RICIKLIMI I POLITIKËS SË MBETUR Nga PËRPARIM KABO
E Djelë, 04.05.2015, 02:50pm (GMT+1)
Riciklimi i politikës së mbetur apo riciklimi i mbetjeve të politikës? Sa herë që afrojnë zgjedhjet në Shqipëri, të përgjithshme apo lokale, referendare apo të ndonjë balotazhi, po aq më shfaqet ky makth, kjo brengë qytetare, kjo ndjenjë e përzier ku ka neveri e zhgënjim, dhe një ngasje për t'ua thënë hapur: Prapë Ju? Me thesin me gënjeshtra, me premtime të parealizuara, me kapacitete të munguara! Prapë Ju, amatorë të pandreqshëm të politikës, që e keni katandisur atë në një luftë verbale konferencash shtypi, në beteja studiosh me sherrnaja televizive, në gazeta që helmojnë klimën, sa herë që marrin urdhra për të shpifur apo baltosur.
Prapë Ju, që na shputë në një institucionalizëm të asfiksuar, tek e fundit që edhe pas 25 vitesh, nuk e ndërtuat dot demokracinë funksionale në Shqipëri?! Prapë Ju, që mbetët në politikë, por me një ndryshim. Ju hytë me xhepa të ngushtë dhe bosh në 1990-tën, dhe jeni bërë me xhepa si thasë e nuk dini ku t'i fshihni paratë. Prapë ju?! E ne zgjedhësit do të duhet që me vota si "dele elektorale" të rizgjedhim atë që pa droje e quaj sot, "riciklimi i mbetjeve politike"! Dëgjojmë që ish-ministra apo ish-kryeministra, kryetarë bashkish e komunash në detyrë, ish-deputetë apo ofiqarë të pavlerë, duan të bëhen kryetarë të bashkive. Dhe vazhdojnë konsultimet, debatet dhe pazaret, për emra, për aleanca, për mirëkuptime e ndarje, por se asgjë nuk dëgjohet, nëse a ka kritere, a do të ketë standarde.
Nuk po dëgjojmë se a do të fillojë një erë e re në drejtimin e organeve të pushtetit lokal, a do të vijë ai më pranë qytetarit? A do të kemi më shumë demokraci lokale dhe nëse pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje do jetë reale, e prekshme, e besueshme? Nëse qytetari i taksuar do të jetë edhe i përfaqësuar, apo do mbetet gjysmë i taksuar, e më mirë kështu, pasi është edhe gjysmë apo më pak i përfaqësuar në nevojat dhe interesat e tij nga pushteti lokal?! Prapë Ju, që nuk u ngopët duke rrëmbyer, me llogari bankare deri në ishujt e largët, ju që jeni bërë me vila, me disa apartamente, me disa autovetura dhe që ngiheni restoranteve duke bërë humor bajat dhe duke marrë njëri-tjetrin nëpër gojë, e duke mos u ndalur të pështyni mbi fatin e vendit dhe shoqërisë.
Ju pyes publikisht: Ku është sistemi hekurudhor? Ku është flota tregtare? Ku janë pyjet? Ku janë ujërat e pastër? Ku janë ndërmarrjet mekanike dhe ato të agrobiznesit? Ku janë fushat dhe tokat e bukës? Ku janë bankat shqiptare? E kujt është nafta? I kujt është kromi, bakri, hekur-nikeli? A është Shqipëria e jona, apo përmes keqkuptimit me globalizimin, tregjet, pasuritë, atdheu u shit dhe u rishit disa herë, nga amatorë dhe profanë, nga të paditur dhe marifetçinj, nga kusarë dhe spiunë, nga të padinjitet që vetëm shqiptarë nuk mund të quhen? Politikë duket sikur prodhojmë; po qeverisje, a dimë të ndërtojmë?
Demokracia jonë ka mbetur në emergjencë dhe as po shndërrohet në të shëndetshme, sa kohë që në parlament ka të inkriminuar, në pushtetin lokal ka ende falsifikatorë dhe kryetarë bashkish që shkatërruan ultësirën bregdetare, dhe në këshillat bashkiake ende luhet një lojë e shëmtuar e bllokimeve dhe ndalimit të ecurisë normale të punëve. Ju keni filluar të mblidheni në zyra partie dhe dëgjoni po veten. Asgjë nuk vjen atje e freskët nga shoqëria, nga njerëzit në nevojë, nga të pastrehët apo të papunët, nga të sëmurët kronikë apo nga ata që godinat si "goxilla" u zënë frymën, nga ata të rinj që u kthyen në atdhe dhe të zhgënjyer duan të ikin, sepse studimet e tyre jashtë shtetit nuk i duhen kësaj "kasolles" sonë, që disa e shndërruan në mejhane. Në ato mbledhjet ku ju mblidheni, që të ndani copat e pushtetit ende të pavotuar, tregoni se votimi për Ju është hiçmosgjë, është një formalitet i ritualit institucional, që duhet në kuadrin e një vendi demokratik, sepse të ishte për disa nga Ju, as zgjedhje nuk kemi pse do të duhet të bëjmë.
Në ato mbledhje, nuk është ai plaku afro 80-vjeçar Dhimitër Ikonomi në qafë të Muzinës me dhjetë dhitë e tij, që më tha për fëmijët e tij në emigracion se, "ikën ku i shpuri era". Në zyrat tuaja, nuk është ai djaloshi Romeo Kreka nga fshati Qesarat, që priste anës rrugës që në orën 10 dhe kur në orën 13 në mes të shiut e mora në makinë deri në Memaliaj, shfryu duke më thënë se, "ishte dita e fundit për të mbushur online formularin për Maturën Shtetërore", por që kishte si shembull të vëllanë, i cili kishte studiuar për Matematikë dhe punonte mësues në fshatin e largët Progonat.
Ju pini kafe te "Rogner" dhe hani vaftet tek "Il Gusto", ndërsa populli është në mëshirën e fatit të vet, sepse çfarëdo që të thuhet prej jush, varfëria është shtuar, polarizimi ekonomik gjithë po aq, jeta është shtrenjtuar, faturat vijnë shumë të kripura, papunësia është po ajo, cilësia e jetës është e ulët, ndotja ambientale e lartë, ujërat e zeza shkojnë në det, kreditë e këqija mbetën, borxhi u rrit, por rritja ekonomike nuk po vjen, dhe sërish kreditohemi nga jashtë për të shlyer borxhet. Dhe unë si qytetar kam të drejtë të pyes dhe ta ngre zërin në kupë të qiellit: prapë Ju?! Nuk po dëgjojmë se cili do të jetë modeli qeverisjes në vitin 2015 e në vazhdim, sepse modelet janë të identifikuar dhe certifikuar në përvojën ndërkombëtare. Ja t'u referohemi dy prej tyre. Njëri quhet "Tuckman Model", që identifikohet në: "1-Storming, 2-Forming, 3-Norming, 4-Performing".
Pika e parë i referohet shkundjes së sistemit ekzistues për të lejuar ndryshimin. Nëse ne mendojmë se reforma territoriale-administrative vetvetiu do të sjellë ndryshimin, kjo pritje është e pamjaftueshme. Modeli ka të bëjë me filozofinë e sjelljes ndaj ligjit, ndaj institucionit, ndaj interesit publik, ndaj konventave ndërkombëtare me detyrimet sociale; ndaj zhvillimit real, dhe jo thjesht me bashkimet e popullsive dhe njësive territoriale nën një çati, që në shumë raste kanë prodhuar keqkuptime gati historike. P.sh., unë (autori i këtyre radhëve) në disa breza familjare jam me origjinë nga Borshi i Sarandës. Tani pas pak javësh, do të jem me origjinë nga Borshi i Vlorës. As të qesh nuk kam yshtje, jam i pafuqishëm.
Pika e dytë i referohet formëzimit të grupimeve të reja me influencë për të moduluar sistemin e ri. Por te ne, as që flitet për një model të ri, pse duhen grupet. Ndaj vazhdon rekrutimi te dera e një partie, që adoleshentët faqe parruajtur ajo i bën drejtorë dhe punonjës në Dogana e Tatime, shefa në ministritë që kontrollon, dhe kështu punët e shtetit kalojnë nga mideja dhe interesat e kryetarit të partisë në x apo y qytet, dhe nga humori i së shoqes së tij, kur ajo është te estetistja, dhe tregon si bëma, se çfarë do të bëjë partia "e madhe e vogël" e burrit të saj, ku ai është i rreshtuar në grazhdin e nuliteteve, atje ku "udhëheqësi historik" i kompromiseve mban fjalime prej babaxhani.
E treta norming, i referohet sistemit të ri, duke e bërë atë të qëndrueshëm. Por me Ju mbetjet politike, te ne nuk vjen dot një sistem ndryshe qeverisjeje lokale dhe qendrore. Zhgënjimi permanent është më i fortë se premtimet e gënjeshtërta, që vijoni të na shërbeni. Ju premtoni, jo atë që mund të bëni, por atë që njerëzit në nevojë kanë dëshirë të dëgjojnë se duhet bërë. Funksioni cognitive është braktisur, është në majë të gjuhës funksioni manipulativ. Ju i doni zgjedhjet sa të vini në pushtet, dhe mandej e përdorni pushtetin që të mbeteni në pushtet. Asgjë ndryshe. I njëjti mentalitet, filozofi dhe sjellje, paçka se vini syze optike dhe përvishni mëngët e këmishës në mes të dimrit, apo mbani ndonjë thes në krah kur përmbytet mileti, dhe pa pikë përgjegjësie thoni se, menaxhimi i situatës nuk ka nevojë për VKM, por që njerëzit të na shohin. Po (a)normal, pa dokumente e shkresa zyrtare, grabitet rehat, e gjembi nuk të hyn në këmbë. E katërta ka të bëjë me një performancë të re, që vjen si rezultat i ndryshimit. Porse, nëse në tre hapat e parë nuk realizohen detyrimet, çfarë performimi ndryshe do të duhet të presim?
Ndaj unë kam të drejtë të them: Prapë Ju?! Pra, duket qartazi, se investimi juaj ka qenë dhe mbetet në ofertë dhe jo në kërkesë. Ju merreni me drejtuesit e punëve të pushtetit, dhe jo me qytetarin që delegon me votë të drejtën e administrimit të punëve publike në pushtet. Mosqarkullimi i njerëzve që drejtojnë, (druhem ta them fjalën "˜elitë') ky moçal, po e mbyt shoqërinë shqiptare. Mes narcizmit politik do duhet t'i pëlqesh kryetarit të partisë. Një lakore historike medievale. Dikur pashait, bajraktarit, mbretit, apo sekretarit të parë të Partisë. E sot sërish kapos së partisë, që herë shfaqet me një pendim për europianizimin e munguar, e herë në anën tjetër të barrikadës, si statujë parafine, që do të lartohet politikisht duke trashur zërin, dhe sa herë që e ngre volumin, ajo masë ajri me fonema i hollohet. Rreth tyre miza servile, spiunë dhe njerëz pa vlera që ndërtojnë kurthe, ushunja të parasë së pisët, injorantë shakatorë, analistë që hamendësojnë se gjithçka do varet nga ngjyra e flokëve të kandidates, apo nga ata klounët që i imitojnë shefat edhe në gjestikulacion, në suspansën e të folurit, në fjalor, në mimikë e deri në ecje dhe mbyllje sysh, sipas pauzës së hamendësimit të kryetarët të partisë së tyre. Théâtre de marionettes! Kriza e përfaqësimit është këmbëkryq te ne.
Një ekonomist i vjetër i sektorit të naftës ma tha me dy fjalë, kur e pyeta se çfarë po ndodh në Marinzë me pusin që shpërtheu. "Te ne vidhet, ndotet, dhe askush nuk mban përgjegjësi!" Kjo vlen më shumë se çdo fjalim me premtime elektorale të gënjeshtërta. Drejtimi i ri në pushtetin lokal ka si kusht sine qua non një lidership ndryshe, kompetentë, me integritet vlerash, jo i dalë nga zyra partish, pa lidhje me oligarkinë, me mentalitet të hapur, me dinjitet publik, me kontribute reale, me aftësi që të risjellin besimin te qytetarët. Me një fjalë "i besueshëm"!
Prej pothuaj një dekade, është në fokus ai që quhet "modeli i trefishtë", ose ndryshe, modeli me tre hapa. Hapi i parë quhet ndryshe inicimi ose adaptimi, dhe ka të bëjë thjesht me vendimin për të vepruar duke adaptuar ndryshimin e dëshiruar. Ne ende s'e kemi dëgjuar se cili do të jetë ndryshimi i dëshiruar në demokracinë tonë lokale dhe në mirëqeverisjen e pushtetit lokal. Hapi i dytë është implementimi, që lidhet me adaptimin apo ndryshimin që ka filluar në hapin e parë. Hapi i tretë është institucionalizimi, i cili është "shpresëplotë dhe rezultat i të gjitha zhvillimeve të adaptuara qysh në hapin e parë, dhe më tej veprohet në hapin e dytë, si dhe bëhet kështu thellësisht një praktikë e rregullt e një normaliteti të ri." Ja pra trinomi: Ndryshim-Implementim-Institucionalizim. Pa të nuk ndërton dot një lidership të ri dinamik dhe progresiv. Edhe ata që duan me çdo kusht të zgjidhen, që flenë me ëndrra dhe zgjohen me demek projekte në duar, të kenë së paku një fije përgjegjësie morale, sepse profesionale as që bëhet fjalë. U pyet një kandidate e mundshme në një qytet nga lideri i partisë së saj: "Pse do të bëhesh kryetare bashkie?" Ajo u përgjigj: "Dua ta humanizoj punën në bashki". "Po si mendon ta realizosh një gjë të tillë" ishte kundërpyetja. Përgjigjja e saj ishte: "Hiçmosgjë!" Kaq e lehtë qenkërka puna e drejtimit të pushtetit lokal, sa e mendojnë disa që janë trashur mbi të, dhe disa që duan ta provojnë këtë proces trashjeje duke u zgjedhur në 21 qershor 2015? Energjia njerëzore, qoftë edhe ajo e drejtimit, kalon nga Modulation-Storming-Forming. Kështu lëshohet thirrje apo mandatim për të bërë ndryshimin, pra veprime që janë quajtur Storming dhe që përthyhet në ligjshmëri të re, procedura të reja dhe mënyra të reja për të mbrojtur energjitë e njerëzve në organizim. Pra, të ndryshosh duke ndërtuar forma të reja, ku energjia njerëzore mbështetet me ligje dhe me rregulla të reja.
Nëse do të vijnë të rinj në drejtim, ata/ato do të duhet të na japin garanci për një performim ndryshe, ku tre E-të e mirënjohura të jenë prezente. Ekonomicitet-Efektivitet-Efiçencë. E nëse këta që janë turrur për tu zgjedhur, as që e kanë dëgjuar këtë treshe të E-ve, që njihet në të gjithë botën e civilizuar, (dhe që aplikohet në auditimin e performancës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit prej disa vitesh me shumë sukses) bëjnë më mirë të mbeten atje ku janë, në gjumin me sy hapur të paditurisë së tyre modele. Lidershipi, ndryshe nga ai i derisotmi, lyps certifikime individuale, certifikime të ekipeve të punës, dhe deklarimin e misionit dhe vizioneve, pa të cilët, as që mund të krijohet grupi i pjesëmarrësve që i bashkohen organizimit të ri, të menduar së paku më të efektshëm dhe që përmirëson ndjeshëm dimensionimin e grupimit antropologjik, duke e bërë atë më të vetëdijshëm dhe më proaktiv për këtë vizion të deklaruar. Në këtë klimë mundet të besohet se mund të ngjizen realisht ekipe pune, se mes tyre mund të komunikohet, se ata janë të zotët të ndërtojnë negocimin institucional dhe se mes tyre bashkëpunohet në vijimësi që të realizohen objektivat. Ndryshe, kryetarit të zgjedhur të bashkisë, i mbetet të mbledhë rreth vetes thjesht hyzmeqarët. Nga kjo politikë e mbetur peng, nuk do të mund të besojmë dhe të presim që të ndërtohen: Politika e zhvillimit Plani i veprimit Veprimi i artikuluar, afatet dhe kostot Politika e vlerësimit dhe pranimi i ekspertëve të jashtëm që ndihmojnë institucionet përmes trajnimit të ekipeve, me qëllim që ata të realizojnë objektivat e afishuara si pjesë e programit.
Pushteti te ne, në të gjitha nivelet, ka nevojë të institucionalizohet në punën që bën, dhe kjo matet me dyfaktorëshin: Norming/Performing. Në themel qëndron një përmbajtje më dinamike e punës. Në qoftë se implementimi i një modeli të ri drejtimi institucional, është veprimi dhe riveprimi ndryshe i individëve dhe ekipeve, me qëllim për të shprehur realisht një normalitet të ri në performancë, norming duhet llogaritur si ndërhyrje e kryer për të ndryshuar atë çfarë ka qenë mësuar dhe mbetur si një rutinë frenuese. Në këndvështrimin e artikuluar, unë shpreh shqetësimin se edhe në këto zgjedhje për pushtetin lokal, është gati e pamundur që të përfitojmë zgjidhje të problematikave, sa kohë që as dëgjojmë e as lexojmë gjëkundi, se po punohet nga partitizmi instaluar për 25 vite te realiteti ynë shoqëror, për gjetjen e modeleve të reja të drejtimit dhe ushtrimit të qeverisjes vendore. Ndryshe kjo lexohet: riciklim i politikës së mbetur. Nuk po shohim në horizont individë dhe ekipe ndryshe nga këta të derisotmit, dhe kjo mund të formulohet si riciklim i mbetjeve politike. Një histori tashmë e jetuar, që na afrohet të rijetohet në një kohë me numra të tjerë. Dhe kjo quhet riciklim i historisë së konsumuar! Duhet, me sa duket, të presim ende. Historia vazhdon!
PËRPARIM KABO
|