Mahalla e muhaxherëve OSE NËPËR LABIRINTET E FRIKSHME TË INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS Nga GANI MEHMETAJ
E Djelë, 12.29.2013, 12:15pm (GMT+1)
"Si
është Ibrahim Rugova" me pyeti polici serb me 1997 në Stacionin e
Policisë në Lagjen e Muhaxhirëve, në Prishtinë. "Mos e keni gabim", ia
prita, "punoj në Rilindje e jo në Presidencë" "Jo, jo nuk gabohem
unë", m'u kthye me cinizëm ai. "Nesër në mëngjes ta dorëzosh pushkën!"
M'i tregoi katër llojet e shkopinjve, me të cilët kishin nxjerr çdo gjë
nga ata që në fillim e mohonin, me tha me buzëqeshje të pështirë. Nuk u
paraqita as nesër, as kurrë. Shkova në Zvicër derisa u çlirua Kosova nga
trupat e NATO-s.
Makthin ma kujtoi futja për herë të dytë në të
njëjtin stacionin policor, këto ditë. Arsyeja ishte kjo: Sekretari
matrapaz i MKRS-së, Veton Firzi, kishte dërguar letër shpifëse kundër
meje në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës,
kinse paskan nisë hetimet kundër meje dhe se hetuesi paska dyshime në dy
dokumente. Askush nuk ma kujton më shumë policin serb të vitit 1997 se
sa sekretari i MKRS-së Veton Firzi: arrogantë e primitivë si të ishin
vëllezër.
Sipas udhëzimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, në
stacionin që më kujton makthe, ia kërkova hetuesit ta pohojë apo ta
mohojë këtë fjali të zyrtarit të MKRS-së.
"Kurrë nuk i kam
thënë, as nuk i kam shkruar këtij farë Veton Ferizit asgjë", me tha
hetuesi Bedri Abdullahu. Dmth Veton Firzi gënjente, sikurse disa herë
deri tash. Ia kërkova me shkrim përgënjeshtrimin. Por hetuesi refuzoi në
mënyrë kategorike! Nuk e kuptova pse? Firzi e citon hetuesin, hetuesi
thotë se gënjen Firzi, por nuk e përgënjeshtron. Ku ishte hilja?
Ndërkaq, me këtë gënjeshtër të Firzit vonohej vendimi për kthimin tim në
punë.
Ia thashë edhe dyshimin e organit të drejtësisë se ai
është i instrumentalizuar. Këtë dyshim e kisha edhe unë. Ku e gjeti
hetuesi B.Abdullahu dy ditë pasi Këshilli e anuloi për herë të dytë
vendimin e MKRS-së, të vazhdoj kinse hetimin për Kosovafilmin? Po i
njëjti hetues një muaj pasi Këshilli nxori vendim të më kthente në punë,
nisi kinse hetimet kundër Kosovafilmit! Ishin edhe disa veprime e fjalë
që i ndërruam në vazhdim ato që ma forcuan bindjen se B.A. punon sipas
direktivave, duke e shkelur ligjin. Ai madje nisi të vlerësonte e
kualifikonte vendimet për të cilat s'kishte përgatitjen profesionale as
nuk ia lejonte profesioni i hetuesit! Acarimet ishin të pashmangshme në
mes nesh.
Kur të përbaltin për hajdutëri ordinere?!!
Për
hakmarrje më pyeti: si është puna e një teknike në Kosovafilm? Cinizmi
ishte i njëjtë më atë të policit serb: polici serb më kërkonte pushkë,
polici shqiptar ma kërkonte kamerën e vjedhur të Kosovafilmit. Lukunia
shpifëse e Ministrisë së Kulturës, me baltoste mua?!!! Pisllëku i
shpifësve s'ka kufi. Ndërkaq, hetuesi pa asnjë distancim "hetonte" jam
unë vjedhës ordiner apo jo!!!? Nuk iu përgjigja, sepse kisha frikë se do
të dal jashtë kontrollit. E shikova me përbuzje. Hetuesi i
instrumentalizuar e kishte më lehte të kërkonte raportin e policisë që
ishte marrë me kamerën e vjedhur, por ai nuk donte ta mësonte të
vërtetën, ai donte të më fyente, ai donte të më frikësonte, ai madje pas
këmbënguljes sime për herë të dytë të ma lëshonte dëshminë, më kërcënoi
se tash e prapa do të më thërriste në bisedë informative! ("Ma le mbi
tavolinë numrin e telefonit e shko", me tha, hetuesi shqiptar me 2013!
"Më trego ku mund të të gjejmë më lehtë e shko", me urdhëroi polici serb
me 1997).
I tregova hetuesi se, sipas ligjit, as për dëshmitar nuk mund të më thërriste, pos nëse do me vetëdije ta shkelë ligjin.
Ia
tregova rastin e policit serb drejtorit të hetuesit, sepse hetuesi
s'kishte kohë për përralla. Iku nga zyra. Por mesazhin e kuptova,
megjithëse askush nuk me pyeti për presidentin Rugova. Pyetja rrinte
pezull në ajër nga ata që e kishin ndërsyer kundër meje shpifësin Firzi e
kompaninë e tij të shpifësve në MKRS-së që nga fillimi i kurdisjeve të
pista kundër meje.
Gjurmëve të se drejtës sime, mora vesh se
autorizimin për fillimin e hetimeve për projektin e Kosovafilmit
(2002-2004) e kishte dhënë prokurorja Merrushe Llugiqi. Ia kërkova
prokurores autorizimin, sikurse me udhëzuan në Këshillin e Pavarur
Mbikëqyrës. Në vend të më delte në ndihmë, u skandalizua: "Si guxon ta
kërkosh atë dokument? Ajo është çështje e brendshme e prokurorisë!".
"Zonjë, me kanë thënë në Këshillin e Pavarur se ju keni obligim të ma
jepni kopjen e autorizimit. Prokuroria nuk është Shërbim i Fshehtë,
prandaj qytetari ka të drejtë ta dijë është nën hetime apo jo,
zhvillohet procedurë penale kundër tij apo jo. Zyrtari shpifës i MKRS-së
ju citon juve, prandaj ju duhet të deklaroheni". Por ajo u arsyetua se
lënda më nuk është të ajo.
"Po si keni mundur të autorizoni
hetimin për një lëndë e cila është vlerësuar para tetë vjetësh nga
Auditori i Përgjithshëm që s'ka asnjë parregullsi, është e vjetruar,
është me shpifje e kurdisje", e pyeta. Nuk pati përgjigje.
Ndërkaq,
ajo e kishte dhënë autorizim për nismën e hetimeve për lëndën
(2002-2004), e cila është paraqitur në prokurori me 2013, duke
shpërfillur mijëra lëndë qe janë paraqitur nga viti 2005-2012. Shihej
fare qartë se për përbaltjen e personalitetit tim, prokurorja turr e
vrap inicion hetime, ndërsa nuk i përfill lëndët që janë paraqitur në
shtatë vjetët e kaluara!!! Ndërhyrjet nga lartë, apo fishkëllimat e
telefonatat e thekshme, ishin më të fuqishme se sa ligji dhe se sa
përparësia e lëndëve të tjera.
Të mos keqkuptohemi: po të varej
nga unë që nesër do të inicioja procedurat për zgjidhjen e kësaj lënde.
Sepse projekti është në rregull, askush s'pati vërejte derisa nuk e
kundërshtova lukuninë e MKRS-së. Mirëpo, ata nuk duan ta zgjidhin
lëndën, ata duan të më përbaltin, ata duan të më mbajnë pezull e në
tension, sa herë që unë e ngre zërin për fatin e Kosovafilmit, të cilin
po e shuajnë. Ata duan të me lënë pa punë. Prandaj gjithë ky
konspiracion e terror kundër meje.
Kur Prokuroria punon me hatër e fishkëllima
Kam
bërë kallëzim penal kundër sekretarit të MKRS-së, Veton Firzi për
shpifje e shkelje të të drejtave të njeriut, por prokurori që e kishte
kallëzimin penal me tha më sinqeritet se ka lëndë të pazgjidhura nga
viti 2005, prandaj logjikisht s'mund të prisja zgjidhjen e saj para
shtatë-tetë vjetësh. Po në rastin kur duan të më njollosin mua si gjetën
kohë e mundësi? Askush nuk me dha përgjigje. Kryeprokurorin e kërkova
dy herë, por nuk pata fatin ta takojë.
Por një gjë duhet ta
dinë: më fishkëllima e telefonatat të thekshme nuk bëhet drejtësia, nuk
ndërtohen institucionet. Me shkeljen sistematike e cinike të dinjitetit
të qytetarit, me përkrahjen që u bëjnë shpifjeve, ata po bëjnë
institucione të urrejtshme e të frikshme për shtetasit të cilat i kanë
ëndërruar ndryshe institucionet e shtetit të tyre.
Qytetari i
Kosovës me taksat që i paguan, financon sekretarin arrogant e shpifës, e
paguan hetuesin e instrumentalizuar që shpalos kot fare dosjet e
pluhurosura , e paguan prokuroren që punon me hatër e ndërhyrje. Medet,
si shpenzohet paraja e qytetarit.
Prokurorja dhe hetuesi sikur
ta kishin lexuar akuzën, do ta mësonin se veprojnë kundër ligjit, sepse
është fjala për shpifje (auditori i përgjithshëm e ka vlerësuar lëndën
pa të meta, lënda është e vjetruar, s'ka të bëjë fare me krime
ekonomike, por për kinse thyerje të rregullave të punës ). Por ata
s'deshën t'ia dinë për këto gjëra.
Kur dola nga hetuesia e
prokuroria, ku isha tetë herë, ndërsa s'më ofruan asnjë mbrojtje nga
shpifjet e kurdisjet, mu duk vetja si Jozef K, personazhi i Franc
Kafkës. Që të mos përfundoj si Jozef K. do ta kërkojë mbështetjen e
prokurorisë së EULEXI-it.
Prandaj ta kenë vath në vesh: Unë nuk e kam ndërmend ta braktisë Kosovën, s'kam atdhe rezervë.
GANI MEHMETAJ
|