Komisioni norvegjez i Nobelit njoftoi të Premtën se Çmimi Nobel për Paqë për
vitin 2012 do t'i jepet Bashkimit Evropian (BE). Në njoftimin zyrtar të
komisionit Nobel thuhet se Bashkimi Evropian ka kontribuar për më shumë se
gjashtë dekada, në avancimin e paqës dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave
të njeriut në Evropë. Në deklaratën e tij për mediat botërore,
komisioni norvegjez thotë se ç'prej vitit 1945 pajtimi midis popujve dhe
shteteve është bërë një realitet, dhe shton se vuajtjet e mëdha gjatë Luftës së
Dytë Botërore demonstruan nevojën për një Evropë të re dhe shton se megjithëse
gjatë 70 vjetëve, midis Francës dhe Gjermanisë u zhvilluan tri luftëra, sot
lufta midis këtyre dy vendeve as nuk mund të imagjinohet. Duke
justifikuar dhënjen e Nobelit për Paqë BE-s, komisioni Nobel, ndër të tjera
nenvijon se ''këjo tregon se nepërmjet përpjekjeve të drejtuara mirë dhe duke
ndërtuar dhe forcuar një mirëbesim të përbashkët, armiqët historikë mund të
shëndërrohen në bashkpuntorë të ngushtë.'' Miliona njerëz, anë e
mbanë Evropës, humbën jetën në luftërat që u zhvilluan në gjysmën e parë të
shekullit të kaluar dhe shumë veta në atë kohë ishin të mendimit se duhej të
krijohej një mekanizëm i ri për të mënjanuar përsëritjen e tragjedive të tilla.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se rrëximi i komunizmit në Evropë bëri të mundur
antarësimin e disa vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore në BE duke hapur
kështu një periudhë të re në historinë evropiane. ''Ndarja midis
Lindjes dhe Perëndimit pothuaj ka marrë fund, demokracia është forcuar dhe
shumë konflikte etnike janë zgjidhur'', thuhet në njoftimin e Nobelit pët
mediat.
Megjithëse Bashkimi Evropian është duke kaluar nepër një periudhë shumë kritike
dhe tepër të vështirë ekonomike ç'prej krijimit të tij me 1950-at, të shoqëruar
edhe nga trazira shoqërore në disa vende anëtare të BE-ës -- siç dëshmojnë
protestat në Athinë dhe Madrid -- Komisioni i Nobelit thotë se dëshiron të
përqëndrohet në atë që ai e konsideron si rolin stabilizues që ka luajtur BE-ja
në transformimin e një pjese të madhe të Evropës, nga një kontinent lufte në
një kontinent paqeje.
Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy tha të Premtën, pas
njoftimit të Komisionit Nobel, se BE-ja me 27 shtete anëtare ka qenë dhe
vazhdon të jetë institucioni më i madh i paqës në botë. Në një
deklaratë për media, ai shtoi se ''ne jemi shumë krenarë,'' duke shtuar se,
''me 'ne' nuk do të thotë vetëm udhëheqsit e BE-ës, por të gjithë qytetarët
evropianë të këtij brezi dhe brezave të kaluar'', përfundoi Zoti Van Rompuy.
Shumë udhëheqës të vendeve evropiane e mirëpritën dhënjen e Çmimit Nobel,
BE-ës. Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulc, duke reaguar ndaj
vendimit të Komisionit Nobel, tha se BE-ja ''është një projekt unik që
zëvendsoi luftën me paqë dhe urrejtjen me solidaritet.''
Përfaqsuesja e BE-s për punë të jashtme, Catherine Ashton tha se ishte shumë e
kënaqur me vendimin e Komisionit Nobel. Ndërsa ambasadori i BE-ës
në Uashington, Joao Vale de Almeida, duke qenë i vetdijshëm për rolin mbrojtës
të Shteteve të Bashkuara në Evropë gjatë pothuaj 70-vjetëve tha se BE-ja është
mirënjohëse e ''përkrahjes së pazëvendsueshme'' të Amerikës dhe u zotua se
BE-ja do të vazhdojë së punuari ngushtë me Uashingtonin në promovimin e paqës,
demokracisë dhe të begatisë anë e mbanë botës. Edhe eksperti i punëve të
BE-ës, Profesori Friedrich Heinemann i Qëndrës së Studimeve Ekonomike Evropiane
në Manheim të Gjermnaisë, i tha rrjetit të televizionit amerikan NBC se
vendimi i Nobelit për paqë Bashkimit Evropian u dha në ''kohën e
përshtatshme'', duke shtuar se dhënja e Çmimit Nobel është një ''njohje ndaj
punës së këtij institucioni i cili ofron një kuadër solid për zgjidhjen e
konflikteve të tanishme në Evropë'', dhe shtoi se stabiliteti e paqa që ka krijuar
BE-ja në Evropë, ofrojnë bazën për stabilitet ekonomik në atë kontinent.
Por nuk munguan as kritikat dhe as skepticizmi ndaj vendimit të Komisionit të
Nobelit për t'i akorduar BE-s Çmimin Nobel për paqë. Organizata
ndërkombëtare e të drejtave të njeriut Amnesty International kritikoi mungesën
e vullnetit politik të BE-ës për tu marrë me çështjet e të drejtave të njeriut
mbrenda zonës së BE-ës, duke kritikuar ndër të tjera, edhe qendrimin e BE-ës
ndaj refugjatëve. Edhe parlamenti rus, Duma kritikoi vendimin duke
thënë se Çmimi duhej ti jepej një individi ose ndonjë organizate publike.
Në favor ose kundër dhënjës se Çmimit Nobel BE-ës, gazeta amerikane Christian
Science Monitor thotë se megjithëse pjesa më e madhe e kontinentit po kalon
nepër një ngadalsim të veprimtarive ekonomike dhe megjithëse ajo përballet edhe
me probleme të tjera të mëdha politike dhe ekonomike, është ekzaktërisht për
arsye të këtyre problemeve që Komisioni Nobel ''tregoi mençuri dhe pjekuri në
vendimin e tij për t'i dhënë Çmimin Nobel BE-ës, duke u kujtuar evropianëve
fuqinë dhe efektin e mirënjohjes ndaj sukseseve të saj në të kaluarën, si një
mënyrë për të zhdukur përçarjet dhe streset e tanishme në radhët e BE-ës''.
Ndërsa, Tanya Domi, profesoreshë e të drejtave të njeriut në Ballkan pranë
Institutit Harriman të universitetit Columbia në New York, në një
artikull-reagim ndaj Çmimit Nobel për BE-ën për radion Evropa e Lirë, shpreh
shokimin e saj ndaj këtij vendimi të Nobelit pasi kritikon ashpër
politikën e BE-s në Ballkan gjatë 20-vjetëve të kaluara duke thënë se gjatë një
dekade luftërash në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë janë bërë krime të pa
përshkrueshme dhe të pa imagjinueshme kundër njerëzimit nën mbikqyrjen e
Sllobodan
Millosheviqit dhe Franjo Tugjmanit. Ajo përmend krimet e bëra
në Bosnje dhe në Kroaci, përfshirë edhe ato në Kosovë kundër shqiptarëve duke
thënë se varre masive shqiptarësh edhe sot gjënden anë e mbanë Serbisë.
Si përfundim, thotë ajo, është e vështirë të besoj se BE-ës i është akorduar
Çmimi Nobel për Paqë. Ajo e përfundon artikullin e saj duke pyetur me
ironi, ''nëse kur BE-ja të marrë Çmimin Nobel në Dhjetor, a do të
kujtohet për 30,000 vetat që mbeten të humbur, fati i të cilëve nuk dihet
ende, anë e mbanë Ballkanit? A do të pranojë BE-ja këtë çmim
prestigjioz duke qenë në dijeni se gjatë luftës, 20,000 deri në 50,000 femëra
janë përdhunuar seksualisht vetëm në Bosnje? A do të pranojë faktin
e hidhur se refugjatët evropianë nga Ballkani janë larguar nga kontinenti
evropian drejtë 80 vendeve të ndryshme anë e mbanë botës, në shekullin 20-të.''
Ajo sugjeron se pas këtij vendimi, ''gjëja më e ndershme do të ishte që BE-ja
të kontribojë pjesën më të madhe të shumës së parave që do të marrë nga Çmimi
Nobel, organizatave humanitare që vazhdojnë të mbështesin të mbijetuarit e tri
luftërave të mëdha në kontinentin evropian gjatë 20-vjetëve të fundit.
Për derisa nuk ka drejtësi, nuk do të ketë as paqë, megjithë besimin e kundërt
të Komisionit të Çmimit Nobel'', përfundon artikullin e saj për Radion Evropa e
Lirë, profesoresha amerikane e universitetit Columbia, Tanya Domi.
Jose Manuel Barroso, Kryetar i Komisionit Evropian