SHQIPËRI - LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT SHTON HETUESIT
E Mërkurë, 04.09.2014, 06:32pm (GMT+1)
Prokuroria vendosi sot që të shtojë numrin e prokurorëve në 4 qytete të mëdha të vendit për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Njësia e posaçme kundër korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës u bë me 10 prokurorë pasi sot u shtuan edhe dy të tjerë, Durrësi do të ketë 5 prokurorë në njësinë e përbashkët hetimore pasi u shtuan edhe 2 prokurorë, Vlora u bë me 3 prokurorë antik-korrupsion, ndërsa në Elbasan u hap njësia e posacme hetimore me 3 prokurorë. Sipas prokurorisë së përgjithshme, këto shtesa u bënë për shkak muajt e fundit është rritur ndjeshëm ngarkesa e punës në Njësitë e Përbashkëta Hetimore. Prokuroria e vlerëson luftën kundër korrupsionit si detyrë kryesore dhe po i forcon njësitë e përbashkëta hetimore me ekspertë dhe pajisje.
Lufta ndaj korrupsionit dhe reformimi i drejtësisë ishte sot temë kryesore e një konference të ministrisë së drejtësisë, OSBE dhe USAID. I ngarkuari me punë i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Henry Jardine tha se gjykatat shqiptare kanë një problem shumë të madh me menaxhimin e proceseve gjyqësore; në to zhvillohen një numër i madh seancash gjyqësore, joproduktive që humbin kohën të gjitha palëve.
"Taktikat e avokatëve për të zvarritur procest gjyqësore dhe vonesat e proceseve në gjykata kanë sjellë acarrimin dhe mosbesimin e rritur të qytetarëve ndaj drejtësisë, mungesën e respektit ndaj tij" - tha i ngarkuari me punë i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Henry Jardine. - Ka ardhur koha që këto vonesa duhen shmangur dhe të bëhet një drejtësi e vërtetë për të gjithë.
Ministri i drejtësisë Nasip Naço tha se qeveria do të kryejë reforma të thella në sistemin e drejtësisë pa prekur kushtetutën. Ai tha se të majtët kanë në parlament një shumicë votash të konsoliduar, për të kryer reformat, por nuk është përdorur ende sepse pritet ndihmesa e partnerëve ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, zoti Naco tha se i ka kërkuar KLD shkarkime për disa gjyqtarë për shkelje në punë. Ministria e drejtësisë dhe ajo e brendshme janë të angazhuara për luftën kundër korrupsionit dhe reformën në gjykata. Zoti Naço tha se edhe KLD mund të ndihmojë më shumë procesin, duke shqyrtuar propozimet për ndryshime në sistemin gjyqësor.
Por KLD deklaroi se propozime për të dënuar gjyqtarët problematikë nuk janë vonuar. Disa nga këto propozime ishin në tryezë mbledhjen e kaluar dhe 5 të tjera janë për mbedhjen tjetër pas pak ditësh. Në vitin 2013 janë kërkuar masa disiplinore për 16 gjyqtarë, dhe këtë vit është kërkuar të ndëshkohen 10 gjyqtarë, çka tregon vendosmërinë e KLD-së për të dënuar gjyqtarët që abuzojnë me sistemin dhe për t'u bërë pjesë e reformave dhe përmirësimin e standardeve gjyqësore.
Shumica e re është duke hartuar ndryshime të rëndësishme në kodin e procedurës penale, ku mes të tjerave parashikohen gjoba të rënda edhe për avokatët, që zvarritin gjyqet me mungesat e tyre, si dhe për pjesëtarë të tjerë të sistemit të drejtësisë. Shqetësimi kryesor mbetet lufta kundër korrupsionit brenda vetë gjykatave, ndërsa qytetarët shprehin një perceptim tejet negativ për drejtësinë. za
www.voal-online.ch
|