VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NEVOJA PËR REMONT KAPITAL NË PDNga MENTOR KIKIA

                                                                                      

E Premte, 10.11.2024, 12:05am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NEVOJA PËR REMONT KAPITAL NË PD
Nga MENTOR KIKIA

E Premte, 07.12.2013, 03:50pm (GMT+1)



Ndërsa Edi Rama e ka emërtuar hollin e selisë së Partisë Socialiste si zyra e kryeministrit të zgjedhur, nga përfaqësues të kësaj partie përpiqen t'i bëjnë sërish opozitë qeverisë që ka humbur zgjedhjet, por vazhdon të qeverisë për shkak të ligjit, lajmi politik i këtij muaji duket se është në sallat ku Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi janë duke zhvilluar fushatën për kreun e Partisë Demokratike.

Ditët e fundit, të dy kandidatët e kanë ashpërsuar gjuhën ndaj kryeministrit të ri, që do të marrë detyrën në shtator. Në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve, Basha dhe Olldashi kanë zgjedhur t'i drejtohen mesa duket pjesës më radikale të partisë, e cila padyshim që mendon se fajtori që PD ra nga pushteti është Edi Rama. Të dy kandidatët po i mëshojnë fort idesë se ata do ta drejtojnë partinë drejt një opozite të fortë anti-Rama, një opozite që do ti qëndrojë si çekan mbi kokë, se nuk do ti lërë nëpunësit e administratës në mëshirën e Edi Ramës, duke lënë të kuptohet se edhe numri më i madh i votuesve demokratë vjen pikërisht nga radhët e nëpunësve. Të dy kandidatët po akuzojnë Ramën si të korruptuar, të lidhur me krimin dhe abuzivizmin, duke thënë madje se edhe zgjedhjet PS dhe LSI i fituan përmes manipulimeve. Me pak fjalë si Olldashi ashtu edhe Basha, po sillen si kryetare të PD-së, sikur kanë mbaruar punë me problemet e një partie që bën zgjedhje për herë të parë pas 20 vjetësh jetë dhe që dorëzon pushtetin pasi, të paktën në mandatin e fundit, kishte prodhuar një nga qeverisjet më të korruptuara. Ata janë hedhur tashmë në sulm frontal opozitar.

Por a duket ky një opozitarizëm i parakohshëm? Dhe mbi të gjitha, a është kjo rruga e duhur që do ta çojë PD-në drejt pushtetit? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne duhet të qartësohemi tërësisht, se për rënien e PD-së nga pushteti, fajtori nuk ishte Edi Rama. Ai thjeshtë fitoi një garë sëbashku me Ilir Metën për llogari të partisë së tij. Pra, para se ti drejtohen Ramës me gishtin e akuzës për zgjedhjet, drejtuesit e PD-së duhet të gjejnë fajtorin dhe arsyen e vërtetë se përse PD humbi? Në fakt shumëkush mund të bjerë dakord se nuk ka një fajtor të vetëm dhe se PD një ditë do ta lëshonte pushtetin, pasi dy mandate rresht e kishin konsumuar atë mjaftueshëm për ta çuar për një remont kapital në ofiçinën e opozitës. Pikërisht kjo e fundit duhet, PD-së i duhet një remont kapital. Ajo është e konsumuar, e ndryshkur dhe e kalbur në shumë "pjesë", thënë në mënyrë figurative dhe e korruptuar, e thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por, mesa tregojnë bathët, kjo duket se ka gjasë të ndodhë, pasi të dy "kryetarët" po sulmojnë Ramën dhe nuk po japin asnjë sinjal të tregojnë se ka ndonjë përgjegjës edhe mes tyre. Teza "çdo gjë dhe të gjithë kundër Ramës që të vijmë në pushtet" duket të mos jetë vetëm një strategji fushate brenda partisë, për të mbledhur vota mes militantëve dhe anëtareve të PD-së, por edhe një paralajmërim se edhe kryetari i nesërm do të mbetet në derë të Partisë Socialiste dhe se pushtetin do ta kërkojë vetëm duke sulmuar Edi Ramën.
Kjo në fakt ka qenë një strategji politike e Sali Berishës, i cili pasi humbi pushtetin në 1997, për tetë vjet me radhë mbeti i vetëm në selinë e PD-së dhe nga ku çdo ditë dilte para kamerave për të thënë të njëjtën gjë, derisa si ajo pika e ujit që bie çdo ditë në të njëjtin vend, e gërreu gurin. Por kjo nuk mund të jetë më edhe strategji e Bashës apo Olldashit kryetar. Sepse as Basha e as Olldashi nuk janë Berisha, as PD nuk është më ajo që ka qenë dhe as qeveria nuk është më ajo që ka qenë.
Ndaj PD duhet të kërkojë fajtorin e humbjes më parë, e pastaj të "˜parkohet' para oborrit të socialistëve për të ndezur artoporlantët. Dhe fajtori i humbjes së zgjedhjeve nuk është Sali Berisha i vetëm, sikundër pretendoi ai vetë, për të marrë përsipër të gjitha mëkatet. Në PD duhet të dinë se shumica e votave që u morën, u morën nga Berisha dhe shumica e atyre që u humbën, u humbën po nga Berisha. Fajtori i humbjes së PD-së është kalbëzimi i tërë strukturës së saj në bazë dhe degradimi i pushtetit të saj në çdo nivel si pasojë e korrupsionit dhe abuzimit.

Në pjesën më të madhe të qyteteve, votat kundër u dedikoheshin pikërisht drejtuesve lokalë apo klaneve të kontrolluara nga "të mëdhenjtë" në Tiranë, të cilët kishin marrë nën kontroll çdo gjë. Në Elbasanin e "bashkuar" me Tiranën nga tuneli i sapopëruruar, edhe mandati i tretë që ishte i kryetarit të PD-së së qytetit, u bë i mundur falë mëshirës së komisionerëve. A janë mosmirënjohës elbasanasit? Jo! Ata ndëshkuan pikërisht klanin që kishte shtënë në dorë çdo gjë në atë qytet.
Qytetarët në shumicën e qyteteve votuan kundër sepse kishin nevojë të çliroheshin nga këto klane. Mjafton të kujtojmë se edhe për punësimin e një elektricisti apo një roje shkolle, duhej marrë miratimi i kryetarit lokal të PD-së dhe kjo krijoi një neveri kolektive për ta. Organizatat e partisë humbën krejtësisht misionin e tyre dhe u kthyen në "klube" batakçinjsh ku bëheshin vetëm pazaret. Gradualisht degët apo seksionet u morën nën kontroll nga më të fortët apo biznesmenë, pasi gjithnjë e më shumë, nevoja për vota jo të merituara, i thithi ata si magnet. Kjo tendencë, në mënyrë graduale largoi inteligjencën. Njerëz të mençur, me dinjitet e të aftë u ndjenë të ofenduar që në seksionin e lagjes së tyre partinë ta drejtonte një njeri me precedentë penalë. Një drejtor shkolle më tregonte se si një ish traktorist i shndërruar në biznesmen, ishte bërë kryetari i PD-së së komunës dhe shkonte u bënte mbledhje mësuesve në shkollë, duke u kërkuar llogari se sa vota do të siguronin secili. Këto praktika çuan jo vetëm në humbjen e PD-së në 23 qershor, por edhe në degradimin dhe madje shkatërrimin e strukturave të partisë. Pasi të fortët dhe biznesmenët, në përgjithësi, i qëndrojnë afër partisë kur ajo është në pushtet.

PD nuk mund të nisë luftën opozitare me këtë hordhi të shthurur dhe struktura të degraduara. Kryetari i ri, më shumë se Edi Ramën do të kuptojë se ka "armik" vetë partinë e tij, ose më saktë këtë pjesë të partisë. Ai që do të marrë drejtimin e partisë duhet të mendojë se, para se të sulmojë Ramën, duhet në nisë betejën për pastrimin e partisë nga shkaktarët e vërtetë të humbjes dhe ringritjen e saj si një organizatë politike autoritare, civile dhe mbi të gjitha intelektuale.
MENTOR KIKIA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TRAGJEDIA E ÇAMËRISË NË ANGLISHTNga FRANK SHKRELI (07.12.2013)
DY FJALË PËR SHPIRTIN E BARDHË TË ANTHONY ATHANAS - NGA ELIDA BUÇPAPAJ (07.10.2013)
ANTHONY ATHANAS, NDERI I KOMBIT DHE KRENARIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN, RESTORANTI ANTHONY'S PIER 4 NUK ËSHTË MËNga FRANK SHKRELI (07.10.2013)
HISTORIKISHT REVOLUCIONI I EGJIPTIT ËSHTË MË SE I NJËJTINga JONATHAN ADELMAN, Reuters (07.09.2013)
E PAZËVENDËSUESHME - IDEOLOGJIA KOMBËTARISTE NË POLITIKËN SHQIPTARENga SHENASI RAMA (07.09.2013)
ASIMETRIA NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI SERBISERBIA SPONSORIZON NJË LOB TË FUQISHËM SERB NË TIRANËNga SHABAN MURATI (07.08.2013)
SHËNJTËRIMI I NJË PAPE TË MADH, MIK I GJITHË NJERËZIMIT - E VEÇANËRISHT I SHQIPTARËVENga FRANK SHKRELI (07.08.2013)
SEVDALLINJTË MANJAKË TË PARTIVE - DIVERSION EDHE KUNDËR MEDIAVE ONLINENga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.07.2013)
A DO TË FUNKSIONOJË MARRËVESHJA PËR VERIUN E KOSOVËS?Nga QAZIM TEPSHI (07.07.2013)
KOVA ME VRIMA - GJASHTË RRJEDHJET E FRIKSHME TË VJESHTËS 2013Nga SHENASI RAMA (07.05.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]