IKJE SPEKTAKOLARE NGA BRUGU ZVICERAN, NDËR TA DY SHQIPTARË, NJËRI NGA SHQIPËRIA, TJETRI NGA KOSOVA
E Mërkurë, 05.15.2013, 11:18am (GMT+1)
ZVICËR- 5 të burgosur mes tyre 1 shtetas shqiptar dhe 1 kosovar kanë mundur të
arratisen në mënyrë spektakolare nga burgu Bois-Mernet, i Lozanës, në Zvicër.
4 nga të burgosurit janë dënuar për rrëmbim, vjedhje, trafik droge dhe armësh
apo krime të tjera. Ndërsa i pesti është një 35-vjeçar serb, i cili bën pjesë
në grupin famëkeq "Pantera Rozë", (Pink Panther) një bandë hajdutësh
ndërkombëtarë të bizhuterive.
Ikja ka ndodhur gjatë kohës së shëtitjes së të burgosurve në oborrin e burgut.
Albinfo.ch mëson se tre persona nga jashtë janë ngjitur me një shkallë metalike
në rrethojat e burgut dhe u kanë hedhur pjesëtarëve të grupit një thes ku
kishte mjete si një imitim të revoles, një shishe me lotsjellës dhe një vegël
për prerje të metalit.
Me këto mjete pesë të burgosurit kanë kërcënuar të burgosurit e tjerë dhe
gardianët, duke i neutralizuar këta të fundit. Pasi kanë prerë një pjesë të
rrethojës prej teli, ata kanë kapërcyer murin e jashtëm. Vetëm njëri prej tyre
nuk ka mundur të ikte pasi e kanë kapur gardianët.
I gjithë aksioni nuk ka zgjatur më shumë se 5 minuta dhe duket të jetë
planifikuar për një kohë të gjatë.
Pas alarmit, Policia e Kantonit të Vaudit ka mobilizuar një numër të madh
pjesëtarësh të saj të cilët janë vënë në kërkim të të arratisurve. 20 patrulla
policore janë vënë në veprim dhe janë bllokuar një numër rrugësh.
www.voal-online.ch
|