Lexova opinionin e zotit Agron Tufa në gazetën "Panorama" të titulluar: "Kriza
e kauzës zgjedhore dhe ish-të përndjekurit" dhe dua, në vijim të këtij shkrimi,
të paraqes edhe unë opinionin tim në lidhje me çështjet që autori, me të
drejtë, ngre në këtë shkrim.
Jam Kryetari i Degës së Tiranës të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve
Politikë Demokratë të Shqipërisë, shoqatë që, nga numri i anëtarve dhe periudha
njëzetedyvjeçare e aktivitetit të saj, mban vendin e parë në Shqipëri, në
krahasim me shoqatat e tjera. Lidhur me sa më sipër dua të theksoj se vetëm
dega e Tiranës që unë përfaqësoj, ka në gjirin e saj 9572 anëtarë. Kush mund të
thotë se kjo është fantazi, le të urdhërojë në zyrat tona dhe do t'i gjejë të
gjithë anëtarët e degës sonë të regjistruara në kompjuter. Shoqata jonë është,
gjithashtu, anëtare, e vetme, e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve
Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin, ku bëjnë pjesë
përfaqësuesit e të përndjekurve politikë të vendeve ish-komuniste të Europës
Lindore. Bëra këtë hyrje pak të gjatë për të treguar se opinioni im është ai i
të gjithë anëtarve të shoqatës tonë dhe, për këtë, duhet të kihet parasysh nga
partitë politike tani në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Një gjë është e qartë, vota e ish-të përndjekurve politikë do të jetë
vendimtare për fituesin e zgjedhjeve të ardhme. Dua të theksoj që në fillim se
anëtarë të shoqatës tonë janë ata të përndjekur politikë që, duke filluar nga
periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fund të vitit 90-të janë
pozicionuar në krahun nacionalist të politikës shqiptare dhe këtë pozicion e
ruajnë edhe sot. Ndaj edhe shoqata është emërtuar antikomuniste. Në nenin "1"
të programit të saj thuhet: Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë
Demokratë të Shqipërisë është një shoqatë e pavarur. Ajo bashkon në gjrin e saj
të gjithë të përndjekurit politikë nga regjimi komunist pa dallim idesh
politike, përkatësie kombëtare, gjëndje shoqërore, feje, race, seksi dhe arsimi
që janë kundër komunizmit. Ajo është kombëtare, pluraliste, humanitare,
politiko-shoqërore.
Sikurse shihet nga ky nen kushti kryesor për të qenë anëtar është
antikomunizmi. Ndërsa në nenin "4" thuhet: Shoqata ka për mision të saj fisnik
mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të përndjekurve politikë, si dhe të
drejtat dhe interesat e ligjshme të vetë shoqatës. Atë nuk mund ta përfaqësojë
asnjë subjekt, kushdo qoftë, përveç organeve të saj të zgjedhura nga Kuvendi
Kombëtar i Shoqatës. Pikërisht në këto dy nene do të mbështetem edhe unë në shprehjen
e opinionit tim. Parimisht për ne, mbështetur në programin e shoqatës, nuk ka
pasur preferenca se cilën parti apo koalicion partish do të mbështeste shoqata.
Kjo për arsyen e thjeshtë se për shoqatën do të ishte më e preferuara ajo parti
apo grupim që do të plotësonte më mirë detyrimet ndaj kësaj shtrese. I shtojmë
kësaj edhe qëndrimin ndaj mentalitetit komunist që, siç e theksuam më lart,
është një nga synimet kryesore të shoqatës.
Le të analizojmë tani me rradhë se si kanë vepruar ndaj nesh partitë apo
grupimet e ndryshme të dala në skakierën politike të vendit tonë. Po e fillojmë me grupimin e partive të majta me në
krye Partinë Socialiste. A ka qenë ndonjëherë antikomuniste kjo parti dhe ky
grupim? Asnjëherë. Të gjithë të përndjekurit politikë e kanë parasysh qëndrimin
që ka mbajtur ky grupim ndaj tyre në periudhën kur ishin në qeveri (1997-2005).
Çfarë e karakterizoi atë periudhë? Pushime masive nga puna, heqje e të drejtave
të fituara gjatë viteve të para të ndryshimeve demokratike për arsimimin,
punësimin, strehimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar në
vitin 1995 dhe si pasojë lirimin nga burgu të ish krerëve të regjimit komunist
të dënuar nga gjykatat shqiptare dhe dëmshpërblimin e tyre me shuma
maramendëse, miratimin e një ligji qesharak për dëmshpërblimin e ish-të
përndjekurve politikë të barabartë me një kafe 50 lekëshe në ditë, ligj që u
hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, hymnizimin e ngjarjeve apo individëve të
regjimit komunist që ishin të njohur për krimet e tyre dhe shumë të tjera. Po
pas vitit 2005 kur në krye të Partisë Socialiste erdhi zoti Edi Rama? Ndonse
erdhi me shumë bujë duke ia hedhur fajin për gjithçka ish-drejtuesit Fatos
Nano, Rama ruajti të njëjtën strukturë të së kaluarës me bllokmenë apo bij bllokmenësh
të regjimit të përmbysur. Filloi një fushatë të shfrenuar kundër ish-drejtuesit
Fatos Nano, duke ia hedhur të gjithë fajin atij për qeverisjen e keqe dhe duke
premtuar një përmbysje të mënyrës së qeverisjes. Cilat ishin pasojat e këtyre
premtimeve për të përndjekurit politikë? Me urdhër të kryetarit të tyre
deputetët socialistë bojkotuan të gjitha seancat ku miratoheshin ligje në
mbrojtje të kësaj shtrese. Le të përmendim këtu Rezolutën në mbështetje të asaj
të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës "Për Ndëshkimin e Krimeve të
Kryera nga Regjimet Komuniste", ligji për dëmshpërblimin e tyre dhe amendamenti
për përfshirjen në këtë ligj të të pushkatuarve pa gjyq, ligji për lustracionin
në Republikën e Shqipërisë dhe ligje të tjera. Vitin që kaloi zoti Rama ndërroi
taktikë duke menduar se do të gënjente ish të përndjekurit politikë. Mblodhi
rreth vetes një grusht gjoja ish-të përndjekur por që në të vërtetë i përkisnin
grupit të falsifikatorëve dhe vjedhësve që regjimi komunist, për t'i dënuar më
tepër u kishte shtuar edhe nenin politik të agjitacionit dhe propagandës, apo
ata të pamoralshmit që pasi kishin përdhunuar familjarët e tyre për t'i
shpëtuar ndëshkimit kishin tentuar për t'u arratisur jashtë shtetit dhe kështu
u quajtën të përndjekur politikë si dhe ish-bashkëpuntorët e sigurimit që po i
shlyenin borxhin diktaturës. Me këta tipa, që e kishin treguar veten edhe gjatë
trazirave të viti 1997 duke u bashkuar me rebelët komunistë, zoti Rama doli me
tezën e rishikimit të politikës ndaj të përndjekurve politikë. Me të drejtë
zoti Tufa pyet: - Kush ka ndryshuar, ish-të përndjekurit politikë apo Partia
Socialiste? Përgjigjen kësaj pyetje ia jap unë. Të përndjekurit e vërtetë
politikë nuk ndryshojnë. Ata i qëndrojnë besnik parimeve të tyre. Edhe Partia
Socialiste nuk ka ndryshuar. Ajo është po ajo që ka qënë, trashëgimtare e denjë
e Partisë së Punës të Shqipërisë, një armike e betuar e të përndjekurve
politikë. Është demagogjia e saj që, duke përdorur veglat e mësipërme, kërkon
t'u mbush mendjen të përndjekurve se paska ndryshuar. Në rast se një gjë e
tillë qenka e vërtetë atëherë përse zoti Rama nuk u kërkon falje më parë të
përndjekurve për krimet e kryera nga paraardhësja e partisë që ai drejton,
Partia e Punës e Shqipërisë? Ai mund të thotë se nuk më takon mua të kërkoj
falje pasi nuk i kam kryer unë apo partia ime ato krime. Po zonja Merkel,
kancelare e Gjermanisë mos vallë i kishte kryer vetë krimet e nazistëve kur i
kërkoi falje të gjithë hebrenjve dhe viktimave të tjera të nazizmit? Po Papa Gjon
Pali i Dytë që kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në kohën e mesjetës?
Po zoti Majko, përse nuk kërkon falje që i quajti "plehra" luftëtarët e
divizionit 4000 të NATO-s që ranë në luftë për përmbysjen e rendit komunist në
Shqipëri? Përse sot e quan aleancën me NATO-n një domosdoshmëri për vendin tonë
kur luftëtarët e saj të rënë në kohën e diktaturës i quan "plehra"? Jepni
përgjigjen për këto pyetje dhe pastaj keni të drejtë të pretendoni se e keni
ndryshuar kursin e partisë suaj. Përsa i përket partisë së zotit Bamir Topi,
Fryma e Re Demokratike, opinionin tim për të e kam dhënë qysh gati një muaj më
parë më 14 dhe 15 dhjetor 2012 në gazetat "Metropol" Nr. 2856 dhe "55" Nr. 355
ku, midis të tjerave citoja: Dua t'ju pyes, i nderuar zotni, si nuk ju drodh
dora kur nënshkruat dekorimin e kriminelëve që kishin çuar në ekzekutimin e
martirëve të Spaçit, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho apo
Qafës së Barit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, njëlloj si paraardhësi juaj me
dekorimin e vrasësit të poetit Havzi Nela? Si nuk pyetët, të paktën, ndonjerën
nga shoqatat e të përndjekurve politik më parë? Ju thoni se i përkisni shtresës
së të përndjekurve politikë. Atëherë si i kryet këto veprime? Edhe për këto, po
patët kurajo duhet të përgjigjeni. Ndaj edhe zotit Topi dua t'i bëjë të njejtën
pyetje: - Përse sot nuk i kërkoni falje familjarëve të martirëve të mësipërm
për veprimin tuaj të papërgjegjshëm? Në rast se keni ndryshuar, të paktën këtë
gjë duhet ta bëni. Përndryshe do të mbeteni "parti e re me xhaketa të vjetra"
dhe ata që e quajnë veten të përndjekur politikë, nuk do të gjejnë strehë në
partinë tuaj. Sa për Aleancën Kuq e Zi mendoj se nuk ia vlen fare të shkruaj
pasi, me përbërjen që ka, nuk është gjë tjetër veçse një konglomerat
ekstremistësh dhe anarshistësh të hedhur poshtë nga të gjitha krahët e
politikës shqiptare. Lidhur me demagogjinë e tyre mbi Shqipërinë e Madhe ose
Etnike, do të doja t'iu thoja se janë kujtuar shumë vonë. Ideatorët e vërtetë
të asaj lëvizje kanë qenë nacionalistët e vërtetë shqiptar që edhe jetën e
dhanë në shërbim të kësaj çështje dhe ata që ende kanë mbetur gjallë i kanë
gjetur forcat politike ku do të mbështeten Tani le të kthehemi tek forca më e
madhe politike e së djathtës shqiptare, Partia Demokratike dhe koalicioni i
saj. A i ka kryer kjo forcë detyrimet ndaj shtresës së të përndjekurve
politikë? Po të përndjekurit politikë a janë të gjithë me këtë forcë? Le t'i
shtjellojmë këto dy pyetje: Me ndryshimet demokratike, pas vitit 1991, të
përndjekurit politikë u hodhën në masën mbi 90% me Partinë Demokratike dhe kjo
ishte e kuptueshme. Ajo ishte forca e parë politike që doli me
flamurin e demokracisë. Për të thënë të vërtetën, në periudhën e parë të
qeverisjes së saj, u bënë shumë përpjekje dhe u miratuan shumë ligje në
përkrahje të kësaj shtrese. Mjafton të përmenim arsimimin, punësimin, strehimin
e të tjera. Në ato vite nuk merrej asnjë vendim pa miratimin e Shoqatës së të
Përndjekurve Politikë. Por të gjitha këto u përmbysën me marrjen e pushtetit
nga socialistët në vitin e zi 1997.
Le të kthehemi tani pas marrjes së pushtetit, në vitin 2005, nga Partia
Demokratike dhe aleatët e saj. Nëqoftëse do ta krahasojmë me periudhën e
qeverisë socialiste, diferenca është e madhe. Ky koalicion mbetet gjithmonë
shumë më afër të përndjekurve se sa koalicioni i majtë. Por po ta krahasojmë me
qeverisjen demokrate të viteve 1992-1997, do të shohim se ka diferenca dhe këto
bien në sy në të gjitha sferat e jetës. Një gjë e tillë ka bërë që një pjesë e
të përndjekurve politikë, që dikur ishin plotësisht me të, ta shohin me dyshim
qeverisjen e demokratëve. Një gjë e tillë duhet t'i alarmojë drejtuesit e
Partisë Demokratike dhe në mënyrë të veçantë drejtuesin e saj, zotin Sali
Berisha. Detyrimisht diçka duhet ndryshuar në trajtimin e çështjeve të të
përndjekurve politikë në rast se duan të kenë mbështetjen e tyre të plotë. E
theksoj edhe një herë se kjo mbështetje do të jetë vendimtare në fitoren e
zgjedhjeve të 23 qershorit.
Le të analizojmë me rradhë se cilat janë pikat kryesore ku duhet të mbështet
Partia Demokratike në parg të zgjedhjeve: 1. Likujdimi deri në qershor i dy
kësteve të dëmshpërblimit dhe fillimi i këstit të tretë. 2. Likujdimi në total
i atyre që jetojnë ende. Sipas llogarive tona duke marrë parasysh se sipas të
dhënave të Ministrisë së Financave numri i atyre që jetojnë është 2400 vetë dhe
duke zbritur dy këste që janë likujduar, atëherë për të likujduar gjashtë
këstet e tjera nuk duhen më shumë se 75 milion euro, shumë që na duket
plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit. 3. Fillimi i dëmshpërblimit
për të internuarit e periudhës 1945-1954 4. Miratimi në seancë plenare i
amendamentit të KM, miratuar edhe nga komisionet parlamentare që parashikon
zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumentave, heqjen e nenit që
ndalon dhënien e dëmshpërblimit personave të dënuar gjoja për "terrorizëm" e të
tjera. 5. Fillimi i zbatimit të gjithë pikave të Rezolutës së Kuvendit të
Shqipërisë të vitit 2006 "Mbi Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi
Komunist në Shqipëri" ku përfshihen: a. Heqjen e të gjitha dekoratave, titujve
dhe urdhërave akorduar diktatorit Enver Hoxha. b. Rishikimin e datave simbol të
sistemit komunist c. Bërjen publike të dokumentave që dëshmojnë krimet e
regjimit komunist d. Bërjen e ligjit të ri të lustracionit e. Përmbushja e
detyrimeve ligjore për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe
dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. f. Ngritja e memorialit në nderim të
shqiptarëve të rënë në luftën kundër regjimit totalitar, vendosur edhe nga
Kuvendi i Shqipërisë qysh në janar të vitit 2009. g. Hapja e muzeumeve dhe
kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve politike. h. Organizimi i një konference
kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive
politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe
ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist.
Përveç pikave të rezolutës së mësipërme nga Partia Demokratike duhet të ketë
parasysh që shoqatave të të përndjekurve politikë t'u jepet e drejta e një
numri të caktuar deputetësh të propozuar prej tyre, emërimit në organet
qëndrore të shtetit shqiptar të një numri ish-të burgosurish politikë që
jetojnë ende. Kjo gjë pasi, praktikisht sot, përveç presidencës që ka një
këshilltar të burgosur politik, as Kuvendi, as Kryeminstria, as shumica e
Ministrive, as Prokuroria e Përgjithëshme, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë
e të tjera nuk e kanë në organet drejtuese një të tillë, gjë që nuk i nderon.
Është e vërtetë që në Kuvendin e Shqipërisë ka disa deputetë me prejardhje nga
kjo shtresë por, për fat të keq, zëri i tyre është ndier fare pak në mbrojtje
të saj, madje as që i kemi parë ndonjëherë në dyert e shoqatës tonë që,
njëkohësisht, është edhe e tyre. Këto janë pikat ku duhet të mbështetet Partia
Demokratike në programin e saj elektoral. Mbështes propozimin e bërë nga zoti
Tufa për një marrëveshje midis Qeverisë dhe shoqatave të të përndjekurve
politikë, të ngjashme me atë të lidhur para zgjedhjeve të 22 marsit 1992 midis
ish-Presidentit Berisha dhe ish-Kryetarit të Shoqatës së të Përndjekurve
Politikë të Shqipërisë, zotit Osman Kazazi. Një marrëveshje e tillë do të ishte
një stimul i lartë për tërheqjen e kësaj shtrese të përvuajtur pas vetes. A do
ta kryejë Partia Demokratike dhe aleatët e saj një gjë të tillë. Kjo varet nga
vullneti i saj. Ne shpresojmë. Njëkohësisht iu themi se të përndjekurit e
vërtetë politikë nuk shkojnë kurrë majtas. E keqja më e madhe që mund të ndodhë
është se ata mund të mos dalin fare në votim. Një gjë e tillë nuk është në
favorin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tësaj Ne jemi në pritje.