VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Ç'JANË KËTA AMBASADORË ME SHTETËSI TË HUAJNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Djelë, 12.08.2024, 07:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
Ç'JANË KËTA AMBASADORË ME SHTETËSI TË HUAJ
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 01.22.2013, 08:55am (GMT+1)




Burime të mirinformuara në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë bëjnë të ditur se në listën e ambasadorëve të rij të emëruar dhe të propozuar ndodhen tre persona, të cilët kanë shtetësi të huaj, përveç asaj shqiptare. Burimet e mësipërme njoftojnë se asnjëri prej këtyre ambasadorëve të rinj nuk ka shënuar në CV-në e vet faktin se kanë edhe shtetësinë e një shteti tjetër, përveç asaj shqiptare. Kjo do të thotë se në vetë ndërgjegjen e tyre ekziston dyshimi që kjo shtetësi e dyfishtë duhet mbajtur e fshehur nga institucionet shtetërore, nëpër të cilat kalon procesi i emërimit të një ambasadori të ri të Shqipërisë. Vetë Ministria e Jashtme nuk i përfshin të dhënat për shtetësinë e dyfishtë në shkresat shoqëruese për ambasadorët e rinj, që dërgon për miratim nëpër shkallët e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Ministria e Jashtme e ka informacionin, por e fsheh, për arsye se, së pari nuk dëshiron të komplikojë procesin e miratimit formal të emrave të caktuar nga kryeministri dhe ajo bën punën e korrierit, dhe së dyti, se Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka shkatërruar çdo gjurmë të mekanizmit të nevojshëm shtetëror që ka ekzistuar për plotësimin e dokumentacionit të një ambasadori. Emërimet tekanjoze nga zyrat më të larta qeveritare dhe partiake ka bërë disa herë që Ministria e Jashtme t'i lejojë vetes situatat, kur jo vetëm pranon, por edhe mbron emrat e propozuar nga kryeministri, edhe kur emrat vijnë nga asgjëja dhe nga errësira.

Shtetësia e dyfishtë është padyshim një e drejtë e çdo qytetari që ta gëzojë atë, kur legjislacioni e lejon shtetësinë e dyfishtë. Por fjala është për shtetësinë e dyfishtë të ambasadorëve dhe të diplomatëve shqiptarë, të cilët kanë mandatin dhe detyrën kushtetuese të mbrojnë interesat e shtetit të Shqipërisë, dhe jo të shtetit të shtetësisë së dytë, të cilit gjithashtu i janë betuar t'i shërbejnë, kur kanë marrë pasaportën e dytë. Dyzimi i besnikërisë është bjerrja e integritetit të një ambasadori apo diplomati të Shqipërisë. Sipas burimeve të mirinformuara të MPJ-së, në ambasadat dhe në konsullatat shqiptare jashtë shtetit, janë dhjetëra persona që kanë shtetësinë e dyfishtë ose lejet e përhershme të qëndrimit në shtetin ku janë emëruar dhe kjo situatë është më tepër se alarmante.

Çështja e shtetësisë së dyfishtë të ambasadorëve dhe të diplomatëve shqiptarë është një nga çështjet strukturore delikate të funksionimit të institucionit të Ministrisë së Jashtme dhe të shërbimit diplomatik shqiptar në përputhje me interesat shtetërore, jetike dhe kombëtare të Shqipërisë. Një vështrim në emrat që janë emëruar dhe propozuar del se në praktikën diplomatike të Shqipërisë ka hyrë, si ndërtimi i paligjshëm, emërimi i ambasadorëve dhe i diplomatëve, direkt nga emigracioni shqiptar jashtë shtetit, për të cilët nuk dihet asgjë se çfarë kanë qenë e me çfarë janë marrë, ndonëse ligji për shërbimin e jashtëm, në nenin 27 ka si kërkesë të parë për emërimin e diplomatëve kushtin e banimit të përhershëm në Shqipëri. Disa emra të ambasadorëve me shtetësi të dyfishtë tregojnë qartë se ata kanë kaluar vite të shumta qëndrimi në shtetet ku kanë marrë shtetësinë e dyfishtë dhe ku nuk janë dalluar për asgjë, që mund t'i rreshtonte qoftë dhe në radhën e dytë të emrave të shquar nga emigracioni. Nuk mund të mos bëjë përshtypje që nuk ka asnjë emër, që do të tregonte se qeveria ka marrë në konsideratë intelektualë të shquar, me vepra dhe kontribute, të cilët dallohen për veprimtari dinjitoze në shtetet ku kanë emigruar në periudha të ndryshme të historisë.

Emrat e emigrantëve që sheh në listën e ambasadorëve dhe të diplomatëve shqiptarë me shtetësi të dyfishtë, përfaqësojnë nivelet më të ulëta të klasifikimit intelektual, të cilët i ka shpëtuar nga puna e rëndë në emigracion dhe i ka futur në diplomaci lidhja familjare, lidhja krahinore dhe lidhja partiake.

Diplomacia e shteteve të vogla dhe të dobëta nuk e ka luksin t'i lejojë vetes kozmopolitizmin. Madje, jo vetëm ajo. Shtetësia e dyfishtë për ambasadorët dhe diplomatët shfaqet një çështje delikate, e cila është një temë e vazhdueshme diskutimi në strukturat diplomatike, administrative, politike, juridike dhe akademike, të cilat merren me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme. Përvoja diplomatike ndërkombëtare njeh edhe raste të shteteve, që e ndalojnë shtetësinë e dyfishtë për diplomatët, siç njeh edhe raste të shteteve, që e lejojnë një gjë të tillë. Ka shtete si Turqia, që ndalojnë diplomatët e çdo rangu të kenë shtetësi të dyfishtë, dhe ka shtete si Egjipti, që detyrojnë diplomatët e çdo rangu të japin dorëheqjen nga shërbimi diplomatik, sapo të martohen me gra që kanë shtetësi të huaj. Në rastin e Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, që klasifikohen në listën e shteteve të dobëta, të cilat ende nuk kanë arritur nivelin dhe kapacitetin e mbrojtjes dhe të imunitetit të plotë të interesave shtetërore e kombëtare në arenën ndërkombëtare, çështja merr një specifikë edhe më të komplikuar, që lidhet me karakterin e funksionimit të shtetit dhe të mbrojtjes reale të interesave të tij në shtetet me të cilët ka marrëdhënie. Konventa e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike, në nenin 8, pika 2, thekson se anëtarët e stafit diplomatik të misionit nuk mund të caktohen nga personat që kanë shtetësinë e shtetit pritës, përveçse me pëlqimin e shtetit përkatës, i cili mund ta tërheqë atë pëlqim në çdo kohë.

Në "Rregulloren për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë", të hartuar nga MPJ-ja për zbatimin dhe rregullimin e veprimtarisë së shërbimit të jashtëm sipas përcaktimeve të ligjit të vitit 2003 "Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë", në nenin 18 thuhet se diplomati nuk mund të emërohet në një mision, kur shtetësia e tij apo e bashkëshortes përkojnë me atë të vendit ku ndodhet misioni. Në mënyrë taksative ekziston pengesa ligjore për vetë ambasadorët dhe diplomatët, që të emërohen në shtetin nga i cili kanë shtetësinë e dyfishtë. E keqja është se Ministria e Jashtme dhe qeveria shqiptare e kanë shkelur këtë ligj me katër këmbët dhe jo vetëm bashkëshortet me shtetësi të huaj, por edhe ambasadorë e diplomatë me shtetësi të huaja, janë dërguar të shërbejnë në shtetin ku dhe ata kanë marrë shtetësinë e dytë dhe i janë betuar për besnikëri. Ministria e Jashtme dhe qeveria i dinë fare mirë këto raste flagrante të shkeljes se ligjit, sepse ata kanë dërguar ambasadorë e konsuj të përgjithshëm të shërbejnë në shtetet ku kanë shtetësinë e dytë, për të mos përmendur rastet flagrante, kur diplomatët shqiptarë me detyrë në ambasadë, kanë marrë shtetësinë e shtetit ku janë akredituar, në kohën që ishin diplomatë të Shqipërisë. Me sa duket nuk mund të shpresosh më shumë nga një Ministri e Jashtme, e cila në një periudhë të saj, ka pasur në të njëjtën kohë edhe ministrin e Jashtëm, edhe zëvendësministrin e Jashtëm, edhe sekretarin e përgjithshëm, me bashkëshorte me shtetësi të huaj, plus drejtorin e kabinetit të ministrit të Jashtëm me shtetësi të huaj.

Për t'i paraqitur opinionit publik se sa serioze janë për diplomacinë efektet e shtetësisë së dyfishtë të ambasadorëve dhe të diplomatëve, po ndalemi në praktikën, ligjet dhe rregullat e shtetit më demokratik dhe njëkohësisht më të fuqishëm të botës, SHBA. SHBA, si fuqi e madhe botërore, i kushton sensibilitetin dhe kujdesin më të madh në këtë drejtim. Në rregulloren e departamentit amerikan të shtetit, të titulluar "Shtetësia e dyfishtë-implikimet e pastërtisë së sigurisë", ka një numër të madh nenesh, që përcaktojnë qëndrimin e shtetit amerikan ndaj kësaj çështjeje delikate. Në nenin 1 të kësaj rregulloreje theksohet se shtetësia e dyfishtë mund të paraqesë një çështje sigurie, nëse duhet lejuar hyrja në informacionin e klasifikuar, gjë që përfshin rekrutimin, punësimin dhe emërimin. Në nenin 5, rregullorja ndalet në të drejtën e qeverisë amerikane dhe të institucioneve të saj për të hetuar "për besnikërinë ndaj SHBA dhe për ndonjë influencë të huaj të papërshtatshme". Në nenin 6 theksohet se elementi i vlerësimit, që kërkon shtetësia e dyfishtë, është se ka të bëjë me çështjen e "një besnikërie të çarë ndaj SHBA". Në nenin 10 thekson se "Shtetësia e dyfishtë përbën një çështje në emërimet e stafit diplomatik jashtë shtetit. Konventa e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike nuk parashikon privilegje dhe imunitete diplomatike për shtetasit me shtetësi të dyfishtë. Me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme, departamenti i shtetit nuk mund të emërojë një nëpunës në shtetin ku ai ose ajo është shtetas".


Kjo është praktika e departamentit amerikan të shtetit, që është praktikë e një shteti demokraci republikane. Për plotësim të konceptit të sjelljes shtetërore, po sjellim edhe praktikën e një shteti i cili është mbretëri, dhe konkretisht të Spanjës. Në "Guidën Praktike për trupin diplomatik të akredituar në Spanjë", të hartuar dhe publikuar nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Spanjës, në nenin 2.2.4, të titulluar "Shtetësia e stafit të akredituar", thuhet: "Praktika spanjolle kërkon që stafi diplomatik, administrativ dhe teknik i misionit duhet të posedojë shtetësinë e shtetit dërgues dhe të mos jetë legalisht rezident në Spanjë. Nëse personi përkatës, para emërimit të tij ka leje qëndrimi të përhershme në Spanjë, me qëllim që të pranohet dhe të akreditohet nga MPJ e Spanjës, duhet më përpara të heqë dorë nga leja e qëndrimit spanjolle". Pra Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Spanjës, jo që nuk lejon diplomatin e huaj të punojë në Spanjë me shtetësinë spanjolle, por as të ketë leje qëndrimi të përhershme në atë vend.

Madje praktika spanjolle arrin deri atje sa që në mënyrë kategorike shprehet se personeli i shërbimit i misionit mund të ketë shtetësinë e shtetit dërgues apo të një shteti të tretë, por kurrë atë të shtetit pritës. Po shtojmë edhe diçka nga praktika kineze, ku dokumenti "Rregullat e RP të Kinës për privilegjet dhe imunitetet diplomatike", në nenin 2, thekson se anëtarët e stafit diplomatik të misionit të një shteti të huaj në Pekin duhet të jenë në parim shtetas të shtetit dërgues. Nëse anëtarë të stafit diplomatik do të caktohen persona të shtetësisë kineze ose të një shteti të tretë, duhet të merret miratimi nga organet përkatëse kineze dhe ai miratim mund të hiqet në çdo kohë nga organi përkatës.

Në vitin 2010, gjatë një vizite zyrtare në Rusi, bashkë me të ngarkuarin me punë të ambasadës së Shqipërisë në Moskë, kemi takuar një qytetar shqiptar, i cili kishte marrë shtetësinë ruse. Ai kishte nënën ruse, e cila në Shqipëri ishte burgosur gjatë regjimit komunist, dhe e gjithë familja kishte pësuar një persekutim dhe internim të gjatë prej afro tre dekadash. Tani jetonin të gjithë në Rusi dhe nëna, babai, vëllai dhe ai vetë, kishin që të gjithë shtetësinë ruse dhe ai kishte mbaruar studimet e larta në Universitetin e Moskës. Pasi kishte bërë gjashtë muaj internship në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, kishte aplikuar për të hyrë në shërbimin diplomatik rus. Përgjigjja e dhënë nga zyrat e MPJ ruse ishte se shteti i respektonte, si vuajtjet e familjes për shkak të lidhjeve me Rusinë, ashtu dhe shtetësinë ruse të tijën dhe të familjes, dhe mund të punonin në çdo institucion, por për faktin se kishte edhe shtetësinë shqiptare, nuk mund të punonte në Ministrinë e Jashtme të Rusisë.

Formalisht nuk ka një ligj që ndalon qytetarët shqiptarë me shtetësi të dyfishtë të emërohen ambasadorë dhe diplomatë. Por edhe legjislacioni e rregullat ekzistuese përbëjnë një kornizë ligjore të mjaftueshme, për të jetësuar bllokimin dhe anulimin e emërimeve diplomatike me shtetësi të dyfishtë. Mjafton që strukturat qeveritare të kenë vullnet institucional dhe ndërgjegje shtetërore. Kjo tregon se edhe pas 100 vjetësh, ende jemi në kërkim të kohës së humbur për të ndërtuar shtetin.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË NDER TË PROFESOR ERNEST KOLIQITNga FRANK SHKRELI (01.21.2013)
PROFITERËT E RUGOVËS JANË ANTIRUGOVIANËNga ELIDA BUÇPAPAJ (01.21.2013)
PërmendoreIBRAHIM RUGOVA, VËLLAI YNË, BABAI I KOMBIT TONËShkruar më 22 janar 2006Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.21.2013)
TRAKTAT DËSHIRASH SHQIPTARENga XHEMAL AHMETI (01.20.2013)
LIBRI QË PATI TUNDUR SISTEMIN KOMUNIST SOVJETIKALEKSANDËR SOLZHENITSIN: NJË DITË NË JETËN EIVAN DENISOVIÇIT (Me rastin e 50-vjetorit të botimit)Nga FRANK SHKRELI (01.19.2013)
QYTETARËT DHE ELITAT E PUSHTETEVENga AFRIM KRASNIQI (01.19.2013)
FREEDOM HOUSE: DEMOKRACIA NË RËNIE PËR TË SHTATIN VITNga FRANK SHKRELI (01.17.2013)
DILEMA NË ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT - DËGJUES TË VERBËR APO TË DËGJUAR - SOVRANË TË FATIT TË TYRE APO FATALISTË TË BINDURNga ELIDA BUÇPAPAJ (01.16.2013)
KUJTESËNga PËRPARIM KABO (01.15.2013)
KUJTESËNga PËRPARIM KABO (01.15.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]