Politikanët maqedonas po ia dalin të zhgënjejnë edhe optimistët e pandreqshëm.
Këta, në fakt, parapolitikanë, janë shndërruar në dy muajt e fundit në
varrmihësit e së ardhmes së vendit, me kazmën e tyre që s'resht së shemburi çdo
arritje të deritanishme. Ata po provojnë me saktësinë e eksperimentit shkencor,
se janë larg, shumë larg të qenët elita që mund ta shpjerë vendin drejt
Bashkimit Evropian dhe NATO-s, atje ku veprimet e këtushme konsiderohen
budallallëqe të pashembullta.
Sekush do të dëshpërohej me të drejtë, kur sheh si e ardhmja e tij dhe e vendit
bëhet zari me të cilin luajnë kumar këta parapolitikanë me kazmë në dorë, që
plëngprishin orë e çast, si të kurdisura kukulla bitpazari, çdo përfitim të
arritur në interes të qytetarit. Plëngprishës do të mbesin tutje këta shtetas
me benefite, për aq kohë sa arsyen e zëvendësojnë me epshin politik, kurse
ndërgjegjen me kryeneçësinë e papërmirësueshme. Maqedonia duhet t'u rrëmbehet
prej duarsh këtyre parapolitikanëve të papërgjegjshëm, që nuk i meriton asnjë
popull e asnjë shtet në botë, e që duhet të ikin një orë e më parë, me kazmën
në dorë, drejt një lëndine të Maqedonisë Lindore.
Me bojkotimin e zgjedhjeve lokale nga opozita maqedonase, vendi ynë do t'ia
sigurojë vetes kualifikimin në ligën e shteteve si Kina, Egjipti, Iraku e
Algjeria, ku mospjesëmarrja elektorale është zakonshmëri në thuajse çdo proces
zgjedhor. Nëse 24 Dhjetori dhe zhvillimet e atëditshme qenë eklipsi i
demokracisë, 24 Marsi do të jetë era që do t'ia kthejë velat drejt Lindjes vendit
tonë, në drejtimin nga sillet Toka, por jo dhe Bota.
Ky kthim pas në parapolitikë dhe parademokraci, druaj se do t'u kushtojë vetëm
karrierë politikanëve maqedonas, e ndërsa qytetarëve tanë - të ardhmen e
shumëkërkuar në BE. Është e padrejtë që dy politikanë të mbajnë peng ambiciet e
dy milionë qytetarëve, që duan dhe gjakojnë integrimin në familjet e mëdha
ndërkombëtare, dhe po ata të vazhdojnë të jenë makinistët e trenit që sillet e
vërtitet aktualisht në binarë të ngatërruar. Kanë mbetur dhe pak javë, kur
politikanët e papërgjegjshëm maqedonas duhet të mbushen mend, të ulen dhe të
arrijnë marrëveshje për të dalë nga kjo gjendje krize që po shqetëson çdonjërin
me pak respekt për veten dhe shtetin ku jeton.
Është mosmirënjohja më e madhe që kemi parë ndonjëherë, mbyllaveshët dhe
mbyllasytë e politikanëve maqedonas, për thirrjet e sinqerta, plot mirësi e
dorëzgjatje të bashkësisë ndërkombëtare, e cila po vijon me ngulm të përpiqet
të ofrojë zgjidhje, mënyra dhe mekanizma për të nxjerrë këtë vend nga gropa ku
e kanë futur politikanët e saj. Por, seç një djall ka hyrë në shpirtrat e
këtyre të fundit, dhe nuk dëgjojnë zë tjetër pos atë të pushtetit, të lakmisë e
babëzisë për mall, duke u bërë dora vetë - vrasësit gjakftohtë të së ardhmes së
shtetit. Kjo papërgjegjësi që s'njeh shembull në botë, po bëhet shenja
identifikuese e partive maqedonase, të cilat po provojnë nga dita në ditë, se
shtetin e tyre e duan vetëm për ta shqyer së (keq)përdoruri deri në katandisje.
E dënueshme, padyshim, është edhe indiferenca e partive shqiptare, të cilat
duket se nuk mërziten gjithaq për gjithçka ndodh këto muaj në skenën politike.
Ato do të duhej të ishin më të zëshmet në kritikat ndaj miopisë së politikës
maqedonase, të partnerëve aktualë ose të mëparshëm, që rezultojnë si fajtorë
kryesorë për bllokimin e vendit në rrugën integruese të tij. Politika shqiptare
nuk duhet të hyjë në mes, gjithsesi se jo, por nuk arsyetohet dot heshtja dhe
injorimi i këtyre zhvillimeve që po djegin një mundësi të madhe integrimi për
të tërë vendin dhe për mbarë qytetarët, sikundër është raporti pranveror i
Komisionit Evropian dhe vendimi i Këshillit të BE-së, në 28 dhe 29 qershor.
Është e pakuptueshme sesi në gjithë këto vite emancipimi politik, partitë
shqiptare nuk arrijnë ende të kalojnë sinorin e veprimit lokal dhe krahinor,
duke ofruar në mënyrë të pakuptimtë politika me zgjidhje parciale dhe
provinciale të problemeve. Ky vetëkufizim i politikës shqiptare, që tkurret në
mëhalla e lagje dhe që nuk i intereson asgjë më shumë se ç'tangon atë, është
version i vjetruar dhe primordial i politikëbërjes, i pamerituar nga
shqiptarët. Partitë tona duhet të kuptojnë një herë e mirë se ata janë
humbësit, dhe jo fituesit, nga çdo përplasje ndërmaqedonase që ka si çmim
integrimin evropian të vendit. Humbësit më të mëdhenj, në këtë rast, do të
ishin të gjithë qytetarët, pa përjashtim etnik, fetar e kulturor.
Shkëlzen LUSHAJ
Zv/kryeredaktor i gazettes "Zhurnal Plus", SHKUP