MOSDËNIMI I MASAKRAVE GREKE NË SHQIPËRINË E JUGUT MBUSHI 100 VJET Nga ARTUR VREKAJ
E Martë, 04.01.2014, 08:43am (GMT+1)
Kambana e dhimbjes së kombit Shqiptar kurrë nuk do të pushojë së rëni, sepse ne jemi edhe sot të përndjekur në trojet tona autoktone. Ne Shqiptarët ende po paguajmë një çmim njerëzor të pamerituar, që na ka detyruar të lëmë atdheun tonë në Anë të Malit, në Kosovën Lindore, në Maqedoninë Perëndimore, në Greqi, por edhe në Shqipërinë londineze , jo vetëm prej spastrimit etnik sistematik të fqinjëve karshi kombësisë sonë, por edhe për hir të pazareve të pista të shtetarëve Shqiptarë me fqinjët që kanë bërë në kurriz të atdheut, popullit e kombit.
Si sot 100 vjet më parë, më 1 prill 1914 u rrethua Hormova e Tepelenës nga ushtria Greke për arsye se, Hormovitët luftuan si burra përkrah Labërisë kundër fantazmës Vorio-Epir të ushqyer nga qeveria e ushtria Greke që e ktheu Shqipërinë e Jugut në tokë të djegur.
Një spastrim i pastër etnik, një ç'shqiptarizim nga më vampireskët me thikë në dorë për shpërfytyrimin e kufomave të 217 Hormovitëve, një përdhosje e paparë për Europën e asaj kohe që të kujton skenat e Krishtit të gozhduar në muret e kishës së Ajodhimës dhe terrori i inskenuar në Athinë janë edhe sot një dëshmi e gjallë përkundër harrimit të këtij genocidi zinxhir nga qeveria dhe ushtria Greke.
Shqiptarët shtetarë të prefekturës së Gjirokastrës nuk e ngritën kurrë zërin, se përse u hoq emri i autorit të shovinistëve Grekë në pllakën përkujtimore të Masakrës së Hormovës që qëndroi anonime për kaq vite. Qoftë drejtuesat e prefekturës së qarkut Gjirokastër, qoftë deputetët e zgjedhur me listë nga shefat e shitur të Tiranës në Athinë i kërcënuan atdhetarët e Rinj Gjriokastritë që nuk e duruan dot këtë gjëndje derisa sivjet e rishkruan autorin e genocidit.
Europa e ka emrin Pellazg si dhuratë të kombit Pellazg, shpëtimtarët e të cilit jemi vetëm ne, Shqiptarët! Por Europa mbeti po ajo plakë raciste karshi kombit tonë më të vjetër të kontinentit se nuk u ka vënë si kusht fqinjëve tanë të kërkojnë falje për genocidin sistematik të Shqiptarëve, të paktën që nga viti 1878.
Europa bashkë me fqinjin tonë Jugor Greqinë kanë përndjekur e martirizuar dy kombe Izraelit dhe Shqiptar. Nuk mjaftoi përgjakja, vjedhja dhe djegia e Shqipërisë së Jugut më 1913-1914 me masakra zinxhir prej Përmetit, Tepelenës, Korçës, Skraparit, Kolonjës, Delvinës dhe Çamërisë, por u desh edhe shpërngulja e Shqiptarëve të Çamërisë me marrëveshje me Turqinë 10 vjet më vonë, si dhe toka e djegur përfare dhe përndjekja nga vëndlindja Çame e Shqiptarëve në luftën e Dytë Botërore.
Për ironi të fatit Greqia, këtë gjashtëmujor, kryeson Presidencën e BE-së në vitin e 100-të të Masakrave të saj në Shqipëri. Greqia mban peng natyralizimin e emigrantëve Shqiptarë që 24 vjet. Ajo kërkon shtimin e numrit të varreve në varrezat Greke në Shqipëri dhe më shumë hapësirë detare për interesat e saj në këmbim të marrjes së statusit të Shqipërisë në BE. Paturpësisht! Greqia luan me Shqiptarët në Bruksel më shumë se në Athinë. Në Tiranë ministri i Jashtëm Venizellos as që do t'ja dijë se Shqipëria mban të hapur dosjen Çame!
Ka një heshtje varri nga Tirana zyrtare që tradhëtoi interesin kombëtar kur bie fjala për varrezat Greke, por edhe për Masakrat Geke, sepse tani kemi hallin e statusit që po na e dhanë të na duartrokasë sovrani. Edhe në ja dhëntë Europa statusin Shqipërisë, ne prapë jemi në kurth, sepse pranojmë të shkojmë në Bruksel me sovranitet dhe Kushtetutë të përdhosur së pari, nga vetë shtetarët tanë dhe së dyti, të përndjekur nga Europa me një truall kombëtar të ndarë më gjashtë copa.
Këto varre pushtuesish Grekë në Këlcyrë (kufiri pretendues i Vorio -Epirit) janë një provokim i hapur për ndjenjën kombëtare të Shqiptarëve! Pikërisht, jo shumë larg prej tyre është Peshtani i ulërimave të fëmijëve që i mbytnin në pus apo përthirrjet matanë malit të 217 Hormovitëve. Tjetër. Këto eshtra të ushtarëve Grekë na kujtojnë Shqiptarët martirë të luftës Italo-Greke që u udhëhoqën nga majori Vllaho-Grek Spiro Moisiu me batalionin Tomorri dhe nuk e kanë një varr edhe sot e kësaj dite!
Si Shqiptar i lindur në Përmet të Shqipërisë i jam mirënjohës veprës dëshmi "Barbaritë Greke në Shqipëri" që Shqiptaro-Amerikani Kosta Papa Tomorri Leusa duke qënë dëshmitar okular i Masakrave Greke njëqind vjet më parë e botoi më 1917 në Framingham, Massachusetts të SHBA-së.
Shqipëria duhet ti jetë mirënjohës këtij atdhetari që ka rrëfyer deri në detaje se çfarë ka bërë ushtria Greke në Shqipërinë e Jugut. Mos të shkojmë më larg, por të kujtojmë se vetëm në Hormovë kjo kasaphanë njerëzore e Grekërve me kryq dhe thikë në dorë duke therur edhe predikuesit e fesë myslimane dhe bektashiane ishte edhe një luftë e pastër fetare.
Ndaj, duke mos u dënuar Masakrat Greke ndaj Shqiptarëve as nga Europa dhe as nga kjo klasë politike e Tiranës, ne ja shtojmë dhimbjen Shqipërisë dhe u hapim edhe më shumë oreksin Serbëve, se është normale të mos dënohen masakrat ndaj Shqiptarëve të Kosovës. Përndryshe, e duartrokasim edhe sot dekorimin e Janullatosit nga Bamir Topi dhe propozimin për Nobël të Daçiç nga Kongresmenët Amerikanë. Prandaj, duhet që këtë muaj e vit të 100-vjetorit të Masakrave Greke Tirana zyrtare të reflektojë kombëtarisht para datës së statusit edhe për përkujtimin me dinjitet të martirëve.
ARTUR VREKAJ
|