Rregulli nr. 1: E paparashikueshmja ndodh gjithmonë.
Nuk është kurrë e mundshme të profetizosh çdo gjë.
Rregulli nr. 2: Të ndodhurit e asaj që planifikohet të ndodhë nuk është
alternativë e paalternativë.
Qeverisja respektivisht sundimi i njerëzve janë të sigurta vetëm përderisa
kihet parasysh postulati që gjith'herë ngjan e pritshmja. Por, kur kuptohet që
validiteti i postulatit të tillë nuk është i përjetshëm, Rregulli nr. 1
gjith'sesi mbizotëron dhe realiteti duket cullak.
Rregulli nr. 3: Liria, vullneti dhe drejtësia nuk mund të rrënjosen nga
përjashta individëve, por as nuk mund t'u merren njerëzve me dhunë.
Rregulli nr. 4: Historia gjithmonë befason.
Para pak më shumë se një gjysmë qindvjeçari, shqiptarët, të ndarë nëpër disa
shtete ballkanike, ishin kruspullosur nën rëndesën e tmerrshme të monizmit dhe
mosmundësisë së komunikimit. Lufta e Ftohtë midis shteteve të Përëndimit dhe
atyre të Lindjes dukej eternale. Atëbotë, kush do të kishte denjuar të
imagjinonte që shqiptarët një ditë jo të largët do të jetonin në sisteme
pluraliste dhe do të (ri)fillonin shërimin dhe ngjizjen e indeve të tyre si
grup njerëzor, mund të ishte vlerësuar të kishte probleme mendore!
Në vitin 1988 ndofta askush nuk mund të parashikonte se me 1989 popujt e
Evropës Lindore do të dilnin masivisht në rrugë dhe do të shpërbënin një
superfuqi si BRSS-ja. Apo një kopje të keqe të saj, si RSFJ-ja.
Në dhjetor të vitit 1990 Tirana do të dyndej nga Lëvizja e Dhjetorit, që e
donte popullin shqiptar si krejt popujt europianë. Njëkohshëm me vëllezërit dhe
motrat e tyre në kryeqytetin e RPSSH-së, shqiptarët nën RSFJ do të hidhnin
hapat e parë të një rezistence stoike dhe, afër një dekadë më vonë, të një
lufte çlirimtare heroike.
Ndërsa shumë popuj të rruzullit po lundronin drejt limaneve të lirisë së tyre,
SHBA-ja, superfuqia e vetme e mbetur, në rastin e RSFJ-së po luhatej: herë duke
këmbëngulur për integritetin e Jugosllavisë, herë duke qëndruar prapa vullnetit
të popujve të saj për jetë të pavarur. Kështu është politika"” asnjëherë një vijë
lineare dhe e vizatuar drejt.
Mirëpo, as politika e as politikanët nuk e bëjnë historinë. Politika është
arti, i cili e kornizon sjelljen njerëzore. Politika, përkundër pretendimeve,
megjithatë nuk mund të shtyhet me historinë.
Politika është një supermarket me një duzinë raftesh, në të cilat i shet
produktet e veta dhe aq. Në inventarin e politikës gjenden shumë artikuj,
ambalazhi i të cilave shpeshherë është më cilësor se artefaktet që i
mbështjell. Politika sa mund të jetë fisnike, po aq mund të jetë edhe e
korruptueshme.
Historia, për dallim prej politikës, determinohet vetëm nga tri variabla:
vullneti njerëzor, mundësia e përjetësimit të atij vullneti në varshmëri të
kushteve si dhe probabiliteti i ndodhjes së të papriturës"” gjegjësisht të
paparashikueshmes.
Pra, që historia të mos shkaktojë tërmet duhet që të mos
shkilet Rregulli nr. 3. Fatkeqësisht, sot, kudo jetojnë shqiptarët në Ballkan,
ka kundërvajtje drastike të këtij Rregulli dhe për rezultat frikë që historia
dhe politika janë nisur për t'u përplasur me njëra-tjetrën.
Dy analogji krahasuese. E para: me 1985 asnjë gjerman nuk besonte që Gjermania
Përendimore do të bashkohej me Gjermaninë Lindore. Me 1990 u bë një Gjermani. E
dyta: në vitin 2010, asnjë ekspert në gjeopolitikë nuk kishte parashikuar që në
vitin 2011 qytetarët e Tunizisë do të kryengriteshin dhe do ta rrëzonin
regjimin qeveritar që po u merrte frymën duke mos e kuptuar që historia është
më shumë e tashmja se e kaluara. Për më çuditshëm, asnjë specialist, as nga
rajoni e as nga zyret e mobiluara me shije të mijëra Think Tanks apo Agjensive
për Studimin e Ardhmënisë, nuk kishte bërë prognozë që dy Gjermanitë do të
ribashkoheshin dhe në fakt do të nisnin procesin e afrimit të krejt kontinentit
europian apo që revolta tuniziane do të ndizte zjarrin e ndryshimeve jo vetëm
në Tunizi, por në krejt Lindjen e Mesme.
Shqiptarët nuk do të duhej të rrisin probabilitin e ndodhjes së të panjohurës.
Megjithëkëtë disa politikanë shqiptarë, veçanërisht prej fillimit të shekullit
XXI, janë duke i kthyer krahët interesit shqiptar dhe për më keq janë duke
kontribuar në ngritjen e probabilitetit të paparashikueshmërisë së ngjarjeve.
Këta politikanë duke krijuar sisteme keqqeverisjeje dhe duke braktisur idealet
tona origjinale janë duke u pozicionuar në anën e kundërt të vullnetit historik
shqiptar. Por, ata duhet ta kuptojnë që nëse kujtojnë se mund t'i shkaktojnë
disfatë historisë, duhet sëpari të përfytyrojnë burgjet dhe varret që kanë
mbajtur apo ende mbajnë kërmën e personaliteteve kundërhistorike. Historia i
rrëzon të gjithë ata që duken të paprekshëm dhe të pamposhtur dhe që
pacipërisht përdhunojnë besimin njerëzor dhe fuqinë që e jep pushteti.
Historia venerohet si e kaluar, por, në të vërtetë, historia është sjellja
individuale dhe kolektive e qenieve njerëzore në raport me veten dhe botën.
Historia është e tashmja, e cila nuk mund të anashkalohet. Historia përgatitet
nën sipërfaqen e të tashmes më shumë se mbi sipërfaqe. Qetësia e syprinës
gjithherë prishet nga trazimet e tërsëlluara të thellësisë, jo anasjelltas.
Pse e pritshmja ndodh, kjo nuk do të thotë që e papritshmja nuk ndodh
gjithashtu. Dallimi është që e pritshmja zakonisht sjell më shumë shans,
ndërkaq e papritshmja, përpos shansit si yang, me vete sjell edhe rrezikun si
ying. "Historia është filozofi e mësimdhënies nëpërmjet shembullit, por
gjithashtu edhe nëpërmjet paralajmërimit." "” shkruan Lordi Henry St. John
Bolingbroke.
Të gjithë ata që injorojmë Rregullat nr. 1, 2 dhe 3, nuk do të duhej të
habiteshim në qoftë se (pa)befasisht në jetët tona do t'na shfaqet Rregulli nr.
4.
Një popull i emancipuar nuk duhet të lejojë disa personalitete antihistorike të
luajnë rulet me të tashmen dhe, aq më pak, me të ardhmen e tij. Historia është
liri dhe tentim permanent i vullnetit të lirë të njëmendësohet. Vullneti
padyshim që duhet të jetë i gatshëm edhe për të papriturën dhe
paparashikueshmen.