Gjendja mbas-zgjedhore është e qetë në dukje, por vetëm në dukje ama. Nga ana e
vet, PD kërkon të mbajë vëmendjen e njerëzve tek vetvetja, por synimi është që
të fitojë kohë, e të riciklohet si parti e Fillimit të Ri e Trustit të
Geshtenjave të Tropojës. Kjo është një parti oligarkike, tashmë pronë e një
familjeje kriminale dhe që e ka kryer shumë keq misionin historik që i takonte,
dhe shkëlqyeshëm misionin që i caktoi Sali Berisha. Nga ana tjetër, PS dhe LSI,
dy parti që bënë fushatë më vete, tani na thonë se kanë një program të
përbashkët. E sigurtë është që do të qeverisin së bashku.
Megjithatë, qeverisja është tejet e rrezikuar pa filluar për shkak të disa
proceseve apo rrjedhjeve të kapitaleve që do ta bëjnë qeverisjen e pritshme
shumë të vështirë. Në mënyrë figurative, PS dhe LSI ishin si i eturi që
don te pijë me cdo kusht dhe është tek pusi i ujit. Mirëpo, kova që ngren ujin
(kapitalin) e derdh të gjithë deri sa ngjitet lart, sepse në fund ka shumë
vrima. Ky interregnum veror dy mujor i Sali Berishës, po garanton që edhe pikat
e fundit të ujit do të derdhen nga kova e kapitalit që ngrihet me shumë
ngadalësi dhe kur të ngjitet lart, do të ketë shumë pak ujë. Me një fjalë,
Saliu po vepron me shumë dinakëri dhe zgjuarësi, po respekton marrëveshjen që
thonte se duhet të ikë, por e din se politika është afatgjatë dhe ai don të
mbesë në lojë me cdo kusht sepse edhe vetë Familja vëzhgon me dyshim cdo
lëvizje të tij. Pa politikën ai do të ishte askushi sepse kjo lloj familje nuk
ka asnjë lloj besnikërie. Ai
din se si mbijetoi ne vitin 1997 dhe e din se ikja do te perkthehet shumë më
keq se sa fati i skuthit tjetër politik, Fatos Nano.
Por, le të përqëndrohemi tek tema në fjalë. Cilat janë vrimat e kovës të
qeverisjes? Cilat janë disa nga shterrjes që do ta bëjnë thuajse të pamundshme
qeverisjen në vjeshtën që po vjen?
Ikja
e Kapitalit kombëtar
Së pari, është ikja e kapitalit kombëtar. Frika e jashtëzakonshme e njerëzve që
kanë bërë paratë me gjithfarë pisllëku e spekullimi politik gjatë qeverisjes së
Sali Berishës se qeverisësit e ardhshëm do të taksojnë, sekuestrojnë,
verifikojnë, zbulojnë etj. i ka shtyrë shumë prej tyre të lëvizin shpejt.
E jo vetëm ata por edhe ata që duan të bëjnë kujdes sepse komb e atdhe të
gjithë këta kanë kuletën. Shumë morën pasaportat dhe ikën. Tani i gjen kudo në
botë. Formalisht janë duke lëvizur për turizëm e për biznes, duke u interesuar
kinse për shkollimin e fëmijëve dhe shëndetin e vjehrrës e me shkaqe të tjera
banale. Në realitet, janë duke kërkuar ethshëm transferimin e parave dhe të
familjeve. Bizneset që këto do të lënë dhe që tatimorët do të verifilojnë do të
jenë të pavlefshme si lëkura e zhvoshkur e gjarpërit. Si merimanga që thith
prenë, këta i kanë thithur paratë dhe i kanë nxjerrë jashtë. Edhe
ngrehinat e pajisjet që mbesin kanë qënë pjesë e llogarisë së humbjes për ta.
Kështu nuk është për tu habitur që në një muaj para zgjedhjeve, njerëzit
tërhoqën formalisht 80 milionë euro nga bankat. Kështu kanë bërë gradualisht
gjatë disa muajve para zgjedhjeve e do të bëjnë mbas zgjedhjeve. Llogaritet që
një masë e madhe i kanë nxjerrë paratë me kohë dhe kanë investuar në forma të
ndryshme jashtë vendit, që kanë disa pasaporta e prona në vende të ndryshme dhe
shuma e kapitalit që ka ikur të del që është e frikshme dhe marramendëse.
Kjo është një ikje e kapitalit që do të intensifikohet në muajt e vjeshtës.
Shterrimi I Prurjeve dhe Investimeve të Emigrantëve
Së dyti, është shterrimi i prurjeve financiare nga emigrantët. E kjo nuk
përkthehet vetëm në ndihma e remitanca. Më e rëndësishmja është në investime që
emigrantët bëjnë në shtetin shqiptar. Që të mos keqkuptohem, emigrantët do të
vijnë edhe këtë verë. Si edhe e kam parashikuar në shkrimet e mëparshme fluksi
i kthimeve të përherëshme është e do të jetë i lartë gjatë e mbas verës kur
mbaron sezoni i turizmit dhe shkollat. Mirëpo këta që kthehen do të harxhojnë
sa të mund të jetojnë. Shumica e emigrantëve tanë në Greqi kanë punuar në
ndërtim e në bujqësi. Të dy këta sektorë janë aktualisht të vdekur. Ndërtimi
për arsyet e shumta që duhen e që i kam trajtuar edhe më parë, bujqësia për
shkak të mungesës së masave mbrojtëse për prodhuesit vendore, parcelizimit e
ndarjes në ngastra, e prandaj edhe të sundimit të ekonomisë së vogël familjare
që nuk të lejon për prodhim për fitim e tregtim. Ata emigrantë që mbesin në
vendet e huaja do të përballen me trysnitë e krizës që nuk ka ikur kund e që
vetëm do të thellohet. Shtoji këtyre pasigurinë e gjendjes së tregut të
pasurive të patundshme që tani do të duhet të përballet me pashmangshmërinë e
tatimit mbi pronën dhe mbi pronat e dhëna me qera e të jo të domosdoshme për
jetesën e familjes.
Borxhi i Shtetit
Së treti, është borxhi i shtetit. Pavarësisht thashethemeve elektorale se
qeverisja do të marrë ndihma të mëdha nga FMN, realiteti është shumë
shqetësues. Së pari, shteti duhet të bëjë pagesat, edhe këto të vonuarat, që
shkojnë tek 600 milionë dollarë në vit. Së dyti, mundësia e marrjes borxh është
e ngushtuar. Pa ekonomi, pa mundësi pagimi, pa garanci, nuk te jep kush para.
Por edhe po u morën paratë borxh, nuk kanë për të shkuar tek investimet por do
të përdoren për pagesat e buxhetit e për për shlyerjen e detyrimeve ndaj shumë
kreditorëve. Natyrisht që ka mundësi me luejtë dhe me gjetë zgjidhjen, por
zgjidhja do të jetë shumë e vështirë dhe do të vijë me një cmim të kripur në të
ardhmen.
Sistemi Financiar
Gjendja e krizës në sistemin financiar është evidente. Kreditimi ka rënë
përtokë. Bankat e dyta transferojnë jashtë vendit në formën e pagesave të
borxheve ndaj bankave mëmë, fitimit, transaksioneve etj. disa qindra milionë
euro në vit. Si edhe e kam shpjeguar më parë, shoqëria shqiptare është një
shoqëri hordhëku ku të gjithë janë në borxh deri në fyt. 80% e shqiptarëve e
kanë një borxh që nga listat tek apartamentet e makinat. Banka e Shqipërisë dhe
Guvernatori, që e ka mirë edhe me këta që po vijnë, i shërbeu besnikërisht
Saliut duke mbajtur interesin e pandryshuar gjatë fushatës zgjedhore. Tani kjo
politikë duhet rishikuar me shpejtësi dhe shplimi i artificialitetit të saj do
të bëjë që kriza të bëhet më evidente dhe më e theksuar. Shtoji këtyre
faktorëve edhe mungesën e likuiditetit në tregun financiar të brendshëm,
sistemin ekonomik që funksionon me clearing, dhe shkallën e mashtrimit që u
luajt me kolateralet e bankave, që po shohin kreditë e këqia rtë rriten me një
shpejtësi marramendëse, dhe kjo do të bëhet tepër shqetësuese dhe shumë e qartë
në vjeshtë. Mbajtja e lekut si monedhë e fortë shërben shumë dhe zgjidh problem
të mëdha si financiare e shoqërore. Shumica e kredive janë në euro, shumica e
prurjeve të emigrantëve është ne euro e dollarë, dhe pagesat e buxhetorëve dhe
të punësuarve bëhen në lekë. Mirëpo kjo gjendje e sistemit financiar nuk mund
të vazhdojë kështu sepse nuk është i mbështetur në ligjet e ekonomisë.
Korrupsioni dhe kriminalizimi
Problem themelor është nga se të vijnë të ardhurat e shtetit. Doganat e TVSH
nuk japing aq shume sepse importet kanë rënë. Fuqia blerëse ka rënë dhe
konsumatori shqiptar është në letargjinë dimërore si ariu. Qeveritarët nuk do të
tatojnë veten apo Sali Berishën dhe familjen. Qeveritarët nuk do të tatojnë
kriminelët e bandat që i sollën në fuqi apo që, me marrëveshjen e ditur të
rotacionit, i lejuan të fitojnë në "˜bastionet' e PD-së. Qeveritarët nuk
do të prekin zonat e nxehta te prodhimit te droges, te krimit, te trafikimit te
njerezve e te kontrabandes sepse jane vete ne krye te ketyre bizneseve. Nuk do
te prekin mbeshtetesit e miqte milionerë e multimilionerë që tani janë
deputetë. 40 milionerë të koalicionit janë në Kuvend. Barren e madhe te
buxhetit te shtetit, keta duan t'ua hedhin prodhuesve e tregtareve te vegjel.
Mirepo keta i kane fshehur parate tek "qypi", dhe keshtu gjendja eshte thuajse
e pashpresë. Po ashtu vala e pushuarve nga puna që do të numërojë disa dhjetra
mijra vetë do të kërkojnë menjeherë pagesat.
Shterrimi i Kapitalit shoqëror
Problem më kryesor është shterrimi i kapitalit shoqëror. Sali Berisha dhe PD
kanë luksin që mund të presin aq sa të fillojnë dështimi dhe zhgënjimi i
njerëzve. Sepse as Edi Rama as Ilir Meta nuk do ta fusin në burg. Por si Ilir
Meta ashtu edhe Edi Rama janë të destinuar të dështojnë. Saliu lulëzon mbi
pakënaqësinë popullore, tamam si lulet e varreve mbi të vdekurit. Mirëpo këtu
është në lojë zhgënjimi popullor me mbështetësit e me militantët e PD-së. Për
më shumë, këtu është në lojë edhe zhgënjimi me mbështetësit e PS-së e të
LSI-së. Rregulli i artë i atyre që ngjiten në pushtet është që për cdo vend
pune që mbush bën nëntë të pakënaqur. Në një vend si shteti shqiptar ku jetesa
sigurohet kryesisht nga korrupsioni në lidhje me punën që ken ë shtet, për cdo
vend pune që mbush bën 29 vetë të pakënaqur. Këta që kanë vjedhur për 100 vjet,
sic vodhën këta që do të qeverisin kur ishin në pushtet, kanë kohë e durim për
me pritë që njerëzit të fillojnë e të ndjehen të pakënaqur dhe të fillojnë e ta
shesin veten si e keqja më e vogël.
Në vend të përfundimit
Rritja e tatimit, rritja e përgjegjësisë, shplimi i plotë i krizës dhe sqarimi
i gjendjes janë detyrime të mëdha e të menjëhershme të qëverisjes. Por,
paradoksi është se përgjegjësi për këtë gjendje është njeriu që e mban peng
qeverinë, sepse ai e kishte në kontroll ekonominë deri dje. Ai e caktoi
Guvernatorin e Bankës në punë. E kështu me radhë. Dallga që e ngriti varkën e
PS dhe të LSI rrezikon që ta përplasë atë në shkëmbin e krizës ekonomike. Sepse
ngado që të kthehen, Sali Berisha ka punuar sistematikisht që të lëjë një tokë
të shkretë, me një pus me kovë me shumë vrima në të cilën duan të pinë kaq
shumë njerëz që janë tharë si cimkat tetë vjet në opozitë. Gjithsesi, në
fund të fundit, kova do të ketë një gisht ujë, por kush do ta pijë? Prandaj iu
duhet folur njerëzve me realizëm, me vërtetësi, dhe duhet bërë ajo që duhet
bërë. Mirëpo, si duken bathët, ajo që është thënë në këtë Rrethin e Ferrit
do të dalë e vërtetë dhe gjendja do të jetë e frikshme për të gjithë njerëzit e
dënuar me jetue në atë gjendje e në atë sistem kriminal e të sunduar nga
kriminelët që duket sikur shtohen për ditë, e dalin nga se pret, njëlloj si
gjarpërinjtë në Ferrin dantesk.