GJENDJA E SHTETIT SHQIPTAR, 2014 - JASHTË KONTROLLIT Nga ROMEO GURAKUQI, Universiteti Europian i Tiranës, Instituti i Historisë Bashkëkohore
E Hënë, 03.31.2014, 12:27pm (GMT+1)
Shqipëria ecën me shumë vështirësi drejt stabilizimit të një Shteti Modern. Madje mund të themi se jemi nën efektin e një çrregullimi masiv politik, në rrethanat e një krize të thellë ekonomike, shoqëruar edhe me ç'ekuilibër identitarë e ç'moralizim etik të shoqërisë. Nocioni i qytetarisë ngjan të jetë zhvilluar mjaft dobët dhe i deformuar, për rrjedhojë jemi ende larg një situate normale demokratike. Shqipëria vuan nën peshën e degradimit të njësueshmërisë shtetërore, për shkak se politika shqiptare nuk ndërtoi që në fillesë, parimet bazë të ecjes së vendit në paqe sociale e politike, në konsensus mbi rrugët zhvillimore institucionale dhe juridike, në progres material, unitet shtyllash drejtuese, politike e kulturore, duke lënë menjanë të shkuarën e përçarjes së madhe politike të Luftës së Dytë Botërore dhe epokës së Terrorit. Shumë pak është punuar për rikompozim të unitetit nacional, forcim të vetëdijes patriotike, shekullare, të kulturës politike liberal-demokratike. Për rrjedhojë sot, njëlloj sikurse dje, ndodhemi në rrethanat e një përçarjeje të madhe në Shtet, në shoqërinë tonë politike, në konceptimet e veprimit të përditshëm politik, të diversifikuar në kuptimin e sjelljes nën Pushtet dhe në Opozitë, të pamësuar me krjimin ende të balancave pushtetare dhe veprimit administrativ. Ndërhyrja e politikës së brendshme në shumë raste ka qenë, përkundër procesit stabilizues të sentimentit nacional, përbashkues e rrugës europianizuese.
200 ditë qeverisje e së Majtës
Një shtet shqiptar i shendetshëm në pikëpamje të parametrave funksionues të demokracisë, lirisë dhe kontrollit të territorit, të qëndrueshmërisë financiare, të kontrollueshmërisë shtetërore mbi financat (ilegale dhe informale), është ende ëndrra e pavendosun në rrugën e duhur për qytetarët e këtij vendi. Veprimtaria e ketyre gjashtë muajve të qeverisjes së koalicionit mes socialistëve liberalë e të moderuar europianistë, me ultra-punistët dhe me përfaqësuesit e "kenetës" së shoqërisë, të shkrirë aq panatyrshëm mes njëri-tjetrit në një kompromis të paparimtë dhe të pazakontë për vendet normale demokratike, ka dhënë një rezultante të çuditshme e në thelb kontradiktore. Kjo rezultante është e përbërë nga arritje pozitive në disa aspekte të kontrolluara nga segmenti i parë qeverisës (një kontroll më i mirë i territorit, një operim më i mirë të forcës së Shtetit që është i pranishëm tek qytetari, një Polici e Shtetit që ka filluar të veprojë me zbulueshmëri ndaj krimeve të rënda, një politikë e jashtme dhe sjellje e përgjegjshme administrative e dikasterit përfaqësues, disa emërime të spikatura të njerëzve të rinj të mirëshkolluar, idealistë, të pakompromentuar në disa degë të administratës së lartë të Shtetit, një përpjekje për ndaljen e papërgjegjshmërisë e pashpjegueshmërisë qeveritare në administrimin e financave publike, në prerjen e disa kanaleve të përdorimit të strukturave të rendit dhe sigurisë për qellime personale të udhëheqësisë në dëm të të drejtave të njeriut, etj.). Nga ana tjetër, deformime të rënda të besimit, të shkaktuara nga një rrymë e hapur dhe e fshehtë "gjuetarësh" të mirënjohur të parasë e posteve publike, të shtypjes së lirisë, të krijimit të demokracisë e tolerancës fallse e demagogjike, manipulimit të lirisë së shtypit, kontrollit të sistemit të drejtësisë, frikësimit me mjete të sofistikuara ndaj tij, të kombinuar me punistët dhe neopunistët të etur për hakmarrje (emërimet e këtij segmenti kanë qenë nga më nepotiket e shkatërrimtare për besimin e qytetarit, politikat shfarosëse ndaj administratës profesioniste krejtësisht të paskupullta, e të gjitha kulmojnë në ndërhyrjen e dhunshme në arkivin e memories së financës publike, akt i mbetur i padenuar dhe pa përgjigje etj). Në një kohë që Opozita shqiptare gjendet e ç'orientuar plotësisht në mendimin e veprimin afatgjatë politik, pa ekspertizen e nevojshme të një Shadow Government, e kapluar nga Sindroma e konfuzionit dhe e shpëtimit pa reflektim nga e kaluemja problematike, Pozita shqiptare vazhdon të jetë jo-organike në veprimin e njësuar politik, e prirur nga majtizmi ekstrem militant. Nën dominimin e krahëve komunistë mbi spektrin socialist europianist, Pozita Qeverisëse po rreshqet gradualisht drejt shfaqjeve sektare në respektimin e ligjshmërisë konstitucionale, drejt zhbalancimit institucional, purifikimit jakobinist administrativ, nepotizmit dhe krijimit të një klime konfliktualiteti permanent politik, siç edhe më parë. Pozitës i mungon një radhë e menduar veprimesh taktike në realizmin e disa objektivave administrative dhe politike, ndërsa qeveria dhe administrata nuk u konceptuan si një njësi unike, por si një "sipërmarrje Qasim", njelloj si në një mbretëri autoritare orientale, të ndarë në pashalleqe.
Rendi Publik ka qenë problemi më i madh edhe në këto 6 muaj të qeverisjes së Koalicionit të Çuditshëm e të Pazakontë. Pyetja është: si shpjegohet që në një kohë që Policia e Shtetit është me e pranishme në Publik, shumë më operative, kontrolli i territorit në një nivel më të lartë se në verën e viti 2013, drejtuesi i dikasterit në fakt më i përkushtuar, megjithatë rendi publik ka pësuar goditje spektakolare, në atë shkallë sa ka krijuar efekte zhgënjyese ndër qytetarët e thjeshtë? Është një pyetje që kërkon një shqyrtim të kujdesshëm, duke filluar nga zbulimi i rrënjëve sociale, tek studimi i kazuseve në aspektin operativ, përhapja gjeografike, origjina e krimit, niveli i përhapjes, gjendja e rekordeve operative të policisë, shqyrtimi i kuadrit të hetimit policor dhe gjyqësor, trashëgimia e lënë pas nga kuadrot pararëndës, deri tek niveli i shkatërrimit të strukturës së painkriminuar e profesionale të Policisë së Shtetit, etj. Ajo çfarë mund të thuhet me siguri është se vendi, deri në ndërrimin e pushteteve, ka perjetuar një qetësi të fshehtë, një situatë informaliteti të tejzgjatur, ku Shteti ka bërë një bashkëjetëse me strukturat kriminale për një kohë të gjatë. Këtë të gjithë e shihnim. Dhe në fakt e shohim serish, sepse mungesa e ligjshmërisë është e pranishme mes nesh, duke ecur paralelisht me ne. Mirëpo kjo kohë duhej të merrte fund dhe perpjekja fillestare për të prerë kanalet, pa një radhë logjike veprimi, siç duket zhbalancoi gjithshka. Shqipëria nuk mund të jetë më mbretëria e paqtë e krimit, e informalitetit, e fasadës së ligjit e rendit, e bashkëjetesës së biznesit me gjobëvenësit, vendi i sundimit përmes përdorimit të njerëzve të fortë. Ky objektiv ligjvendosës mund arrihet jo duke sulmuar Policinë e Shtetit, e duke shkrirë pa dallim e studim strukturat e saj tejet të specializuara, jo duke e politizuar dhe përdorur atë, por duke e mbështetur atë me të gjitha mjetet: financiare (rritja së paku tre herë e rrogave të policisë), logjistike, informatizim, ekspertizë profesionale (rikthimi i ekspertëve të mirënjohur për ndërshmëri) dhe mbi të gjitha ngritjes së qytetarit në kembë në përkrahje të Policisë së Shtetit. Në qoftë se kjo nuk ndodh, në qoftë se nuk nxirren jashtë qeverisë dhe opozitës padronët e përdorimit të Forcës e të ndërhyrjes politike mbi Policinë, Shqipëria nuk ka shumë shanse të bëhet as sot, Shteti i Ligjit, Rendit, Lirisë dhe Mbrojtjes së Lirive Civile dhe Demokracisë Funksionale, përderisa gangrena e së keqës do të mbetet një insider.
Ndarja e munguar e pushteteve
Në pikëpamje të sjelljes institucionale dhe respektimit të ndarjes së pushteteve, drejtuesit e dy Segmenteve Partnere Pozitare, kanë rënë dakord të bëjnë të njëjtën gjë si në pararëndje: të ndërhyjnë në pushtetet e pavarura, konstitucionalisht jo nën ekzekutivin, pa dalluar limitet mes atyre drejtuesve institucionale që duhen vertet lëvizur nga vendi, për shkak të kompromentimit me fajin e mosveprimit, ose të veprimit përzgjedhor të paragjykuem politikisht, nga institucionet që nuk mund të preken, mbasi janë pjesë e rëndësishme e vetveprimit të parimit të ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit mes tyre. Kësisoj, duke zhbalancuar edhe më tutje pa dallim, pa studim paraprak dhe me llogari dritëshkurtër, vendi ndodhet sot në prag të prishjes së ekuilibrave institucionale, drejt përsëritjes së amullisë së rigrupimit të të gjitha pushteteve në një burim të vetëm autoriteti, që është i mishëruar në binomin e dy personave të vetëm, me formime katërcipërisht të ndryshme dhe me objektiva krejt të përkundërta politike afatgjatë.
Qeveria si gjykatëse e kthejllët e rendit social dhe qeveria vetëm e një klase A përfaqëson klasa politike aktuale, grupimin social zotërues së materies themelore të Shqipërisë? Unë mendoj se përfaqësia e sotme e sovranit, në pjesën më të rëndësishme, përfaqëson klasën e të pasuruarve rishtas të Shqipërisë, një lloj oligarkie, por jo interesat e gjera publike të saj. Duke shkelur mbi normat etike dhe ligjore, duke mos respektuar ndalimin e konfliktit të interesave, në të gjithë gjërësinë e vet, klasa politike shqiptare krijoi një Parlament të Pilotuar, pikërisht nga zotëruesit e pasurisë së këtij vendi, interesat e të cilëve janë katërcipërisht të ndryshme nga interesat e Publikut të gjërë, që është për vendosjen nën Ligj, Rend, e Drejtësi të sistemit politiko-institucional, të ekonomisë dhe për zbutjen nën Liri dhe Ligj të shpërpjestimit të pasurisë dhe të pabarazisë së tejskajshme sociale në vend. Publiku është i interesuar për një konstrukt parlamenti jo në konflikt interesi, por me përbërje dhe prejardhje sa më demokratike e përfaqësuese. Nga ana tjetër, unë mendoj se një pjesë e madhe e ministrave, sidomos nga Partia Socialiste, dhe një pjesë e deputetëve të opozitës, nuk janë pjesë e klasës zotëruese të paketës kontrolluese ekonomike, janë realisht për t'u respektuar për gjakun e ri, tempin idealist, respektimin e njeriut të thjeshtë dhe qytetarit, për përkushtimin e pangjashëm që kanë në punë e ndjeshmërinë që kanë treguar për plagët e rënda që kanë kapluar shoqërinë tonë. Duhet të pranojnë, se ata janë pjesë jona si shoqëri e njerëzve të thjeshtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me kastën e mirënjohur të korrupsionit, që ka komanduar me harbutëri sjelljen e Shqipërisë për së paku 15 vite. Por ata kanë shumë pak në dorë dhe synimi i Kastës zotëruese të Materies së Shqipërisë, priret vazhdimisht t'i shndërrojë ata në ekzekutorë të vet terminalë. Shqipëria në qershor 2013 nuk arriti të nxjerrë një udhëheqësi fituese që të ishte shprehese e interesave të demokracisë së mirëfilltë, të Publikut të gjerë, jashtë mekanizmit kontrollues të pasurisë themelore të këtij vendi. Dëshira masive e popullit për më shumë liri, demokraci, reforma, europianizim dhe shkatërrimin e farës së keqe të korrupsionit demokratiko-integrist, u kompromentua që në fillesë, me 1 prill 2013, me riciklimin e integrizmit fals në pushtet, që i kombinuar me etjen e të qenurit larg pushtetit të socialistëve për tetë vite, po jep sot sinjalet e një produkti të ngjashëm, në aspektin e respektimit të Publikut dhe Lirisë, sikurse në së paku 4 vitet e fundit. Si është e mundur që Shqipëria nuk arrin të nxjerrë udhëheqës jashtë mekanizmit të kontrollit të klasës zotëruese të paketës së pasurisë kolektive të shtetasve? Kjo sepse një mekanizem kobndjellës i ushqyer nga partitë politike, interesat e biznesit dhe ndjekësit e tyre fanatikë, komandon dhe preson vendimarrjen dhe përzgjedhjen e përfaqësisë. Për rrjedhojë, këto prirje të përkundërta, të lëna jashtë kontrollit të Sovranit, Kushtetutës dhe së Drejtës, edhe mund ta cënojnë qendrueshmërinë e unitetit shtetëror. Ato, të kombinuara në një krizë të thellë ekonomike, në një situatë të vështirë të marrëdhënieve ndërkombëtare e para infiltrimeve antieuropianiste, mund ta vendosin vendin para sfidave të paparashikueshme.
Në pamje të parë duket sikur në Shqipëri ka udhëheqës politikë, por në kuptimin demokratik të këtij nocioni, kjo gjë mungon fare. Sistemi shqiptar imponon zgjedhjen e deputetëve nga lart dhe votuesit përgjithësisht i binden vërbërisht listave të servirura nga partitë e sëmura, personale dhe familjare. Me përjashtime shumë të ralla e gjithë përfaqësia parlamentare, koinsiston në emërime të ardhura nga pak udhëheqës, të cilët mund të llogarisin tek ata bindje të plotë të të gjithë deputetëvë, pa asnjë mëdyshje.. Vetë detyra e deputetëve krahinorë është "ligjëruar", si detyrë urdhërdhënësi me fuqi të pakufizuara dhe me vetgjykim ekzekutiv të pa apelueshëm, duke lënë pas hapur rrugën e një morie abuzimesh më të drejtën, drejtësinë sociale, civile e adminstrative. Demokracia në Shqipëri vazhdon të jetë foshnjërake, e ngushtuar tek kuintesenca e përqendruar në Tiranë. Në periferi të Shqipërisë demokracia kuptohet si shërbim i bindur ndaj qendrës dhe marrje e lëmoshës. Kështu, pa analizuar, reformuar e demokratizuar këto forca politike përmes një ligji të ri mbi partitë, pa demokratizuar sistemin zgjedhor, nuk mund të zgjidhen një seri plagësh të shoqërisë së sotme politike. Në qoftë se kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt, këto forca do mbetën edhe më tutje: organizata të përbashkuara me funksione thjesht jo shtetbërëse.
Interesi i Publikut
Unë besoj se qytetari shqiptar është i vetëdijshëm që uniteti nacional dhe shtetëror dhe lënia menjanë e ndasive politike, krahinore, përbën një domosdoshmëri për ecjen përpara të vendit në paqe sociale dhe progres material. Mirëpo pjesa e dukshme e sjelljes së sotme qeveritare, ka bërë efekte të kundërta, duke thelluar ndarjen në nivele të paarrituna nga pararëndësit. Hyrja në disa bastione tradicionale të liberalizmit demokratik e qytetarisë së konsolidueme, përmes përdorimit të elementeve kriminalë dhe të forcës (rasti i Veriut është tipik), ka qenë veprimi më i rëndë politik, që ka bërë shumica aktuale. Hyrje politike përmes përdorimit të forcës, dhunimit të qytetarëve, dëmtimit të pakorigjueshëm të lirisë, shkatërrimit të administratave të ndërmarrjeve regjionale dhe demtimit edhe të atyre arritjeve pozitive pararëndëse, është një sjellje joligjore e antidemokratike me pasoja afatgjata. Rasti më i trishtueshëm që ka demtuar besimin e publikut është hyrja e paautorizuar nga Mandatori Sovran, në kundërshtim me Proceduren e Ligjshmërisë, në serverin e tatimeve, heshtja, mungesa e transparencës dhe lejimi i kërcënimeve të mëtutjeshme nga ana e shkelësit të zbuluar të ligjit. Korigjimin e vrimës financiare të buxhetit do ta shihnim përmes kontrollit rigoroz dhe më procedurë të rreptë të Financave Publike, mbylljes së kanaleve të pastrimit dhe transferimit të parasë drejt offshore banks, shmangies së evazionit fiskal, nxitjes së prodhimit vendas e sidomos atij bujqësor etj. Mirëpo qeveria aktuale ka menduar t'i shëndoshë financat publike vetëm më rrjepjen e klasës së mesme, të pjesës më të rregullt të taksapaguesgve të Shqipërisë, pa arritur të kontrollojë filtrimet e parasë së brendshme të kapitalit të madh dhe pa u angazhuar në rregullshmërinë vjeljes së tvsh-së. E gjitha kjo tregon se mekanizmi i mendimit financiar e ekonomik të qeverisë ka nevojë për korigjime strukturore, larg shablloneve të përftuara apriori; është bërë pa studime paraprake e nga ekonomistë e financierë jo të përshtatshëm.
Pse një shtet kaq i dobët?
Dikush mund të mendojë se Shqipëria si një e tërë nuk është e gatshme të pranojë organizmin delikat të demokracisë kushtetuese dhe se një makinë e ndërlikuar liberale në duart e një populli me të kaluar të vështirë, me një çmoralizim etik që ia ka dobësuar në kohë kohezionin shoqëror, është një sipërmarrje e destinuar të mos ketë sukses për një kohë të gjatë. Në qoftë se Shqipëria do të qeverisej duke respektuar e interpretuar strikt Kushtetutën,duke mbrojtur liritë civile, progresi do kishte qenë i ndryshëm nga ai i sotmi dhe nuk do të ndodheshim para vështirësive të tilla ligjzbatuese. Mirëpo në këtë vend, kushtetuta e paplotë dhe jo aq e hollësishme, është deformuar sipas interesave të partive dhe pasojat në operimin e Shtetit të së Drejtës, për këtë arsye, kanë shkaktuar deformime zinxhir në zbatimin e ligjshmërisë në kohë.
Sot kjo duhet të ndalet, sistemi konsitucional duhet të korigjohet, programi qeverisës të rikompaktësohet mbi bazën e mendimit liberal, ekspertizës, kujdesit social e gjithpërfshirjes. Pyetja është: a mund ta kryejë këtë rindërtim kjo supërshumicë aq heterogjene në veprimin politik dhe në qellimet në raport me idealizmin shtetbërës? Unë mendoj që, kështu siç ajo është e deformuar në strukturen ideale e vepruese, e ka të vështirë. Shumica kështu siç është edhe mund të funksionojë gjatë, por ajo nuk do prodhojë rezultate ideale, as afatshkurtra dhe as afatgjata, për të Mirën Publike e procesin europianizues. Do prodhojë vetëm një qeveri për të kaluar radhën, duke ecur me kujdes në kenetën e informalitetit e injorancës shqiptare. Edhe këtë herë vendi do hallakatet në periferinë e Europës duke u marrë me zgjatimet e Azisë, pa arritur të stabilizojë sistemin demokratik e liberal. Mendoj se është koha që kreu i partisë më të madhe parlamentare ta mendojë mirë edhe një herë situatën qeverisëse, bazamentin e saj politik parlamentar dhe të shohë mundësinë e rikompaktësimit të qeverisë, tashmë plotësisht mbi idealin europianist, bazuar në një pragmatizëm të ri parlamentar. Politika shqiptare e mbështetur në njerëz të Fortë, të Përjetshëm e të Pandëshkueshëm, është një qasje pa të ardhme në Europë. Hapat e parë mendoj se mund të jenë: ndryshimi i ligjit mbi partitë, hapja e diskutimit mbi reformën institucionale, riformulimi i ligjit mbi konfliktin e interesit e nepotizmin në institucionet e larta shtetërore dhe të administratës, ndryshimi i ligjit zgjedhor mbi bazën e sistemit mazhoritar, njëemëror, që do të mundësojë krijimin e qeverie të qendrueshme nesër, jo zotëruese domenesh, më operative brenda një mandati dhe më përfaqësuese. Hapi i dytë mund të jetë shqyrtimi i mundësive të reja për mbështetjen e shumicës relative të partisë kryesore, në segmentet të tjera politike liberale brenda Parlmentit, duke rikompozuar një Qeveri të re të Europianizimit të Vertetë, e cila do të shërbejë për të avancuar një bllok reformash gjithpërfshirëse në të mirë të lirisë, forcimit të rendit publik, përmirësimit të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe kompaktësismit edhe një herë të veprimit politik, në të mirë të Shtetit. Përndryshe, duke vazhduar qeverisjen kështu të deformuar në veprimin praktik dhe në synimet ideale, me dy vektorë të përkundërt e objektiva të ndryshme, kryetari i shumicës aktuale vetëm do humbasë kohë, do lejojë përforcimin e antishtetit dhe do të ngadalësojë progresin integrues të vendit. E në rast se veprimi përzgjedhor politik do të vonohet, zgjidhja e vetme më e mirë demokratike, pas kësaj, mbetet ajo e treta:riadresimi i sovranit, në një kohë që sovrani është tejet i lodhur me proceset elektorale.
ROMEO GURAKUQI
|