SHKUP - AVOKATI I POPULLIT MBRON TË DREJTËN E QYTETARËVE PËR PROTESTË
E Premte, 05.08.2015, 04:40pm (GMT+1)
Avokati i popullit në Maqedoni, është shprehur se e drejta e qytetarëve për të protestuar garantohet me Kushtetutë dhe me vendosjen e kordonëve të policisë para qeverisë, qytetarëve të Maqedonisë u cenohet kjo e drejtë për të shprehur revoltën e tyre ndaj pushtetit.
Gjatë dy ditëve të fundit (të mërkurën dhe të enjten), forcat policore u kanë pamundësuar mijëra protestuesve të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski, t'i afrohen ndërtesës së qeverisë, e që më pas, ata u janë drejtuar Kuvendit të Maqedonisë për të protestuar.
Avokati i popullit Ixhet Memeti, thekson se ligji për tubime publike, qartë definon se para cilave institucione nuk mund të protestohet, ku përjashtohet qeveria si institucion.
"Protesta nuk mund të mbahen para institucioneve shëndetësore përkatësisht spitaleve, kopshteve të fëmijëve, shkollave, dhe kjo është e definuar në ligj", thekson Memeti.
Por, Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni, konsideron se vendosja e kordonit policor para Qeverisë është konform ligjit për tubime masive, ngase siç thekson zëdhënësi i dikasterit të policisë, në ligjin mbi tubimet publike qartë është definuar se protesta duhet të lajmërohet zyrtarisht në polici nga ana e organizatorëve.
"Me vet faktin se nuk kemi askënd që paraqitet si organizator, përkatësisht dikush qo do të marrë përgjegjësinë mbi të gjitha zhvillimet gjatë protestave, tregon se protestat nuk organizohen në përputhje me ligjin për tubime publike".
"Madje dhe situata e krijuar pas lëndimit të 38 policëve gjatë përleshjes me protestuesit në ditën e parë të protestave, na obligon që ne të ndërmarrim masa si për sigurinë e institucioneve, njëherësh bëjmë përpjekje maksimale që mos të vëmë në rrezik edhe jetën e pjesëtarëve të forcave të policisë", thekson Ivo Kotevski.
Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Mirjana Najcevska, njohëse e çështjeve juridike, duke theksuar se "ligji pamundëson lëvizjen e qytetarëve në situata të jashtëzakonshme në periudha të shkurtëra kohore, por jo siç ndodhi ditëve të fundit në Maqedoni, duke i pamundësuar qyetarët të protestojnë para Qeverisë".
"Në këtë rast sipas meje duhet të reagoj dhe Gjykata Kushtetuese, meqë ka mundësi dhe ingerenca për të reaguar në ato raste kur ekzistojnë mundësi për shkeljen e të drejtave të njeriut", thekson Najcevska.
Përmes rrjeteve sociale edhe gjatë ditës së premte, paralajmërohet organizimi i protestave para Qeverisë së Maqedonisë. rel
www.voal-online.ch
|