Përmes mjeteve të informimit masiv, u njoha me protestën e Shoqatës së
Gazetarëve, që qe organizuar para Ministrisë së Punëve të Jashtme më 24 gusht,
për të ngritur zërin kundër qëndrimit të shtetit shovinist grek ndaj gazetarit
të TV Top Channel, zotit Marin Mema, të cilit ky shtet shovinist i ka deklaruar
përmes organeve të veta kufitare se i ndalohej përgjithmonë hyrja në Greqi.
Këtë problem e kam trajtuar para pak ditësh në një shkrim të botuar në internet
me titull: "Greqia, kjo copë mesjetë në gjirin e Bashkimit Evropian".
Shoqata e Gazetarëve bëri shumë mirë që e organizoi atë protestë, në të cilën
dallohej edhe një pankartë ku shkruhej:
"Greqia, fytyra e shëmtuar e Evropës".
Fjalët e asaj pankarte ishin shumë të gjetura. Por problemi është se zotërinjtë
e Shoqatës së Gazetarëve e kuptuan me shumë vonesë që Greqia përfaqëson fytyrën
e shëmtuar të Evropës. Në të vërtetë, Greqia, tradicionalisht, ka përfaqësuar
fytyrën e shëmtuar të Evropës në qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Por u desh
shembja e sistemit komunist në Shqipëri që fytyra e shëmtuar e Greqisë të
shpalosej me tërë lakuriqësinë e vet. Prandaj të vjen keq që Shoqata e
Gazetarëve u kujtua me shumë vonesë për ta nxjerrë në spikamë para opinionit
publik shqiptar fytyrën e shëmtuar të shtetit shovinist grek.
Gazetaria përfaqëson pushtetin e katërt, një pushtet ky jashtëzakonisht i
fuqishëm, i cili trondit nga themelet tre pushtetet e tjera me koracë juridike.
Termin pushteti i katërt (në anglishte Fourth Estate) e ka përdorur për herë të
parë shkrimtari, publicisti, historian dhe filozofi britanik Tomas Karlejl
(Thomas Carlyle - 1795-1881). Por
nganjëherë thuhet se autorësia e këtij termi i përket Zhan-Zhak Rusoit
(Jean-Jacques Rousseau - 1712-1778). Në të vërtetë, në shtyp e ka përmendur për
herë të parë personaliteti shtetëror britanik, historiani, poeti dhe prozatori
i epokës viktoriane Tomas Makolej (Thomas Babington Macaulay - 1800-1859).
Për shkak të rolit të pazëvendësueshëm që luajnë në jetën e vendit, gazetarët
janë rregullatorë të ekuilibreve shoqërore. Historia e gazetarisë është e
mbushur me shembuj kuptimplotë, kur këta heronj në mbrojtje të së vërtetës,
kanë rënë pre e pushteteve autoritariste.
Para ca vitesh, një gazetar i mirënjohur shqiptar u keqtrajtua nga ministri i
brendshëm. Shoqata e gazetarëve reagoi në mënyrë të menjëhershme. Madje reagoi
vendosmërisht, derisa ministri në fjalë u detyrua të jepte dorëheqjen. Protesta
kundër qëndrimit të shtetit shovinist grek ndaj gazetarit Marin Mema, të krijon
përshtypjen sikur Shoqata e Gazetarëve përmendet për të protestuar kundër
padrejtësisë, vetëm kur i preken "sinoret" e veta. Kjo nuk është e drejtë.
Gazetaria duhet të luajë rolin e vetë mjaft fisnik, para së gjithash, në
mbrojtje të interesave tona kombëtare. Se gjatë këtyre 21 viteve kemi pasur
mjaft raste kur janë cënuar rëndë interesat tona kombëtare, por zëri i
protestës kolektive të Shoqatës së Gazetarëve nuk është dëgjuar fare.
Në kufirin me Greqinë, shteti shovinist grek nuk i ka lejuar mjaft qytetarë
shqiptarë të hyjnë në territorin grek, vetëm e vetëm se janë me prejardhje nga
Çamëria. Por Shoqata e Gazetarëve nuk është kujtuar të protestojë kolektivisht.
Çështjes çame Enver Hoxha i kishte vënë përsipër gurin e rëndë të heshtjes së
madhe. Këtë gur ka vazhduar të mos e lëvizë fare nga vendi edhe mbarë klasa
politike që erdhi në pushtet pas shembjes së komunizmit në vendin tonë. Për
çudi, Shoqata e Gazetarëve, duke ecur në hullinë e klasës politike, s'është
ndier për e gjallë për çështjen çame, e cila, me kalimin e kohës, sipas të gjitha
gjasave, po vjen e shndërrohet në një vullkan që dikur do të shpërthejë.
Misionari i shovinizmit grek në Tiranë, Janullatosi, i ka deklaruar haptas
gazetarit amerikan Fred Reed se në Shqipëri duan të instalojnë një shtet
fundamentalist islamik që të luftojë ortodoksinë. Një shpifje e ulët kjo e
këtij njeriu që pretendon se merret me punët e fesë.
Shkrimtari anglez Oskar Uajld (Oscar Fingal O'Flahertie Wills Wilde -
1854-1900) thotë:
"Në themel të çdo shpifjeje qëndron fryma e imoralitetit, të cilin koha ia ka
verifikuar shpifësit me kujdes".
U bënë kaq vjet që kanë kaluar pas kësaj shpifjeje të Janullatosit, por deri më
sot askush nga shqiptarët nuk ka vënë re që në Shqipëri të instalohet ndonjë
shtet fundamentalist islamik. Prandaj shpifja e Janullatosit vërteton se ai
qëndron në pozitat e imoralitetit politik në qëndrimin ndaj Shqipërisë,
Ne gazetën "Katerinimis" Janullatosi ka deklaruar publikisht:
"Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve që feja e shqiptarit është shqiptaria. Këtë
tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare".
Pra, Janullatosi ka kërkuar t'i zhveshë shqiptarët nga shqiptaria, e cila është
fe përmbi çdo fe. Por Shoqata e Gazetarëve, fatkeqësisht, ka heshtur, në vend
që të reagonte fuqishëm kundër qëndrimit të Janullatosit dhe të kërkonte
largimin e tij nga vendi ynë, meqenëse misioni i tij është vetëm politik, në
shërbim të shovinizmit grekokaragjoz.
Janullatosi shkatërroi shtëpinë e kulturës "Naim Frashëri" në Përmet që për ne
ishte simbol kombëtar, por Shoqata e Gazetarëve nuk u bë e gjallë për të
protestuar.
Shteti italian, më shumë se pesëdhjet vjet më parë, eshtrat e ushtarëve
agresorë italianë i mblodhi ku ishin e ku s'ishin në mbarë territorin e vendit
tonë dhe i rivarrosi në atdheun e vet. Kurse shovinizmi grekokaragjoz u kujtua
pas shtatëdhjetë vitesh për eshtrat e ushtarëve agresorë grekë, jo për t'i
mbledhur dhe rivarrosur në vendin e vet, por për të ngritur varreza, memoriale
dhe manastire në nderim të tyre, duke ndotur me to territorin e Shqipërisë së Jugut,
për qëllime shoviniste afatgjata. Me lejen që i dha shovinizmit grekokaragjoz
për ngritjen e këtyre objekteve për ushtarët agresorë grekë, klasa politike
shqiptare ka kryer një akt tradhtie kombëtare. Por Shoqata e gazetarëve ka
heshtur për një akt të tillë tradhtie.
Është e vërtetë që objektet e shenjta të të tre kulteve fetare pësuan dëmtime
të rënda gjatë sundimit komunist. Prandaj edhe pas vitit 1990 në vendin tonë
erdhën klerikë nga vende të ndryshme për të ndihmuar të tre komunitetet fetare.
Por askush nga klerikët e huaj myslimanë dhe katolikë nuk erdhi në Shqipëri për
të synuar hedhjen në dorë të kreut të këtyre komuniteteve. Vetëm Janullatosi,
përmes tradhtarit Ramiz Alia, bëri njërën për të hedhur në dorë kreun e Kishës
Ortodoksë Shqiptare, të cilën e ka shndërruar përfundimisht në filial të kishës
shoviniste greke. Këtë fakt e vërteton historiani grek Nikolas
Stavros në librin "Grekët dhe ballkanasit e rinj". Klerikë ortodoksë mund të
vinin nga Bullaria apo Rumania për të ndihmuar kishën ortodokse shqiptare, por
në asnjë mënyrë nga kisha shoviniste greke, e cila i ka duart të lyera me
gjakun e martirëve të ortodoksisë shqiptare. Aq më tepër kur kisha shoviniste
greke dhe shovinizmi grekokaragjoz kanë pretendime territoriale ndaj vendit tonë,
paçka se trojet etnike shqiptare shtrihen deri në Artë e Prevezë.
Klasa politike shqiptare i ka hedhur pas krahëve fjalët e mikeshës së madhe të
popullit shqiptar Edit Durham, e cila në veprën e vet me titull "Brenga e
Ballkanit", shkruante se tek udhëtonte nëpër Shqipërinë e Jugut, gjithandej
dëgjonte thirrjen "...na shpëtoni nga prifti grek!". Por këto fjalë të arta të
saj nuk duhej t'i hidhte pas krahëve Shoqata e Gazetarëve.
Këto të vërteta tragjike i di shumë mirë Shoqata e Gazetarëve, por nuk ka
reaguar me protesta absolutisht.
Doli profetik parashikimi i Nolit të Madh, i cili, që në vitin 1962, pati
deklaruar se pas vdekjes së tij, kishën ortodokse shqiptare do ta hidhnin në
dorë grekët.
Më 25 mars 2010, pikërisht atë ditë kur në parakalimin tradicional para
presidentit të vendit, të organizuar me rastin e festës së pavarësisë së
Greqisë, ushtarët grekë poshtëronin shqiptarët me këngë rreshtore, parlamenti
shqiptar mblidhet dhe kalon ligjin për kufirin detar me Greqinë. Por shoqata e
gazetarëve heshti, nuk organizoi protesta të fuqishme kundër vendimit të
parlamentit dhe kundër presidentit Topi, i cili atë vendim e dekretoi
menjëherë, sipas urdhrit që kishte marrë nga Athina.
Shkrimtari i shquar me prejardhje hebraike Elias Kaneti (Canetti - 1904-1995), laureat
i Çmimit Nobel në letërsi për vitin 1981, thotë:
"Heshtja në rastet kur duhet të flasësh, çon në degradim të personalitetit".
Me heshtjen e vetë para këtyre rasteve të sipërpërmendura (se ka edhe shumë
raste të tjera), Shoqata e Gazetarëve është bërë palë me politikën dhe është
larguar nga misini i saj kryesor që është mbrojtja e së vërtetës, në interes të
mbrojtjes së interesave kombëtare të vendit tonë.
Santa Barbara, Kaliforni
28 gusht 2012.