DOSJA 'OLLDASHI' NË PRITJE TË TË DHËNAVE NGA KOMPANITË CELULARE
E Enjte, 04.10.2014, 08:37am (GMT+1)
Dosja e vdekjes së deputetit demokrat Sokol Olldashi vijon të mbetet e hapur. Hetimi mbi aksidentin e ndodhur në aksin Elbasan-Tiranë në 20 nëntor të vitit të kaluar vijon prej muajsh në prokurorinë e Tiranës, e cila, pasi ka marrë në pyetje një numër të konsideruar peronash, pret ende disa verifikime për të marrë një vendim përfundimtar.
Gazeta "Shqip" shkruan sot se çështja duket se ka mbetur "peng" e disa kompanive celulare, të cilat nuk kanë bashkëpunuar me grupin hetimor, i cili pret të mësojë më shumë mbi vendndodhjen e disa dëshmitarëve të kësaj çështjeje. Deri më tani, prokuroria ka marrë në dorë aktin e ekspertimit autoteknik dhe raportin mjekoligjor, të cilat flasin për një aksident të pastër automobilistik, hetuesit po kryejnë të tjera verifikime për vendndodhjen e dëshmitarëve apo personave të përfolur për këtë çështje në opinionin publik. Pas ngjarjes, mediat, por jo vetëm, do të raportonin se në automjet ishin dy persona, ndërsa në një komunikim me mediat, Policia e Shtetit tha se në autoveturë ishte vetëm deputeti Olldashi, i cili fatkeqësisht humbi edhe jetën. Prokuroria vijon të pohojë se nuk ka marrë asnjë vendim për ngjarjen ku humbi jetën deputeti Sokol Olldashi, pasi deri më tani nuk ka persona të hetuar apo edhe të dyshuar.
Sipas akuzës, verifikimet e fundit kanë të bëjnë pikërisht me gjetjen e vendndodhjeve të disa dëshmitarëve, që kanë lajmëruar të parët policinë për ngjarjen në fjalë. Madje është kërkuar vendndodhja e personave që kanë rezultuar se kanë pasur dijeni për këtë çështje, direkt apo indirekt apo edhe të të përfolurve se mund të ishin në këtë automjet.
"Pas ngjarjes, shoferi i deputetit Olldashi ka lajmëruar i pari për aksidentin. Madje, nga dëshmia e tij, ai ka pohuar se ka lajmëruar edhe deputetin tjetër, Igli Cara, i cili kishte lënë një takim me Olldashin. Personat e tjerë që do t'u verifikohet vendndodhja janë edhe policët që kanë shkuar të parët në vendngjarje apo edhe personat e tjerë të përfolur se mund të ishin në automjet me ish-ministrin e Transporteve", pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat shtojnë se u kanë kërkuar kompanive celulare që të gjejnë se ku ndodheshin disa numra celulari pasditen e 20 nëntorit të vitit të kaluar. Antenat do të përcaktojnë më së miri se ku ndodheshin saktësisht këta numra telefoni apo lëvizjet e tyre ditën që ndodhi edhe ngjarja. Megjithëse akuza pohon se nuk ka marrë asnjë të dhënë nga kompanitë celulare për vendndodhjen e dëshmitarëve.
www.voal-online.ch
|