberatorë veturash kanë çuar në
Kosovë, kryesisht te kosovarët që e përdornin për traktorët me mbjellë arat dhe
jo te ushtria serbe anëtarët dhe eksponenetet e partisë socialiste. Vizat për
në Serbi tek ambasada jugosllave në Tiranë, nuk i jepte e as nuk i ndalonte dot
Sali Berisha qoftë president apo zot. Por eksponenetë të partisë socialiste
jepnin e nxirrnin viza serbe, shisnin viza serbe qoftë për rajonin e Kukësit,
qoftë për rajonin e Shkodrës.
Kjo histori ka bisht zoti Rama dhe nuk ka leverdi ta hajë këtë dardhë se e ka
bishtin të gjatë. Mundet PS ta zotërojë listën e njerzve që dërgonin
serbetarotë me karburant në Kosovë apo në Mal të zi. Nëse nuk e ka atë listë,
mund ta sigurojmë fare lehtë... Ta shohë emër për emër atë listë. Por edhe kjo,
si në rastin e vetvrasjes me gisht të madh kur shan Berishën në Kosovë, është
vetvrasje për Partinë Socialiste.
Nëse zoti Rama vendos të qërojë hesapet me gjithë spiunët e vjetër e të rinj...,
lë të hyjë në këtë luftë dhe të zbardhë storjen e furnizimit me karburant nga
Shqipëria në Kosovë. Por ato spiuna e rrezikojnë qenien e zotit Rama në krye të
PS.
Asgjësuese ishte pyetja e gazetarit që i tha si do ta mundësh Sali Berishën në
Kosovë.
Të shash Berishën në Kosovë kjo është papjekuri, pamençuri. Dhe tha nuk e
shava. Duke dashtë me dhënë model të mirë e të ri, dha model të keq.
Z. Rama e ka gjithmonë të vështirë të dalë përtej modelit Berisha edhe sot edhe
mot.
Foli për përceprtim të keq që ka Kosova për PS. Është krijuar për 70 vjet dhe
nuk e rrëzon dot me 70 mijë fjalime, pa qenë deri në palcë i sinqertë dhe pa
kërkuar ndjesë, ndjesë që ta pranojë Kosova atë ndjesë.
Përsëri u mor me Udhën e Kombit. Është e shkruar e zeza në të bardhë por zoti
Rama mendon se ky vend dhe ky popull nuk ka memorje. Ai vetë dhe një çetë e tij
prej shtatë eksponenetësh e kanë sharë dhe kundërshtuar Udhën e Kombit sa kanë
plasë. Le të shikojë edhe ai arkivat e televizoneve dhe gazetat e kohës. E ka
sharë mu në mes të Prishtinës Udhën e Kombit. Atë udhë e bëri Sali Berisha.
Tallet keq me Kosovën dhe me Majkon kur thotë se PS dhe Majko nisën udhën e
Kombit. Është kujtesë që të ben të ulësh kokën cilindo.
Tallet keq kur thotë se PS dhe Majko kanë historinë e UÇK në dorë dhe janë
meritorë. Zotit Majko ia kam thënë se ai nderohet e çmohet në Kosovë vetëm se
deshi dhe respektoi të dëbuarit dhe për hir të dashurisë që tregoi për to, por
kurrë dhe asnjë gram për hir të trimërisë së munguar të Makjos apo të Shqipërisë
për Kosovën dhe UÇK. Zoti Rama është larg me shekuj nga kjo histori se për të
kjo historia e luftës së UÇK dhe e dëbimit të shqiptarëve të Kosovës është e
shkruar në kinezçe.
Tha zoti Rama se bashkimi kombëtar ka ndodhur. E beri Sali Berisha dhe më vjen
mirë që e pranoi zoti Rama. Udha e Kombit është bashkimi fizik i kombit.
Z. Rama ende nuk ka gjetë partnerët e tij dhe të partisë së tij në Kosovë.
Mua më vjen keq që ai dhe ne dhe ata nuk e dinë kush është aleati i PS në
Kosovë. Shpresa te Thaç dhe PDK u sos sepse PDK hyri e majtë në konventën e
fundit dhe doli e djathtë.
Prandaj Kosova është planet i panjohur për zotin Rama. Gëzohem që ka filluar të
dojë që ta njohë. Më bëhet zemra mal që Shqipëria dhe PS ta dojë Kosovën.