Në kuadrin e kthimit të eshtrave në atdhe MIRËSARDHE ALI BEJ KËLCYRA Nga RESHAT KRIPA
E Shtunë, 04.05.2014, 12:36pm (GMT+1)
Mirëseardhe Ali Bej! Mirëserdhe në tokën që të lindi! Kemi shumë kohë që të presim. Kemi shumë vite që ëndërrojmë kthimin tënd në atdhe. Shpresonim të ktheheshe menjëherë pas ndryshimeve demokratike, por kjo nuk ndodhi. Ti ishe larg nesh, atje në dhe të huaj, megjithse ai dhe të priti dhe të nderoi ashtu siç e meritoje. Ti nuk ishe midis nesh që të na këshilloje me fjalën tënde të ëmbël, që të na drejtoje në rrugën e drejtë që duhej të ndiqnim.
Megjithatë ne e kemi ndjerë zërin tënd të ngrohtë, e kemi ndjerë shumë vite më parë, kur së bashku me Themistokli Gërmenjin ishe nismëtar i ngritjes së çetave të para patriotike kombëtare, kur më 1918, së bashku me shokë të tjerë themeloje në Vlorë "Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare", kur merrje pjesë në kongresin historik të Lushnjes dhe zgjidheshe në Kuvendin Kombëtar si deputet i prefekturës së Gjirokastrës.
E kemi ndjerë kur më 1920 merrje pjesë në luftën patriotike të Vlorës, kur rreshtoheshe ne krahun demokrat në parlamentin shqiptar si përfaqësues i qendrës së djathtë dhe angazhoheshe në Partinë e djathtë "Bashkimi Kombëtar", me kryetar Sotir Pecin, kur ishe njëri nga themeluesit, së bashku me Sejfi Vllamasin dhe Qazim Koculin, të organizatës "Bashkimi Kombëtar në Bari në vitin 1925, kur në vitin 1926 fitoje titullin Doktor i Shkencave Juridike.
E kemi ndjerë kur së bashku me një grup intelektualësh të njohur si Mid-hat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara e të tjerë do të përpilonit tezat e programit që titullohej "Nacionalizma Shqiptare Balli Kombëtar" që në maj 1942, në një mbledhje të zhvilluar në shtëpinë tënde, në Tiranë, së bashku me Mitat Frasherin, Fuat Dibrën, Kol Tromarën, Nuredin Vlorën, Hasan Dostin, Faik Qukun, Isuf Luzajn, Faslli Frasherin, Musine Kokalarin, Selman Rizën, Lec Kurtin, Thoma Orollogajn, Lef Nosin dhe të tjerë do të quhej "Organizata e Ballit Kombëtar" dhe do të zgjidhte si kryetar, Apostullin e Shqiptarizmës, Mid-hat Frashërin, kur më 1944 nga tribuna e Kongresit të Ballit Kombëtar do të shtroje edhe një herë nevojën për t'u bërë thirrje komunistëve të hiqnin dorë nga lufta civile dhe do të hidhje idenë e krijimit të një fronti kombëtar për t'i bërë ballë luftës në dy krahë. E kemi ndjerë edhe kur zgjidheshe nga kryetari i Komitetit Kombëtar "Shqipëria e Lirë", Rexhep Krasniqi, si këshilltar dhe mbeteshe për vite pjesëtar i delegacionit shqiptar që emërohej ne hapjen e punimeve të Parlamentit Europian në Strasburg.
Figurën tënde e kishim si simbol të lirisë dhe demokracisë në vitet e rënda të sundimit totalitar komunist. E kishim si udhërrëfyes të demokracisë pas përmbysjes së madhe. Ne krenoheshim me ty. Ti ishe nderi ynë dhe i gjithë Shqipërisë. Shumë u munduan të errësonin figurën tënde. Shumë u munduan të të diskriminonin. Dhe ky diskriminim vazhdoi jo pak, por shtatëdhjetë vjet plot. Megjithatë nuk ia arritën qëllimit.
Ti u lartësove si një Promete, ndërsa ata u fundosën në llumin që kishin përgatitur vetë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Një jetë e tërë në shërbim të kombit nuk mund të hidhej poshtë me një të rënë të lapsit. Këtë gjë po mundohen të bëjnë pseudohistorianët servilë, pjella të sistemit të përmbysur, por nuk do të mundin kurrë ta realizojnë. Ti i shpërtheve dyert e errësirës komuniste dhe dole në dritën e demokracisë, asaj demokracie së cilës i kishe kushtuar jetën. Ti u ktheve përsëri në atdhe, kësaj here fitimtar, ashtu siç janë fitimtare edhe idetë e tua për të cilat kishe luftuar për vite të tëra. U ktheve në tokën që të lindi dhe të edukoi me frymën e atdhedashurisë. Eshtrat e tua të lënduara sot prehen më në fund në atdhe. Mjaft lëngove në dhe të huaj. Vendi yt është Shqipëria. Për atë u sakrifikove dhe ajo, më në fund, të dha shtratin e prehjes tënde. Por kam disa brenga. Medet, për ty s'ka një shtatore. Do të doja të ishe në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja të të shikoja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione, nëpër shfaqjet teatrore dhe kinematografike, nëpër tekstet shkollore që mësojnë fëmijtë tanë. Do të doja të të shikoja të përjetësoheshe në përmendore në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Do të doja që emrin tënd ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit.
Do të doja, gjithashtu, të shihja të preheshin në atdhe eshtrat e kollosëve të tjerë të atdheut, Mid-hat Frashërit, Hasan Dostit, Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agajt, Ernest Koliqit, Rexhep Krasniqit dhe plot burrave të tjerë të shquar, emrat e të cilëve janë shkruar me gërma të arta në historinë e këtij kombi.
Do të doja të kishte një varr, ku familjarët të vendosin një tufë me lule ose të derdhin dy pika lot, për eshtrat e Lef Nosit, Patër Anton Harapit, Bahri Omarit, Fejzi Alizotit, Kol Tromarës, Abdyl Sharrës, Kujtim Beqirit, Sheh Karbunarës, Selaudin Totos, Sami Qeribashit, Qenan Dibrës, Zalo Xhomaqit e të tjerë, të ekzekutuar nga kuçedra e kuqe apo të Koço Kotës, Xhevat Korçës, Koço Tasit, Sulejman Vuçiternit, Mirash Ivanajt, Teme Shehut, Gjergj Kokoshit dhe plot të tjerëve të vdekur nëpër qelitë e errëta të sigurimit apo të burgjeve të tmerrshëm.
Së fundi do të doja të ngrihesh një varrezë madhështore e veçantë për të gjithë martirët e sistemit totalitar komunist, një varrezë dinjitoze ku të preheshin eshtrat e tyre dhe ku të nderoheshin nga një komb i tërë.
A do të realizohen këto brenga vallë?
RESHAT KRIPA
|