Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB) për të Drejtat e Njeriut
filloi të hënën punimet në Gjenevë duke shënuar njëherazi edhe 20-vjetorin e
miratimit të Deklaratës së Vjenës që çoi në krijimin e postit të Komisionerit
të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, qëllimi i të cilit
është të mbështesë përpjekjet në mbrojtje të të drejtave të njeriut anembanë
botës dhe të ritheksojë universalitetin e këtyre të drejtave, si edhe obligimin
e shteteve anëtare për zbatimin e tyre. Këshilli përbëhet nga 18 vende anëtare
dhe angazhohet të "Zbatojë standardet më të larta në promovimin dhe në
mbrojtjen e të drejtave të njeriut."
Në këtë konferencë që do të zgjasë katër javë, do të marrin pjesë udhëheqës
shtetesh, diplomatë dhe personalitete të njohura botërore, dhe mbrojtës të të
drejtave të njeriut dhe organizata jo-qeveritare nga e gjithë bota, për të
biseduar mbi çështje të ndryshme, që si bazë kanë të drejtat e njeriut -- më
konkretisht, respektimin ose jo të tyre anë e mbanë botës. Në takimin e nivelit
të lartë të Gjenevës, sipas burimeve të OKB-së, përveç më shumë se
100-ministrave të jashtëm do të flasin edhe disidentë dhe persona që u kanë
shpëtuar torturave dhe dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe
torturave në Rusi, Kinë, Iran, Tibet, Siri, Korenë e Veriut dhe anë e mbanë
botës. Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, sipas
njoftimeve të organizatës botërore, në një mesazh drejtuar konferencës së
Gjenevës, tha se ''Ç'prej themelimit të Organizatës, vendet anëtare dhe
partnerët nga shoqëria civile kanë punuar së bashku për të krijuar një numër
programesh dhe marrveshjesh ndërkombëtare në mbështetje të parimeve të Kartës
së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Deklarata Universale i përcakton të drejtat e njeriut si, ''gur-themeli i
lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë.''
Edhe Komisionerja e Lartë e OKB-ës për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay në
fjalën e saj drejtuar konferencës tha se, "është hera e parë që përfaqsues të
qeverive dhe të shoqërisë civile flasin për të drejtat e grave në një
konferencë kushtuar të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe jo të drejtave të
grave në veçanti. Por ajo shtoi se në këtë fushë mbetet shumë për t'u bërë
pasi, ''ashtu si edhe 20-vjetë më parë, gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë
subjekte abuzimesh seksuale dhe fizike dhe se dhunuesit e tyre vazdojnë të
jetojnë në liri'', duke shtuar se anë e mbanë botës vazhdojnë dhunimet dhe
shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe se, ''premtimi për
respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit kudo, është ende
një ëndërrë për shumë njerëz anë e mbanë botës'', tha Navi Pilay.
Zonja Pilay i tha mbledhjes së Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se
ndërsa mirëpret një angazhim më të madh të shoqërive civile në mbrojtjen e të
drejtave të njeriut, ajo ndërkohë ka venë re një rritje të rasteve ku qeveritë
e ndryshme përsekutojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, për arsye të
natyrës së punës së tyre në mbrojtje të këtyre të drejtave. ''Unë vazhdoj të
marr raporte'', tha ajo, ''në lidhje me kërcënime, dhunime, burgosje dhe vrasje
të gazetarëve, dhe mbështetsve të të drejtave të njeriut, vetëm e vetëm sepse
ata kryejnë punën e tyre.'' Një gjë e tillë, kundër atyre që me të drejtë
kërkojnë angazhimin e organizmave ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e
njeriut, shtoi Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut -- nuk duhet të
tolerohet nga askush.
Punimet e Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e
Njeriut do të vazhdojnë deri më 22 mars dhe pritet që të diskutohet për një
numër çështjesh. Në krye të listës siç duket është lufta në Siri, ku sipas
Kombeve të Bashkuara thuhet se rreth 70-mijë veta mund të jenë vrarë, me qindra
mijëra të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre, dhe ku mbi 4
milionë banorë, në një mënyrë ose në një tjetër, janë prekur nga dhuna dhe kanë
nevojë për ndihma emergjente humanitare.
Gjatë kësaj konference shumë pjesëmarrës të nivelit të lartë të Kombeve të
Bashkuara dhe të shteteve anëtare do të shprehin, ''shqetsimet e tyre serioze''
mbi shkeljet e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, do të bëjnë thirrje
për paraqitjen e këtyre rasteve Gjykatës Ndërkomblëtare për ndëshkimin e
individëve dhe të shteteve e qeverive që dhunojnë në mënyrë flagrante të
drejtat themelore të qytetarëve të tyre, duke shkelur kështu edhe marrëveshjet
dhe konventat ndërkombëtare që mbrojnë këto të drejta dhe që ato vet i kanë
nënshkruar.
Duhet thënë se gjatë 20-vjetëve të fundit, ç'prej miratimit të Deklaratës së
Vjenës, janë bërë përparime aty këtu por jo të mjaftueshme në mbrojtjen e të
drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Andaj lind pyetja. A është me të vërtetë
serioz komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara se mbrojtja e të drejtave
bazë të njeriut është me të vërtetë një prioritet me rëndësi i politikave të
tyre në arenën ndërkombëtare? Fjalët dhe retorika janë të mira për konsumim
publik, por veprat e tyre venë në dyshim angazhimet e tyre serioze ndaj zbatimit
dhe respektimit universal të këtyre të drejtave.
Dy shëmbuj ilustrues që e bëjnë edhe vërejtësin e pa-anshëm të dyshojë në
sinqeritetin e këtyre deklaratave në Gjenevë nga udhëheqsit e ndryshëm të
OKB-së. Punimet e Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut i hapi kryetari
i Asamblesë së Përgjithshme dhe ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Duke
iu referuar situatës në Siri, ai tha se dëshironte të ''shprehte shqetësimin e
tij të thellë ndaj tragjedisë më të tmershme humanitare të ditëve tona''. ''Për
dy vjetë tani'', shtoi ish-ministri i jashtëm serb, ''komuniteti ndërkombëtar
ka dështuar në përpjekjet e tija për të ndaluar këtë maskër.''
Tani, për lexuesin shqiptar nuk është e nevojshme të shpjegohet se kush është
Jeremiqi dhe çfarë politike anti-shqiptare ndjekë ai dhe shteti i tij në
Ballkan. Për më tepër, Jeremiqi nuk tha në fjalimin e tij se Rusia dhe Kina,
aleate të Serbisë, me të cilat ai punonte ngushtë për të penguar pavarësinë e
Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj -- janë aleate të ngushta edhe të
diktatorit sirian dhe të cilat në të njëjtën kohë kanë bllokuar vazhdimisht
rezolutat e Këshillit të Sigurimit për t'i dhënë fund gjakderdhjes dhe dhunës
në Siri, gjë për të cilën tani Jeremiqi shprehet gjoja tepër i preokupuar si
zyrtar i Kombeve të Bashkuara.
Kur e merr me mend se ç'bëri Serbia mbi Kosovën dhe në ish-Jugosllavi, dhe tani
ish-ministri i jashtëm i saj që ishte njëri prej mbrojtësve më të zellshëm të
asaj politike çfarosëse anti-shqiptare, fletë për të drejtat e njeriut, si njëri
prej zyrtarëve më të lartë të OKB-së -- të pakën mua më bën seriozisht të
dyshoj në seriozitetin deklaratave të tij dhe në seriozitetin e OKB-së për të
marrë ndonjë masë për të ndaluar gjakderdhjen në Siri, apo kudo tjetër.
Një akt tjetër i turpshëm dhe absurd i kësaj organizate, ndërsa filloi punimet
në Gjenevë, ishte emërimi si nën-kryetar i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e
Njeriut për 12 muajtë eardhëshëm, i një përfaqësuesi të Mauretanisë. Mauretania,
sipas organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, por edhe
sipas medias, ende praktikon skllavërinë. Sipas Huffington Post, skllavëria
praktikohet sistemakisht në Mauretani, ku afrikanët e pakicës me ngjyrë më të
zezë, shërbejnë si skllevër për shumicën arabe. Organizata jo-qeveritare UN
Watch me të drejtë u shpreh e revoltuar se si është e mundur që Mauritania, një
vend ky që mban në skllavëri me qindëra mijëra veta, mund të zgjidhet në
detyrën e nën-kryetarit të Këshillit të OKB-së për te Drejtat e Njeriut? Ky
vendim, thotë UN Watch, përbën një mesazh të shëmtuar se, "organi kryesor
i OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk zbaton në praktikë ato që
predikon vet'', dhe misioni i të cilit është ekzaktërisht mbrojtja e të
drejtave të njeriut.
UN Watch, organizata jo qeveritare e të drejtave të njeriut me qëndër në
Gjenevë, e cila monitoron zbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së, tha se ka
ardhur koha që organi më i lartë i organizatës botërore për mbrojtjen e të
drejtave të njeriut, të kalojë nga retorika boshe në vepra konkrete dhe
njëkohësisht, nënvijoi ajo, ''mbrojtja e të drejtave të njeriut në botë fillon
në secilin vend më së pari", dhe shtoi se, ''Antarësimi në Këshillin e OKB-së
për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut është një pivilegj që bart përgjegjësi,
dhe këto vende kanë dështuar në zbatimin e standardeve bazë'', të mbrojtjes së
të drejtave themelore të njeriut, thotë organizata UN Watch.
