Shqipëria dhe Kosova; komuniteti shqiptar shtetformues në Maqedoni; komuniteti
shqiptar vetqeverisës vendor në Luginën e Preshevës; pakica kombëtare shqiptare
në Mal të Zi; shqiptarët e Greqisë pa status të plotë të emigrantit për dy
dekada; diaspora e shqiptarëve në Europë dhe ajo në Amerikë po dëshmojnë se nuk
janë në një zë kur bie fjala për ardhmërinë e Çështjes Kombëtare Shqiptare në
tërësi.
Kur themi "një komb- një qëndrim", të gjitha çfarë përmënda më lart
duhen marrë në konsideratë për të patur një strategji të përbashkët për
Çështjen Kombëtare që ende nuk e kemi. Dhe patjetër duhet të mendojnë për këtë
të gjithë faktorët qeverisës dhe shoqërorë të shqiptarëve në Ballkan dhe në
Diasporë.
Kurrë ndonjëherë në historinë tonë kombëtare s'kemi patur kaq përkrahje dhe
vëmendje të plotë nga Amerika dhe Europa Perëndimore në Tiranë dhe Prishtinë
apo dhe ndër komunitetet shqiptare në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Dhe ka një
arsye të fortë përse ne e kemi këtë miqësi. Edhe interesat e tyre po e po, por
edhe prej Diasporës Shqiptare që është kthyer në të vetmin ambasador të
vërtetë, sepse sakrifikoi dhe ja doli mbanë që çdo familje shqiptare të gjente
vetveten e të përfaqësojë me dinjitet vlerën kombëtare, dhe të realizojë
aspiratën për liri e rend demokratik me ekonomi të zhvilluar në vendet pritëse
ku liria dhe mundësitë e jetesës janë më të prekshme.
Ne shqiptarët ndër më të vjetrit e Europës si komb, jemi me shumicë
mërgimtarësh jashtë kufijve natyralë, disa milionë, për arsye që tashmë dihen
si: prej luftrave pushtuese të perandorisë Turke dhe prej ndarjes së padrejtë
nga Fuqitë e Mëdha që me Traktatin e Shën Stefanit e mandej, njëqind vjet më
parë, më 1913, me ndarjen politiko-gjeografike të truallit etnik në Ballkan në
interes të fqinjëve satelitë të Rusëve më shumë dhe shteteve të Europës
Perëndimore.
Arsye të tjera të largimit nga trualli etnik janë regjimi asimilues dhe
spastrues ndaj shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës
Lindore në Jugosllavinë e dikurshme apo dhe Serbinë e sotme, nga dëbimë më një
gjenocid të paparë të popullsisë Çame që ende lëngon vendlindjen e saj si dhe
nga instalimi i regjimit komunist në Shqipëri.
Dhe më e fundit ishte vala e Re e pas 1990-ës e Diasporës larguar nga Shqipëria
fill pas rënies së regjimit komunist me shpresën e Lirisë dhe mundësive
ekonomike për një jetë më të mirë në Greqi dhe në vendet perëndimore.
Historikisht Diaspora Shqiptare e ka udhëhequr ose e ka përkrahur me para, me
diplomaci, dhe me luftëtarë kauzën kombëtare që me Shpalljen e Pavarësisë së
Shqipërisë me organizimin kombëtar, politik e diplomatik të Federatës
Panshqiptare VATRA të shqiptarëve të SHBA-së (më e fuqishme në vitet
1912-1924). Spikati më vonë, përkushtimi që prej 1986 e deri më sot nga Lidhja
Qytetare e DioGuardit ( ish-Kongresmen me origjinë Arbëreshe) në SHBA si dhe
pjesëmarrja direkte e shqiptarëve të Amerikës me formacionin luftarak të
Batalionit Atlantiku në UÇK si dhe ndërveprimi midis Kosovës, Shqipërisë dhe
Organizimeve të Diasporës Shqiptare në Europën Perëndimore ( Fondi
"Vendlindja na thërret" kryesisht në Zvicër, Gjermani, Suedi dhe
Belgjikë) në shërbim të Lidhjes së Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.
Edhe sot pas 135 vjetësh të Lidhjes së Prizrenit me gjithë ndikimin e rendit
demokratiko-integrues të familjes Europiane, shqiptarët si komb në Ballkan
hasin barriera në ushtrimin e të drejtave për pakicat kombëtare, për
komunitetet shtetformuese e vetqeverisëse apo edhe për përdorimin e Gjuhës
Shqipe në institucione qëndrore, publike apo vendore si dhe përdorimin e simboleve
kombëtare në truallin e tyre etnik.
Ka presione të hapura shtetërore serbe, greke, maqedonase dhe malazeze nga
policia sidomos në Preshevë dhe Maqedoni së fundi, nga ushtria e përqëndruar në
Preshevë dhe në Greqi nga segmente politike neonaziste si Agimi i Artë apo
ish-struktura policore të Serbisë që veprojnë në rajonin përreth Mitrovicës.
Diaspora duhet parë e vlerësuar si frymë e shëndoshë e demokracisë shqiptare
dhe e përbashkimit të kombit. Asaj duhet ti krijohet mundësia për një
infrastrukturë sa më efikase që të marrë pjesë në vendimmarrje sepse shumica e
saj edhe pse jeton në Europë i janë mbyllur shtigjet për të dhënë kontributin e
saj që me themelin e demokracive shqiptare -Votën. Prandaj, reflektimi dhe
ndërgjegjësimi i klasave politike në Tiranë dhe Prishtinë për ti hapur rrugë
Diasporës është nevojë e ngutshme për ta finalizuar stadin e integrimit që
duhet të kemi nesër me Europën por edhe një falenderim për kontributin e
shqiptarëve të mërguar kur bie fjala për remitancat në miliarda dollarë që e
kanë zbutur krizën financiare edhe pse qeveritë po e rritin borxhin në dëm të
ardhmërisë.
Rikthimi i vetqeverisjes lokale pas 70 vjetësh nga shqiptarët në Kërçovë
(Maqedoni) tregoi edhe njëherë se nuk ka dëshmi më të madhe të atdhedashurisë
nga shqiptarët e mërguar. Prandaj, respektimi, inkurajimi dhe ftesa vëllazërore
që Diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes ( me votë apo me kandidatë
përfaqësues) në Shqipëri dhe Kosovë apo në komunitetet vetqeverisëse shqiptare
në Preshevë, Maqedoni, apo dhe në Mal të Zi duhen parë si sjellje e një fryme
të re të demokracisë perëndimore në zhvillimet demokratike ndër shqiptarët e
Ballkanit.
Qindra zëra shqiptarë të intelektualëve të shkolluar në Perëndim pjesa më e
ndjeshme e Diasporës Shqiptare po tregojnë maturi dhe aksion të përbashkët
atdhetar jo të paktë për të hedhur poshtë një ndikim Turk së fundmi, për
rishkrimin e historisë shqiptare për periudhën kur territoret shqiptare etnike
ishin nën administrimin Turk.
Prapa këtyre përkujdesjeve Turke është me sy e vesh edhe Serbia, që mezi pret
të njolloset me duar shqiptare figura e Skënderbeut dhe Identiteti i tij
Kombëtar shqiptar që ajo të fitojë terren ( politik dhe mediatik në botë) për
të ndikuar keqasi më shumë në Kosovë edhe pse kjo lojë e pistë e fqinjësisë po
vjen erë me shekuj.
Zgjimi i intelektualëve shqiptarë për të firmosur një peticion kundër
ndryshimit të historisë kombëtare shqiptare për periudhën e shqiptarëve nën
sundimin Turk duhet përshëndetur me çdo media dhe forum.
Ja për çfarë kemi nevojë të përkushtohemi për ardhmërinë:
1-Promovim të Identitetit Kombëtar shqiptar me veprimtari atdhetare e kulturore
të programuara dhe të kordinuara midis shqiptarëve në Ballkan dhe Diasporës
Shqiptare në botë sipas edhe një kalendari kombëtar për ngjarje e figura
madhore të kombit.
2-Bashkim me bashkëkuvendim të Diasporës Shqiptare në Europë dhe Amerikë duke
ruajtur modelet e sukseshme të organizimeve shqiptare me bazë qyteti a
ndërqytetëse siç janë sot në SHBA për angazhimin e brezit të ri të shqiptarëve
të shkolluar në Perëndim që janë sot për sot zëri i shqiptarëve në shtetet apo
qytetet ku jetojnë, si e ardhmja lobuese dhe përfaqësuese në qeveritë lokale
dhe qëndrore të vendeve pritëse.
3-Institucionalizim dhe mirëintegrim të agjencive të qeverive të shteteve
shqiptare në Ballkan në rang Ministrie të Diasporës jo vetëm në Kosovë por edhe
në Shqipëri si edhe ngritjen e një Bordi bashkëpunimi për Diasporën ndërmjet
tyre me përfaqësim edhe të Diasporës.
4-Punë më e kualifikuar dhe e studjuar nga institucionet arsimore shqiptare për
trajnimin e mësuesve të Gjuhës Shqipe për specifikat që paraqet zhvillimi i
mësimit të Shqipes në Diasporë sipas vendeve pritëse.
5-Hapja e qëndrave të Edukimit dhe Kulturës për Komunitetin shqiptar në
Diasporë me bashkëfinancim të të dy shteteve shqiptare më shumë dhe të
Diasporës në përputhje me mundësitë ekonomike të mbitokës dhe nëntokës
shqiptare.
6- Perspektivë për Investimin e Diasporës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me
sipërmarrje direkte në bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe të vendeve
pritëse.
7-Botimi i literaturës letrare apo shkollore e nevojshme kjo, në gjuhën Shqipe
dhe të huaj sipas vendeve pritëse për promovimin e historisë dhe kulturës
kombëtare shqiptare.
8-Ringjallja e një Ansambli Kombëtar me program muzikor perlat e këngës dhe
valleve popullore, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare që të promovojë në
Diasporë trashëgimë e pasur dhe të ndihmojë ringjalljen e pasionit tek brezi më
i ri për të ruajtur traditën kombëtare.
9-Aktivizimin e intelektualëve të sukseshmëm të Diasporës në shërbimin
diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë potenciale edukimi dhe punësimi në
fushën e politikës dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Europë dhe SHBA për ta
bërë më të besueshëm shërbimin diplomatik nga qeveritë e vendeve pritëse.
10-Hapësirë të nevojshme mediatike, në median e shkruar dhe atë elektronike për
Diasporën në Shqipëri dhe Kosovë qoftë me kronika të drejtpërdrejta po të kemi
parasysh teknologjinë e sotme elektronike dhe me emisione të përjavshme.
Duke e marrë seriozisht punën me Diasporën patjetër që do të kemi një
përmirësim gradual dhe shpresëdhënës për më shumë projekte atdhetare e
diplomatike, studimore e kulturore, artistike e sportive për një evidentim e
zhvillim të talenteve të reja në Diasporë.
Sepse po shohim në realitet që mosaktivizimi i brezit të ri të shkolluar të
shkolluar në Perëndim, parcelizimi i organizimeve komunitare pa ndonjë
përbashkim të të gjithë Diasporës Shqiptare dhe mungesa e një strategjie
kombëtare për Çështjen Kombëtare në tërësi kanë krijuar terren për një
vendnumëro të pakuptimtë.
Faktori kohë është në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare falë edhe
përkrahjes për mbështjen nga SHBA dhe BE për Shqipërinë dhe Kosovën në aleancat
euro-atlantike, por shqiptarët si në Shqipëri dhe në Kosovë kanë më shumë
probleme social-ekonomike me tranzicionet demokratike se sa të merren
seriozisht në unison për më shumë promovim dhe përfaqësim të Saj në organizmat
ndërkombëtare.
Vetë Diaspora i ka mundësitë ta tejkalojë situatën e vendnumërosë, me anë të
një përafrimi të të gjithë organizimeve shqiptare kudo ku janë në Europë, SHBA
dhe Kanada. Ekipet drejtuese të shoqatave shqiptare me përgjegjësi të plotë po
përgatiten për bashkëkuvendime ndërkomunitare për të patur një platformë të
përbashkët, një zë të vetëm si e vetmja shpresë për të vazhduar misionin
kombëtar të Diasporës me projekte bashkëkohore e gjithëpërfshirëse pa dallim.
Këto bashkëkuvendime janë mënyrë e drejtëpërdrejtë e rrahjes së mendimeve për
mirëorganizimin e Diasporës si dhe ngritjen e punës sensibilizuese për nevojën
e përbashkimit programor dhe projektimin e një strategjie sa më afër nevojave
të integrimit të Diasporës apo edhe me shtetet dhe komunitetet shqiptare në
Ballkan.
Puna e hapur me çdo organizatë apo agjenci shtetërore shqiptare ka më shumë
vlerë se sa praktika e deritanishme kur takohemi në Diasporë apo në vendlindje
(në Ballkan) vetëm për darka që nuk japin frymë për ardhmërinë e dyanshme. Të
dy palët së bashku, shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora duhet të jenë më të qartë
të përcaktojnë realisht nevojat dhe mundësitë që kemi të ecim përpara të
sigurtë për të përballuar sfidën e asimilimit që është evidente në çdo
komunitet shqiptar të Diasporës.
Diaspora është pasuri kombëtare sepse me të identifikohet kombi ynë dhe përpjekja
e vazhdueshme e saj për ta parë kombin shqiptar të lirë, të bashkuar dhe të
respektuar si në truallin etnik dhe në vendet pritëse, duke qënë urë
bashkëpunimi e identifikimi e dyanshme midis shqiptarëve të Ballkanit dhe
qeverive të vendeve euro-atlantike.
Mirëorganizimi i Diasporës është për më shumë edhe një mundësi lobuese kur bie
fjala për integrimin e njëhershëm të Shqipërisë dhe Kosovës në BE dhe të
Kosovës në OKB dhe në NATO. Ndaj kërkohet më shumë vullnet, sakrificë dhe
kontribut të të gjithëve, në Diasporë dhe ndër shqiptarët e Ballkanit.
A kemi mundësi ta bëjmë përbashkimin e Diasporës? Mund të nënvizojmë se
mundësitë janë po të kemi parasysh shqiptarët e sukseshëm në Amerikë dhe
Europë, organizimet e përkushtimin e tyre, po të kemi parasysh komunikimin e
përditshëm Diasporë - Vendlindje si dhe dorën e ngrohtë të shteteve shqiptare.
Sepse shqetësimi për ardhmërinë është i përbashkët dhe evident si për vetë
Diasporën, për demokracitë shqiptare dhe për Çështjen Kombëtare. Ndaj dhe duhet
të punojmë së bashku dhe vetëm së bashku për ta çuar më përpara integrimin
kombëtar duke i shërbyer më shumë interesave jetike të sotme dhe të nesërme të
kombit se kombi është i pari.
Vetëm me vizion përbashkues Diaspora shqiptare do ti përkushtohet kombit, dhe
do të ndihmojë edhe më shumë për ardhmërinë e tij si e vetmja shpresë që duhet
ushqyer nga çdokush që i thotë vetes shqiptar, që ta bëjmë këtë realitet të
prekshëm e frytdhënës. Ti dalim kështu përpara problemit asimilues të brezit të
ri të Diasporës. Pra, vetëm me veprim të koordinuar e të planëzuar, me
përbashkim do të përfitojmë në kohë.