Pas opinionit të GJND se pavarësia e Kosovës është legjitime, pritet një valë e re njohjesh të pavarësisë së Kosovës. Rritja e vendeve që do të njohin shtetin e ri të Kosovës lidhet me numrin e votave që këto vende do të grumbullojnë në sesionin e ri të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së e cila do të mbahet në shtator. Nëse do të ketë numrin e nevojshëm e të domosdoshëm të votave, që do të thotë 2/3 e vendeve anëtare, atëhere Kosova mund të njihet direkt, duke u bërë kështu vendi i 193-të, anëtar i OKB-së. Në këtë mënyrë ka kaluar në OKB edhe Kina, duke u votuar në Asamblenë e Përgjithëshme, për t'u shmangur kështu përdorimi i vetos nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, menjëherë pas opinionit të GJND bëri ftesë për njohje të reja për shtetin e ri të Kosovës: "në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, ne u bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një hap të tillë", tha Zonja Clinton. Nuk ka asgjë të panjohur. Njohjet e reja i duhen Kosovës, në mënyrë që këtë shtator, në takimin e Asamblesë së Përgjithëshme, të fitojë karriken në OKB. Pra synimi i Kosovës është të anëtarësohet në OKB në shtatorin e vitit 2010. Dhe jo ashtu siç ka deklaruar për çudi presidenti i Kosovës z.Fatmir Sejdiu, se "Kosova mund të bëhet anëtare e OKB-së vitin që vjen, dmth më 2011" !
Nuk dihet se në ç'rrethanë e ka bërë këtë deklarim presidenti i Kosovës, por sido që të ketë qenë puna, është një deklarim shumë infantil, që bie ndesh me interesat kombëtare të Kosovës dhe interesat afatgjata të rajonit të Ballkanit.
Për të vonuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, për të mos lejuar anëtarësimin e Kosovës në sesionin e ardhshëm të Asamblesë të Përgjithëshme, që do të mbahet këtë shtator, Serbia, menjëherë, posa GJND shpalli legjitime pavarësinë e Kosovës, filloi një fushatë agresive diplomatike, duke angazhuar çdo burim të mundshëm, për të penguar Kosovën që të jetë vendi i 193-të në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Këtë fushatë antiKosovë Serbia e ka ndërmarrë, ngaqë e ka fare të qartë se tani, pasi e ka kaluar provimin nga GJND, Kosova mund të anëtarësohet në shtator në OKB. Pra anëtarësimi i shtetit të ri të Kosovës në OKB është eminent e nuk është surprizë për askënd. Kështu s'duhet të jetë as për presidentin e Kosovës. Sonja Biserko, kryetare e Këshillit të Helsinkit në Beograd, në një intervistë dhënë tek radio Evropa e Lirë, më 5 Korrik të këtij viti ka thënë se "Pas vendimit të GJND-së, do të ndryshohet qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, pasi që pritet valë e re e njohjeve të Kosovës", duke shtuar më poshtë se "Kosova do të jetë brënda disa muajve në OKB".
Këtë frikë e ka edhe Beogradi, prandaj ka aktivizuar të madh e të vogël kundër anëtarësimit të Kosovës në takimin e rradhës të Asamblesë të Përgjithëshme të OKB, në fillim të vjeshtës së këtij viti. Pasi Serbia synon ta shtyjë e ta shtyjë nga viti në vit. Ndërsa Presidenti i Kosovës duhet të përdorë gjithë kapacitetet që ka në dipozicion, nëse ka, që anëtarësimi i Kosovës në OKB të bëhet këtë shtator.
Në këtë kontekst duhet të lëvizin të gjitha institucionet e Kosovës bashkë me ato të Shqipërisë, për të bërë një fushatë diplomatike të të gjitha niveleve, për të nxitur dhe sponsorizuar sa më shpejt të jetë e mundur anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Pozita, opozita, parlamenti, qeveria në Kosovë e Shqipëri, duhet të vendosin gjithçka në funksion të vendit të 193-të në OKB. Zënkat, mëritë, lufta për pushtet, pushimet e verës, plazhet gjithçka duhet të lihet mënjanë për hir të ardhmërisë së Kosovës. Sepse anëtarësimi i Kosovës në OKB ia hap rrugën integrimit të saj në BE dhe NATO, çka lidhet direkt me paqen dhe sigurinë afatgjatë të rajonit.