110 vjet më parë, më 20 Maj, 1903 lindi në Shkodër Ernest Koliqi. Unë kam pasë
fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qëndrimit tim si refugjat në Romë,
para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kujtoj si një njeri
të thjeshtë dhe tepër të afrueshëm me gjithkënd. Por mbi të gjitha, ai ishte
një gjigant i letërsisë dhe i kulturës shqiptare me merita të konsiderueshme.
Përveç meritave të mëdha në nivelin kulturor dhe gjuhësor, një kontribut i
rëndësishëm kombëtar i mohuar i Ernest Koliqi, ose për të cilin flitet shumë
pak ose aspak, është hapja e shkollave të para në gjuhën shqipe në Kosovë, nën
drejtimin e tij si ministër, kur Kosova u bashkua me Shqipërinë gjatë luftës --
ndëkohë që shkollat shqipe ishin të ndaluara nga okupatorët serbë. Ai ndihmoi
gjithashtu edhe në sigurimin e bursave për studentë shqiptarë nga Kosova për
trajnimin e tyre në Itali dhe Austri. Meritat e Ernest Koliqit, para dhe pas
Luftës së Dytë Botërore janë të mëdha, por fatkeqsisht gjatë periudhës së
regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha, ndonëse edhe sot, Ernest Koliqi
vazhdon të gjykohet për aktivitetin e tij të shkurtë politik dhe jo të
vlersohet për kontributet e tija monumentale ndaj letërsisë, kulturës dhe
gjuhës shqipe në përgjithësi.
E vërteta është se, unë nuk e ndjejë veten as të aftë dhe as të denjë të
shkruaj për këtë personalitet të madh të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Por nuk
mund durohem pa e kujtuar atë me rastin e këtij 110 vjetori të lindjes së tij,
pasi kisha fatin ta njihja në rininë time, dhe dashtë e pa dashtë njerëz të
tillë të lënë përshtypje që zgjasin tërë jetën. Megjithse kur e kam njohur në
fillim të 70-ave, ai ishte në moshë të shkuar -- Ernest Koliqin e mbajë mend
dhe e kujtoj si njeri të palodhëshëm dhe të papërkulshëm ndaj sfidave dhe
vështirsive, dhe gjithmonë të qeshur.
Ishte themelues dhe pronar i revistës së famshme ''Shëjzat'', një ndërmarrje
këjo që ai e vazhdoi së botuari deri në momentin e fundit të jetës. Revista
''Shëjzat'', në të vërtetë, ishte jo vetëm një pasqyrim i talentit të tij, dhe
i dashurisë për letrat shqipe dhe i atdhedashurisë, por njëkohsisht ishte edhe
simbol i aftësisë së tij për të mbledhur rreth vetes bashkpuntorë e shkrimtarë,
të cilët si edhe vet Koliqi, ia donin të mirën kombit shqiptar. Ernest Koliqi,
duke besuar në fjalën e urtë, ''trimi i mirë me shokë shumë'', rreth
''Shëjzave'', mblodhi një numër të madh shkrimtarësh dhe eksponentash të
kulturës dhe gjuhës shqipe në mërgim, të cilët për kontributet e tyre nuk
kërkonin asnjë shpërblim, por që për objektiv kishin, vetëm e vetëm,
përkushtimin e tyre ndaj çështjes kombëtare. Ata ishin, ajka, undyra e
shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë në mërgim, të cilët i shkuan pas
këtij burri të madh të letrave shqipe.
Karl Gurakuqi, njëri prej bashkpuntorëve dhe njohësve më të mirë dhe bashkohas
i Ernest Koliqit, duke iu referuar bashkpunimit të gjërë të intelektualëve të
kohës me revistën Shëjzat e Koliqit, ka shkruar se, ''Nuk ka ngja ndonji herë
në shtypin tonë, qoftë mbrenda në Shqipni, qoftë jashtë Atdheut, që një revistë
të ketë pasë nji numër kaq të madh bashkpuntorësh." Karl Gurakuqi vazhdoi
me vlerësimin e tij se, "Këjo don të thotë se për Koliqin ushqehet nji
nderim i posaçëm; emëni i Tij me veprat e çmueshme e të shumta ka ba që secili
e ka pasë për nder me e vu nën flamur të Tij dhe bashkë me te, me u përpjekë të
mbajnë gjallë flakën e dashunisë së kombit e të gjuhës shqipe."
Këtë flakë dashurie për gjuhën dhe kombin shqiptar, Ernest Koliqi e ka shprehur
në të gjithë veprat e tija, por sidomos në kryeartikujt e rëvistës Shëjzat,
shumë prej të cilave kam patur fatin t'i lexoj -- mendime të cilat, megjithëse
të shkruara më shumë se një gjysëm shekulli më parë, mbeten edhe sot aktuale.
Në ato komente, lexuesi dallon qartë ndiesitë e tija atdhetare. Në shkrimet e
tija, sipas vet autorit, askush "Nuk gjenë në to asnji rresht që mos të
naltësojë fisnikinë e kombit, ose që të cenojë nderin dhe idealet e gjindes
arbnore."
Në një koment në Shëjzat e vitit 1971 të titulluar, "Njerëzija", duke folur për
demokracinë, Profesor Ernest Koliqi shkruan se me mburrje shqiptohet fjala
demokraci, nga ata që ndoshta as nuk dinë preardhjen e saj etimologjike, ose
nga ata politikanë që, sipas At Gjergj Fishtës, "venë kapelë në krye e lidhin
kravatë në fyt." Demokracia e vërtetë sipas, Ernest Koliqit, nuk është
"Pështjellim ideshë dhe panjerzi sjelljesh", por ajo ,"Lypë harmonizim
vullnetesh e qellimesh nepërmjet bisedimesh të lira e të kthiellta. Rrahen
çashtjet mirë e mirë, mandej fiton davanë shumica. Ndër ne Shqiptarët,
përkundrazi, t'ashtuquejtunit demokratë duen të shtërngojnë (detyrojnë) të madh
e të vogël me iu nënshtrue -- arsye e pa arsye -- mendimeve e qellimeve të
tyne, madje edhe kur ndodhen në pakicë.......Secili grup ngujohet në kullë të ideve
të veta. S'ka vend për shoshitje të kthiellta mendimesh. Kush nuk ndodhet i
përfshim në një gji të grupit, ashtë anmik, njeri i urrejtshëm që duhet
asgjësue, po qe e mundun, ose me e shnderue me akuza e shpifje shnjerzuese."
Në një editorial tjetër, me titull, "Politika dhe Kultura", të vitit 1965, duke
shkruar për atdhedashurinë thotë: "Animirë, si mundet t'i thotë vetes
"atdhetar", ai bir Shqipje, që për arsye shkalle shoqnore, ja rrjedhimi
shtëpijak, ja feje ja krahine, e shikon shtrembët dhe e mëninë bashkëgjaksin
(bashkombasin) e vet a thue se Shqipnija nuk ashtë çerdhe e përbashkët, por
llogor ku fati na dënon me kalue jetën? Pra, vetija e parë e një atdhetari
qindron në dashuni për vëllaznit e një gjaku e të një gjuhe. Mos e mënijë atë
edhe nëqoftse nuk të pëlqen.....po qe ma i shkolluem ndriçoje, po qe ma i pasun
ndihmoje....Tue përbuzun bashkombasin, cili do të jetë ai, dhe pa asnji bazë
themelore, ti mohon mundësinë e bashkjetesës kombtare, vërteton fjalët e të
huejve që s'na duen, e të cilët trumbetojnë se Shqiptaët s'janë të zotët t'i
krijojnë vetes nji atdhe."
Duke komentuar për kulturën politike të kohës por që duket sikurë pasqyron edhe
gjendjen aktuale të politikës shiptare, ai thotë se "veprimtaria politike e
cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk ashtë gja tjetër veçse nji lojë kote, që
argëton ndoshta ata që e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të
historisë."
Në një koment tjetër në Shëjzat e vitit 1969, Profesor Ernets Koliqi shkruan
se, "Shqiptarët, pleq e të rij qofshin, ndër lëvizje turbulluese ideologjike,
duhet të përpiqen me sjellë ujin në mulli të atdheut, tue u frymëzue nga
mendime e idena shqiptare dhe jo prej atyne të marra nga të huajtë të cilët
duen të ndreqin puntë e veta, e me zi ç'presin të gjëjnë torollakë që ua a
ngjesin falas dorën.''
Dhe një kryeartikull drejtuar një të riu letrar, në një numër të Shëjzave të
vitit 1970, Ernest Koliqi këshillon të rinjtë se si të gjitha kombet e tjera,
edhe kombi shqiptar duhet t'i përshtatet zhvillimeve shoqërore të njerëzimit
dhe tu bashkohet dialogjeve me përfaqsues qytetërimesh dhe kulturash të
ndryshme, por ai thekson rëndësinë e besnikërisë që duhet patur ndaj traditave
dhe kulturës shqiptare në rend të parë, duke thënë: "Brigjet e Atdheut tonë të
adhuruem njomen nga valet e kaltëra të Mesdheut, ku lulzuan besimet e
qytetnimit që përfaqsohen në gjinden arbnore. Ashtë vetvrasje përpjekja me tha
langjet ushqyese të qytetnimeve mesdhetare në rrajët e thella të kombësisë.
Pranverat e reja të shqiptarizmit, prej atyne langjeve do të bijnë e do të hapen
në mbrekulli gjethesh e lulesh. Vepra arti dalë nga mendja e zemra e Shqiptarit
duhet të depërtohen nga fryma, nga ersimi i tokës s'onë, e të vrumullisin me
fuqinë e humus-it të shqiptarizmit, humus ky i grumbulluem në shpirt e në gjak
të fisit shqiptar gjatë mija vjetësh. "
Fjalët, veprat dhe shkrimet e Profesor Ernest Koliqit kanë qenë dhe janë visare
të çmueshme dhe gjithnjë aktuale për kombin shqiptar. Duke lexuar shkrimet e
tija, të shfaqet para syve pasqyra e pastër e patriotizmit dhe atdhedashurisë
së patundur e tij, por njëkohsisht edhe e shqetësimeve të tija të zemrës si një
atdhetari, poeti e shkrimtari, që vdiq në mërgim, i përbuzur dhe larg rrethit
të familjes.
Le të shërbejë ky përvjetor, që më në fund, sipas akademikut dhe ekspertit të letërsisë
shqiptare, kanadezit, Robert Elsie që , "Kritikët modernë në Shqipëri, të cilët
vet kanë mbijetuar Stalinizmin gjysëm shekullor, të jenë më të kuptueshëm, më
të arsyeshëm dhe më sensitivë ndaj kompromiseve, që shpeshherë shkrimtarët dhe
intelektualët janë detyruar të bëjnë nën urdhërat e regjimeve ekstreme. Si
figurë letrare dhe kulturore, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet një gjigant",
thotë Profesor Robert Elsie, në një shkrim të tij për Ernest Koliqin.