NË NJË VEND NORMAL, KRYEMINISTËR ËSHTË PUNË E RËNDË Nga ARTUR ÇANI
E Enjte, 08.21.2014, 10:58am (GMT+1)
I nderuar zoti kryeministër, këto radhë iu drejtohen Juve zoti Rama; jo se kam gjë me Ju personalisht, por sepse Ju jeni ulur në kolltukun e kryeministrit. E di që nuk jeni në zyrë, e di që nuk jeni as në Tiranë, por jam i sigurt që, kudo që të jesh ka drita e do të mund të gjesh kohë e të lexosh këto pak radhë që po Ju dedikoj.
Nuk kam as kualifikimet e as më gënjen mendja ta mendoj veten të aftë për të këshilluar njerëzit, pasi kam bindjen se, siç thoshte i ndjeri gjyshi im: "Eksperienca është shumatorja e gabimeve të jetës." Por tashmë, pas kaq viteve punë në lëmin e gazetarisë, pasi kam parë shumë qeveri t'i lënë vendin, me të mirë a me pahir, njëra-tjetrës, mendoj se edhe unë pak eksperiencë e kam grumbulluar në vite, eksperiencë që modestisht, mendoj se mund t'Ju shërbejë. Po e filloj nga diçka personale. Nuk dua të kem kurrë asnjë detyrë drejtuese, as edhe te pallati ku banoj; është larg meje çdo aspiratë për të pasur një vend të rëndësishëm në sallën e butonave të komandimit. Nuk më përshtatet as roli i atyre që "detyra i thërret" për t'i dhënë këshilla e sugjerime mbretit. Është e vërtetë se, po të jesh afër diellit ke gjithmonë behar e ngrohesh më shumë, por unë preferoj pranverën dhe vjeshtën time. Radhët në vijim, janë vetëm disa reflektime të thjeshta e të paanshme, që po ju rreshtoj me mirëdashje në vazhdim.
Hiq dorë nga premtimet, sidomos nëse nuk je i bindur e i sigurt që do e mbash fjalën; mos vendos afate me ditë për realizimin e tyre. Populli ynë është tashmë i bërë qull nën shiun e premtimeve dhe programeve të dështuara e nuk ngopet më me lugë të zbrazët.
Mos ua lër fajin të tjerëve, as bashkëpunëtorëve të tu më të ngushtë e jo më kundërshtarëve a opozitës, duke thënë se janë të paaftë, të trashë apo të ligj. Mos bëj sikur i zgjedh, por bëj një seleksionim të thellë të bashkëpunëtorëve të tu. Bëje vetë, imponojua edhe të tuve ta bëjnë. Nëse e ndjen se ke bërë gabime, gjithmonë ke kohë për t'i riparuar. Më mirë vonë se kurrë!
Duhet të jesh i gatshëm të përgjigjesh, jo vetëm për gabimet e tua, por edhe për gabimet e bashkëpunëtorëve të tu, sepse këtë ta imponon pozita që ke. Është e pakonceptueshme që, pas asaj që ndodhi në Sarandë me sekretarin e deputetit Kokëdhima, të thuhet: "Akt i turpshëm. Ne perversët, kur i identifikojmë i fusim në burg."
Po kush i përzgjodhi, kush i emëroi, kush i la hallexhinjtë në dorën e tyre?
Ju i kërkoni Serbisë të mbyllë zyrat paralele të veri të Kosovës, ndërkohë që harroni që një miku juaj i ngushtë, një deputet delirant, hap zyra paralele pune në zonën ku jeni zgjedhur deputet.
Mos u bëj si Fullani, që çdo mëngjes kur zgjohet, shkon përpara pasqyrës e thotë: "E kujt është kjo fytyrë e bukur? U, qenka e imja. Kush është ky burrë kaq elegant? U, qenkam unë". Nëse s'e di, mësoje: Shqipëria, shejtan budallenj ka me tepri.
Hiq dorë nga transmetimet direkte në televizion për takimet, kudo qofshin ato, në natyrë apo rreth tavolinave të rrumbullakëta, katrore, elipsore a drejtkëndëshe. Kujtohu që televizioni ka marrë në qafë më shumë kryeministra sesa vetë kriza. Historia mbas '90-ës fillon me Bufin; uroj të mos jesh edhe ti në këtë vazhdë. Por nëse vërtet nuk të rrihet, ofroje pamjen tënde të rreptë apo të qeshur nëpër postera. Ndoshta e kam gabim, por më duket se edhe fytyra juaj u takon tashmë klasikëve të politikës, programeve të parapara. Shemben shtëpitë në Gjirokastër, prishen afresket e Onufrit, rrënohen kalatë historike, por fytyrat e politikanëve janë po ato. Andaj, më mirë minimizoje në maksimum daljen e dukjen.
Mundohu të mos mendosh si shumë kolegët e tu, që, 'populli meriton qeverisjen që ka e ai duron gjithçka', bazuar vetëm tek fakti që vazhdon të votojë. Informohu, por jo nga ata që hanë e pinë rreth teje, jo nga ata që konsumojnë miliona lekë të shtetit në muaj, jo nga ata s'të lënë të marrësh frymë, dhe do të kuptosh që diçka po ndryshon. Bëj inventarin e një milion shuplakave, apo edhe të atyre qindra-mijërave shqiptarëve që nuk kanë shkuar të votojnë, dëgjo edhe ata që hanë në shtëpitë e tyre e jo në restorante, madje edhe ata që e mbyllin ditën me borxhe se s'kanë të hanë, dhe do ta kuptosh se numrat kanë ndryshuar, të pakënaqurit po rriten, mbështetësit po zvogëlohen. E kuptoj që një shtet, në Bankën Qendrore të të cilit vidhet ditën për diell e drejtuesit gëzojnë imunitet politik, e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të llogarisë mosbesimin, përbuzjen dhe përçmimin që përhapet përditë në opinionin publik. Por ti tento, përpiqu!
Përpara se të flasësh, kujto të madhin Konica që thoshte: "Zoti ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë!". Mos i konsidero miq gazetarët apo pronarët e mediave që të servilosen. Mbaj parasysh se, ata që marrin me qira mendimet dhe opinionet tuaja, humbasin besimin e lexuesve. Më mirë një kritikë më shumë, qoftë dhe e padrejtë, por pa qëllim të keq, sesa një duartrokitës i paguar. Duartrokitjet me komandë nuk kanë mundur kurrë t'i fshijnë stonimet.
E kuptoj që nuk është e lehtë, madje e konsideroj shumë të vështirë, t'i kërkosh një populli të vihet në dietë, të shtrëngojë rripin. Kjo mendoj se të bëhet edhe më e vështirë, sepse të duhet ta kërkosh këtë sakrificë në emër e për llogari të atyre, që me ose pa të drejtë, vlerësohen në popull si gllabëruesit e tortës. Ka ardhur momenti që të shpërndash me drejtësi të paktën thërrimet e mbetura.
Së fundmi, meqenëse ke qenë disa herë i martuar, konsideroje martesën si një çështje thellësisht personale. E respektoj gruan tënde të re, fëmijët e tu, të rritur apo edhe të sapolindur, por do t'u lutesha të rrinin sa më larg kamerave e komenteve. Zonjë e nderuar, mbaj jashtë kronikave, veten dhe fëmijët e tu e të tijtë njëkohësisht. Mos e bëj familjen ushqim për oreksin e kronikave, paçka se dikush thotë se emri i djalit tuaj të sapolindur Zaho është bërë trendi. U kujtoj se kanë qenë "iniciativat" e zonjave të tyre që kanë bërë që kryeministrat të përballen me situata të papëlqyeshme.
Nëse padashur ky shkrim Ju duket Juve apo edhe çdo lexuesi tjetër të gazetës, si një predikim, unë u kërkoj të falur të gjithëve. Por e ndjej për detyrë të deklaroj se: Siç e thashë edhe më sipër, kurrë nuk kam dashur e as dua që të bëhem pjesëtar i oborrit e as këshilltar i mbretit.
P.S. Meqenëse Ju keni thënë se nuk e lexoni shtypin, gjë që unë e besoj pak, do t'i lutem redaksisë që ta dërgojë edhe në adresat tuaja në "Twitter" e "Facebook".
ARTUR ÇANI
|