Marrëveshja e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në 19 prill 2013 mund të merret
si shenjë me interes e një prirje ndryshimi në mënyrën e veprimit të
diplomacisë dhe të shtetit serb në raportet me shqiptarët dhe me formacionet e
tyre shtetërore. Kjo tendencë pozitive konsiston në fillimin e një procesi
drejt heqjes dorë gradualisht nga pozicioni asimetrik, që Serbia ka mbajtur dhe
mban në marrëdhëniet me Shqipërinë, me Kosovën dhe me kombin shqiptar.
Mendoj se marrëveshja e kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, me
ndërmjetësimin dhe garancinë e BE, duhet lexuar si një marrëveshje mes dy
shteteve dhe jo marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve. Në sistemin e
marrëdhënieve ndërkombëtare domosdoshmëria dhe prioriteti janë pajtimet dhe
marrëveshjet mes shteteve dhe pastaj vijnë pajtimet mes popujve. Mjafton t'i
referohemi shembullit klasik të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Francës pas
luftës së dytë botërore, ku pajtimi i shteteve solli pajtimin e popujve.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë karakterizuar nga fenomeni i
asimetrisë dypalëshe, që do të thotë se të dy shtetet, ndonëse nga pozicione
dhe koncepte diplomatike të ndryshme, kanë aplikuar një lloj asimetrie, e cila
ka gjeneruar vazhdimisht tensione, pabarazi dhe jo mirëkuptim. Kjo asimetri ka prodhuar
efekte negative në dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat aktualisht
mund të karakterizohen si të ngrira. Këtë status e vulosi deklarata patetike në
janar të këtij viti e kryeministrit në ikje, me paralajmërimin se ai do të
rishikonte të gjitha marrëdhëniet me Serbinë, për shkak të ngjarjes së
monumentit të Preshevës. Në këtë proces stanjacioni dhe fazë ngrirje e merr
stafetën e marrëdhënieve dypalëshe qeveria e re e kryeministrit të
sapozgjedhur, Edi Rama.
1-Asimetria e sjelljes. Serbia ka aplikuar në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë
sjelljen e shtetit me status superior, i cili kërkon të krijojë dhe të
zhvillojë raportin hierarkik me formulën 1 para 2, dhe jo 1 i barabarte me 1.
Ajo që e bën disi të paqartë këtë sjellje serbe, është fakti se Serbia ka
patur, ka dhe do të ketë, interesa të rëndësishme strategjike në Shqipëri,
pavarësisht se, si rregull, diplomacia serbe nuk i shpreh në programin e saj
publik. Provë është për këtë sponsorizimi i vazhdueshëm nga ana e Serbisë i një
lobi të fuqishëm serb në Tiranë. Serbia ka praktikuar një vijë mospërfillje dhe
neglizhence diplomatike dhe publike për marrëdhëniet me Shqipërinë. Unë kam
qenë anëtar i delegacionit të MPJ të Shqipërisë, në Vjenë, në janar të vitit
2001, në bisedimet me delegacionin e MPJ të Serbisë, të cilat rivendosën
marrëdhëniet diplomatike. Mund të rrëfej se kam mbetur i habitur që, shteti i
cili kishte ndërprerë marrëdhëniet me Shqipërinë, jo vetëm nuk kërkoi falje dhe
as u tërhoq nga motivet, për të cilat preu marrëdhëniet, por e vlerësoi të
nevojshme që në mbledhjen konstatuese të marrëdhënieve të shtronte çështjen e
një peshkatari shqiptar, që kishte shkelur ujërat territoriale në Liqenin e
Shkodrës. Ndërsa delegacioni i Shqipërisë nuk shtroi asnjë kërkesë apo kusht,
madje as kërkesën për të hequr minat, që mbolli ushtria serbe në territorin e
Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999 dhe as kërkoi reparacione
për dëmet e shkaktuara nga këto mina në Shqipërinë Veriore.
Mospërfillja diplomatike e shtetërore e Serbisë ndaj Shqipërisë dëshmohet nga
raporti i shkëmbimeve politike. Në vitin 2012, presidenti i Serbisë, Boris
Tadiç, e la detyrën pas tetë vjetësh në atë post, kryeministri i Serbisë pas
katër vjetësh në atë post dhe ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, pas pesë vjetësh
në atë post, dhe asnjeri prej tyre nuk begenisën të vinin një herë, qoftë edhe
për disa orë në vizitë zyrtare në Tiranë. Është një bilanc i paprecedent në
marrëdhëniet dhe në historinë diplomatike moderne të rajonit. Është rezultat i
asimetrisë së ndjekur nga Serbia, me mospërfilljen e saj diplomatike ndaj
Shqipërisë dhe i asimetrisë së ndjekur nga Shqipëria, me inferioritetin e saj
diplomatik ndaj Serbisë.
Nuk mund të mos konsiderohet e pakuptueshme sjellja diplomatike e Beogradit, në
kohën kur në vitet 2005-2012 Serbia ka patur një penetrim ekonomik në Shqipëri,
në gjerësi e thellësi, si asnjëherë më parë, qoftë dhe e krahasuar me kohën e
lulëzimit të marrëdhënieve dypalëshe të qeverive të Zogut dhe të Enverit.
Serbia fitoi në këtë periudhë pozicione dominuese në energji, në
infrastrukturë, në telekomunikacion, në industrinë ushqimore, etj. Por edhe ky
pozicion preferencial ekonomik dhe zemërgjerësi tenderësh shtetërorë, për të
mos e quajtur "statusi i vendit më të favorizuar", nuk përmirësoi pozitën e
Tiranës në vëmendjen shtetërore të Serbinë. Madje për ta plotësuar më shumë
pamjen, mund të shtojmë se Serbia zyrtare dhe mediatike nuk denjoi t'u
kushtonte interesin më të vogël zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në
Shqipëri.
2-Asimetria e strategjisë. Serbia, pas gjysëmrevolucionit demokratik, që largoi
Millosheviçin nga pushteti, afishoi strategjinë e saj ballkanike të arritjes së
rolit të liderit në Ballkan. Të gjitha qeveritë serbe, që nga viti 2000 e deri
tani, e kanë profesuar hapur këtë strategji të arritjes së rolit lider, e cila
në një farë kuptimi do të thotë rol hegjemon. Kjo strategji ka një shtrirje
gjeografike, që përkon me termin politiko-gjeografik "Ballkan Perëndimor", i
cili në fakt është ish-Jugosllavia, pa Slloveninë, plus Shqipërinë. Tirana
zyrtare nuk e ka kundërshtuar asnjëherë zyrtarisht këtë strategji të Serbisë.
Kroacia është i vetmi shtet, që e ka hedhur poshtë në mënyrë të vendosur, si
dhe i është kundërvënë zyrtarisht çdo lloj përpjekje të Serbisë për të
ringjallur ish-Jugosllavinë në forma të reja, për të krijuar jugosfera e
jugoballkanika me Serbinë si pol qendror. Tirana ka heshtur për këtë strategji
serbe dhe i është ofruar Beogradit me idetë absurde të një boshti apo faktori
serbo-shqiptar në rajon. Është një formulë inefiçente, së pari inferiore, sepse
i ofron një pozicion shërbimi një strategjie antiballkanike. Së dyti, është një
pozicion, që pa nevojë krijon acarime me shtetet dhe popujt e tjerë të rajonit.
Por as këto përçapje përunjëse të diplomacisë shqiptare nuk kanë patur
begenisjen e diplomacisë serbe.
3-Asimetria e angazhimit diplomatik për çështjen e Kosovës. Duhet pranuar se
pas pavarësisë së Kosovës, lufta e diplomacisë serbe për të trajtuar në arenën
ndërkombëtare Kosovën si pjesë të çështjes së saj kombëtare, ka qenë shumë më e
fuqishme dhe më e organizuar se sa përpjekjet apo pretendimi i diplomacisë së
Shqipërisë për ta paraqitur Kosovën pjesë të çështjes së saj kombëtare.
Diplomacia e Shqipërisë ka patur predispozicionin negativ, të ndërgjegjshëm apo
të pandërgjegjshëm, për të pranuar tezën serbe, sipas të cilës, çfarëdo që të
bëjë Serbia ndaj Kosovës, kjo gjë nuk duhet të prekë marrëdhëniet mes dy
shteteve. Kjo ka shkaktuar që diplomacia e Shqipërisë të mos paraqesë asnjë
kusht për Kosovën në tratativat dhe në marrëdhëniet e saj me Serbinë.
Tirana bëri gabimin e pashpjegueshëm, që pas shpalljes së pavarësisë, në një
periudhë prej më shumë se një vit, nuk dërgoi një ambasador në Prishtinë. Në
kohën që Kosova dhe faktori perëndimor luftonin dhe luftojnë për njohjet
ndërkombëtare të saj, qeveria e Shqipërisë regjistron gabimin tjetër të madh
dhe të pafalshëm, duke dalë me tezat e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe
"të gjithë shqiptarëve në një shtet", çka zhvleftëson aktin e madh historik të
krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës në sytë e opinionit publik
ndërkombëtar dhe të diplomacisë ndërkombëtare. Hezitimi i qeverisë së Tiranës
për ta konsideruar Kosovën si kusht të zhvillimit të marrëdhënieve me Serbinë,
e nxiti Beogradin që t'i bënte Tiranës ofertat për ndarjen e Kosovës mes tyre.
Presidenti Boris Tadiç ofroi të pranonte edhe formulën e "Shqipërisë së Madhe",
pikërisht mbi bazën e ndarjes së Kosovës mes dy shteteve. Asnjë qëndrim nuk ka
pasur Tirana për këto çështje. Kompleksi i inferioritetit shpjegon edhe
inaktivitetin e Tiranës dhe mungesën e një diplomacie serioze për të integruar
Kosovën në veprimtaritë dhe në organizimet ballkanike. Madje në këtë çështje, e
krahasuar me qëndrimin e Kroacisë dhe të Sllovenisë, Shqipëria ka qenë në bisht
të diplomacisë rajonale.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë marrëdhënie të rëndësishme, por
nuk mund të jenë më të rëndësishmet në rajon, aq më tepër po të kemi parasysh
perspektivën europiane të rajonit. Marrëdhëniet duhet të ndërtohen si
marrëdhënie të barabarta, partneriteti e bashkëpunimi dhe si të tilla duhet të
zhvillohen. Por që të arrijnë këtë nivel normal, ato duhet të çlirohen nga
vargojt e kësaj asimetrie diplomatike, shtetërore e strategjike, që zbatojnë si
njëra, ashtu dhe tjetra qeveri. Vetëm mënjanimi i asimetrisë
"mospërfillje-inferioritet" mund të ndihmojë të krijohen marrëdhënie të
barabarta, në të mirë të dy shteteve dhe të stabilitetit në rajon. Le të
shpresojmë se fryma që vjen nga ecuria e normalizimit të marrëdhënieve mes
Kosovës dhe Serbisë, do ta përmirësojë edhe të ardhmen e marrëdhënieve mes
Shqipërisë e Serbisë. Por kjo kërkon një diplomaci të re edhe në Tiranë, edhe
në Beograd.