Sipas mendjes sime, kalkuluesit (përllogaritësit) më të zotë në politikën e Kosovës janë Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi. E saktësuar më tej, Thaçi-Sejdiu janë çifti politik kalkulues më i zoti në politikën e Kosovës.
Kalkulimet (përllogaritjet) janë përmasa më e pamungueshme dhe më e pazëvendësueshme e politikës, fëmijë jo e pafajshme, madje tejet e sofistikuar e zgjuarsisë, dinakërisë dhe trimërisë së politikës. Nganjëherë shpërblen edhe duke qenë vetëm bijë e njërës prej tyre, nganjëherë nuk ia arrin dot pa qenë bijë e barabartë a pothuaj e barabartë e të triave së toku.
Në atë trinom cilësish, mendoj se dy krerët e partive më të mëdha aktuale të Kosovës, duetit më timbrik partiak, janë më plotësuesit mes tyre nga çdo duet tjetër në politikën e Kosovës, me ngjyrues ndaj njëri tjetrit.
Mendje të tjera, në media dhe jo në media, thonë se dyshja është shpërbërë për faj të çka i ndodhi ish presidentit, ku nuk është pa faj kryeministri. Dhe hamendin se Thaçi po bën pazare me AAK-në. Sipas këtyre, midis të Sejdiut e Thaçit nuk kanë shkuar punët mirë dhe dorëheqjen e të parit e ka pasuar ftohja midis tyre dhe midis LDK-së e PDK-së, ndoshta tash e mbas bukë e thyer, që nuk ngjitet mesvete më.
Hamendjet, hamendësitë buisin si kurrë në periudhat parazgjedhore. Buisin pa masë ato kur zgjedhjet janë të parakohshme e të paraprira nga një dorëheqje si ajo e Sejdiut, jo pak spektakolare dhe njësoj e bujshme, jo veç për një vend me jetë politike, falë veçantive të ndërkohës historike, përgjithësisht të njëtrajtëshme, të rrafshët si Kosova.
Periudhat parazgjedhore janë periudhat e vlagave politike. Dhe vlagat politike përkojnë pikë për pikë me vlagat mediatike. Temat janë përfushë, idetë shkëndijojnë edhe aty ku nuk i pret kush, hamendjet shfrenohen, marrin flatra, marrin shumë palë flatra, fantazitë dalldisen. Dhe janë periudhat kur mediat dhe politika, më shumë se kurrë i dalin në vitrinë njëra tjetrës, natyrisht vetëm me trup, jo me shpirt.
Nuk përjashtohet asnjëherë, prandaj, që hamendësit më të regjur të dalin parashikuesit më të pasaktë në fund të proceseve zgjedhore. Natyrisht, më të parashikueshmet janë ato procese ku partitë hyjnë në koalicione parazgjedhore. Sepse koalicionet paszgjedhore janë nga më të papërfytyrueshmit, nga më pragmatikët. Në politikën e Kosovës, për shembul, nuk mund të përjashtohet asnjë lloj koalicioni paszgjedhor. E sigurtë do të ishte vetëm se në krye të çdo koalicioni kësodore të jetë Partia Demokratike e Kosovës, pra Thaçi.
Gjithnjë te kjo temë. Nëse, për shembull, në zgjedhjet e vitit 2007 Sejdiu dhe Thaçi do të kishin shpallur koalicion parazgjedhor, atëherë votat e përbashkëta të tyre do të ishin shumë më të pakëta. LDK-ja, pothuaj do të ishte fshirë përfundimisht nga renditja zgjedhore, ndërsa PDK-ja do të kishte korrur rezultatin më të dobët të saj.
Sot është ndryshe. Elektorati i të dyja partive është mësuar me politikbërjen e përbashkët të kryeliderëve të të dyja partive. Dhe ne e kemi parë të gjithë sa bazat e asnjërës parti nuk po e vënë në pikëpyetje përsëritjen e këtij koalicioni për katër vitet e ardhshme.
Tash thuhet se Hashim Thaçi po bën pazare me AAK-në. Thuhet edhe se Thaçi ka vënë në dispozicion të Haradinajt, për gjykimin në Hagë, shumë një milion euro. Kjo hamendje, edhe nëse përgënjeshtrohej plotësisht, do të linte një mbresë të fortë tek elektorati dhe do të shndërrohej në më shumë vota për PDK-në. Nga ana tjetër, një koalicion parazgjedhor, qoftë edhe në trajtën e përfolur, pra i thashethemnuar, nuk di se do të kishte pasojë të mirë për AAK-në.
Nëse pyetesha unë, megjithatë do të thoshja se një koalicion qeverisës midis PDK-së dhe AAK-së, për shembull, do të ishte shumë më tepër në interesin kombëtar të Kosovës, prandaj edhe në interesin mbarëkombëtar të shqiptarëve se një koalicion qeverisës midis PDK-së dhe LDK-së. Nëse do të më kërkoheshin, unë do të rendisja argumente të pafundme në të mirë të këtij versioni.
Një koalicion i përsëritur mes PDK-së dhe LDK-së, gjithnjë sipas meje, tashmë do të ishte shumë më tepër në interes të dy liderëve (Hashimit dhe Fatmirit, Fatmirit e Hashimit) se në interes të të dyja partive, se në interesin kombëtar të Kosovës dhe të krejt shqiptarëve.