CA ÇASTE TË KËNDSHME ME Dr BUJAR LESKAJ Nga Prof. dr. ESHREF YMERI
E Shtunë, 06.14.2014, 07:23pm (GMT+1)
Me Dr. Bujar Leskaj, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u njoha një vit më parë dhe pikërisht më 13 qershor të vitit 2013, në mjediset e Teatrit "Petro Marko" në Vlorë, me rastin e një aktiviteti të Shoqatës Kulturore Atdhetare "Labëria", e cila i dorëzoi Diplomën "Personalitet i Shquar i Labërisë". Pas asaj ceremonie, në një lokal pranë teatrit, kaluam pak kohë së bashku edhe me disa anëtarë të shoqatës në fjalë.
Në Tiranë, një ditë prej ditësh, u takuam rastësisht aty afër Presidencës dhe e bëmë me fjalë që të shiheshim dikur dhe të rrinim pak më gjatë. Por nuk na u bë kollaj, aq më tepër që unë, në muajin shtator, u largova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi u ktheva në Tiranë para pak kohësh, një ditë i bëra një telefonatë Dr. Bujarit dhe ai më la takim në orën 11:30 të datës 10 qershor. Më priste në kabinetin e vet.
Në kabinetin e Dr. Bujarit kalova ca caste të këndshme. Nuk mund të rrija më gjatë, sepse telefoni nuk pushonte orë e çast, qoftë telefoni i instaluar, qoftë telefoni i dorës. Domosdo. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion me shumë peshë dhe me shumë përgjegjësi në strukturën e shtetit shqiptar. Prandaj edhe problemet që qëndrojnë para tij, janë të shumta dhe kërkojnë profesionalizëm të lartë për zgjidhjen e tyre.
Mendoj se caktimi i Dr. Bujar Leskaj në krye të këtij institucioni këtu e dy vjet të shkuara, ka qenë një zgjedhje mjaft e qëlluar e parlamentit shqiptar. Drejtimi i këtij institucioni kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe përkushtim dhe gatishmëri intelektuale, për t'u dalë përpara të gjitha shqetësimeve që lindin gjatë kryerjes së detyrave që shtron zhvillimi ekonomik i vendit dhe respektimi i ligjshmërisë në ecurinë e tij.
Dr. Bujari ka ardhur në krye të këtij dikasteri pas një përgatitjeje të admirueshme akademike. Ai ka përfunduar tre fakultete: Fakultetin Gjeologji-Miniera, degën e inxhinierisë së naftës (1990); Fakultetin Ekonomik, degën e financës (1998); Fakultetin e Drejtësisë (2002). Përveç kësaj, ai është specializuar në Departamentin e Menaxhimit të Universitetit të Nebraskës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në periudhën shkurt-qershor të vitit 2003. Në muajin shkurt të vitit 2005, ka bërë një specializim për Financat Publike në Universitetin Bamberg të Gjermanisë. Veç kësaj, ai ka mbrojtur gradën shkencore "Master në Financë" në vitin 2006, kurse gradën "Doktor i Shkencave Ekonomike" e ka mbrojtur në vitin 2009 në fushën e financës pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës.
Përvoja e gjatë si doganier dhe si drejtues i doganave, përvoja shumëvjeçare si pedagog i brendshëm dhe i jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, karriera politike si deputet dhe si Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe i Sporteve, përbëjnë prapavijën akademike të Dr. Bujarit, si specialist mjaft i përgatitur dhe me shumë përvojë në fushën e financave dhe të legjislacionit shqiptar, përvojë kjo, të cilën ai e ka derdhur edhe në gjashtë libra të botuar, si edhe në revista periodike shkencore, në artikuj në shtypin e përditshëm dhe në konferenca shkencore.
Në bisedë e sipër, Dr. Bujarit iu drejtova me një pyetje se si i trajton Kontrolli i Lartë i Shtetit ankesat apo letrat që i vijnë nga qytetarët e thjeshtë. Këtë pyetje ia bëra me qëllim që të mësoja diçka konkrete se cili është pulsi i punës në atë institucion. Sepse qëndrimi i administratës shtetërore ndaj ankesave dhe letrave të qytetarëve, nxjerr në pah faktin se cila është "frymëmarrja" e saj në raport me popullin: a "merr frymë" lirshëm kjo administratë, duke komunikuar me masën e gjerë të njerëzve, sa herë që këta shtrojnë probleme për t'u zgjidhur, apo kjo administratë është shndërruar në një institucion "azmatik", duke i anashkaluar shqetësimet e popullit, duke mos ua vënë veshin halleve të tij.
Këtë pyetje ia drejtova qëllimisht Dr. Bujarit, nisur nga një rast i papëlqyeshëm që unë pata me një titullar të një dikasteri qendror të administratës së lartë shtetërore. Titullarit të atij dikasteri qendror, më datën 06 maj 2014, i pata nisur një kërkesë me tre rreshta e gjysmë. Por ai titulllar në administratën e lartë të qeverisë së zotit Rama, për mjerimin e vet intelektual, nuk më ka kthyer përgjigje edhe sot e kësaj dite, paçka se kanë kaluar 39 ditë.
Unë sapo e nxora pyetjen nga goja, Dr. Bujari u çua menjëherë nga kolltuku, shkoi te tryeza e punës dhe dha porosi në telefon t'i sillnin të fotokopjuara të gjitha evidencat e shqyrtimit të ankesave dhe të kërkesave, drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke filluar nga 6-mujori i parë i vitit 2011. Ato evidenca m'i solli zoti Bedri Çoku, një figurë shumë e nderuar nga radhët e ish-të përndjekurve politikë, i cili u burgos në moshën 20-vjeçare dhe doli në liri në moshën 43 vjeçare, duke i ngrysur vitet më të bukura të jetës së tij prapa hekurave të ferrit komunist. Ishte pikërisht zoti Bedri Çoku ai që, në revoltën e kampit famëkeq të Spaçit, ngriti lart flamurin kombëtar, pa yllin në krye të tij.
Nga ato evidenca mësova se në 6-mujorin e parë të vitit 2011, kur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit ishte dikush tjetër, kishin ardhur gjithsej 7 ankesa. Kurse në periudhën që Kryetar vazhdon të jetë Dr. Bujari, pra, në vitet 2012, 2013 dhe në harkun kohor janar-prill 2014, respektivisht, kishin ardhur 358, 401 dhe 143 ankesa. Më bëri shumë përshtypje fakti që këto ankesa, që të gjitha, ishin trajtuar me kujdesin më të madh nga sektorët përkatës të Kontrollit të Lartë të Shtetit, me porosinë e drejtpërdrejtë të Dr. Bujarit.
Pasi u përshëndeta me Dr. Bujarin, dola nga kabineti dhe, me porosinë e tij, zoti Bedri Çoku më shoqëroi në mesoren e institucionit, për t'u njohur nga afër me muzeun-ekspozitë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ishin afishuar dokumente të tij mjaft interesante, duke filluar që nga periudha e Mbretërisë Shqiptare dhe deri në ditët tona. Dukej që ishte bërë një punë shumë profesionale, për të nxjerrë në pah traditën e kahershme të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pa harruar që të ekspozoheshin edhe fotografitë e drejtuesve të këtij dikasteri të rëndësishëm. Ky muze-ekspozitë ishte ngritur nën kujdesin e drejtpërdrejtë të dr. Bujarit, të cilin e urova me gjithë zemër për respektin që ka treguar ndaj punës pararendëse që është bërë në këtë institucion të rëndësishëm të shtetit shqiptar.
Tiranë, 14 qershor 2014
Prof. Dr. ESHREF YMERI
|