Takimi më i njohur në botë i udhëheqësve politikë dhe të biznesit -- Forumi
Ekonomik Botëror 2013 në Davos të Zvicrës -- përfundoi punimet të djelën. Në
atë forum morën pjesë javën që kaloi mbi 2500 veta ndër udhëheqësit më të
dalluar të botës në fushën politike e qeveritare, biznesit, të shoqërisë civile
dhe intelektualë të njohur botërorë. Përfshiheshin gjithashtu edhe aktivistë të
lloj lloj kauzash, përfaqësues sindikatash, akademikë dhe biznesmenë në moshë
të re dhe natyrisht një mbledhje e tillë nuk mund të përjashtonte qindra
gazetarë nga e gjithë bota.
Forumi ndërkombëtar në Davos mund të jetë i vetmi takim botëror ku nuk
negociohen as nuk arrihen marrëveshje të asnjë natyre, as nuk merren vendime
për asgjë, por është sipas Profesorit Klaus Schwab -- cili themeloi Forumin
Davos 43 vjetë më parë -- një platformë për të shkëmbimin e mendimeve dhe për
gjetjen e zgjidhjeve në një atmosferë të izoluar dhe larg nga problemet dhe
presionet e jetës së përditshme.
Në një kryeartikull në lidhje me mbledhjen e këtij viti, botuar në gazetën
kombëtare amerikane USA Today, Profesori Schwab, duke folur për mbledhjen e
parë të Forumit Davos, tha se, ''objektivi i themelimit të Forumit ishte për të
sjellur në Evropën e pas luftës, idetë dhe aftësitë e intelektuale, industriale
dhe të inovacionit të Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të modernizuar
sistemet evropiane shoqërore dhe të biznesit.'' Ai shtoi se ndonëse natyra e
këtij forumi vjetor ndërkombëtar ka ndryshuar gjatë 43-viteve të kaluara,
Profesori Schwab shkruan se objektivi kryesor i Forumit mbetet i njëjti si
atëherë: ''Shkëmbimi i lirë i mendimeve, dialogu, si dhe ideja e lirisë dhe të
shprehurit hapur e pa pengesa, cilësi këto për të cilat Amerika është një model
për botën'', tha ai në kryertikullin për gazetën amerikane.
Natyrisht se sivjet në mbledhjet e Davos-it u bisedua dhe u shkëmbyen mendime
mbi pothuaj të gjitha problemet me të cilat përballet sot bota. U diskutua mbi
ekonominë botërore dhe mbi papunësinë, problem këto që u cilësuan si një burim
shqetësimi serioz për shumë pjesëmarrës. U fol edhe mbi të ardhmen e Europës,
pasi Kryeministri britanik David Cameron njoftoi mbajtjen e një referendumi mbi
të ardhmen e antarësimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, duke
thënë se, ''Evropa ka më shumë nevojë për vullnet politik dhe jo për më shumë
institucione politike''.
Folësja kryesore në Forum, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke folur
për gjëndjen ekonomike në eurozonë, paralajmëroi kundër lehtësimit të masave të
rrepta ekonomike në Evropë, duke shtuar se ''Përvoja politike tregon se
shpeshëherë nevojitet bërja e presionit për të siguruar reforma strukturore
politike.'' Ajo shtoi se, ''Nëqoftse Evropa sot është në një gjëndje të
vështirë, atëherë ne duhet që sot të ndërmarrim reformat e nevojshme, ashtuqë
të jetojmë më mirë nesër.''
Përveç problemeve ekonomike e financiare të botës, ndër shqetësimet kryesore
për të cilat u bisedua sivjet në Davos ishin gjithashtu edhe problemet politike
dhe të sigurisë ndërkombëtare, si për shembëll mundësia që Irani të zhvillojë
armë bërthamore dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, si rrjedhim i të
ashtuqujturës ''Pranverë Arabe''.
Është e vërtetë se në këtë mbledhje vjetore tradicionalisht marrin pjesë
kapitalistë të dalluar nga mbarë bota, përfaqsues dhe drejtues të firmave më të
mëdha botërore, njerëz të fuqishëm dhe të njohur të politikës dhe ekonomisë e
financave por edhe të fushave dhe aktiviteteve të ndryshme të shoqërisë, për të
cilët shtrohen darka e dreka dhe kokteje ekskluzive për të ftuarit.
Por pjesmarrësve të rregulltë në Forumin Davos këtë vit iu bashkuan edhe
udhëheqës dhe biznesmenë në mosh të re, të ftuar në frymën e shkëmbimit të lirë
të mendimeve -- për të sfiduar përfaqsuesit e elitës politike, ekonomike dhe
financiare të botës, jo vetëm ata nga Perëndimi por edhe nga vendet në
zhvillim. Ndër këta përfaqsues të brezit të ri nën moshën 30-vjeçare,
pëfshiheshin njëri prej udhëheqësve të protestave studentore në Kili, nipi i
Warren Buffet, njeriut të tretë më të pasur në botë dhe vajza e ish-Presidentit
Bill Clinton e Hillary Clinton. Të gjithë këta, në një mënyrë ose në një
tjetër, janë të aktivizuar në përpjekje për një ''angazhim për të përmirësuar
gjëndjen në botë'', e që është edhe motoja zyrtare e Forumit Davos.
Ndër subjektet kryesore për diskutim ishte papunësia në radhët e rinisë,
sidomos në Evropën jugore por edhe në mbarë botën, si dhe mënyrat për të
motivuar rininë për tu angazhuar në zgjidhjen e problemeve, ndërkohë që këjo
rini përballet me një papunësi rreth 60-për qind në disa vende. Organizuesit e
Forumit Davos bënë gjithashtu përpjekje që të komunikonin edhe me përfaqsues të
protestave kundër Wall Street-it dhe të protestuesve nga Britania e Madhe dhe
vendeve të tjera të Evropës.
Themeluesi i Forumi Davos, Profesori Klaus Schwab duke folur për problemet e
shumëta me të cilat përballet sot Evropa dhe bota, si dhe për zgjidhjen e
problemeve ekonomike botërore, ai e mbylli forumin me fjalët e fushatës së
presidentit amerikan Barak Obama, ''Po, ne mund t'ia dalim.... por mendoj se
kyçi është bashkpunimi global'', tha ai para më shumë se 2500 pjesëmarrësve nga
e mbarë bota.
Arritjet ose dështimet e këtij Forumi sivjet po debatohen dhe kritikohen nga
media, gjë që është e natyrshme për një takim të tillë të nivelit botëror. Madje
edhe Profesori Schwab, që nga natyra është tepër optimist, pranoi se ky ishte
forumi më i zymtë që ai ka organizuar ndonjëherë. Por ai është gjithnjë
optimist dhe mbështetës i dialogut për zgjidhjen e problemeve në nivele të
ndryshme shqoërore, shtetërore dhe botërore, duke shkruar në gazetën amerikane
USA Today se: ''Dialogu i vërtetë do të thotë bashkveprim dhe komunikim me ata
me të cilët nuk je dakort, me fqinjët ose miqët si dhe me ata të cilët e
shikojnë botën nga një përsepktivë krejt ndryshe, me njerëz të gjeneratave e
kulturave të ndryshme si dhe me ata që mund të kenë misjone tjera në jetë. Ne
të gjithë jemi pjesë e një komuniteti global''. Ky ishte nje mesazh i
rendesishem per te gjithe pjesemarrsit dhe me gjere.
Pa marrë parasyshë analizat dhe komentet mbi përfundimet e Forumit në Davos të
Zvicrës, pjesëmarrësit nga më shumë se 100-vende të botës janë larguar së
andejmi me mendime dhe ide të ndryshme për problemet e shoqërive të tyre dhe të
botës. Por cilat do qofshin vlerësimet e punimeve të Forumit të sivjetshëm në
Davos nga analistët dhe pjesëmarrësit, nëqoftse ata marrin me vete këshillat e
porositë e themeluesit të Forumit Davos se "të gjithë ne jemi pjesë e një
komuniteti global" dhe se me dialog dhe respekt për njëri tjerin -- pa marrë parasyshë
ndryshimet midis nesh -- mund të zgjidhen më lehtë problemet serioze me të
cilat përballet sot shoqeria dhe mbare njerëzimi. Porosia për dialog dhe
mirëkuptim e ''Frymës së Davos-it'' vlen edhe për marrëdhënjet dhe komunkimet
në çdo nivel të jetës, në familje, në shoqëri, në politikë -- mundësia pra për
tu ulur dhe biseduar mbi problemet dhe zgjidhjen e tyre nepërmjet shkëmbimit të
lirë dhe të papenguar -- pa marrë parayshë ndryshimet në pikpamje -- me qëllim
që të përallohen sfidat me të cilat mund të ndeshen individët dhe shoqëria në
përgjithësi.
Klaus Schwab, Themeluesi dhe Presidenti i Forumit Ekonomik Boteror