Kohët e fundit, Fran Gjeto Xhaj nga krahina Shkrel e Malësisë së Madhe pati
mirësinë të më postonte librin e tij me titull: SHKRELI DHE ROLI I TIJ NË
KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË MADHE TË VITIT 1945. E lexova me
kënaqësinë më të madhe sepse megjithëse origjinën e kam nga Shkreli, di shumë
pak nga ajo periudhë, për të cilën shkruan autori, ngase familja ime ishte
larguar nga ato anë shumë kohë më parë dhe unë, pjesën më të madhe të jetës
time e kam kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jemi shpëngulur
familjarisht në vitin 1970.
Duke qenë aq larg dhe të izoluar nga diktatura komuniste, njohuritë e mia dhe
të shumë ne të mërguarve shkrelas mbi vuajtjet e fisit tonë dhe mbi ato që kanë
ndodhun në Shkrel gjatë diktaturës komuniste, ishin shumë të kufizuara. Nga të
dhënat e Fran Gjeto Xhaj-it, i cili nuk pretendon të jetë shkrimtar, por që
thotë se ishte dëshmitarë okularë për ato që shkruan, dhe sipas redaktorit të
librit Dedë Shyti, edhe njëri që ka përjetuar ngjarjet bashkë me ata heronjë --
unë mësova shumë hollësi që nuk i dija mδ parë mbi rolin që ka luajtur fisi i
Shkrelit në luftën kundër komunistëve sllavo-aziatikë, e posaçërisht lexuesi
mδson mbi rolin e rëndësishëm si dhe vuajtjet dhe persekutimet e familjes së
tij dhe të shumë familjeve të tjera të kësaj zone, të cilat refuzuan
t'nënshtroheshin komunizmit, duke sakrifikuar edhe jetën.
Fran Gjeto Xhaj, thotë se megjithëse në moshë të shkuar, me këtë botim modest,
ai është duke çuar në vend porositë dhe amanetin e Major Llesh Marashit,
komandant i kësaj kryengritjeje si dhe patriotëve të tjerë anti-komunistë të
Shkrelit, ai ka marrë guximin --ndonëse me mundësi modeste dhe aftësi të
kufizuara, -- që t'u lanë mbrapa brezave të ardhëshëm të fisit të Shkrelit disa
të dhëna si dëshmitar i asaj historie të luftës së treve të Malësisë së Madhe
dhe qendresës së fisit të Shkrelit ndaj bishës së kuqe sllavo-komuniste dhe të
të shiturve të tyre shqiptarë, të lidhur, sipas autorit këmbë e kokë me
Milladin Popoviçin e Dushan Mugoshën, të cilët zaptuan vendin tone dhe Shkrelin
me njerëz të pabesë.
Fran Gjeto Xhaj biri i Gjeto Lekës nga fshati Xhaj, rrjedhë nga një prej
familjeve të dalluara, por tδ vuajtura, e të përsektuara të Shkrelit, si
familje nacionaliste, dhe fetare, bashkpuntore në veprat dhe në luftën
patriotike kundër komunzimit të Major Llesh Marashit me shokë, komandantit të
"Batalionit të Malësisë së Madhe''.
Lexuesi, përveç komandantit Llesh Marashi, gjithashtu mëson edhe për emra të
tjerë udhëheqsish të fisit të Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe, prijës të
dalluar malësor si Prek Cali, Gjelosh Luli, Nikollë Preka, Ismail Zeneli, së
bashku me shumë klerikë katolikë të prirë nga prifti patriot i famullisë së
Shkrelit, Dom Nikoll Gazulli, (me urdhër të presidentit të Republikës " Martir i
Demokracisë''), e të cilët u dalluan si drejtues të batalionit të Shkrelit dhe
si organizatorë të qendresës antikomuniste. Krahas këtyre, lexuesit i tërhiqet
vemendja edhe për vuajtjet e klerit katolik shqiptar, i cili në vuajtje e në
gëzime, gjithmonë i gjëndej pranë Shkrelit dhe gjithë Malësisë së Madhe, e
sidomos gjatë asaj periudhe për të cilën shkruan Fran Gjetja. Mua si
ish-seminarist, më bën përshtypje dhe më shkakton dhëmbje shpirtërore, sidomos
përshkrimi i veprimtarisë patriotike dhe i vuajtjeve, sakrificave përsekutimeve
të anëtarëve të klerit katolik, kujdestarë të grigjës dhe të kishës, por edhe
ruajtës të gjuhës e të kulturës dhe të atdhetarizmit në ato anë, duke dhënë
edhe jetën për idealet e veta. Ndër ta dallohen Dom Alfons Tracki, Dom Nikoll
Gazulli, Dom Pjetër Gruda, Dom Pjetër Çuni, Dom Aleksandër Sirdani dhe At Anton
Luli, të cilët gjatë përndjekjeve të tyre nga komunistët, për t'i shpëtuar
gjenocidit sllavo -komunist- bolshevik -shqiptar, "shpellat i këthyen në
katakombe''. Është thënë edhe nga të tjerë më parë se zhdukja e klerit katolik
shqiptar ishte një objektiv prioritar dhe pjesë e një marrveshjeje djallëzore
midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave, pasi kleri
katolik konsiderohej se kishte lidhje të ngushta me Perëndimin.
Për më tepër duke lexuar librin e Fran Gjeto Xhaj, i cili thotë se qyshë në
moshën 14-vjeçare paska qenë vuajtës dhe dëshmitar i masakrave e persekutimve
të shumëta komuniste në krahinën e Shkrelit, mësova hollësi që nuk i disha ma
parë mbi këtë familje, si dhe mbi humbjet e torturat e tmerrshme që e gjithë
familja e Fran Gjetos paska pësuar nën komunizëm: babë Gjeto Lekën, e nanë
Terezen, motër e axhat e autorit, e tjerë. I trishtueshëm është sidomos
përshkrimi i vuajtjeve që ai thotë se pësoi e nëna e tij Terezja në duartë e
tortueruesve komunistë, në qelitë e burgjeve në Koplik. Edhe vetë Frani si fëmi
në moshë të re thotë se ka vuajtur torturime nepër burgjet e Koplikut dhe të
Shkodrës.
Përveç të dhënave nga autori i këtyre shënimeve të një dëshmitari okular, Fran
Gjetja -- mbi rolin e Shkrelit në kryengritjen anti-komuniste të Malësisë së
Madhe dhe mbi vuajtjet nën diktaturën komuniste të tij dhe familjarëve të vet,
si dhe të mbarë fisit të Shkrelit -- autori ashtë kujdesur që në libër të
përfshijë fotografi të protagonistëve kryesorë mbi të cilët fletë dhe të cilët
kanë luajtur një rol me rëndësi jo vetëm në historinë e fisit të Shkrelit, por
edhe në historinë e kombit shqiptar.
Ndërsa këtu flitet për vuajtjet dhe torturat dhe persekutimet e tmershme ndaj
burrave dhe grave të Shkrelit, vetëm e vetëm se ata nuk pajtoheshin me
ideologjinë sllavo-komuniste, nuk mund të mos thuhet se cilët ishin
torturuesit, ata të cilët iu vërshuan asaj krahine si bisha të egëra, duke
sjellur tmerr e zi në Shkrel dhe në gjithë Malësinë e Madhe. Duke i gënjyer se
po tu dorëzoheshin komunistëve, ata do të faleshin dhe do të ishin të lirë të
këtheheshin në shtëpitë e tyre -- duke besuar në besën e dhënë -- malësorët që
dorëzohehsin për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre, mbaronin në qelitë e
torturave të burgjeve të Shkodrës dhe të Koplikut dhe më në fund
ekzekutoheshin, të prerë në besë nga përfaqsuesit e regjimit komunist. Si
përfaqsues të atij regjimi që ishin dërguar për të nënshtruar Shkrelin dhe Malësinë,
autori përmend emisarët e forcave të diktaturës së Enver Hoxhës, Toger Babën,
Zoj Themelin, prokurorin e Gjykatës ushtarake në Shkodër, Aranit Çela dhe
bashkpuntorët e tyre serbo-malazez, përfshirë edhe Bajo Stankoviqin , ndër ata
të cilët, sipas autorit, "me damkën e hekurt e me shpirtin e djallit'', bënë
kërdinë mbi malësorët të cilët nuk pajtoheshin që Shqipëria të nënshtrohej nga
sistemi sllavo-komunist.
Kryengritja e vitit 1945, për të ndaluar nënshtrimin e këtyre zonave nga
komunistët, kryengritje këjo e udhëhequr nga burrat dhe gratë e Shkrelit dhe të
Malësisë së Madhe me në krye Llesh Marashin, mund të jetë, sipas disa
vërejtësve, e para kryengritje e tillë anti-komuniste në Shqipëri dhe ndoshta e
para edhe në pjesën tjetër komuniste të Evropës Lindore. Me shtypjen mizore të
kësaj kryengritjeje të malësorve nga forcat bashkpuntore komuniste
sllavo-shqiptare, siç dihet, fillon tragjedia e vërtetë gjysëm shekullore për
Shkrelin dhe Malësinë e Madhe.
Është me vend që disa prej këtyre herojnve të Shkrelit janë shpallur "Martirë
të Demokracisë'', nga presidenca e shtetit shqiptar dhe autori Fran Gjeto Xhaj
shpreh falenderimet e tija kryetarit të Komunës Shkrel, Z. Fred Sterkaj për
iniciativën e tij për të ngritur lapidarin në Dedaj të Shkrelit, kushtuar
këtyre heronjëve, duke përjetësuar kështu këtë kryengritje si edhe kujtimin e
këtyre bijve dhe bijave të Shkrelit. Le tu këndohet gjithmonë kënga dhe të
marrin vendin që u takon në historinë e Malësisë së Madhe dhe të kombit
shqiptar.
![](images/articles/2013_01/29685/u2_image002.png)