U NGUTËT, TË NDERUAR KONGRESMENË Nga FRANK SHKRELI
E Djelë, 12.29.2013, 12:19pm (GMT+1)
Siç
njoftohet në media të ndryshme, disa kongresmenë amerikanë, i kanë
dërguar një letër Komisionit Nobel me të cilën kanë emëruar,
kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica
Daçiq si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian,
Katerinë Ashton, kandidatë për Çmimin Nobel të Paqës për vitin 2014. Në
letrën e përbashkët nënshkruar prej tyre, kongresmenët amerikanë thonë
se kjo treshe duhet të nderohet për rolin kritik që ata luajtën për
"normalizimin e marrëdhënjeve" midis Kosovës dhe Serbisë. Ligjvënsit
amerikanë i cilësojnë takimet e shumëta të dy kryeministrave me
ndërmjetsimin e Bashkimit Europian gjatë këtij viti, si "pikëkëthesë
dramatike" në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë. Para se të
shkoj më gjatë, jam i detyruar të them se Kongresmeni Eliot Engel, njëri
ndër nënshkruesit e letrës, është njëri prej ligjvensëve amerikanë që
ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të veprimtarisë mbështetse të
Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për interest e shqiptarëve në
përgjithësi. Unë kam pasur fatin të kem qenë shpesh dëshmitar i
mbështetjes së tij ndaj kauzës shqiptare, duke u bazuar në ato që ai ka
bërë gjatë dy tre dekadave të fundit, në përkrahje të shqiptarëve e
sidomos të çështjes së Kosovës. Këtë, kongresmenit Engel nuk mund t'ia
mohojë askush dhe jam i bindur se Zoti Engel do të vazhdojë të përkrahë
të drejtat e shqiptarëve si më parë, pasi ai, si rrjedhim e kësaj
përkrahjeje dhe me të drejtë gëzon një mbështetje të forte dhe të
merituar edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Unë këtë nuk e
dyshoj, dhe si një shqiptaro-amerikan i jam mirënjohës kongresmenit
Engel, siç jam i sigurt dhe besoj se janë edhe shumica e atyre që e
njohin mirë mbështetjen e tij për Kosovën dhe angazhimin e kongresmenit
Engel për të drejtat e shqiptarëve kudo. Për këtë ai është nderuar nga
Kosova dhe Shqipëria, dhe shqiptarët kudo, do t'i jenë atij
përgjithmonë mirënjohës. Por
rekomandimi i këtij grupi kongresmenësh për të emëruar si kandidat për
Çmimin Nobel për paqë, kryeministrin serb, më duket si një masë e
ngutëshme dhe e pa menduar mirë. Janë mbajtur bisedime dhe janë
nënshkruar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Por sipas analistëve
në realitet, shumë pak ose hiç gjë nuk është arritur midis dy shteteve.
Vazhdon "status quo ante" në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë.
Për faktin se Serbia as që nuk e njeh shtetin e Kosovës si të tillë dhe
si rrjedhim nuk mban ndonjë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve të
nënshkruara me një ''shtet'' që ajo nuk e njeh, as de jure as de facto.
Për më tepër analistët thonë se deri tani, në bazë të këtyre
marrveshjeve, Kosova jo vetëm nuk ka fituar asgjë, por edhe arritjet që
mund të dalin nga këto marrveshje, për normalizimin e marrëdhënjeve
midis dy palëve -- mbeten për tu parë. E vërteta është se nga këto
marrveshje të deritanishme ka përfituar vetëm Serbia, në rrugën e saj
drejtë integrimit europian. Qëllimi i BE-ës është që marrëdhënjet midis
Serbisë dhe Kosovës të "normalizohen", por Beogradit nuk i kërkohet si
kusht njohja diplomatike e shtetit të Kosovës. Kaq e tha edhe shefi i
Zyrës së BE-së në Beograd, Majkël Davenport për gazetën serbe Novosti.
Ai theksoi se "Njëra nga fushat kryesore është respektimi i
marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe angazhimi se nuk do të bllokojnë
njëra-tjetrën për në BE". Me fjalë të tjera, Kosova angazhohet që të
mbyllë gojën dhe të mos pengojë antarësimin e Serbisë në BE, ndërsa
Serbisë as nuk i kërkohet si kusht antarësimi, njohja e shtetit të
Kosovës. Për më tepër, e drejtë ose jo, thuhet se në bazë të këtyre
marrëveshjeve, Kosova po kantonizohet dhe se po krijohet një "srpska" në
Kosovë, sipas modelit të Bosnjës dhe se komunitetit të vogël serb në
Kosovë po i bëhen lëshime të papara dhe po i akordohen privilegje që nuk
i gëzon asnjë pakicë tjetër etnike në Europë. Është vështirë
të shihet ndonjë "pikëkëthesë dramatike'' në këtë mes në marrëdhënjet
Kosovë-Serbi. Nëqoftse deklaratat e Daçiqit janë ndonjë shënjë
treguese, në të vërtetë, dhe ndonëse ka nënshkruar marrveshjet -- në
qëndrimin e tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar asgjë. Jo më largë se
disa javë më parë ai tha se Serbia nuk do e harrojë kurrë veriun e
Kosovës dhe se serbët atje duhet të ndëgjojnë Beogradin. Gjithë këto
qendrime pa kompromis të Beogradit ndaj Kosovës po theksohen e
ritheksohen për të gjithë ata që duan të marrin vesh, ndërkohë që anë e
mbanë Serbisë po zbulohen varreza të reja masive shqiptarësh të vrarë
nga regjimi diktatorial i Millosheviçit, e të cilit Daçiqi i ka shërbyer
me zell. Ligjvënsit e nderuar amerikanë thonë në letrën e tyre
drejtuar Komisionit Nobel se marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë
çuar në "normalizimin e marrëdhënjeve" midis Prishtinës dhe Beogradit.
Po çfarë normalizimi dhe me kë? Kryeministri serb Daçiq gjithnjë
insiston se "Ne nuk e e njohim Kosovën si shtet, por si një territor të
veçantë... ndaj të cilit ne nuk kemi ndryshuar qendrimin
tonë." Daçiqi nuk ka treguar kurrë ndonjë
vullnet të mirë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj Kosovës, qoftë ndaj
Shqipërisë. Madje, kohët e fundit në një intervistë televizive,
ai vuri në dukje ndjenjat e tija të thella antishqiptare, kur me inatin e
tij primitiv anti-shqiptar u shpreh se nëqoftse Shqipëria antarësohet
në Bashkimin Europian para Serbisë, atëherë sipas tij, serbët si komb
duhet të bëjnë vetvrasje kolektive, duke thënë tërthorazi se Shqipëria
është një vend i prapambetur që nuk meriton antarësimin e saj në BE. Është e
famëshme thënja se "pa paqë nuk ka drejtësi''. Çdo marrëveshje për
normalizim marrëdhënjesh dhe për vendosjen e paqës së vërtetë midis dy
vendeve duhet të jetë e drejtë për të dy palët, por sidomos për
viktimën. Marrveshje të tilla do ishin shpresëdhënse, po të ishin të
sinqerta, dhe do të përbënin një hap përpara për marrëdhënjet afat gjata
midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan si dhe një pranim i të
drejtave të barabarta universale të njeriut dhe zbatimit të ligjit në
atë rajon. Por kam drojë se marrëveshjet e arritura në Bruksel midis
Kosovës dhe Serbisë, për të cilat kongresmenët amerikanë propozuan
Zotërinjtë Thaçi, Daçiq dhe Zonjën Ashton për Çmimin Nobel për Paqë,
nuk përmbajnë sinqeritetin e vullnetit të mirë dhe as frymën e
kompromisit as respektin e ndërsjellët dypalësh. Prandaj si të tilla,
është e vështirë të shihet se si këto marrëveshje do të çojnë në rrugën
drejtë një paqeje dhe drejtësie dhe në normalizimin aq të nevojshëm të
marrëdhënjeve midis dy popujve, si një parakusht për të dy vendet në
përpjekjet e tyre për tu integruar në Europë. Këto marrveshje të
arritura midis Prishtinës dhe Beogradit siç duket janë një rast i humbur
historik për t'i dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë shtetërore të Serbisë e
cila ka shkaktuar aq shumë vuajtje dhe dhimbje ndër shqiptarë për më
shumë se një shekull. Andaj si i tillë të nderuar kongresmenë, megjithë
respektin që kam për ju, vendimi i juaj ishte i nxituar sepse
përfaqsuesi i regjimit të Beogradit nuk meriton emërimin për Çmimin
Nobel për paqë. Mund të ketë një paqë të brishtë midis Kosovës dhe
Serbisë, por siç ka thënë gazetari i njohur amerikan, Uilliam Allen
Uajt, "Paqa pa drejtësi është tirani". Dhe për ushtrim tiranie fizike
dhe psikologjike, të pakën deri më sot, nuk është dhënë Çmimi Nobel për
paqë.
FRANK SHKRELI
|